ARKEOLOGJI FJALËSH: SHTETRRETHIM

Duke lexuar Stato di eccezione të Giorgio Agamben-it, pashë se autori e krahasonte si koncept me gjermanishten Ausnahmezustand, por edhe Notstand, terma të cilave në doktrinën juridike anglosaksone u përgjigjen martial law dhe emergency powers, ndërsa në doktrinat juridike italiane dhe frënge stato di assedio dhe état de siège (edhe pse në Itali, siç njofton Treccani, stato d’assedio është historizëm tashmë dhe e kanë zëvendësuar nga stato di pericolo pubblico, së paku në ligjërimin juridik). Në të gjitha rastet, është pak a shumë fjala për një situatë juridike të karakterizuar nga pezullimi i përkohshëm i disa ligjeve ose edhe i vetë kushtetutës dhe delegimi i pushteteve civile autoritetit ushtarak, në rrethana serioze të brendshme që mund të shkaktojnë turbullira dhe të provokojnë çrregullime ose paralizën e funksionimit të pushtetit publik. Agambeni thotë se për të njëjtin koncept është përdorur edhe termi “luftë civile legale”, ose termi tjetër pieni poteri (fr. plein pouvoirs). Sa për shqipen, këtu sot gjen edhe gjendje e jashtëzakonshme, që i përgjigjet më fort gjermanishtes; edhe shtetrrethim, që duket si kalk i italishtes stato d’assedio.

Ky term i dytë, shtetrrethim, tërheq vëmendjen për disa arsye; dhe para së gjithash, ngaqë përdoruesi i sotëm i shqipes do ta shohë si kompozitë të dy fjalëve shtet dhe rrethim, të dyja kuptimisht të qarta, paçka se kuptimet e tyre nuk ndihmojnë shumë për të shpjeguar se ç’është shtetrrethimi. Dhe ky konfuzion vazhdon derisa të sqarohet se ajo shtet, si pjesë e parë e kompozitës, nuk lidhet shumë me fjalën shtet si “tërësia e organeve qeverisëse (ligjvënëse, ekzekutive e gjyqësore) të një vendi; vendi me një organizëm të tillë”, që shfaqet në togfjalësha si shteti shqiptar, kryetari i shtetit, etj., por i referohet një kuptimi tjetër – për mua në thelb fiktiv – të fjalës shqipe shtet, e cila rimerr italishten stato, me kuptimin “gjendje”; dhe ashtu shtetrrethim do të ishte “gjendje rrethimi”. Siç e jep edhe Fjalori i shqipes i vitit 2006, shtetrrethimi është “gjendje e jashtëzakonshme në një shtet kur pezullohen ligjet civile dhe zëvendësohen me ligje ushtarake” (një përkufizim i gabuar, sa kohë që shprehja “ligje ushtarake” nuk ka kuptim). Megjithatë, ky përkufizim është një hap përpara, sado i drojtur në krahasim me përkufizimin e FGJSSH të vitit 1980: “Pezullimi i ligjeve civile në një vend dhe zëvendësimi i tyre me një regjim të rreptë ushtarak për të shtypur qëndresën e masave popullore (në rrethana politike të jashtëzakonshme)”, ku flitet – krejt papritur dhe madje gratis – për “qëndresën e masave popullore”; e gjitha kjo, kur regjimi totalitar e mbante Shqipërinë në regjim shtetrrethimi të përhershëm, madje edhe mburrej për këtë, kur i ftonte qytetarët që “të jetojmë si në rrethim”. Më i matur dhe i arsyeshëm, si në shumë herë të tjera, është Fjalori i gjuhës shqipe i vitit 1954, që e jep shtetrrethim si “zëvendësimi i ligjëve civile të një vendi me ligjë ushtarake, në rrethana politike të jashtëzakonshme” – një nivel qartësie ky që, pas turbullimit të hatashëm të viteve të regjimit Hoxha, ende nuk është rikthyer në shqipen e fjalorëve.

Prejardhja e kësaj fjale librash, shtetrrethim, nuk mund të ndahet nga historia e fjalës shtet në gjuhën shqipe. Për shtetrrethim nuk e diskuton njeri që është formuar sipas modelit të italishtes stato di assedio, por mënyra e formimit ka nevojë të sqarohet më mirë. Nga një kërkim që bëra, vura re se në tekstin e Statutit themeltar të Republikës Shqiptare (1925), termi del me pjesët të shkruara veçan:

Art. 82: Në kohë kryengritjeje, luftë të mbrendëshme ase të jashtme, mobilizimi të përgjithshëm, ase kalamiteti publik, Kryesija e Republikës nen përgjegjesin e trupit Ministruer, shpallë shtetin e rrethimit, dhe ven në zbatim ligjen relative në gjithë token e Shtetit ase në ndonji copë të sajë; në qoftë se Dhomat janë të mbledhuna, duhet marrë auktorizimi, dhe në qoftë se Dhomat nuk ndodhen të mbledhuna, Pushteti përmbarues e ven në zbatim, por dekreti i shpalljes së shtetrrethimit i duhet paraqitun Dhomavet në fillim të sesjonit t’afërmë.

Dekreti i shpalljes së shtet rrethimit i paraqitet Dhomës së deputetvet mbas mbledhjes së saj për aprovim ase refuzim, e cila mbrenda 30. (tridhjet) ditve prej dates së paraqitjes të këtij dekreti, ep vendimin e refuzimit, ase t’aprovimit të tij.

Kjo shtetin e rrethimit i përgjigjet edhe më mirë, strukturalisht, italishtes stato di assedio, por ndërkohë njëfjalësimi kish filluar të vepronte dhe te Statuti themeltar i Mbretërisë i vitit 1939 do të përdoret rregullisht termi shtetrrethim.

Pas vitit 1946, më rezulton që termi të jetë ndërruar në gjendje e jashtëzakonshme, çfarë vazhdon edhe sot; i njëjti konstatim për Kushtetutën e Republikës së Kosovës (2008), çfarë na lejon që shtetrrethimin ta quajmë tashmë si historizëm.

Për t’u kthyer tani te forma e brendshme e këtij koncepti juridik, italishtja stato di assedio i referohet një kuptimi specifik të fjalës stato, që në shqipe e shpreh më mirë gjendje; prandaj dhënia e këtij kuptimi me shqipen shtet do të ketë ndodhur në rrethana, si të thuash, të paqarta. Fjalori FGJSSH i vitit 1980, te zëri SHTET, e përfshin një
vjet. Gjendje. Shtet rrethimi. Shtet lufte  gjë që më lë të kuptoj se disa përdorime të fjalës me këtë kuptim do të jenë ndeshur tek-tuk në shqipen e shkruar. Ndërkohë fjalorë të tjerë, si ai i vitit 1954 ose ai tjetri, i Cordignano-s (ky autor e ka stato d’assedio-n me shqipen “sundim ushtarak”), nuk e japin këtë kuptim. Prandaj dyshoj fort se shtet, në shtetrrethim, ka ardhur si formë analogjike, në mos folk-etimologjike, e italishtes stato di assedio, ku pjesa e parë, stato, është interpretuar gabimisht sikur i referohet “shtetit” (meqë shtetrrethimin e vendos “shteti”).

Ky arsyetim më shpie edhe tek etimologjia e shtet, fjalë të cilën brenda shqipes e kanë lidhur me shtat (Topalli, Orel) dhe e kanë shpjeguar si huazim nga latinishtja status, me zanoren tematike të metafonizuar (a:e), gjatë singularizimit të shumësit. Topalli madje sqaron se shumësi shtat > shtet ndeshet në ndonjë të folme të veriut (Postribë). Por kjo etimologji mua nuk më bind, sepse nuk arrij dot të vendos një lidhje kuptimisht të pranueshme mes konceptit të shtatit dhe atij të shtetit brenda shqipes. Fjala shtat mund të jetë vërtet e hershme në shqipen, siç e dëshmon edhe përdorimi i saj në autorët e vjetër; madje te Bogdani del edhe si shumës, shtet, si shumës i shtat, me kuptimin “trupa” (Anila Omari, Leksiku i veprës së Pjetër Bogdanit), njëlloj si në të folmen e Postribës që e pat përmendur Topalli; por kalimi nga shtatshtet, me kuptimin politik të fjalës, brenda shqipes është i papërfytyrueshëm; prandaj më i arsyeshëm më duket supozimi se shqipja e ka marrë këtë shtet drejtpërdrejt nga italishtja stato, dhe ajo e-ja e temës është ndikuar nga fjala tjetër e ngjashme, pushtet, e cila vjen në thelb nga latinishtja potestātem dhe ku kalimi nga a-ja tematike e latinishtes tek e-ja tematike e shqipes mund të përligjet më lehtë me mjete mirëfilli të fonetikës historike. Nga ana tjetër, shtet me kuptimin “politik” të fjalës ka filluar të përdoret relativisht vonë në gjuhët e mëdha të Europës: Machiavelli do të ketë qenë i pari që e adoptoi këtë kuptim te “Princi” (Dictionary of Untranslatables: A Philosophical Lexicon, Princeton University Press, 2014).

Gjithsesi, gjymtyra e parë shtet-, te kompozita shtetrrethim, është vendosur aty nga një përdorues i kultivuar i shqipes, që ia njihte vetes licencën për t’i përthyer rregullat, në emër të pasurimit të leksikut libror. Është i njëjti përdorues – abstrakt – që na ka dhënë fjalë si kushtetutë, me etimologji sa të qartë nga italishtja costituzione, aq edhe të padeshifrueshme fonetikisht; por edhe një numër të madh fjalësh pak a shumë ndërkombëtare, si universitet, fakultet, kontabilitet, personalitet, maternitet, elasticitet, sovranitet, tendenciozitet, trinitet, realitet, komitet, antikitet, unanimitet, unitet, elektricitet, gravitet, specialitet, absurditet, agresivitet, aktivitet, aktualitet, arbitraritet, autoritet, banalitet, komunitet, brutalitet, dinjitet, ekskluzivitet, entitet, familjaritet, fatalitet, formalitet, identitet, ilegalitet, imoralitet, imunitet, individualitet, integritet, intensitet, intimitet, invaliditet, kapacitet, rivalitet, kriminalitet, origjinalitet, legalitet, plasticitet, lokalitet, masivitet, solidaritet, mediokritet, mentalitet, meskinitet, minoritet, muzikalitet, naivitet, neutralitet, objektivitet, pasivitet, pompozitet, popullaritet, prioritet, probabilitet, publicitet, reciprocitet, relativitet, rigorozitet, seriozitet, sinqeritet, solemnitet, spontaneitet, stabilitet, superioritet, inferioritet, e të tjera që tashmë kanë dalë nga përdorimi. Të gjitha këto kanë hyrë nga gjuhët perëndimore (italishtja vjen në vështrim për arsye kulturore-historike), por kanë një -e të theksuar aty ku italishtja ka , dhe një -t fundore, e cila i mungon edhe italishtes edhe frëngjishtes (khs. université, università) por që shfaqet, për shembull, në gjermanishte: Universität, Identität, etj., edhe pse nuk ka asnjë gjasë që shqipja t’i ketë huazuar fjalë të tilla nga gjermanishtja. Edhe këtu, modeli i është përshtatur shqipes nga një dorë “me licencë” duke u mbështetur madje frymëzuar nga modelin paralel qytet nga lat. civitātem, vullnet nga lat. voluntātem, shëndet nga lat. sanitātem etj., dhe pastaj është përgjithësuar me analogji.

Aventurën kurioze të italishtes stato në shqipen librore e plotëson edhe një term i ligjërimit ushtarak, edhe ai sot disi i skajuar: shtatmadhori, me kuptimin “Shtabi i përgjithshëm i ushtrisë së një vendi; shtabi i një njësie të madhe në ushtritë e disa shteteve të huaja” (Fjalori i vitit 1980), që është kalkuar edhe ky nga italishtja stato maggiore (kjo nga frëngjishtja état-major) dhe që sot praktikisht është nxjerrë nga përdorimi nga rivalja shtab i përgjithshëm. Çfarë e shquan këtë shtatmadhori mes neologjizmave të shqipes librore, është gjymtyra e parë, shtat-, e cila në shqipen e sotme ka vetëm kuptimin “trupi i njeriut”, dhe që nuk mund të përkthejë drejtpërdrejt italishten stato te stato maggiore dhe aq më pak frëngjishten état tek état-majeur (kjo état në frëngjishte ka ruajtur edhe kuptimin e një grupi të zgjedhur njerëzish, si në “Tiers état​​​ : sous l’Ancien Régime, Troisième état comprenant ceux qui n’appartenaient ni à la noblesse ni au clergé (bourgeois, artisans et paysans);  ose në shumës États généraux : assemblée des députés des trois états, convoquée par le roi pour donner des avis. Les états généraux de 1789 – Robert en ligne). Prandaj kur vihesh ta analizosh këtë shtatmadhori nuk i ruhesh dot tundimit për ta parë shtat- si transpozim mekanik të italishtes stato, të papërligjur brenda shqipes, por që pastaj ka zënë vend, siç kanë zënë vend shumë fjalë të ngjashme, të formuara keq, ose në kundërshtim me bonsensin (dhe nuk po e cek fare gjymtyrën e dytë, madhori…, për të mos dalë nga tema tani në fund).

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Kopertina: tanke në rrugë, pas vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme në Poloni, më 13 dhjetor 1981.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin