1X10: NË KËRKIM TË FUSTANIT TOTAL

Titulli: Në kërkim të fustanit total
Autori: Emine Sadiku-Teichmann
Përgatiti për Peizazhe të Fjalës: Elona Baçi


1.

Kaos klikimesh (ose: Kërkim torturues)

Tiktaku i orës më nxori nga kujtimet dhe mendimet e rënda plumb. Edhe interneti ishte lodhur nën peshën e arsyetimeve të gjata e pafund. Dukej sikur ia kisha ngjitur vrasjen e mendjes dhe ai, i lodhur e i dërrmuar, po përpiqej të merrte veten me anë të një pauze. Mjaft u çlodh, mendova dhe e risolla në vete. Unë e kisha harruar në ç’faqe kisha mbetur, madje kisha harruar ç ‘kërkoja e ç’më duhej. Kur m’u shfaq faqja ku isha endur së fundmi, u kujtova që unë në fakt nuk po kërkoja më ndonjë gjë konkrete. Desha të ngrihesha e u ngrita. Sytë më bënin miza-miza. Shkova pranë dritares e vështrova jashtë. Shiu kishte pushuar, dritat e rrugës reflektoheshin në pellgjet e ujit, rrallë e tek kalonte ndonjë makinë, dy gra me katër qen po ktheheshin si duket në shtëpi. Ishte errësirë dhe ishte natë. Po sa duhet të ishte ora? Hodha sytë nga ora e murit dhe nuk dallova asgjë. Ora në kompjuter ishte gjithnjë gabim dhe unë as nuk dija, as nuk doja ta rregulloja. Të mbyll kompjuterin të bie të fle, mendova dhe shkova tek aparati, ekrani i të cilit rrezatonte vazhdimisht një dritë kaltëroshe. Një mendje tjetër me mbajti të mbërthyer para ekranit dhe unë fillova nga e para.

 

2.

Kështu më doli nga zemra një fustan që e bleva me qejf të madh në një butik në Tiranë. Unë e vesha një ditë për punë, sipër vesha një xhaketë të zezë që përshtatej me fustanin. U paraqita krenare në vendin e punës me një ndjenjë sigurie e vetëbesimi se isha veshur bukur. Petra, kolegia ime, më pa mirë e mirë nga koka te këmbët, pastaj buzëqeshi çuditshëm. Ia nguli sytë fustanit tim ngjyraplotë dhe tha:

– Fustan tradicional?

– Jo, – i thashë, – pse mendon kështu?

– Të jep përshtypjen e një fustani të tillë. Ngjyrat, prerja, kollani.

Mua m’u prish humori dhe në ato momente e mora inat Petrën. Ajo që ajo tha, nuk e di pse m’u duk tepër fyese. Si mund të vishja unë në ditë të zakonshme fustane tradicionale?! As në ditë të zakonshme, as në ditë festash. As që kisha provuar ndonjëherë kostume tradicionale; folklorizmi, tradicionalizmi ishin për mua shfaqje të huaja….Ishte dita e fundit me atë fustan, unë nuk e vesha më atë. Mosveshja e atij fustani lidhej me mosveshjen edhe të tre fustaneve të tjera të ngjashëm me të për nga stili. Unë i kisha blerë ato fustane pothuaj në të njëjtën kohë, në atë kohë unë kisha vënë merak në fustane me pak rrudha, të gjata deri poshtë gjurit, me kollan, mundësisht me lule, mundësisht me jakë të hapur në formë u-je etj. Por koha e tyre kaloi shpejt. Disa vështrime, disa fjalë të thëna pa kujdes për fustanin, bënë që unë të distancohesha nga fustanet e mia edhe pse teorikisht ato më pëlqenin shumë. Kur i shihja ashtu të braktisura e të papërfillura në dollap, më ligështohej shpirti e një ftohtësirë ma përshkonte trupin. Fund! As në ebay nuk porosita fustane të tilla, as guxoja t’u hidhja ndonjë shikim kur më shfaqeshin rastësisht nëpër faqet-ekspoze të firmave të ndryshme.

3.

Nula dies sine linea (asnjë ditë pa asnjë rresht)

Po ç’më tërhoqi aq shumë te një fustan dyngjyrësh, blu dhe i kaltër? Nuk ishte as firma, as reklama, as çmimi…Ishin kujtimet, e shkuara, rinia, dëshira e papërmbushur për të pasur fustanet që dëshiroje, madje që i ëndërroje. Shoqja ime e ngushtë, Lili, më kishte folur për një fustan shumë të bukur që e shiste një “e deklasuar” në fshatin ku ajo punonte si mësuese biologjie. Përshkrimi i saj ishte aq vizatues e me ngjyra, sa mua m’u shfaqën para syve e në mendje e kaltra dhe bluja e fustanit që kishte ardhur nga Amerika, por që ajo gruaja, familje e deklasuar, e shiste për bukën e gojës…

Kur i thashë Lilit merre për mua dhe kur Lili shkoi tek ajo gruaja, fustani nuk ishte më. Ajo ia kishte shitur një kooperativisteje…

– Shih se ndoshta ajo kooperativistja e shet, ç’e do ajo një fustan aq fin e modern.

Nuk e pyeta më Lilin ç’u bë me fustanin. Pas kaq e kaq vjetësh pyes gjithnjë veten time: Ku është ai fustan? Kujtimi i tij nuk është shuar ende tek unë. Ndoshta e panjohura që e shoqëroi gjithnjë atë objekt, e bënte atë tërheqës e magjepsës në parafytyrimet e mia. Kujtimi i tij më hodhi te një fustan i ngjashëm në ebay: Chloe – fustan, blu me shirita të kaltër. Kështu duhet të ketë qenë, mendova, dhe fillova operacionin. Nuk kaloi shumë dhe vura re që ai fustan nuk ishte më i disponueshëm. Ironi e fatit! Nuk qe e thënë që një fustan i tillë të vinte tek unë. Nuk munda ta gëzoj trupin dhe shpirtin me atë, por në kujtimet e mia jeton ende siç jetojnë gjërat e parealizuara që i ngjyros gjithnjë ai tisi magjepsës joreal…

4.

Veshjet – një e keqe më shumë

 Më qëllonte shpesh të ndalesha në vrullet e mia blerëse të vrisja mendjen: Pse u katandisa në atë ditë? Duhet të merrte fund kjo punë e kjo mani që më kishin drobitur forcërisht e financiarisht. Por shfaqej një motiv (?) i ri dhe “betejat” vazhdonin. Nganjëherë e justifikoja veten me faktin që tani ndodhesha në një vend të zhvilluar dhe veshja kishte rëndësi të veçantë. Por kur shikoja kolegen time, Petrën, dhe kolege të tjera…ndërroja mendje, nuk ishte vetja e të tjerëve që më nxiste e më shtynte në blerje pa fund. Jo!!! Ishte tregu, reklama që më trullosnin. Ata ngrinin dallgë e hidhnin gjëmime, që e godisnin pa mëshirë dhe e çekuilibronin brishtësinë time. Ishte e vështirë ta përballoje atë sulm dhe atë ngasje. Me prezantimet hiperbolike, shpesh dhe të gënjeshtërta, reklama mashtronte, më tërhiqte me hipnozën që prodhonte dhe unë naive, e pastërvitur në atë kaos, bija në lak.

Por nuk ishte vetëm realiteti i ditëve të mia gjermane, me tregun e lirë, të paanë, me reklama gjëmimtare që më sëmurën mua. Në një analizë të fundit shkaqet e rënies sime ishin më të shumta e më të thella se ajo katrahurë mode dhe oferte “të pamëshirshme”. Diçka tek unë, brenda meje, një substrat i formuar në vite e stimulonte atë nxitje. Se nuk ka të sotme pa të shkuar. Madje sa herë që gardërobës sime i shtohej një veshje e re, unë, me anë të krahasimit hidhesha në të shkuarën time amtare: “Kësi xhakete nuk kam pasur atëherë, të kisha pasur një të tillë, do të isha (si do të isha?) sigurisht më e gëzuar dhe e plotësuar!”. Kështu mali i krahasimeve lartohej sa herë sa herë shtohej gardëroba ime. E shkuara e veshjes sime, historia e veshjeve të mia, me situatat ku rrodhi ajo, më kërcente shpesh në sy e në mendje, duke më justifikuar disi në maninë time. Qëkur fëmijëria ime po kalonte në një rini të paqetë, të tallaztë e me privacione, u shfaq brenda meje si nevojë, si dëshirë, nganjëherë si mani, të veshurit bukur. Koncepti se veshja është një nga sinjalet kryesore shoqërore që ne transmetojmë, u zhvillua gradualisht në ndërgjegjen time. Erdhi dhe u bë zhurmues, goditës i ekuilibrit dhe kontrollit në fushën e blerjeve. Kjo ndodhi në vitet e para të kontaktit me jetën në një vend të huaj, super të zhvilluar në modë e gjithkund. Në rrëfimin tim nuk mund të lë pa përmendur ato vite të shkuara në vendin tim amtar, kur kërkesat dhe dëshirat e mia për fustane, pallto etj. shndërroheshin në beteja e përfundonin në fiasko.

5.

Unë doja zhaponè (ose: historia që nuk u bë traditë)

 …- Pa mëngë, është fustan vere, e dua pa mëngë, zhaponè…

Por nuk ishte gjë që bëhej. Unë isha e dobët. Kisha një brishtësi shpirtërore që më bënte të dorëzohesha dhe të tërhiqesha gjithnjë. Fustani më doli krejt nga zemra. Edhe gjithë ai brutalitet e gjithë ajo vrazhdësi më kishin zhgënjyer, tronditur dhe vrarë shpirtërisht. Ç’m’u desh që erdha! Mua më duhej një fustan për vitin e ardhshëm shkollor, e kisha merituar fustanin si nxënëse e shkëlqyer që isha. Por jo sipas kushteve që vendoste babai.

Fizua e caktoi gjatësinë e fustanit deri në pulpë, gjatësinë e mëngëve deri në bërryl. Do të kisha dashur ta largoja brutalisht metrin e Fizos nga trupi, e t’i thosha se masat duhet të ishin ashtu siç doja unë, t’i thosha se nuk e doja fare fustanin. Por e mbajta veten me pahir. Nga inati më rrodhën lot, nga inati nuk fola fare gjatë asaj vizite të çuditshme. Kishte kohë që e kisha ndier dhe e kisha kuptuar që duhet të luftoja. Duhet të luftoja edhe me njerëzit e mi të dashur, siç ishte babai dhe nëna. Më priste një luftë e një përpjekje dramatike, e mundimshme dhe e vështirë. Shpesh më dukej se tërë njerëzit përreth e shfrytëzonin atë dobësinë dhe brishtësinë time të lindur e të kultivuar në rrethanat ku rridhte e shpalosej jeta ime. Unë nuk ia prishja askujt, nuk thosha dot “Jo!”. Një butësi tej caqeve të zakonshme. Materia e brishtë e shpirtit tim nuk mund ta duronte edhe brutalitetin e Xhedos ndaj motrës. Mua më kishte ardhur keq për Fizon, prandaj nuk ia hodha metrin tutje. Se Fizua e kishte merituar atë: t’ia përplasja metrin në surrat, se ajo mbajti anën e babait dhe tha gjithfarësoj gomarllëqesh moralizuese, si: kupa e gjurit duhet mbuluar, sqetullat nuk duhet të duken, se është turp për një femër të ngrejë krahun e t’i duket sqetulla, të shohësh sqetullën e një femre është njësoj si të shohësh… Ajo nuk e kishte thënë fjalën, por unë e kuptova ç’donte të thoshte. Të gjitha ato që tha Fizua m’u dukën aq të pështira, por megjithatë më vinte keq për të, shumë keq.

6.

Sinjale të qarta

Ajo veshje sugjestionuese për ne mësueset e fshatit, ku nuk të çonte e nuk të merrte asnjë autobus linje, ishte, mund të them, shokuese. Ç’ishte vallë kostumi im pranveror, apo kompleti me triko e bluzë akriliku të kolegeve tona përballë asaj veshjeje?! Rripi prej lëkure i Albanës ishte një stoli e vërtetë në ansamblin e veshjes së re zvicerane të Albanës. Çdo përshkrim i sotëm nuk do të mund të japë të plotë atë cilësi dhe atë estetikë që na kishte mahnitur të tërë. Sot e kësaj dite unë kam në gardërobën time një këmishë xhins blu, me trëndafila të qëndisur. Trëndafilat e bluzës sime, gjithsesi të vegjël, nuk i afrohen atyre të asaj bluze që kishte veshur Albana në atë ditë historike të shfaqjes së saj pas kthimit nga Zvicra. Mund të them që sugjestionimi i një bluze të tillë ka mbetur i pashlyeshëm. Edhe sot e kësaj dite jam në kërkim të një bluze-këmishe të tillë.

7.

Tranzicion

Shumëkush mund të thotë: veshja nuk ka shumë rëndësi…Sigurisht, sigurisht. Por veshja është jo vetëm refleks, por edhe shprehje e këtyre regjimeve, e sistemeve politike dhe ekonomike. Sa herë që Partia e Punës godiste një grup, një trend, një zhvillim (gjoja) josocialist, e shoqëronte sulmin dhe me kritika ndaj paraqitjes, veshjes, sjelljes së armiqve të klasës e të regjimit komunist. Prandaj m’u desh ta bëja çështjen e veshjes/veshjeve tematikë të këtij rrëfimi. Qysh para hyrjes në ambasadë unë e kisha përmirësuar disi gardërobën time…Pallton nuk e vishja në ditët e zakonshme të punës, por në raste të veçanta, siç ishin mbledhjet në qytet, rrethet metodike. Fjala “metodike”, edhe pse përdorej rëndom në jetën tonë pedagogjike, kishte mbetur për mua një fjalë komplet e huaj, e pakuptueshme. Ishte një kohë kur rrethet metodike nuk lidheshin me metodat, që nuk i kuptova kurrë (sidomos ato mësimore), por me veshjen time. “Hë, – i thosha vetes ditën e rrethit metodik, – nxirr pallton e kuqe, vish pallton e rasteve të veçanta! ” Kur e vishja atë pallto me sfond të kuq e me një aplikim si lule në ngjyrë të zbehtë të kaltër, ndihesha mirë. Atje, në rrethet metodike, nuk më interesonin aq shumë diskutimet mbi metodat, sesa përshtypja që mund të bënte veshja ime, sidomos palltoja. Madje isha aq shumë e ekzaltuar nga veshja ime: pallto e kuqe + pantallona gri, sa ndihesha gjithë kohën mirë, edhe kur asnjëri nuk m’i hidhte sytë as mua, as veshjes sime. Nuk kaluan shumë vite me pallton e kuqe, kur u shfaq në jetën time një pardesy në ngjyrë të gjelbër, të çelët. Ishte koha e “Zërit të Amerikës”. Unë dhe dy shoqet të miat dëgjonim rregullisht “Zërin e Amerikës”. Mesazhet gjëmimtare, që vinin që andej, na mbushnin me shpresë e kurajë. Diçka pritej të ndodhte. Duke pritur ngjarje të mëdha unë veja e vija, nga shkolla në shtëpi, me pardesynë jeshile. Ngjyra e shpresës i përshtatej më shumë shpirtit se pamjes sime. Sytë e mi ngjyrë kafe nuk kishin asnjë rezonancë me të gjelbrën e pardesysë. Edhe sot e kësaj dite pyes shpesh veten: ku është palltoja e kuqe, ku është pardesyja e gjelbër? Do t’i kisha ruajtur këto rroba që shenjuan kohën e një ndryshimi që po trokiste në zemrat tona.

8.

Çdo fillim është i vështirë

Kaluan disa minuta dhe në dhomë u shfaq një grua, e gjatë, bionde (tipike gjermane, mendova unë). Ajo mbante një pako të madhe kartoni në duar. Elke doli nga dhoma dhe u kthye përsëri, edhe ajo me një pako kartoni në duar. Pas pak e kuptuam pse na kishte ftuar. Ato pako, që i vendosën në një tavolinë të ulët dhe atje i hapën, ishin plot me rroba. Elke dhe mikesha e saj i nxorën rrobat njëra pas tjetrës: pulovra, pantallona, pardesy, fustane, këpucë, xhaketa, e ç’nuk kishte në ato pako. Ne i shikonim me vëmendje. Tek i vendosnin sendet mbi kanape, Elke shpjegoi se rrobat, për nga cilësia, ishin shumë të mira. Ajo dhe Frida, mikesha e saj, e rinovonin çdo vit gardërobën. Mua më mbetën sytë te një pulovër i kuq, flakë i kuq. Me bisht të syrit shikoja Sonilën. Edhe ajo shikonte si e babëzitur, por e pavendosur për të bërë ndonjë gjest a veprim konkret. Vjeshta po përparonte dhe koha po freskohej. Neve na mungonin veshjet vjeshtore, ato dimërore po që po… Pavarësisht nga gjithçka ne mund të pranonim të merrnim diçka nga ato rroba cilësore që ofroheshin me bujari nga dy zonja gjermane (që u bënë më vonë mikesha tonat). Në ato ditë të largëta neve na mungonin shumë gjëra, sigurisht edhe veshje. Nga Shqipëria kishim marrë shumë pak të tilla. Por ajo që kishim marrë me tepri ishte krenaria, një lloj krenarie shpesh pa kuptim që vetëm të dëmton. Ne nuk morëm asgjë nga rrobat e servirura. As unë, as Sonila, në unison, pa shkëmbyer asnjë fjalë e nojmë…Në mbrëmje, në kthinën tonë në kapanon, mburreshim me zë të lartë: “Ne nuk kemi mbetur për leckat gjermane, ne duam të punojmë e t’i blejmë vetë gjërat që na duhen!”

9.

Pse më kthen në motnë e shkuar? (Gavril Dara i Riu)

Atje m’u shfaq ajo gruaja me atlete të bardha. I vështroja me vëmendje ato atlete, se më kujtuan atletet e para në jetën time, që më gëzuan dhe hidhëruan aq shumë. Më dukej se ato nuk i kishin ato tegelat që s’më kishin pëlqyer asnjëherë, i ngjanin shumë përfytyrimit tim që e kisha ndërtuar mbi kujtimin e objektit fillestar, atleteve të atyre ditëve të shkuara pranverore. Madje doja ta pyesja atë gruan se ku i kishte blerë ato atlete, madje e formulova pyetjen gjermanisht brenda meje. Isha e sigurt që Sonila do të skandalizohej nga ajo pyetje. Edhe unë vetë isha aq e përmbajtur sa të mos rrëzohesha në dobësi të tilla. Kështu që nuk e pyeta. Madje, kur ajo gruaja më kaloi fare pranë, vura re se këpucët e bardha atlete i kishin ato tegela të urryera që më kishin mbajtur larg tyre. Nuk e di me siguri, a i kishin ato tegela këpucët e atëhershme të jetës sime. Unë kisha menduar gjithnjë se nuk i kishin. Por ndoshta edhe i kishin, ato kishin hyrë shkurt në jetën time dhe unë nuk mbaja mend hollësira të llojit tegel sipërfaqësor. Në kujtimet e mia ato ishin shumë të bukura dhe pa tegela. Nuk e di as sot e kësaj dite pse përshtypja e atyre këpucëve nuk m’u nda gjithë jetën. Ndoshta ishte rinia që rrëzëllente pa mbarim, ndoshta koha me privacione bënte që të dilte në fokus çdo e veçantë në sfondin e atëhershëm, të përgjithshëm, mjeran. Veç një gjë është e sigurt: ka kujtime që janë më të bukura se çdo realitet.

10.

(Epilog) Më ka marrë malli!

E dija unë: ato rroba, që dyndeshin në dollapët dhe stendat e mia, nuk më shërbenin asnjëherë si pika referimi. Nuk më kishte ndodhur që një shfaqje e rastit e ndonjë xhakete, a fundi, a fustani etj. të më sillte në parafytyrim veshjet e panumërta të gardërobës sime gjermane. Asnjëherë. Sinjalet e veshjeve, që më shfaqeshin rastësisht, për çudi, më hidhnin me asociacion në një tjetër kohë, në një tjetër vend. Tamam si ato hardhitë e rrushit në Drezden…

Ishte vjeshtë. Rrushi ishte pjekur dhe shkëlqente i harbuar në diellin e atyre ditëve. Çdo herë që kalonim andej, ndalesha para pamjeve të tilla. Blija rrush për ta përjetuar komplet magjinë e vjeshtës dhe të hardhive…

Tek shikoja mrekullitë e vjeshtës gjermane në Drezden, tek përjetoja njëkohësisht kujtimet e vjeshtës sonë, lindi tek unë tok me mallin ajo dëshira sfilitëse për t’u gjendur prapë atje, ku pjergullat e rrugicës sime buzëqeshnin matanë mureve dhe gjerdheve, ku dielli dhe era u jepnin aq shumë energji sa të gjallëronin edhe ty, rrugëtarin që kalonte andej e i gëzohej natyrës.

Qëndroja e heshtur para hardhive në kopshtet gjermane dhe flisja me zemër sikur të isha para hardhive të qytetit tim: Më prisni, së shpejti do të jem aty!!!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin