Ç’TË MIRËNJOHËSH?

nga Edon Qesari

Më tërhoqi vëmendjen një shënim i hedhur në rrjet nga Latif Mustafa, një mik librar i rrahur me vaj e me uthull, i cili pikaste mungesën e shprehisë së mirënjohjes në librat e llojit akademik të botuara në hapësirën shqipfolëse. Fjala është për një seksion të posaçëm, të titulluar pikërisht “mirënjohje” (acknowledgements), që zakonisht renditet diku midis pasqyrës së lëndës dhe parathënies së një monografie, në të cilën autori i një punimi u shpreh falënderimet gjithë atyre që ai gjykon se kanë qenë të rëndësishëm gjatë përçapjes së tij kërkimore-shkencore.

Sa më e arrirë karriera akademike dhe i përmendur emri i autorit, aq më e kolme lista e atyre që ai u shpreh mirënjohjen për ndihmën e dhënë. Mbase tingëllon e fryrë një frymë e tillë përuljeje, mbase edhe patetike – dikush do ta shpinte në kufijtë e hipokrizisë – por fakti që falënderime të tilla kanë përvetësuar karakterin e një normë është, si të thuash, një tregues etike. Dhe me etikë këtu kuptoj një numër të caktuar rregullash të bashkëndara, pa të cilat është e pamundur ecuria e një jetese komunitare.

Veçanërisht në atë që mund të përkufizohet si kulturë editoriale anglofone, të mishëruar nga shtëpi botuese me emërtese të llojit “Filan University Press”, një seksion i tillë mirënjohjeje zë disa faqe. Monografisti zakonisht falënderon kolegët e fushës së vet që mund ta kenë këshilluar, të tjerë me të cilët ka biseduar shpesh apo rrallë lidhur me qëllimet dhe rezultatet e punës së tij shkencore – sa e çmuar mund të jetë një bisedë rastësore, e që pasohet nga të tjera qëllimore, në një kafene apo birrari, po e quajmë, studimore? – pastaj ndodh që t’i shprehë mirënjohjen dikujt që mund t’ia ketë lexuar tekstin paraprakisht dhe t’ia ketë pasuruar këndvështrimin me sugjerime të mëtejshme; mandej falënderon autoritetet akademike të institucionit ku punon dhe/apo drejtuesit e ndonjë programi financues – një kërkim shkencor nënkupton lënien e përkohshme mënjanë të çfarëdolloj impenjimi tjetër profesional (leksione, seminare, punë administrative etj.), si dhe mobilitet akademik, çka përfshin shpenzime shpesh aspak modeste për t’u mbuluar, të marra përsipër pikërisht nga fonde të posaçme brenda apo jashtë një selie akademike dhe/ose kërkimore – pastaj studentët e vet apo diplomantët/doktorantët përkatës, e deri tek familjarët dhe të afërmit të cilët mund të kenë dëshmuar një durim shembullor kundrejt spazmave të nervozitetit apo toksicitetit që një punë e lodhshme kërkimore shkakton rëndom.

Ka autorë që nuk mjaftohen vetëm me përmendjet e skalitura në hyrje të veprës vetjake: Carlo Ginzburg, për shembull, falënderon pa kursim, edhe në shkrimet e veta më minore, këdo që mund t’i ketë këshilluar një tekst a një libër të cilin ai më herët nuk e ka njohur por që i ka rezultuar i vyer si mbështetje bibliografike. Të tjerë, kur janë ende në fillesat e tyre, falënderojnë recensuesit anonimë (peer reviewers) për vërejtjet e paraqitura, e të cilat mund të kenë nxitur përsiatje të tjera krahasimisht me ato fillestaret e vetë autorit të recensuar. Rast më vete është pastaj një historian si Stephen Kotkin (mbase sovietologu më i njohur sot botërisht) i cili rregullisht sinjalizon në monografitë apo artikujt e vet shkencorë hulumtimet doktorale të studentëve të vet, duke i falënderuar gjithaq për insights-et e nxitura; sepse, në atë botën andej (sidomos tej Atlantikut) vlera e një pune shkencore shfaqet edhe tek masa kritike e teknikave kërkimore që një autor ka ditur apo ka qenë i aftë (apo ka pasur empatinë e duhur) që të përcjellë tek një auditor i caktuar. Dhe sidomos, çmohet për sa ka përftuar vetë nga kjo përcjellje.

Ndonjëherë, një punë e mirë shkencore ka të bëjë edhe me modestinë e të pranuarit se je një pikë në mes të oqeanit (meqë rastisi të përmendja Atlantikun). Dhe puna jote nuk mund të jetë kurrsesi më shumë se pasqyrimi i asaj pike. (Prandaj ata autorë që vetë-citohen në mënyrë të tepruar dhe, ta themi, të mërzitshme, të lënë shijen e një narcizi që zhytet tek pasqyra e tualetit dhe falënderon vazhdimisht veten: që rastis të jetë, në më të shumtën e herëve, edhe lexuesi i vet i vetëm.)

Ndonëse monografia bart një autorësi të vetme, zelli për t’i shprehur mirënjohjen çdokujt që mund të ketë dhënë qoftë dhe ngacmimin më të vogël për të përmirësuar një paragraf të vetëm, a gjykimin më rastësor por që ka rezultuar një spunto e mirë për drejtimin e studimit të ndërmarrë, është i tillë sa në mendjen e lexuesit krijohet përshtypja e një shumësie të pasur zërash, e një autorësie korale. Kor i cili duket se bën pjesë në krenarinë e një autori teksa paraqet një tekst për botim dhe lexim; por përbën gjithashtu një mbështetje, edhe sasiore, për aksh tezë që ai, nëpërmjet monografisë, ka dashur të bëjë publike në sferën studimore përkatëse.

Dhe me të drejtë, për të vazhduar arsyetimin e Mustafës, është fort e pazakontë që një përulje e tillë ndaj të tjerësh të jetë e pranishme në botime të të njëjtit lloj në hapësirën e botimeve shqip.

Përshtypja ime është gjithsesi se mungesa e acknowledgements nuk ka dhe aq të bëjë me një kryelartësi të papërligjur, apo me një fodullëk intelektual nga ana e studiuesve shqiptarë, të cilët duke mos e ndjekur një praktikë të tillë anglo-saksone rreken të mos e rrezikojnë monopolizimin e tyre të veprës përkatëse, duke e parë si kërcënim praninë, qoftë dhe vetëm emërore, të dikujt tjetër që mund t’i rrëmbejë namin dhe pasandaj nishanin e monografisë. Se kështu do të mund të vinte vrullshëm një përgjigje e parë, e yshtur nga një antipati, rëndom i përsëritur tashmë, për ambientin akademik shqipfolës.

Personalisht, mungesën e një koraliteti të tillë – që rezulton pikërisht nga vullneti i një autori për të ndarë meritën e përfundimit të një monografie me çdo individ që ka ndikuar, makar, edhe tek vendosja e një presjeje në faqet e veprës – e shoh më së shumti si rrjedhojë të një çiltërsie nga ana e asaj pjese të mirë të studiuesve shqiptarë të cilët, tashmë është bërë gati e modës, mjaftohen me dedikime familjare, por vështirë se rrëmbehen nga shprehi mirënjohjeje.

Jo për gjë, por nuk kanë dhe kujt t’i jenë mirënjohës. Vështirë se mes studiuesish, këtu, ndodhin parashtrime tematikash, spontane ose jo, apo dorëzime të sinqerta tezash për gjykime të çinteresuara, të cilat s’kanë për qëllim të përvetësojnë merita dhe duartrokitje. Marrëdhëniet mes kolegësh lënë shumë për të dëshiruar, do të dëshmohej nga shumë anë.

Ç’është e vërteta, kërkimi shkencor në Shqipëri është një sipërmarrje e kulluar individuale, i cili ndodh të zhvillohet dhe të mbijetojë në një shkretëtirë komunitare. Rrallëherë kërkimi shkencor është një opera plurima; do të dukej krejt e papërshtatshme për një ambient intelektual në të cilin fushat e ndryshme të dijeve – së paku po të flasim për ato shoqërore/humane – janë të destinuara të pësojnë një proces copëzimi burokratik: njëfarësoj reforme agrare mbi treva hulumtimi, që orvatet të përcaktoje fusha ekskluzive apo sinore përjashtuese (“ti do të merresh me fëmijërinë e Skënderbeut, por mos shko më larg se kthimi i tij në Krujë; me këtë të fundit do të merresh ti tjetri, por pa prekur martesën me Donikën; kurse ti do të merresh vetëm me rrethimin e Krujës, veç të parin ama…”).

Në të tillë atomizim të dijes me direktivë nga lart, ta pret mendja që kurrkush nuk ka ç’mendje t’i marrë kujt. Dhe nuk ka sesi dikush ta pranojë se një punë shkencore – çdo punë shkencore ne fakt – veçanërisht nëse e arrirë, i qaset me sukses përfundimit apo botimit EDHE në sajë të një shumësie zërash, të ndryshëm nga emri i autorit zyrtar të saj. se këta zëra jo domosdoshmërisht ta kanë dhënë një sugjerim, ta kanë hapur një horizont, ta kanë futur krimbin e të shkuarit përtej kureshtisë tënde fillestare, vetëm e vetëm që të të zënë një kallëp nga ai pak truall që të është dhënë ditën e ndarjes së kërkimit shkencor me porosi.

© 2022 Edon Qesari. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin