KËPUCË LLAFAZANE

Ditë më parë fotografët na dhuruan një tjetër xhevahir. Edi Rama, në takimin (e parë?) me President Bamir Topin, kishte mbathur një palë atlete sportive. Fotografia qarkulloi nëpër faqe gazetash dhe interneti duke ngjallur kërshëri, zemëratë, ilaritet, ngritje supesh.

Që veshja është edhe mënyrë komunikimi nuk e them vetëm unë. Në këtë blog shkruam pak kohë më parë për uniformat, të cilat në spektrin e qartësisë komunikative zënë logjikisht vendin më të skajshëm. Midis të tjerash, policët, ushtarakët, murgeshat, priftërinjtë, etj. me veshjen duan të komunikojnë diçka të drejtpërdrejtë.

Do të shtoja madje se edhe mosveshja është mënyrë komunikimi. Në këtë pikë lideri i Partisë socialiste është shembull i dyanshëm. Me atlete në Presidencë dhe lakuriq në plazh publik. Përveçse në rastet kur e këshillon mjeku, ta zëmë kur ke alergji nga rrobat e banjës apo kallo dhembjeprurëse në këmbë, të gjitha të tjerat mund të merren si dëshirë për të komunikuar diçka.

Proverbi i vjetër “Sipas vendit bëhet kuvendi” vlen edhe për veshjen, jo vetëm për shprehjet verbale. Në politikë, ashtu si edhe në shoqëri, kodet kanë rëndësi për mbarëvajtjen e komunikimit. Kështu një politikan, por edhe qytetar i thjeshtë, nuk mund të hyjë me pantallona të shkurtra në kishë apo xhami, sepse ajo mënyrë veshjeje është e ligjshme, por nuk përputhet me mjedisin, ose më mirë me atë që duhet të shprehë në atë kontekst. Me fjalë të tjera respektin.

Për të njëjtën arsye Presidenti nuk mund të vishet me xhinse gjatë pritjes së një homologu në selinë zyrtare. Por mund të vishen të dy në mënyrë sportive në rast se vendosin të shkojnë për pushime, për të bërë gjimnastikë, ose për të vizituar diçka më pak protokollare, ta zëmë një fabrikë këpucësh klasike. Mund të mos na pëlqejë, por shumë parlamente në botë, ashtu si edhe klube private të njëfarëlloji, nuk lejojnë të futen meshkuj pa kravata. Fjala që përsëritet sërish është “respekti”. Birësimi i kodeve të njëjta komunikative dëfton dëshirë për komunikim të sinqertë dhe në kushte të barabarta.

Arsyet që e çuan kryetarin e partisë më të madhe opozitare të paraqitet me atlete në takimin me kreun e shtetit shqiptar mund të jenë të shumta: arsye shëndetësore, mode, personaliteti, rastësore, etj. Mirëpo çdo këndues i politikës do ta kuptonte ndryshe kombinimin e kravatës me atletet. Kumti politik i përftuar do të ishte i larmishëm: mosnjohje, njohje e pjesshme, qesëndisje, konfirmim autoriteti, vetëmjaftësi, trysni, etj. Në përgjithësi, politika shqiptare vuan nga lloj konfuzioni kodesh, ndoshta sepse këto të fundit janë ende të pakristalizuara mirë në demokracinë e re shqiptare. Nga ana tjetër, në rang institucional, vetë snobizmi nuk perceptohet si i tillë dhe as mund të shfajësohet lehtë siç bëhet zakonisht në rërën e plazhit.

Prandaj edhe shpresoj që gjatë takimit Presidenti Topi t’i ketë thënë: “Sa të bukura këto atletet. Ku i ke blerë dhe sa?”.

13 Komente

  1. Politika prodhon aq shume ordinerllek sa qe nje pal kepuc te veshura gabim, nuk bejne shume pershtypje.

    E kjo vjen pas gafes ose jo te pales se Topit qe betohet presidenti i shqiptareve jo nen flamurin e shqiptareve.

    Kjo ka irituar qofte per ultesine e neveritshme te politikaneve tane, qofte per ate se flamuri kuq e zi perfaqeson shqiptaret e presidenti duhet te betohet nen te , se eshte president i tyre, BETOHET TE ATA kur betohet te flamuri qe simbolizon ata, e jo nen nje cop te modes si ne paradat te piramida.

    Kjo per mendimin tim fliste shume per politiken tone, po ta ndalesh e ta zberthesh.

    Me precedentet negativ qe prodhon politika, qofte votimi i presidentit ne menyre te atille, qofte betimi para flamurit jo shqiptare etj etj Rama edhe sikur zbathur te vente nuk do kishte bere aq shume buje.

    Thoshim gjate viteve te Nanos qe ky e uli aq shume standartit e politikes sa cdo gje negative miret si normale, kjo qeveri po ben te njejten gje.
    Prandaj ndoshta shume veta ishin lodhur te harxhonin kohe per Ramen me atlete, kur ishin mare me aq shume gjera ordinere me pare.

  2. Pishak, po t’i besosh Roland Qafokut, të gazetës “Tirana Observer”, anarkia vestimentare e futur në politikë nga Edi Rama ka ndeshur në zakonet e rrepta të presidentit të ri, i cili kërkon të sjellë një frymë old-fashioned, pothuajse britanike, në shërbimin civil të republikës.
    Në shkrimin e vet tashmë legjendar “Një ditë në jetën e Presidentit Bamir Topi,” Qafoku na jep disa të dhëna të rëndësishme për gjëra të vogla dhe të ëmbla nga rutina e heroit të tij, pa të cilat ne lexuesit etshorë nuk do të kishim mbijetuar dot.

    I mjaftojnë rreth 20 minuta që Presidentit të ri të Republikës të kryejë ritualin e tualetit të mëngjesit. Përveç larjes, një vend të rëndësishëm zë rruajtja, veshja e zgjedhur dhe hedhja e parfumeve.

    vëren Qafoku, por pa shpjeguar pse presidenti i këtij vendi të vogël ballkanik e sheh të nevojshme të hedhë më shumë se një parfum në mëngjes.
    Duke u ndalur në kalvarin mëngjesor të “burrit më të fuqishëm të vendit” (siç e quan Qamil Xhani në një artikull tjetër, përsëri te “Tirana Observer”, e cila do të ketë vendosur t’ia ngrejë Bamirit statujën prej pudre bojë rozë), Qafoku nuk e kontrollon dot më pasionin e papritur prej editorialisti revistash nga ato të floktoreve unisex:

    Pasi hap sytë, Topi kryen veprimet e tualetit kur më të rëndësishmet janë rruajtja dhe veshja. Kjo e fundit tashmë ka marrë një dimension të ri. Jo se burri simpatik nuk i ka pasur edhe më parë. Nuk harron të rregullojë flokët me një stil që i ka mbetur që nga adoleshenca. I ndan me një vizë as në mes e as në anë dhe balukeve i fut pastaj një xhel të lehtë.

    Tani që e morëm vesh edhe këtë punën e xhelit të lehtë, njihemi me çfarë vesh kreu i shtetit shqiptar pikërisht:

    Që ditën që u betua Bamir Topi ka veshur në trup një kostum të ri. I zgjedhur për merak ai është një “Armani” orgjinal që natyrisht ia vlente që të ishte për këtë eveniment. Dhe Bamir Topi si sqimatar në veshje nuk e ka humbur rastin.

    Në fakt, po të isha unë si Bamiri, do të kisha blerë (ose më mirë prerë) shtatë kostume të reja Armani, të së njëjtës ngjyrë e të njëjtit model, që t’i vishja për çdo ditë të javës, por pa e lodhur stofin.

    Kush ia zgjedh kostumin dhe kollaren do të pyesë dikush.

    Vërtet: edhe unë kisha kohë që ia bëja këtë pyetje vetes. Kryesisht për rrobet e mia, por ndonjëherë edhe për ato të presidentëve, të cilat duhet të përmbushin standarde të posaçme.

    Familjarët thonë se ai vetë. Por nuk ka raste të rralla që bashkëshortja, Teuta, si dhe vajzat ndërhyjnë rëndshëm.

    Nuk është kollaj të jesh edhe president, edhe bashkëshort i mirë, tha.

    Pas kësaj Topi ha mëngjesin, zakonisht gjëra të vogla dhe të ëmbla dhe vrap pastaj të dalë nga shtëpia.

    Përballë këtij mishërimi të elegancës protokollare, atletet e Edi Ramës nuk kanë asnjë shans; madje janë të dënuara të ngecen qilimave të presidencës, për shkak të çamçakizave ngjitur atje prej ecejakeve të dikurshme të të zotit bulevardeve të Parisit.

    Me pudër, parfume e xhel do ta bëjmë Shqipërinë, Pishak.

  3. XhXh,
    Komenti yt besoj se meriton nje artikull me vete. E kisha humbur kete artikullin e TO, po keto pjese qe ti solle qenkan te denja per komedi. Me duket se Nexhmije Hoxha ne librin e saj te kujtimeve e pershkruante me te njejtat tone sublime-romantike-pa-dashje-groteske- rruarjen e Atij.

    Sa per atletet, gafe eshte, dhe e rende. Por ajo puna e flamurit eshte me e rende…mendoj.

    Pershendetje!

  4. Hey, Strangeman, mirësevjen me komentet! Unë Roland Qafokun nuk e lë kurrë pa e lexuar, sepse gjithnjë e ka zotësinë të më lerë gojëhapur me entuziazmin e vet. Nga ana tjetër, më vjen keq për Bamir Topin, të cilin e njoh mirë, e që me siguri bezdiset shumë nga këto jargavitje. Tirana Observer, e cila tërheq autorë të mirë si Luan Rama, Lek Sokoli e ndonjë tjetër që tani s’më kujtohet, është megjithatë gazeta më e habitshme, kur vjen fjala për të prezantuar banalitetet e jetës në Tiranë (observer i thëncin). Po ta vesh re, për shembull, ka një fiksim pothuajse kabalistik me numrat — meqë cdo titull e ka të numerizuar: një ditë nga jeta, dy vajzat e presidentit, dhjetë bodigardët, njëqind shqiptarët më influencialë, e kështu me radhë. Pastaj, ka edhe Roland Qafokun, që është institucion më vete. Ky para dy muajsh, me seriozitet të madh, propozonte Ismail Kadarenë për president, edhe pse Kadareja nuk i plotëson as kriteret formale elementare për t’u kandiduar. Nuk mori xhanëm mundimin ky njeri t’i hidhte një sy kushtetutës? Megjithatë, mbetet zbavitës… si rrallëkush.

  5. Ja disa tituj të tjerë numerologjikë nga TO, që i vola shpejt e shpejt nga faqja e tyre në Internet (nuk po i rëndoj me nyjet):

    Forum 3 pyetje 3 përgjigje
    Zbulohet pas 64 vitesh procesverbali i “Mukjes”
    50 pyetje nga Tirana Observer
    Zyhdi Kroi: ja 3 nenet që duhen ndryshuar
    Reforma: 100 policë kërkojnë rikthimin në punë
    Dekorimet që mora nga dy presidentët
    100 fakte e të dhëna nga jeta e Presidentit Bamir Topi
    Jeta private e dy vajzave të Presidentit Topi
    Ekspertët tregojnë 14 arsye që e motivojnë seksin

    Pyetja që më mundon në këtë rast (krahas me Armanin që do të vesh nesër), është: cfarë ta ketë frymëzuar këtë politikë titujsh? Cila është magjia e këtyre numrave? Cfare relevance ka që arsyet që motivojnë seksin janë 14 dhe jo 37? Pse 50 pyetje dhe jo 49? Kush i vendos këta numra dhe me kë konsultohet?

  6. hej xhaxha! si ja shpie kendej. nuk them se nuk ka konfuzion kodesh ne politiken shqiptare, thjesht dua te them se kodet jane konfuze vete, si atribut i te qenit simbol i nje simboli, apo reprezantim i nje reprezantimi, dhe njekohesisht strikte, si mbartese te nje mesazhi te qarte per zberthyesin. kam pershtypjen se rama, si ish aspirant sportist, dhe ish aspirant artist, e njeh edhe striktshmerine e kodit qe arrin organizimin e lojes, edhe konfuzionin qe kodet krijojne kur perdoren ne art. kjo me ben te mendoj se ai e ben me dashje. diku tek peshku, kam shprehur se kjo thyerje e kodit etik te veshjes ne institucionin e presidentit, mbart trysni te polarizuar mes nje presidenti nga e djathta dhe liderit te se majtes, ku e ndenjura shtrember implikon te folurin drejt. nuk kam ndonje respekt te vecante per punen e rames; pervec lyerjes se pallateve, dhe nje unaze qe po i ha tre mandate bashkiake, puna e tij ne tirane eshte nje kaos urban i paperseritshem. megjithate trysnia mund te qendroje gjithashtu edhe tek mesazhi, “mos shiko gunen, po shiko punen”. gjithashtu bledi, me lart, ka nje pike shume te forte. nese kodi etik e kerkon sipas vendit dhe kuvendin, atehere ceremonia e betimit te presidentit eshte nje shkelje trashanike e kodit etik si ne vend edhe ne kuvend. ne krahasim me kete shkelje, kepucet sportive ne nje pritje zyrtare ne presidence, shkelin me finese, me elegancen e nje tre pikeshi te merituar.

  7. Xha Xha më kënaqe. Tani e kuptova se ku e shuan etjen tënde për lexim. Burimet si Tirana Observer janë me ujë të kulluar. Po ta kisha lexuar shkrimin e Qafokut nuk do merresha me këpucët e Ramës, sepse do të më kishte mbetur mendja tek parfumet e Presidentit. Përse vallë marka e kostumit thuhet, kurse markat e parfumeve jo?

  8. Tirana Observer Watch – tituj numerikë nga edicioni i sotëm:

    Arben Qirjako: Korrupsioni, si i hoqa 20 zyrtarë
    100 diplomatët më të shquar shqiptarë
    15 shtetet që dikur ishin Bashkimi Sovjetik
    Gjashtë pikat ku Sollaku bie dakord për reformën
    “Dekorimet që mora nga dy Presidentët”

  9. Tirana Observer Numerology Watch – numri i sotëm:

    Rekord, 4500 të dënuar ndodhen në të gjitha burgjet
    Kuotat e pranimit për 11 universitete
    10 transfertat më të mira dhe të këqija, Besart Berisha i 5

    Këtej e tutje nuk po i vendos nyjet; sepse nuk i rekomandoj këta artikuj për lexim. Titujt u vlejnë më shumë.

  10. Shërbimi i vrojtimit numerologjik — tituj të “Tirana Observer” sot:

    Elbasani kërkon Sasha Delain, disiplina e “burgos” 6 muaj
    Ku takohen dëshirat mes dy sekseve për kënaqësinë
    Milano, bashkia jep 50 euro për ata që duan të dobësohen
    109 emrat e të dënuarve me burgim të përjetshëm

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin