HISTORIKU DHE VLERA E FJALORIT TË KUPITORIT

nga Enkeled Bilali dhe Dhori Qirjazi

Panajot Kupitori[1] u lind në ishullin e Hidrës më 1821. Në moshën 19 vjeç shkon në Athinë, ku vazhdon shkollën e mesme dhe më pas regjistrohet në Fakultetin Filozofik, të cilin e përfundon më 1852. Punësohet në arsim dhe bëhet drejtor gjimnazi në Halkidë, Patra dhe Athinë, ku edhe vdiq më 1881.

Kontributi i tij në fushë të albanologjisë është i rëndësishëm dhe i çmuar[2] dhe me të drejtë ai është cilësuar si “i pari albanolog grek me formim të plotë”[3]. Fjalori greqisht-arvanitisht/shqip i Kupitorit, hartuar rreth viteve 1870 dhe botuar në Athinë më 2006 nga albanologu Titos Jochalas[4], mban titullin Fjalor i përmbledhur greqisht-shqip, prej greqishtes në dialektin shqip të shqiptarëve të Greqisë, madje në të folmen e Hidrës, përqasur edhe me dialektet e tjera, toskërishten, gegërishten dhe me atë të shqiptarëve të Italisë e të Sicilisë[5].

Siç vë në dukje botuesi, “pjesa shqip e fjalorit merr rëndësi të veçantë, sepse veç faktit që thuajse për çdo fjalë greke jep trajtat përkatëse në dialektin toskë dhe gegë të shqipes, jep paralelisht edhe sinonimet në arvanitishten e Hidrës. […]. Kësisoj Fjalori … në llojin e vet, mund të karakterizohet si një vepër unikale, origjinale dhe mjaft e rëndësishme[6].

Duke qenë të të njëjtit mendim me kolegun Jochalas, ka disa vite që kemi shënuar se “Mbetet desideratum hartimi i versionit invers, shqip/arvanitisht-greqisht, të Fjalorit të Kupitorit, një punë që ka për të nxjerrë në pah pasurinë e arvanitishtes dhe të shqipes, ‘fshehur’ deri më sot në pjesën shpjeguese të Fjalorit”[7].

Meqenëse historiku i Fjalorit dhe përmbajtja e tij shtjellohen hollësisht në studimin hyrës të botuesit, që shoqëron veprën[8], ne do të ndalemi këtu në disa çështje që kanë lidhje me Fjalorin që po i japim sot në dorë lexuesit[9].

Kupitori nuk na ka lënë ndonjë shkrim a shënim për qëllimin dhe kriteret e hartimit të Fjalorit greqisht-arvanitisht/shqip. Dëshiron të dëftojë se shqipja nuk qëndron më poshtë se greqishtja? Synon të ruajë ç’të mundë prej arvanitishtes, në kushtet e shuarjes, siç beson ai, së afërt të saj?

Analiza e titullit, por edhe e strukturës së Fjalorit tregojnë se është fjala në thelb për një vepër e cila nuk u shkrua për të mbuluar nevoja të përdorimit imediat. Përbri fjalëve të greqishtes, të cilat përzgjidhen  me kritere që shkojnë me frymën e kohës dhe merren pas gjasash prej fjalorësh të tjerë[10], radhiten një varg sinonimesh të shqipes/arvanitishtes pa u shoqëruar me të dhëna rreth përdorimit të tyre. Nuk shënohet burimi nga është marrë fjala (me përjashtim të referimeve te Hahni me një h.) as edhe krahina ku ajo përdoret (me përjashtim të g. e t. për gegërishten dhe toskërishten).

Makrostruktura e Fjalorit përmban mbi 12.000 fjalë-zëra të greqishtes, të cilat shpjegohen me fjalë të shqipes e të arvanitishtes, që janë ose dysorë fonetikë (i hollë – i hovë) ose trajta gramatikore (i pangalkuarë – i pangalkuam, xegim – të xeguarë, shajtim – të sharë, xegëtar – xegëtor, shajtës – shajtor) ose sinonime leksikore (αγίνωτος, άωρος: i pabënë, i papjekurë, i pamblësuam, i paardhurë) ose parafrazime  të fjalëve greke, kur mungojnë barasvlerëset e tyre të shqipes (αγνωμονώ: s’njoh të mirënë çë mora, harronj të mirënë çë më bënë) etj. Brenda së njëjtës lemë mund të gjesh fjalë popullore, huazime, por edhe parafrazime (αγονία: të papaturë-itë djelm, shterpësi, të papaturë-itë pemë, thatësirë).

Nuk mundemi të japim shifrën e saktë të fjalëve shqip që përmban pjesa shpjeguese e Fjalorit, por mund të themi se ajo është sa rreth dyfishi i njësive leksikore lema të greqishtes, pra i kalon 20.000 fjalët. Kjo shifër duhet marrë me njëfarë rezerve, sepse nuk janë të pakta rastet kur në fjalësin e greqishtes përdoren lema që janë sinonime leksikore (κωπηλατώ-λάμνω) apo trajta që i përkasin gjuhës popullore (λουρίδα, λουρί) e asaj librore (λωρίς, λωρίον). Duke qenë kështu, është e pashmangshme përsëritja e të njëjtave fjalë, siç duket edhe në shembujt e mëposhtëm:

λοιδόρημα,  xegim, të xeguarë, shajtim, të sharë

λοιδορία, xegëri, të xeguarë, xegim, të sharë, shajtëri

Po të bënim një shtresëzim të brendshëm të fjalëve që dalin në pjesën shpjeguese të Fjalorit, do të vërenim:

– fjalë me shtrirje më të gjerë gjeografike, që hasen edhe në dialektet e tjera të shqipes, dhe që si rregull i takojnë fjalësit bazë të saj[11]. Janë kryesisht fjalë popullore.

κοίτη. shtrat-i, krevat-i, gjumë-i.

κόρη. vaizë-a, biljë-a, kopile-a.

λύκαινα. uljkëljë-a, uljkeshë-a.

λωλός. i-marrë, i-marrësuam, i-tërrbuam, i-marrësuarë, i-tërrbuarë.

μελίγλωσσος. gljuhëmnjaltë, gljuhëmblë, goljëmblë, goljëmnjaltë.

νήμα. të tjerë-të, pe-ri, int-indi.

– fjalë të arvanitishtes së Hidrës, elemente që i takojnë “trashëgimisë historike” të së folmes, por edhe huazime me origjinë të larmishme, italiane, turke, sllave. Në këtë grup do të përfshijmë edhe fjalë të greqishtes të përshtatura në arvanitishte, si dhe disa trajta, siç do të shohim, “të çuditshme”, që janë formuar në kuadër të dygjuhësisë intensive greko-arvanite. Për fj. κήπος jepen shpjegimet gardh, kofshtë (tosk.) dhe kopësht (geg.); për ιατρός dhe ιάτρισσα, shërótës dhe shërótëlë; për κωμωδία kënkëqeshëlë, befardhjare, komodhí; për κωλοφωτιά bythëdritëzë; për foljen θρηνώ blegërinj, kla, derth lot, rëkonj, vajëtonj, thrinisem, etj. Është për t’u përmendur fjala me fillesë greke oish < λογής: çë oish? ‘çfarë lloji?’, shum’ oish ‘shumë llojesh’ etj.

– fjalë-neologjizma, që mbajnë “vulën” e autorit. Ndryshe nga Mitkoja dhe të tjerë fjalëmbrujtës të asaj kohe, Kupitori duket se nuk i ka për zemër huazimet përkthimore (kalket). Është evidente prirja e tij për të parafrazuar fjalët e greqishtes, e madje me një mënyrë të vetën, për të cilën nuk jemi të sigurt se shkon pas veçorive të arvanitishtes. Kështu, ndërsa për fj. έμβρυον dhe βράγχια jep gjegjësisht djalë mbë bark dhe veshët’ e pishqivet, për αστεροσκόπιον dhe αστεροσκόπος përdor kalket ils-vëshdim dhe ils-vështótës, që me sa duket janë sajime të tij. Zakonisht, në rastin e fjalëve kompozita, shpjegimi bëhet edhe me kompozitë edhe me parafrazim:

λοξόφθαλμος, me si të-përjerrë, si-përjerrë.

λιθοτόμος, pretës gurëvet, gurëpretës-i.

φωτοσβέστης, dritëshuajtës-i, aj [çë] shuan dritatë.

Shtresimi leksikor që përmendëm më lart nuk është vetëm dhe thjesht gjeografik. Në disa raste, ai pasqyron edhe historinë e gjuhës vetë, përderisa brenda së njëjtës paradigmë apo vargu sinonimik rreshtohen fjalë të fondit bazë të shqipes së bashku me huazime të fazave të ndryshme te saj:

λόφος. brek-gu, tepé-a, gumúle-ja.

νοέω. ndienj, dëlgonj, kupëtonj, marr vesh, njoh, xë, vë re.

ορίζω (εξουσιάζω). urdhëronj, zotëronj, zapëtonj, mbretëronj.

παράδοξος. i-pa-priturë, i-çuditm, i-çudiçim, për të lënë mentë, paraksen, jatroish.

περιωπή. viglë, vent i-lartë, çukë, çë sheh torrë kado edhe duketë kado torrë, të vëshduaritë torrë, të vënëtë re.

Sikurse u tha më lart, pjesa shpjeguese e fjalorit përmban si rregull sinonime njëfjalëshe apo togfjalësha, shpesh parafrazime, dhe më rrallë shtjellime si më poshtë:

παρακλάδι, ndanë kërcief-vi, kërcief i-dalë ndanë mbi kurm të-drizësë a prëzë kurmit.

περιωπή. viglë, vent i-lartë, çukë, çë sheh torrë kado edhe duketë kado torrë.

Një tjetër grup fjalësh, kryesisht mbiemra më –τος, -τός, -μένος, i shpjegon si vijon:

άκαρτος i paqethurë, i paprerë leshtë, i pavënë gërshërë,

ακεραύνωτος i pararë shkepëtimë, i pavrarë ka shkepëtimë,

ακλήρωτος i pamarrë pjesë,

ακλάδευτος i paprerë kërrceltë, i pashkurtuarë degatë,

ακοίμητος i pambillturë sinë,

αλατιστός i shtirë kripë, i zënë kripa,

αμάλλιαστος i pazënë lesh, i panxerë lesh, i pabënë lesh,

ανάλατος pakripë, i pashtirë kripë, i pakupriturë,

αλέπιστος i panxerë cipënë,

μαδιστός 1. i-ndukurë do, i-shkulturë do, i-shkulturë qimetë / pendëtë 2. i rarë qimetë / pendëtë,

μαδημένος i-ndukurë,

ευλογιοκομμένος i prerë lisë [khs. i vrarë lie],

θαλασσοδαρμένος i-rrahurë denë, i-rrahurë deti, etj.

Kemi të bëjmë mbase me një konstrukt sintaksor të “fosilizuar”, që e gjejmë, p.sh., në Shqipërinë e jugut, e konkretisht në anët e Përmetit: cergosur ‘i zënë cerga’[12]. Megjithatë, është e diskutueshme nëse gjithë trajtat e dhëna më sipër, si dhe shumë të tjera të Fjalorit, janë fakte gjuhësore reale apo krijime ad hoc të autorit.

Një dukuri interesante, që e gjejmë te Kupitori, janë edhe të ashtuquajturit neologjizma të mbivendosur, d.m.th. huazime përkthimore të arvanitishtes ndërtuar sipas “mitrës” së neologjizmave të sapokrijuar të greqishtes, të cilët nuk e kanë kaluar ende “provën e zjarrit”[13]. Do të mjaftohemi këtu vetëm me një shembull, krahas atyre që jep me shumicë studiuesi Τ. Jochalas në komentet për fjalësin e Kupitorit. Fjala αντιβρόχιον, neologjizëm i greqishtes që e shënon edhe Kumanúdhis[14] (αντιβρόχιον, το. Γαλ. parapluie. Σχ. Λεβ. λ. 61.), shfaqet te Kupitori si αντιβρόχιον, αντίβροχον (το) çadër-i, shimbajtëljë-a, ombrellë-a, ku krahas huazimeve çadër dhe ombrellë shënohet edhe kalku shimbajtëljë (<shi + mbajtëljë).

Neologjizmat e Kupitorit, gjithashtu, ngjajnë shpesh si trup i huaj, pa lidhje organike me arvanitishten e Hidrës, gjë që duket edhe nga vargjet e mëposhtme, kushtuar princeshës Aleksandra dhe shkruar në periudhën kur hartohej Fjalori[15].

Posht’ áti ndë Faliré            

luan deti me steré;                

herë piqetë ndë gur,             

herë fle siprë ndë shur;                    

qasetë e puth shurénë,                      

htilketë e qesh me dhenë;                 

kur frin erëza më shumë,                  

blon shurénë gjithë shkumë, 

vjen ndë vócajll i pushtron,  

priret’ e i rrëkuón;                

méta qaset e i síell,               

  për të spardhenë ndë diell.

Nga vështrimi tërësor i lëndës mund të dilet në përfundime interesante sa u përket trajtave gramatikore, mjeteve dhe mënyrave të fjalëformimit të shqipes/arvanitishtes apo sintaksës së saj. Fjala vjen, te folja arrënj (φθάνω) për greq. να μην ήθελα φθάσει jepet ekuivalentja të mos arrëtëkeshë ‘të mos kisha arritur’, e cila përbën një trajtë foljore të veçantë të arvanitishtes, ku përzihen mënyrat lidhore dhe habitore[16]. Vihet re, po ashtu, përdorimi i shpeshtë i prapashtesave zvogëluese (i-bukurith, i-bukurezë), përdorimi abundant i parashtesave (kse-shpër-laj) apo ndërtimet e tipit i ikurë shpirti ‘frikacak’ apo i mbajturë vesh ‘i bindur’, etj.

Po kështu, në radhët e mëposhtme vërejmë një trajtë foljore specifike të arvanitishtes, të cilën e hasim edhe në të folmet jugore të shqipes, që kontaktojnë me greqishten[17]:

παράσιτος,  aj çë ha dë trapes për të bënjë muskari.

παράταξις, ashqer i vënë nd’ aradhë për dëftim a për të dëftuarë.

νανουρίζω, e këndonj të flërë.

Nga tre shembujt e dhënë më sipër, vërejmë se trajta për të bënjë i merr vendin trajtës që të bënjë, sipas modelit για να κάνει të greqishtes, ku pjesëza για është përkthyer në shqip me për.

Edhe etimologjia e shqipes gjen lëndë interesante në faqet e Fjalorit, siç duket nga shembujt e mëposhtëm, ku mënyra e të shkruarit tregon se fjala tepër është “formim i brendshëm prej mbiemrit të gjinisë asnjanëse t(ë) epër me përngjitjen e nyjës së përparme (Xhuvani)” (Topalli 2018: 1457):

παραθέτω vë t’epërë.

λοιπός vjeturë, i-vjeturë δος μοι τα λοιπά se[v] më t’epëritë/t’epëratë.

Dy shembuj të tjerë besojmë se e tregojnë qartë vlerën e fjalësit shqip të Kupitorit për etimologjinë e shqipes, por edhe për historinë e dialekteve të saj.

Fjala mbëshqim, që haset në fjalor mbi 30 herë,  del për herë të parë te Budi: ndë qoftë aqë mb shqim i këmbyem e i pāditunë (SC). Këtë të dhënë e gjejmë te Fjalori Etimologjik i K. Topallit[18], sipas të cilit

SHQIM fol. “shuaj, fik”, “shfaros, përfaroj”; si ndajfolje “krejt, fare”. Fjalë kryesisht e dialektit gegë, që në disa të folme veriore e VL del me format shkim …e shqym … Trajtën shqimb, me shtesën e një -b-je, e ka arb. e Greqisë. …  shqim e shkim janë formuar prej shqyej e shkyej me formantin -m të pjesores (shqye + ‑m), meqenëse pranë shqim ka edhe shqym (Junk, Bashkimi). Kuptimi ndajfoljor “krejt, fare” ka dalë prej “shfaros, përfaroj”.

Në Fjalorin e Kupitorit togu mb shqim i Budit paraqitet i njëfjalëzuar dhe ka përdorim ndajfoljor me kuptimet mbëshqim, λίαν, μεγάλως, σφόδρα, τελείως, υπερβολικά, υπερεχόντως, ύστατος.

Sipas Fjalorit, mbëshqim shfaqet me përdorim emëror, mbiemëror e ndajfoljor:

Em.: υπερβολή η mbëshqim shumë, …., mbëshqim, përmbëshqim

Mb.: υπερβολικός mbëshqimëtar, përmbëshqimës, i-përmbëshqimit, i-përmbëshqimbit

Mb.: υπερθετικός i-përmbëshqimit, i-përmbëshqimbit, mbëshqimëtar, përmbëshqimës

Nd.: υπερβολικά  mbëshqim, përmbëshqimit, përmbëshqimbit

Problemi është se nuk kemi tekste të shkruara të arvanitishtes së asaj periudhe, nëpërmjet të cilave të mund të vërtetonim nëse trajtat e dhëna nga Kupitori janë reale apo janë krijuar ad hoc prej tij.

Shembulli i dytë lidhet me fjalën pshier, që e gjejmë në mbiemrin χιονάτος dhe në togun άσπρος σαν το χιόνι, që përkthehen me fjalët i bardhë si pshier. E gjejmë edhe në emrin λευκότης ‘bardhësi’. Fjala pshier haset në Kurvelesh me kuptimin ‘copë djathi i njomë, i vënë në hirrë’[19], por te Kupitori kuptimi i saj nuk del i plotë, ndonëse djathi mund të lidhet me bardhësinë. Sa për etimologjinë, Çabej (mëshere, pshere  < mëshirë)[20], Topalli (mëshere, pshere < peshë)[21] dhe Orel-i (rum. *mensora < lat. mensura)[22] kanë mendime të ndryshme, të cilat nuk do të shtjellohen këtu. Do të shtojmë vetëm se fjala pshere haset në krahinën e Përmetit me kuptimet em. ‘korniza me mjaltë e kosheres me bletë‘ dhe mb. ‘e shkrifët (për sende ushqimore)’[23].


                  Fjalori (i përkundërt) shqip/arvanitisht – greqisht

Po e themi qysh në fillim: Hartimi i këtij Fjalori nuk ka qenë një ndërrim i thjeshtë apo shkëmbim mekanik i renditjes së kolonave greqisht dhe shqip/arvanitisht të Fjalorit të Kupitorit, por ka qenë një riorganizim tërësor dhe i brendshëm i lëndës. Ndërkaq, edhe pse mëton të jetë një vepër e mëvetësishme, ai s’pushon së qeni “vëllai siamez” i Fjalorit të botuar nga Jochalas-i më 2006 dhe duhet përdorur në lidhje të ngushtë me të.

Puna e parë që bëmë qe hartimi i një liste të të gjitha fjalëve shqip/arvanitisht të pjesës shpjeguese duke vënë në krah të tyre fjalën lemë të greqishtes.

Këtu lindin një sërë çështjesh që kanë të bëjnë në radhë të parë me transkriptimin e saktë të dorëshkrimit dhe me rishkrimin e fjalëve sipas alfabetit të sotëm të shqipes. Dihet që alfabeti i greqishtes nuk e mbulon gjithë spektrin e tingujve të shqipes dhe kjo krijon vështirësi praktike në pasqyrimin e saktë të tingujve q, b, d, gj, nj, sh, zh, xh, ë etj. të saj.

Alfabeti që përdor Kupitori për pjesën shqip të Fjalorit është thuajse i njëjtë me atë që ai përshkruan në një syth të “Trajtesës”:

“Për leximin e drejtë dhe të saktë të fjalës [së shkruar] shqipe, le të shënojmë këtu pak gjëra për shqiptimin e shkronjave dhe të rrokjeve të alfabetit shqip, i cili përbëhet prej shkronjash greke, latine dhe shenjash të tjera. Të gjitha shkronjat greke, rrokjet dhe diftongjet e formuara prej tyre shqiptohen pa asnjë ndryshim sikundër edhe në vetë greqishten, kurse të tjerat si më poshtë:

b dhe d shqiptohen si b dhe d në latinisht, italisht apo frëngjisht.

g dhe h shqiptohen si g dhe h në latinisht dhe gjermanisht.

j, pas a, e, o, ου dhe në fund të fjalës, shqiptohet si j e latinishtes dhe e gjermanishtes ose si για, γιε, γιό, γιού.

gj, pas α, ο, ου shqiptohet më e butë sesa latinishtja g.

γg, pas ε, ι, η, υ dhe tingujve të njëjtë, shqiptohet më e ashpër se γγε, γγι etj. dhe pikërisht si γγ pas α, ο, ου.

e, e theksuar ose jo, shqiptohet si e muet e frëngjishtes; theksi nuk e ndryshon shqiptimin.

κj, pas α, ο, ου, shqiptohet e lëngët sikurse κ pas ε, ι, η, υ dhe tingujve të njëjtë ose si κιά, κιό, κιού.

κ me vijë horizontale nga sipër, pas ι dhe ε shqiptohet më e ashpër sesa κι, κε dhe pikërisht si κ pas α, ο, ου apo si ki, ke në gjermanisht.

λj, pas α, ο, ου, shqiptohet e lëngët sikurse λ pas ι, η, υ dhe tingujve të njëjtë ose si λιά, λιό, λιού, λιέ.

λ me vijë horizontale nga sipër, pas ι, η, υ dhe tingujve të njëjtë shqiptohet pikërisht si λ pas α, ο, ου,  apo më e ashpër se λι, λη, λυ etj.

νj, pas α, ο, ου, shqiptohet e lëngët sikurse ν pas ι, η, υ dhe tingujve të njëjtë ose si νιά, νιέ, νιό, νιού.

ν me vijë horizontale nga sipër, pas ι, η, υ dhe tingujve të njëjtë shqiptohet më e ashpër se νι, νη etj. pikërisht si ν pas α, ο, ου.

ρ me vijë horizontale nga sipër shqiptohet më e ashpër sesa ρ e greqishtes.

σς shqiptohet si ch e frëngjishtes, si sch e gjermanishtes apo si sh e anglishtes.

τσς shqiptohet më e ashpër se greqishtja τς ose τζ”[24].

Pasqyra e dhënë më sipër ka më tepër vlerë njohëse sesa vlerë praktike, përderisa lexuesit dhe sidomos specialistit, për të gjykuar lidhur me saktësinë e transkriptimeve të kryera prej nesh, i duhet të shohë Fjalorin greqisht-arvanitisht/shqip të Kupitorit, pra dorëshkrimin e autorit dhe botimin e realizuar më 2006 nga Jochalas-i. Në të vërtetë, sikurse do të shihet edhe më poshtë, nuk janë të pakta rastet e pasigurisë në transkriptim, dhe sidomos nuk janë të pakta rastet kur i njëjti tingull realizohet me mjete të ndryshme shkrimore. Kjo do të thotë se, pavarësisht përpjekjeve tona, pasqyrimit besnik i veshjes fonetike të fjalëve lë për të dëshiruar dhe, rrjedhimisht, vlera e Fjalorit që po i paraqesim sot lexuesit lidhet më tepër me anën leksiko-semantike të tij.

Sa për të dhënë disa shembuj, i kujtojmë lexuesit larminë e mënyrave të pasqyrimit të tingullit i të shqipes/arvanitishtes, si edhe vështirësinë e dallimit, në çdo rast, nëse shkronja υ e greqishtes pasqyron tingullin y apo i të shqipes. Edhe pse na ka dhënë sqarime të pjesshme, Kupitori nuk arriti të krijojë një sistem shkrimi të qëndrueshëm e pa përjashtime, gjë që duket, fjala vjen, në pamundësinë tonë për të dalluar me përpikëri kur përdoret i dhe kur përdoret y.

Po të nisemi nga gjendja e sotme e të folmeve arvanite, mund të themi se i e ka zëvendësuar plotësisht y-në, por a mund të ketë qenë ashtu edhe në vitet 1850, kur K. Reinhold-i regjistronte lëndë të arvanitishtes? Shenjat që ai përdor, por edhe indikacione të tjera, na bëjnë të mendojmë se në atë periudhë y-ja nuk qe bjerrur plotësisht. Mandej, po të vijmë në dialektet e tjera të shqipes, që Kupitori, siç na thotë, i ka përfshirë në Fjalor, aty situata bëhet edhe më e ngatërruar.

Me fjalë të tjera, Fjalori përmban fjalë dhe trajta fjalësh, që duhen shkruar sipas të folmeve a dialekteve prej nga vijnë, e pikërisht ky dallim nuk është i prerë në të gjitha rastet. Duhet mbajtur parasysh, gjithashtu, se arvanitishtja e Kupitorit përfaqësohet kryesisht nga e folmja e vendlindjes së tij, Hidrës, kurse lënda tjetër dialektore e shqipes është marrë nga Fjalori i Hahn-it dhe më rrallë prej burimesh të treta. Rrjedhimisht, lemat ka – kaf [kau], shënëndre – shënëndref [shënëndreu], shi – shif [shiu], ku u bëhet f në fund të fjalës, në rastet kur asaj, u-së, i paraprin zanore e theksuar, duhet menduar se përfaqësojnë trajta qe hasen në arvanitishten e Hidrës[25]. Nga ana tjetër, fjalët që shoqërohen me shënimin g.[egërisht] duhen shkruar me y dhe jo me i në pozicionet ku normalisht do të pritej të kemi y.

Tej këtyre, që lidhen me gjendjen objektive të të folmeve të shqipes/arvanitishtes, puna bëhet më e ngatërruar kur ndërmjetësojnë edhe faktorë të tjerë të   natyrës subjektive, “etimologjike” e me nënshtrat pellazgjik. Në Trajtesën për gjuhën dhe kombin e shqiptarëve, e më konkretisht në një shënim të  § 107 të saj, Kupitori sqaron se ka bërë disa zgjedhje shkrimore “të çuditshme”.

E shkruan me υ fjalën βρανeσύνe-α/βρερeσύρe-α (vranësinë/vrerësirë), sepse, sipas tij,  “prapashtesa e emrave abstraktë gegë, pa nyjë shquese -sinë, me nyjë shquese –sina, është vetë prapashtesa e greqishtes –σύνη. Τë tjerët para meje shkruajnë gabimisht –sinë, me i. Në të njëjtën mënyrë, me υ duhet shkruar edhe nyja shquese e gjinisë mashkullore të shqipes, sipas shndërrimit të zakonshëm të o në υ të dialektit eolik, që ruhet edhe tani në dialektin e Tesalisë dhe të ishullit Lezbos, p.sh. υ αδελφός μ’ υ Γιάννης = ο αδελφός μου ο Ιωάννης [=im vëlla Jani].”

Gjatë punës për hartimin e kolonës me zërat shqip/arvanitisht të Fjalorit një problem më vete është rasti i fjalëve të parafrazuara. Më konkretisht, sa dhe cilat do të jenë lemat që dalin nga parafraza çë sheh torrë kado edhe duketë kado torrë e fjalës greke περιωπή? Apo për fjalët αναφωτίς, η [baxhë] parathire-a ndë mbiljas çë siell(f) fos dhe ψηφί, το [mozaik] zugrafí/qëndí me gurës të végjëlis çëdo oísh të shtruam përdhe?

Kësisoj, pasi të kemi gjetur zgjidhjet optimale për raste të tilla, në një fazë të parë krijohet një listë e gjatë fjalësh, që të kujton një fjalor elementar dygjuhësh shqip/arvanitisht-greqisht, pa shembuj përdorimi e pa të dhëna gramatikore.

Edhe pse vlera e saj është e padiskutueshme, ngaqë nxjerr në dritë pasuritë e shqipes, përvoja e punës  sonë tregon qartë shkallën e lartë dhe të paevitueshme të përsëritshmërisë së njësive leksikore të saj. Lind pra nevoja e riorganizimit racional të lëndës duke synuar rigrupimin e saj në çerdhe fjalësh.

Po të marrim, p.sh., lemat ευτυχής dhe τυχηρός të kolonës greqisht të Fjalorit të Kupitorit, shoqëruar me shpjegimet shqip/arvanitisht të tyre,

ευτυχής, me fat, me baht, bahlit, fatbardhë, punëbarth

τυχηρός, i-paturë fat/baht, aj çë ka fat/baht, me fat, me baht, bahlit, fatmirë, fatbardhë, punëbardhë

do të vërejmë se ato na japin njësitë leksikore të mëposhtme:

ευτυχής                                                            τυχηρός

me fat                                                              me fat

me baht                                                           me baht

bahlit                                                               bahlit

fatbardhë                                                         fatbardhë

punëbarth                                                        punëbardhë

i paturë fat                                                       fatmirë

i paturë baht

aj çë ka fat

aj çë ka baht

të cilat mund të rigrupohen si vijon:

fat, me  —, i paturë —, aj çë ka —

baht, me —, i paturë —, aj çë ka —

bahlit

fatbardhë

punëbardhë (punëbarth)

fatmirë

Ky kuadër bëhet më i plotë po të marrim parasysh edhe fjalën

τύχη, 1. të ndodhurë-itë, të gjendurë-itë 2. fat-i, baht-i, shkronjë-a, vitore-a

prej nga do të dalin karakteristikat gramatikore të emrave fat dhe baht, por do t’i shtohen listës sonë edhe zërat shkronjë-a dhe vitore-a, si dhe emrat prejfoljorë asnjanës të ndodhurë-itë, të gjendurë-itë, të cilët do të renditen në çerdhet e foljeve ndodhem dhe gjendem (shih foljen ευρίσκω, çonj, gjenj; ευρίσκομαι, gjendem, ndodhem) e kështu me radhë.

Siç do të vihet re nga shfletimi i Fjalorit, në këtë qerthull problemesh përfshihet edhe mënyra si e koncepton dhe si e përkufizon Kupitori fjalën si njësi të pavarur të leksikut. Praktikisht dhe jo teorikisht. Për shembull, te fjala

άκοιλος, -ον pa-bark,  jo bakëluç, pabark të math

vërejmë se shkruan pa-bark dhe pabark, kurse fjalën

άκλωνος, -ον [e shpjegon si] pa dega, pakërcelj.

Pra, shohim që nuk mban një qëndrim të prerë dhe raste të tilla hasen me shumicë në Fjalor: σπανός, -ή, -όν, palesh, άκομος, -ον, pa-lesh, άνανδρος, -ον, pa-búrrë, etj.

Një problem tjetër është edhe karakterizimi gramatikor i fjalëve të shtyllës së djathtë shqip/arvanitisht, duke u nisur nga karakterizimet përkatëse të shtyllës së majtë, greqisht. Emra të greqishtes, të të tria gjinive, me barasvlerësit e tyre shqip, mbiemra të greqishtes, me mbaresat e të tri gjinive, me barasvlerësin shqip/arvanitisht vetëm të gjinisë mashkullore, përemra, folje, ndajfolje, lidhëza, pjesëza, pasthirrma. Për shumë sosh, sidomos për emrat, mbiemrat dhe ndajfoljet, kufijtë dhe rolet janë fluidë dhe ky fluiditet shtohet në mungesë të shembujve të përdorimit të gjuhës apo edhe nga prirja e shpeshtë e autorit kah neologjizmat dhe parafrazimet.

Te mbiemri άθεος,-η, -ον, paperëndi, patënëzot, pa të dijë tënëzot, pa të njohë perëndi si do të shkruhen dhe si do të cilësohen fjalët paperëndi dhe patënëzot? Janë mbiemra apo janë lokucione (pa   + emër) me funksion mbiemëror? Do t’i shkruajmë veçmas a bashkuar? Dhe nëse i shkruajmë si dy fjalë, a nuk largohemi nga zgjidhjet e dhëna prej vetë Kupitorit?

Në vazhdim, për t’u bërë më konkretë, po japim një shembull fjale, siç e kemi paraqitur në Fjalor:

dhurëtíljë-a f. χάρισμα, χαριστήριον, το, δώρημα, το, δώρον, το, δωρεά, η [dhunti, dhuratë] 2. πεσκέσι, το 3. απαρχή, η të dhënëtë dorënë e parë të pemëvet •dhurëtiljë mb. ανέξοδος, -ον [pa shpenzime] •pa dhurëtíljë mb. άδωρος, -ον •dhurëtíljë ndajf. ανεξόδως [falas, pa shpenzime]

Në kllapa katrore kemi vendosur kuptimet bazë të fjalëve, dhe shohim se si përkojnë trajtat e përdorimit mbiemëror dhe ndajfoljor të dhurëtiljë.  Ndonëse Kupitori shënon pa-dhurëtíljë për άδωρος, -ον, pra përdor vijë lidhëse, ne vendosëm ta shkruajmë pa vijë lidhëse, si një lokucion me përdorim mbiemëror, ku cilësimi mb.  është thjesht konvencional.

Në një fjalor dygjuhësh, objektivisht dhe pashmangërisht, shtylla djathtas, pra pikëmbërritja, nuk mund të ketë arkitekturën dhe plotërinë e shtyllës majtas, të pikënisjes. Aq më tepër kur, me sa duket, në rastin tonë, qëllimi i autorit nuk ka qenë hartimi i një fjalori që synonte të plotësonte nevoja reale të folësve të greqishtes apo të arvanitishtes, sesa të dëshmonte mundësitë e shqipes/arvanitishtes për t’u “përballur” me greqishten.

Një rast domethënës është folja mundónj që sipas Fjalorit tonë ka kuptimet dhe çerdhen fjalëformuese të mëposhtme:

mundónj fol. 1. σκοτεινιάζω errësonj 2. αμαυρώνω nxinj •mundónem fol. σκοτεινιάζω (αμτβ.) •mundónetë fol. σκοτεινιάζει, σουρουπώνει errësohet, ngryset •mundúarë dhe mundúam (i) mb. σκιαδερός, -ή, -όν, σκιώδης, -ες, σκοτεινός, -ή, -όν, αμαυρός, -ά, -όν [i errët, i mugët] •mundúamith (i) mb. σκοτεινούτζικος, -η, -ον •mundúarë-itë (të) as. σκοτείνιασμα, το, σκοτισμός, ο, σκότος, σκοτάδι, το, σουρούπωμα, το •mundúarë ndajf. σούρουπα [< gr. μουντός ‘i mugët’]

Kemi ndjesinë se me të parë fjalën mundónj lexuesi ka për të sjellë ndërmend foljen e njohur të shqipes, të cilën e gjejmë në të  gjithë fjalorët e saj, dhe që te Fjalori i Kupitorit nuk haset fare, ose më saktë ndeshet vetëm një herë dhe tërthorazi te fjala mundím-i m. κράτος, το [forcë, imponim].

Raste të ngjashme asimetrish në pasqyrimin e leksikut do të hasen shpesh në këtë Fjalor, për arsyet që u shtjelluan më lart. Me sa duket, arvanitishtja, ose më saktë arvanitishtja e Kupitorit[26], nuk e përdor foljen mundónj (<mund) për të shmangur homoniminë me mundónj (<μουντός) dhe në vend të saj përdor folje të tjera, sikurse tregon Fjalori i tij për fjalët

βασανίζω, termenis, vë ndë termen, telelis, tret, ter mbë këmbë, i nxíer shpirtinë, cerkar, vë cerkë, gjuanj

παιδεύω, termenis, dëmësonj

dhe

τυραννέω, τυρανεύω, termenis, telelis, tret, ter mbë këmbë, jam tirahnë, tirahnis.

Megjithatë, ka raste ku edhe shtylla e pikënisjes është e paplotë, siç duket nga mungesa (!) e fjalës γλώσσα si lemë më vete[27]. Ajo haset vetëm në fjalë të përbëra dhe kësisoj në Fjalorin tonë do të gjejmë fjalët gljuhëgjérë πλατύγλωσσος, -ον, gljuhëgjëfáre αχρειόγλωσσος, -ον gjuhëpaturp, gljuhëká-u (bar) βούγλωσσον, το [khs. gjuhëlopë] etj.

E gjetëm të udhës ta plotësojmë këtë mangësi, duke dhënë zgjidhjen e mëposhtme:

[gljúhë f. në lokucionin] pa gljúhë mb. άγλωσσος, -ον i pafolë.

Vëmendje e veçantë i kushtohet anës kuptimore të fjalëve, duke bërë sqarimet dhe renditjet e nevojshme. Pasuria e një fjalori duket nga numri i leksemave (fjalëve) dhe në vazhdim nga numri i sememave (kuptimeve) që përmban. Do mbajtur parasysh se, në Fjalorin që po paraqesim, ka fjalë të shqipes që shpjegohen, siç do të shohim, me shumë fjalë të greqishtes, dhe kjo ndodh ngaqë ose janë polisemike ose për shkak të sinonimisë së pasur të greqishtes:

thátë (i) mb. 1. στεγνός, -ή, -όν, άβροχος, -η, -ον, άνομβρος, -ον, ανύδατος, -ον, άνυδρος, -ον 2. λιγνός, -ή, -όν, άπαχος, -ον, άσαρκος, -ον, ισχνός, -ά, -όν
3. ξερός, -ή, -όν, ξεραγκιανός, -ή, -όν 4. οπτός, -ή, -όν 6. άγονος, -η, -ον
7. αυχμηρός, -όν 8. αχαμνός, -ή, -όν

léshtë (i) mb. 1. μάλλινος, -η, -ον, 2. ακόμψευτος, -ον, άκομψος, -ον, απλοϊκός, -ή, -όν, απλούς, -ή, -ούν, απλός, -ή, -όν, αφελής, -ές, [i pagdhendur, i thjeshtë, naiv] 3. ενάρετος, -η, -ο [i virtytshëm]  4. αρχαϊκός, -ή, -όν i moçim, i drejtë, i urt

Nga dy shembujt e dhënë më sipër, mbiemri i thatë ka të njëjtat kuptime si në shqipen e sotme dhe prandaj nuk kemi dhënë sqarime të kësaj natyre, kurse te mbiemri i leshtë gjejmë disa kuptime shtesë a specifike, të cilat i kemi shënuar ose mes kllapash katrore (kur nuk përfshihen në shpjegimet e fjalës përkatëse të greqishtes në Fjalorin e Kupitorit, shih [i pagdhendur, i thjeshtë, naiv]), ose jashtë kllapash (kur janë pjesë e shpjegimeve të fjalëve greqisht të Fjalorit të Kupitorit, shih i moçim, i drejtë, i urt).

Meqenëse Fjalori përmban një numër të madh fjalësh që janë të panjohura për shqipfolësin e sotëm, lind nevoja e sqarimeve etimologjike për disa syresh. Në radhë të parë shpjegohen të gjitha fjalët që e kanë prejardhjen nga greqishtja e që hasen dendur në arvanitishten (kseniti ‘kurbet’, gr. ξενιτιά), paskëtaj fjalët prej gjuhësh të tjera si italishtja (περιγελάω, befardis ‘tallem’ < ital. beffare ‘schernire, dileggiare; burlare’) e turqishtja (ξεφυλακίζω, nxier ka hapsi ‘nxjerr nga burgu’, turq. hapis), e më në fund fjalët që janë karakteristike për arvanitishten (prëzë detit, παραθαλάσσιος, ku prëzë < për rrëzë, krahaso pranë < për anë).

Kur kemi të bëjmë me fjalë të greqishtes, që i ka marrë arvanitishtja e që trajtat origjinale të tyre shfaqen në pjesën shpjeguese greqisht, në kësi rastesh nuk jepen të dhëna etimologjike:

amón-ni m. αμόνι, το, άκμων, ο, ακόνι, το [kudhër].

Në të kundërt, japim sqarime më të hollësishme, kur etimoni nuk është i dallueshëm, si p.sh. në fjalët

çë óish për. pyetës. τι λογής [çfarë, çfarë lloj, si]  

çóish lidh. [si, sikundër, < çë lloish / çë oish (< τι λογής)]

játroish dhe jétroish mb. 1. αλλοίος, -α, -ον, αλλοιώτικος, -η, -ον, ανόμοιος, -ον, αλλότριος, -α, -ον 2. παράδοξος, -ον i ndëruarë, i ndëruam, ndryshe [< jatr/jetr lloísh < gr. άλλης λογήςtjetër lloj’]  

Ky Fjalor mund të përdoret si nga njohësit e shqipes, ashtu edhe nga ata të greqishtes, nëse janë të interesuar për shqipen. Përdoruesit do të vërejnë se nuk kemi përkthyer  të gjitha shpjegimet greqisht, por jemi ndalur në kuptimet e veçanta të fjalëve shqip/arvanitisht apo në kuptimet e fjalëve që janë të panjohura ose pak të njohura në shqip.

Në vazhdim, po japim shembuj fjalësh që përveç kuptimeve bazë të tyre kanë edhe kuptime të veçanta apo që i hasim vetëm në arvanitisht.

besónj 1. πείθω 2. πληροφορέω [bind, informoj], blegërímë μυρολόγι, το, θρήνος, ο, κατάκλαυσις, η [vajtim], blegërínj μυρολογώ, θρηνώ [vajtoj],    brédhës  αλωνάρης, ο, αλωνιστής, ο [shirës], dëshërónj στερέομαι, στερέω [më mungon diçka], drízë δένδρον, το [dru, pemë], fitírë  χρώμα, το, βαφή, η, ρέγκι, το  [ngjyrë], garth κήπος, ο, περιβολάκι, το, περιβόλι το [kopsht, bahçe], gjukátës πειρασμός, ο të ngarë-të, πειρακτής, ο ngjokës, lúmë dhe ljúmë (i) ολέθριος, -α, -ον, άθλιος, -α, -ον, θλιβερός, -α, -ον, κακότυχος, -η, -ον [fatkeq] lëvrúame-a (e) εργάσιμη μέρα, η καθημερινή [ditë pune],  lúme-(j)a (e) περίδρομος, ο,  άνθραξ, ο, απόστημα, το i thatë (ndë glishtë),  mishkónjë σκνίπα, η [grerëz], móçim (i)   απλούς, -ή, -ούν, απλός, -ή, -όν [i thjeshtë], múaj φεγγάρι, το [hënë], ndánë (i)  πυκνός, -ή, -όν, συχνός, -ή, -όν, σφιγκτός, -ή, -όν, αθρόος, -ον, συνεχής, -ές [i dendur, i shpeshtë], ndárë (i) 1. φιλάσθενος, -η, -ον, ασθενικός, -ή, -όν, αρρωστιάρης, -α, -ικον [shëndetlig, i pafuqishëm] 2. άπορος, -η, -ον [i varfër] 3. καΰμενος, -η, -ον [i gjorë], ndríthës-i κόσκινον, το [shoshë], përgjërój (g.) απειλέω kanosem, frikoj etj. befardhí 1. όνειδος, το 2. παίγνιον, το, εμπαιγμός, ο 3. περιγέλοιον, το, περίγελος, ο 4. σάτυρα, η, χλεύασμα, το, χλευασμός, ο, χλεύη, η [turp, tallje, përqeshje, shih italisht beffàrdo ‘tallës, përqeshës’ dhe beffàre ‘tall, shpotit’], befardhís, -em 1. χαχανίζω, χαχλανίζω 2. λοιδορώ, αντιλοιδορέω, σκώπτω, χλευάζω 3. ονειδίζω 4. περιγελάω, περιπαίζω, καταγελώ, εμπαίζω, εμπαίζομαι  shanj atë çë më shan [tall, përqesh], boxhír 1. παραδέρνω (καράβι) 2. παρακυλέω (επί πλοίων) [tallazitem, shkoj sa andej këtej], cimbirímp ευλογιοκομμένος i prerë lisë [i vrarëlie], çë óish τι λογής [çfarë, çfarë lloj, si, < çë lloish / çë oish (< τι λογής)], játroish dhe jétroish 1. αλλοίος, -α, -ον, αλλοιώτικος, -η, -ον, ανόμοιος, -ον, αλλότριος, -α, -ον 2. παράδοξος, -ον i ndëruarë, i ndëruam, ndryshe [< jatr/jetr lloísh < gr. άλλης λογήςtjetër lloj’], játroish dhe jétroish 1. αλλέως, άλλως 2. αντεστραμμένως  ndryshe, më shumë ka tuti, jatroísh dhe jetroísh ει δε μη ndë mos [përndryshe], çonj 1. ανευρίσκω, ευρίσκω, βρίσκω [gjej] 2. τυχαίνω [ndodh] 3. απαντάω [takoj], detësónj κυματίζω, κυματώνω [ngre dallgë], detësónem κυματίζω, κυματώνω [ngre dallgë], dhëndërí χαραί [dasmë], hiesónj σκιάζομαι trëmbem, hetónj σκιάζομαι trëmbem, pahetúarë (i) ασκίαστος, -ον, άσκιος, -ον, ανίσκιος, -ον i pabënë he, humbëzézë βουταναριά, η [lloj shpendi, zhytarak], kaljás 1. πρέπει [duhet] 2. ταιριάζει [ujdis] 3. ανήκω [i takoj] [<gr. καλιάζω], mundónj 1. σκοτεινιάζω errësonj 2. αμαυρώνω nxinj, përbíljë παρακόρη, η vajzë për shpirt, përdjálë παραπαίδι, το djalë për shpirt, përtátë παραπατέρας, ο, παρακύρης, ο [ai që është] si tatë,   tretësírë τριάδα, η [treshe, triadë], vápë 1. μεσημβρία, η [mesditë] 2. απόγευμα, το, απομεσήμερον, το [pasdite] 3. καλοκαίρι, το [verë],  várfërë-i (i) ορφανός, ο [jetim].

Po ashtu, janë me interes edhe disa përdorime figurative, si bithëdéjm μέθυσος, -η, -ον [i dehur], bithëshkëndíljë ανήσυχος, -ον i pambeturë ndë një vent, mblátë-a κόπρος, ο, σκατόν, το [mut], apo edhe emërtime si mbretëróth-i 1. βασιλικόν (φυτό) [borzilok] 2. βασιλίσκος, ο (φίδι) [lloj gjarpri] 3. βασιλίσκος, ο (πουλί) [lloj zogu], etj.

Për historinë e shqipes dhe të fjalëformimit të saj mendojmë se ka vlerë të renditen këtu një sërë neologjizmash, që dolën në pah me hartimin e këtij  Fjalori, dhe që janë përftuar:

  1. me anë të kalkimit: avullnísm-i ατμοκίνητον, το [lokomotivë], baljtëhámërr-i βορβοροφάγος, η [baltëhamës], baljtëhámëljë-a (mihani-βορβοροφάγος, η, djevëmbájtëljë-ja αλεξιβρόχιον, το, αλεξίβροχον, το [ombrellë],  digjáshtëtë (i) βίσεκτος, -ο [bisek], djelmbësótës-i, -tëljë-a παιδαγωγός, ο, η [pedagog/e], djelmërí-a νειάτα, τα, παιδιότης, η [djalëri] 2. παιδεία, η, παίδευμα, το, παίδευσις, η, εκπαίδευση, η [edukim], djelmërím-i παίδευμα, το, παίδευσις, η, εκπαίδευση, η [edukim, arsimim], djelmërór παιδιακήσιος, -α, -ον [djelmor], djelmrrítës-i –tëljë-a παιδαγωγός, ο, η [pedagog], drushqérrës-i ξυλοσχίστης, ο [druçarës], dheftokshivësí-a γεωλογία, η [gjeologji],   dheftomátës-i γεωμέτρης, ο [gjeometër], dheftopúnë-a f. γεωπονία, η [agronomí],  dhemóllë-a γεώμηλον, το, γαιόμηλον, το mollë e dheut, batate, gjithëshitërí-a παντοπουλείον, το, gjithëshítës-i παντοπούλης, ο, inatshpéjtës οξύθυμος, -ον, οργίλος, -η, -ον rrëmbetës [i rrëmbyer], kënkëqéshëljë-a κωμωδία, η [komedi], kënkëzézë-a τραγωδία, η lotderdhëljë [tragjedi], lotdérdhëljë-a τραγωδία, η [tragjedi], shimbájtëljë-a αντιβρόχιον, το, αντίβροχον, το, αλεξιβρόχιον, το, αλεξίβροχον, το, ομπρέλα, η [ombrellë], ujëbús-zi παγόνερον, το, ujërgjënt-i υδράργυρος, ο [zhivë] etj.
  2. me anë të para/prapa-shtesimit dhe përngjitjes, si katërónj αναθεματίζω [anatemoj, < gr. κατάρα], katrëqíndësh φρόνιμος, -η, -ον i mençim [< gr. τα έχω τετρακόσια = *i kam katërqind ‘e kam mendjen qiqër’], katrësí ανοικτομμάτης, ο, ανοικτομμάτα, η (μτφ.) i sgjuam, i diturë [khs. shpr. i bën sytë katër], katëthétë-a σημασία, η [domethënie, kuptim, < ka të thetë], katundjarësónj 1. χωριατίζω síef [sillem] si i trrashë, férem [sillem] si katundjar 2. απαγροικίζω e bënj katundjar/të trrashë, lehmëzónj έχω λόξυγγα [më zë lemza], búrrem ανδρίζομαι [burrërohem], burrónem ανδρειεύω, ανδρίζομαι  bënem burrë, përdëftím παράδειγμα, το mostrë, [shembull], etj.

Historianit dhe etimologut të shqipes nuk mund të mos i tërheqin vëmendjen fjalët dhe trajtat brrëtëk βαθρακός, ο [bretkosë], vr(r)ëtëk βάτραχος, ο  dëljgónj 1. νοέω, εννοώ 2. νοιώθω, νοιώνω, σκαμπάζω, καταλαμβάνω, κατανοέω, απεικάζω, παρατηρέω [ndiej, kuptoj],  buzjás παγώνω [ngrij, < turq. buz],  cark 1. στεφάνι, το 2. κύκλος, ο [kurorë, rreth], cunár m. πηγή, η, κρουνός, ο krua [shih. gr. σουλινάρι dhe shq. sylynjar], gjëndërë (g.) dhe grrëndëljë (t.) 1. κρεατοεληά, η 2. ακροχορδών, ο grëndëljë γαργαλήθρα, η, αδήν, ο, gjándërë (g.) κρεατοεληά, η [gjëndër], nepërkë (t.) όχεντρα, η, nepkërë οχέντρα, η, αστρίτης, ο, rrëmër ψωμοζήτης, ο, διακονιάρης, ο, ζητιάνος, ο, ζήτουλας, ο [përderës], pútërë πόρνη, η [putanë], mundónj 1. σκοτεινιάζω errësonj 2. αμαυρώνω nxinj) [< gr. μουντός ‘i mugët’], jemëxhosínj 1. ναυτική, η, ναυτιλία, η shërbesi [zanati] i jemëxhivet 2. το ναυτικόν fllotë [< (turq.) jemëxhi + gr.οσύνη], jerrné στερεώς [qëndrueshëm] dhe të mbeturë-të jerrné ασφάλεια, η sighurí khs vë jer[r]ne = shtie rrënjë [< turq. yer ‘dhé, vend’, shih yerine oturmak ‘to be well in its place’], jóthe-të εξάνθημα, το,  koqezë dhe   nxíer koqezë/jothe βγάνω εξανθήματα. Shih edhe vjolétë ‘ίον’[<*jonth < gr. ίον + -th; shih edhe jothí ‘violetta’ tek arbëreshët], prévë (t.) στράτα, η udhë, prévëzë στρατούλα, η udhëzë, pr(r)ëzë αντίπλευρος, -ον ndanë, brinjë me brinjë [<për + rrëzë], pr(r)ëzëdét-i m. αιγιαλός, ο, παραθαλάσσια, η, το παραθαλάσσιο, η ακρογιαλιά, ακροθαλασσιά, η ana e detit [<për + rrëzë + det], prëzëdhéft mb. περίγειος, -ον torrë dheft [<për + rrëzë + dhe], mnjek καταχνιά, η mnjegull, këpëtór οξύφρων, ο, η ment-hollë, kupëtór οξύνους, -ουν, αισθαντικός, -ή, -όν, αισθητικός, -ή, -όν, αντιληπτικός, -ή, -όν [ai që kupton shpejt, i zgjuar], lëftërónj πετάω, αναπετάω fjuturonj, mebárrem συλλαμβάνω gjëndem [mbetem] me barrë, mnothëtónj κολυμβώ, πλέω [notoj, lundroj], rrëmënxë-a 1. απόφθεγμα, το [thënie] 2. ρίμα, ριμάδα, η [vjershë] 3. αίνιγμα, το [enigmë] [< gr. ρομάντζο < ital. romanzo], praghaljás fol. 1. παραμυθέω, παρηγορέω [ngushëlloj] 2. πραΰνω, ταπεινώνω [zbus], urtësonj [<për + gr. αγαλλιάζω], sofiljás αρμόζω, προσαρμόζω, τεριάζω, ταιριάζω, ταιρειάζω [përshtas, ujdis, < gr. σοφιλιάζω], shtëngërë (i) mb. αλλήθωρος, η (παραβλώψ, η), γκαβός, -ή, -όν [i shtëngër, i vëngër, qorr], shtëngërónj αλληθωρίζω vëngëronj, jam me si të përjerrë, shtënk mb. αλλήθωρος, η (παραβλώψ, η), γκαβός, -ή, -όν [i vëngër, qorr].

Lënda e Fjalorit ka vlerë më në fund edhe për historinë e vetë greqishtes, ngaqë arvanitishtja ka ruajtur fjalë greke në kuptimet dhe trajtat fonetike të hershme të tyre. Për shembull, në fjalët qúrto-a κύρτος, ο, ψαροκόφινον, το  [shportë për peshq] dhe pricúlj-li προκοίλι, το, bajth [baqth] arvanitishtja ruan shqiptimin e hershëm të υ dhe οι të greqishtes, që është tipar dallues i të folmeve mesjetare e të mëvona të Atikës[28], me të cilat arvanitët erdhën në kontakt qysh në shek. XIV.

Dy fjalë përmbyllëse edhe nga ne, hartuesit e Fjalorit, që e ndiejmë të nevojshme të falënderojmë nga zemra gjithkënd që ndihmoi gjithqysh në sendërtimin e tij.

Nëse, megjithatë, do të duhej të veçonim një emër, ai është pa dyshim Akademiku Titos Jochalas, që e zbuloi dhe e botoi Fjalorin e Kupitorit, duke vënë gurë themeli edhe për veprën që po merr në dorë sot lexuesi.

Kjo vepër filloi të përvijohet vite më parë si punim diplome i studentit pasuniversitar të Universitetit Aristoteli të Selanikut, Enkeled Bilali, me propozues të temës dhe udhëheqës shkencor bashkautorin e Fjalorit që mbani në dorë. Qëllimi qe të nxirrej në pah lënda leksikore e shqipes/arvanitishtes, e “fshehur” në shkronjat Μ-Ω të Fjalorit greqisht-arvanitisht/shqip të P. Kupitorit.

Në vazhdim, për shkak të interesit që paraqiste, u pa e udhës që puna e ndërmarrë të shtrihej edhe në shkronjat A-Λ, kësaj here si pjesë dhe fazë përgatitore e një projekti për hartimin e Fjalorit të të folmeve arvanite të Greqisë, që përbën edhe temën e doktoratës së E. Bilalit, në kuadër të veprimtarisë shkencore të Departamentit të Gjuhësisë të Fakultetit të Filologjisë të Universitetit Aristoteli të Selanikut.

Jemi të ndërgjegjshëm se vepra që po i dorëzojmë sot lexuesit nuk është e përkryer dhe prandaj do t’i mirëpresim vërejtjet dashamirëse të miqve të shqipes e të greqishtes.

Mirutakofshim me vepra të tjera, që do ta bëjnë edhe më tërheqëse udhën e zbulimit të hireve të “Bukuroshes së fjetur”, arvanitishtes!

(c) 2023 Enkeled Bilali dhe Dhori Q. Qirjazi. Të gjitha të drejtat janë të autorëve.


 

[1] Mbiemër që haset rrallë e që T. Jochalas-i (Ύδρα – Λησμονημένη γλώσσα [Hidra – Gjuha e harruar], Athinë 2006, I 397) e lidh me foljen kupëtonj të arbërishtes së Greqisë, e madje me mbiemrin kupëtorë ‘që kupton, i vëmendshëm’. Në një regjistër kishtar të vitit 1828 gjejmë emrin Δήμα Κουπετόρη [Dhima Kupetori].

[2] Shih veprën e lartpërmendur të Τ. Jochalas-it dhe shkrimet e Dh. Q. Qirjazit (Ndihmesa e Panajot Kupitorit në fushë të albanologjisë. Hylli i Dritës, 3 (258) 138-144, Shkodër 2008; Fjalë ‘plaka’ dhe fjalë ‘nuse’: shtresimi leksikor në fjalorët greqisht-shqip të Th. Mitkos dhe P. Kupitorit. Perla XVIII 2013  2 (65) 26-45).

[3] Jochalas, vep.cit., 400.

[4] Njoftimin për ekzistencën e dorëshkrimit të Fjalorit të Kupitorit dhe mundësinë e botimit të tij nën kujdesin e Qendrës së Hartimit të Fjalorit Historik të Akademisë së Athinës, na e jepte T. Jochalas-i qysh në vitin 1980, me rastin e botimit të Fjalorit greqisht-shqip të M. Boçarit (Το ελληνο-αλβανικόν λεξικόν του Μάρκου Μπότσαρη – φιλολογική έκδοσις εκ του αυτογράφου υπό Τίτου Π. Γιοχάλα. Αθήνα 1980). Botimi u realizua më 2006 dhe përbën vëllimin e dytë të veprës së Jochalas-it Ύδρα – Λησμονημένη γλώσσα

[5] Λεξικόν ελληναλβανικόν επίτομον εκ της ελληνικής εις την αλβανικήν διάλεκτον των εν Ελλάδι Αλβανών, μάλιστα την των Υδραίων, μετά παραθέσεως και των άλλων διαλέκτων, τοσκικής, γκεγκικής και της των εν Ιταλία και Σικελία Αλβανών.

[6] Jochalas, vep.cit., II 429.

[7] Dh. Q. Qirjazi art.cit. Perla XVIII 2013  2 (65) 38, shën. 37.

[8] Shih T. Jochalas, Ύδρα – Λησμονημένη γλώσσα …, II 425-450.

[9] Ka lindur prej kohësh nevoja e ribotimit të asaj vepre, gjë të cilën urojmë ta ndërmarrë ASHSH.

[10] Lidhur më këtë shih vërejtjet me vlerë e me vend të studiuesit Τ. Jochalas (2006: II 429-431). Duke u nisur nga konstatimi i Jochalas-it (po aty, 429) se Kupitori në lemën ας, άφες shënon në kllapa Λεξ. Βαρβάτου [Fjalori i Varvatis-it], kërkuam ndër titujt e fjalorëve të greqishtes të shek. XIX dhe gjetëm se në v. 1878 është botuar në Athinë një Fjalor i ri greqisht-frëngjisht (Νέον Λεξικόν ελληνογαλλικόν /υπό Κ. Βαρβάτη. Αθήνησι: παρά τω εκδότη Κ. Αντωνιάδη, 1878). Krahasimi i fjalësit greqisht të atij fjalori me fjalësin e fjalorit të Kupitorit nuk lë asnjë dyshim se ky është mbështetur më së shumti në atë vepër, por mbase edhe në fjalorë të tjerë të kohës. Autori Varvatis shkruan në parathënie se përbri fjalëve të gjuhës vulgare, d.m.th. popullore, vendosi fjalët përkatëse të greqishtes së vjetër (επισυνάψας προς τας χυδαίας τας αντιστοίχους αρχαίας). Pas gjurmëve a frymës së tij duket se ka ecur edhe Kupitori, i cili, ashtu si edhe Varvatis, nuk jep shembuj përdorimi të fjalëve. Viti 1878 i botimit të Fjalorit greqisht-frëngjisht puqet edhe me kohën e hartimit të Fjalorit greqisht-arvanitisht/shqip të Kupitorit.

[11] Studiuesi T. Jochalas (2006: II 437) ka treguar me shembuj se Kupitori merr shpesh lëndë prej fjalorëve shqip-gjermanisht dhe gjermanisht-shqip të J. G. von Hahn-it.

[12] P. Tase, Fjalor dialektor me fjalë e shprehje nga Jugu i Shqipërisë, Tiranë 2006, 59.

[13] Kur krahasojmë dy gjuhët në nivel leksikor, e anashkalojmë jo rrallë ose nuk e marrim parasysh në masën e duhur faktin që edhe greqishtja (e re) u rinovua dhe u pasurua ndjeshëm në saje të “valëve” të njëpasnjëshme të neologjizmave. Të mos harrojmë që, sikurse shkruan studiuesi P. Mackridge, “Qysh nga 1821-i e deri më sot gjuha greke – në motërzimet e ndryshme gojore e shkrimore të saj – ka pësuar shndërrime më të mëdha sesa ato që u shënuan në çdonjërën prej gjuhëve nacionale të Europës perëndimore gjatë së njëjtës periudhë”. (Ιστορία της Ελληνικής Γλώσσας, Αθήνα 1999, 236). Dëshmitar i papërgënjeshtrueshëm i këtyre ndryshimeve është edhe vepra Συναγωγή Νέων Λέξεων… e savantit grek Σ. Α. Κουμανούδης.

[14] Σ. Α. Κουμανούδης, Συναγωγή νέων λέξεων υπό των λογίων πλασθεισών από της Αλώσεως μέχρι των καθημάς χρόνων, επιμέλεια-εισαγωγή Κ.Θ. Δημαράς, Αθήνα 1998, 97.

[15] ”Ντε επάρα βασιλοπούβα γιόνε Λεξάνδρα – Προς την πρώτην βασιλοπούλαν μας Αλέξάνδραν”, Λόγιο ποίημα στα αρβανίτικα της Ύδρας. (Γιοχάλας 2006: Α΄ 174). Kjo vjershë, edhe pse është cilësuar si krijim libror, mban dukshëm vulën e arvanitishtes lokale.

[16] Kolegu N. Liosis [“If only Arvanitika had an admirative mood! Between evidentiality and counterfactuality”, Zeitschrift für Balkanologie 46/ 2 (2010) 184-202] shqyrton shterueshëm një rast interesant “of syncretism of the “(subjunctive-) admirative” and the optative” në arvanitisht (2010, 190). Është fjala për trajta të tipit të ja dërgotëkeshë, të ja dhëtëkeshë, të ja thetëkeshë, përkatësisht ‘If I had sent it to him’, ‘If you had given it to him’, ‘If he had said it to him’, të dëshmuara te Kupitori, dhe aktualisht të fosilizuara.

[17] S. Mansaku, Quelques traits morphosyntactiques des parlers albanais d’ Italie, në Πρακτικά του Ελληνοαλβανικού Συμποσίου «Η Ελληνική και η αλβανική γλώσσα στην Κάτω Ιταλία και την Σικελία»,  Athinë 1996, 83. Shih edhe Dh. Q. Qirjazi, Dukuri të hibridizimit leksikor dhe të interferimit kuptimor e morfosintaksor në të folmet arvanitase dhe në zonën e “helenofonisë shqiptare”,   Studime Filologjike 3-4 (2018) 88-94.

[18] K. Topalli, Fjalor Etimologjik i Gjuhës Shqipe, Tiranë 2017, 1418.

[19] M. Totoni, Vëzhgime rreth të folmeve të Kurveleshit, Dialektologjia Shqiptare I, 1971, 100.

[20] E. Çabej, Studime etimologjike në fushë të shqipes, vëll.  V, Tiranë 2014, 338.

[21] K. Topalli, vep.cit., 984.

[22] V. Orel, Albanian Etymological Dictionary, Leiden 199, 264.

[23] N. Mërkuri, E folmja e Përmetit,  Vlorë 2009, 287.

[24] Πραγματεία ιστορική και φιλολογική περί της γλώσσης και του έθνους των Αλβανών, εν Αθήναις 1879, f. 32-33. Shih tani edhe përkthimin shqip të kësaj trajtese nga Dh. Q. Qirjazi, botim i ASHSH, 2023.

[25]T. Jochalas, Υδρα – Λησμονημένη γλώσσα, II 445-446. Këtu duket se kemi të bëjmë me sonorizimin dhe pastaj desonorizimin e u [u => v => f], që Kupitori e jep për të folmen e Hidrës. Dukuri e ngjashme vërehet edhe në të folmen e Devollit, por Kupitori nuk mund ta dinte këtë në vitet 1870. Aty, në Devoll, “zhvillimi nga uf ka kaluar nëpër disa faza; zanorja u është bërë një herë një gjysëm bashkëtingëllore bilabiale u, …, pastaj ka kaluar në bashkëtingëllore dhëmbore-buzore të zëshme v dhe më vonë, e ndodhur në fund të fjalës, ose në mes të saj para një bashkëtingëlloreje të shurdhët, është shurdhuar dhe ka përfunduar në korresponduesen f të së zëshmes v.” J. Gjinari, Mbi të folmen e Devollit, Buletin i Universitetit Shtetëror të Tiranës, I 1962, 106-107.

[26] E gjetëm, p.sh., në arvanitishten e Salaminës.

[27] Është e pamundur t’i ketë shpëtuar kjo hollësi Kupitorit, aq më tepër që lema γλώσσα pasqyrohet në Fjalorin greqisht-frëngjisht të Varvatis-it (1878), të cilin ai e pati konsultuar. Ne mendojmë se ky boshllëk lidhet më tepër me faktin se vepra e Kupitorit mbeti, për fat të keq, e papërfunduar.

[28] Shih hollësi te N. Παντελίδης, To παλαιοαθηναϊκό ιδίωμα: πηγές, μαρτυρίες, χαρακτηριστικά, Γλωσσολογία/Glossologia 24 (2016) 103-146.

 

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin