NJË HAPËSIRË PËR T’U MBYLLUR

Herët në vitet 1980, një shok imi me shumë mundime kish zënë, për dy javë, një dhomë në hotel “Butrinti”, në plazhin e Durrësit, bashkë me një tip tjetër që ne nuk e njihnim dhe aq mirë. Atë vit isha edhe unë, në të njëjtin hotel, në të njëjtën kohë, në një dhomë që e kishim paguar për dy shtretër, por ku nuk fjetën kurrë më pak se katër vetë çdo natë, prej të cilëve dy drejtpërdrejt në sustë, dhe dy me dyshek në dysheme.

Ai tipi paskësh pasur një të dashur në Durrës, të cilën një ditë e solli me vete në hotel, gjeti anën për ta futur në dhomë – punë jo e lehtë aso kohe për shkak të shqiponjës syshqiponjë në recepsion – dhe pastaj, me të mirë, e nxori jashtë shokun tim, që të rrinte ca kohë vetëm me atë vajzën. Shoku im, me plaçka në kurriz, erdhi në dhomën tonë dhe kërkoi strehim për arsye humanitare.

Në atë kohë të paktë ishin ata prej nesh që kishin kaluar jo më një natë, por as edhe një orë të vetme në hotel, me një vajzë, prandaj nuk po e përmbanim dot admirimin, për atë tipin. Të dashurën ia kishim parë vetëm kalimthi – sepse ata të dy, si u mbyllën në dhomën e hotelit, nuk dolën më në plazh as erdhën në restorant për të ngrënë ndonjë gjë dhe as te lokali në tarracë, për ndonjë birrë në mbrëmje. Shoku im, që ia kish liruar atij tjetrit dhomën në mënyrë miqësore, i çonte herë pas here ushqim, të cilin ia linte tek dera e dhomës. Aty merrte edhe pjatat e palara, që i zbriste pastaj poshtë në restorant, pa i rënë në sy recepsionit.

Qëllova edhe unë një herë aty, duke ndihmuar me “room service” – i hodha një sy dhomës, përmes derës të hapur dy gisht, dhe për të parë atje një rrëmujë primordiale, me pantallona dhe bluza të hedhura përdhé e ngatërruar me çarçafët, tavlla dhe kupa pis, të mbushura cit me bishta cigaresh, letra bixhozi jetime, shishe birre të gjelbra dhe një radio transistor me bateritë e ngjitura nga pas, në grahmat e fundit të muzikës nga RAI. Diku thellë, të mbrojtur nga damasku i pluhurt i perdeve të rënda, gjendeshin edhe ata të dy, çifti misterioz, me siguri lakuriq (skena nuk i duronte veshjet), në faza të alternuara të lektisjes dhe të kotjes.

Atëherë ndodhte rëndom që dikush të kish nevojë për një hapësirë private, mundësisht një shtëpi bosh në Tiranë, për t’u futur atje me të dashurën e vet ose me një vajzë çfarëdo. Dihej se kush kishte çelës për shtëpi të tjera dhe ua jepte, sipas rastit, miqve dhe të interesuarve. Në gjimnaz e pata pasur edhe unë pak muaj çelësin e shtëpisë së gjyshes, që kish mbetur bosh pas disa vdekjeve; por nuk kisha se kë të çoja atje dhe as e shpalla që shtëpia ishte në dispozicion për shkelje tabush. Veja ndonjëherë vetëm dhe hutohesha pas fantazive seksuale ndonjëherë të mundimshme duke vështruar rrugën, që nga dritarja me rrjetë teli. Kishte momente kur edhe proza migjeniane, “A do qymyr zotni”, që e bënim në mësim, më sillej në mendje me ngjyrime erotike.

Por kjo e dhomës në hotel ishte diçka tjetër dhe e re, sepse hoteli, me përkufizim, nuk i përkiste kujt; dhe mes hyrjeve dhe daljeve dhe zhurmave dhe birrave dhe tymit të duhanit dukej sikur nuk mbetej vend për fole dashurie, vend ku të izoloheshe nga bota. Në plazh atëherë shijet dhe shoqëritë ngatërroheshin mes tyre dhe erotika mbetej për t’u shijuar në rërë, duke e shëtitur vështrimin nga njëri trup në tjetrin. Epshi – për aq sa vlente – i shoqërohej ekspozimit të mishit, ekzibicionit joshës, përfushjes; e megjithatë, ja ku ia behën këta të dy, që as perdet e dhomës së tyre nuk begenisnin t’ia hapnin dritës. Me derën aq rigorozisht të mbyllur, dhoma e tyre na tërhiqte vëmendjen që nga fundi i korridorit. Përfytyronim festat gjimnastikore të seksit, 24 orë në ditë, mes një çifti të detyruar të konsumonte, për pak ditë, gjithë dashurinë që një çifti tjetër, normal, do t’i mjaftonte mbase për një vit. Ose për gjithë jetën.

Shoku im, që vente e vinte kokulur me pjata dhe furnizime të tjera, nuk u ankua kurrë. Përkundrazi, mori një si hije fisnikërie, pikërisht ngaqë po mundësonte dhe ndërmjetësonte mrekullinë e kësaj hapësire sekrete dashurie, në vendin më prozaik të Adriatikut: hotel “Butrintin.” Hipte dhe ngjiste shkallët me mish turli, supë magjericë, turshi lakre, pulë me pilaf vendi, madje edhe peshk të fërguar, po të qëllonte ta kapte herët në meny. Linte te dera e dhomës edhe fiq, cigare, aspirina, birra dhe ndonjë gazetë “Sporti”. Mbase edhe lodhej nga pak. Natën, kur vinte për strehim në dhomën tonë, e zinte gjumi menjëherë, të shtrirë përdhé pa ankim, mbuluar me një perde tyli të hequr sakaq nga dera e ballkonit.

Nga ato pak ditë me erosin e Tjetrit të ngujuar në një dhomë hoteli, më ka mbetur në mendje edhe një ndjesi faji – sepse kyçja e atyre të dyve në errësirë kur përjashta festohej Dielli, heshtja e detyruar, pjatat me gjellë modeste që ua linte shoku im tek dera, pjatat e palara, afshi intim prej djerse që njëfarësoj filtronte në korridoret e imagjinatës sonë, më bënin të mendoja edhe për spitalin psikiatrik, burgun dhe institucione të ngjashme, ku nuk kisha qenë kurrë, por kisha mësuar t’i përfytyroj nga letërsia. Sikurse më evokonin pamje të tjera, njëlloj letrare, të ilegalëve gjatë Luftës, shpesh të plagosur në brinjë, dhe hebrenjve që u fshiheshin nazistëve dhe, në përgjithësi, të një jete të varur pezull mes dëbimit dhe arratisjes nga hapësira kolektive e miratuar.

Tipin që atëbotë na u bë edhe hero e njihnim përciptazi; por aq sa ta kuptonim se ai na përbuzte. Futej në kategorinë e atyre që, në ato vite, i quanim “gango”; të rinj që e refuzonin optimizmin dhe uniformitetin social të ditëve socialiste, por jo për ndonjë arsye detyrimisht politike. Gangot zakonisht e kalonin kohën në shoqëri me njëri-tjetrin, duke këmbyer cigare “Partizani” (pa filtër), duke pështyrë haptazi përtokë dhe duke negociuar allish-verishe të tregut të zi; por rrallë e tek qëllonte që ndonjëri prej tyre të binte në dashuri dhe të fillonte pastaj t’ia vinte zjarrin gjithë Tiranës. Kishte diçka sentimentale, te gangoja; diçka melodramatike, që mbase lidhej me vrarjen e kohës dhe zvjerdhjen.

Vëllai i një shokut tim, që rrinte ndonjëherë me gango edhe pa qenë i tillë ai vetë, u infektua edhe ai një ditë prej ditësh nga nevoja për t’u dashuruar marrëzisht, dhe me t’u lidhur me Dulqinjën e vet, e humbi interesin për botën e vdekëtarëve. Familja e shokut tim kishin një bodrum të tyrin, në pallatin ku jetonin; dhe ky e mori në sy që, me ndihmën dhe bashkëfajësinë e të vëllait, të zhvendosej në bodrum, ku e seliti një kënd jo të parehatshëm për vete – me krevat fushor, batanije leshi, foto skuadre futbolli në mur, tavllë duhani dhe rezerva të rëndësishme alkooli. Ashtu u mbyll në bodrum, me të dashurën, dhe nuk dilte më. Nëse ishte kjo tërheqje e vullnetshme nga bota, apo mos kish ndonjë arsye tjetër më praktike, këtë nuk arrita ta marr vesh kurrë.

Si në historinë e hotelit që rrëfeva më lart, shoku im i çonte vëllait të ngujuar gjëra për të ngrënë nga kuzhina e shtëpisë dhe i plotësonte ndonjë nevojë intelektuale – përndryshe dera e bodrumit mbetej gjithnjë e mbyllur me shul dhe nuk hapej pa trokitjen sekrete; teksa aty brenda konsumoheshin nuk di ç’ekstaza libidinoze-etilike, në një hapësirë që i ishte sekuestruar, përkohësisht, normalitetit. Shoku im i lutej e i përgjërohej të vëllait që të dilte nga vrima, të kthehej në jetë, të takohej me njerëzit që pyesnin për të; i thoshte edhe që ta linte edhe “atë vajzën” të kthehej në botën trepërmasore të së gjallëve, ku mbase edhe atë po e kërkonin. Gjithë duke mbajtur në mendje edhe se, për të dalë nga ai burg-parajsë, duhej gjetur motivimi i nevojshëm. Mirë të dalim, po ku të shkojmë? – i thoshte i vëllai. Duke nënkuptuar se për ata të dy nuk kish vend në botën sipër. Edhe vetë pozicioni i bodrumit, praktikisht nën dhé, si qeli dhe si varr dhe si strofkë oshënari, sugjeronte dëshpërimin e një tërheqjeje përndryshe krenare: dashuria si ikje, si arratisje nga përditshmëria, si escape. Të thoje se ata të dy do t’i prisnin, në hyrje të shkallëve që të nxirrnin nga kati i nëndheshëm, një çetë pushkatuesish moralë, me gishtin në këmbëz të automatikut.

Shkëputja, kyçja, tërheqja, mbyllja në shpellë merrte kuptim tjetër, kur bëhej në çift – siç merrte kuptim tjetër edhe dashuria. Ne atëherë i çonim vajzat “nga liqeni”, për të përfituar nga ekstra-territorialiteti i pyllit dhe i errësirës, mu në portat e Tiranës publike; por parku i Liqenit ofronte më shumë hapje se mbyllje, dhe seksi që praktikonim atje nuk i shpëtonte dot një cilësie performative, skenike edhe pse krejt amatore, sa kohë që voyeurs-it nuk mungonin kurrë, të fshehur pas gëmushave, në pritje për momentin e madh, ose të paktën që të dilte Hëna.

Konsumi, sado imperfekt, sado i pjesshëm, i dashurisë në park, ulur në ndonjë stol ose edhe thjesht në bar ose mbështetur pas ndonjë peme indiferente, bëhej kështu edhe ai shprehje e një largimi, e një arratie nga përditshmëria, e cila në ato kohë nuk i toleronte shenjat e jashtme të seksualitetit. Dhe jo vetëm – as intensitetin e një vështrimi intim ose tërheqjeje pasionale nuk do ta toleronte dot. Kujtoj si kam kaluar orë e orë e orë, me vajza, në lokale të qeta, me ndonjë gotë fërnet që dridhej, sa herë që kalonte ndonjë kamion te rruga përbri; erotika mbetej peng e çfarë nuk bënim dot.

Pak vjet më vonë, një shok që sapo ishte martuar dhe ish bërë me fëmijë të vogël, më tregonte si ish lidhur, si pa dashur e pa e menduar, me një grua me të cilën dikur kish pasur një flirt të këndshëm, një marrëdhënie të pavendosur a të mbetur në tentativë, një eksperiencë që nuk ishte kuturisur as deri te parku i Liqenit; por edhe një zjarr që nuk i qenkësh fikur krejt. Përkundrazi. Edhe ajo ishte martuar, me një fëmijë të vogël. Ishte momenti më i mbrapshtë, për të dy, që ta rifillonin lidhjen; të gjitha hapësirat potenciale për ta si çift ishin mbyllur. Ndoshta kjo pamundësi, e kombinuar me frikën se martesa lajmëronte edhe fundin e fërgëllimave dashurore, ia bënte atë grua edhe më të çmuar.

Nuk dinim ku të shkonim, më thoshte ai shoku; por edhe donim të rrinim bashkë sa më gjatë. E gjetën një zgjidhje që të takoheshin në autobusin e Unazës, dhe të kalonin aty ndoshta orë. Herë në këmbë, të ngjeshur me trupa të tjerë më “fizikë” se këta, duke i bërë vend mes tyre vetëm frymës; herë të ulur, duke guxuar të preknin gjunjët, padukshëm, pa rënë në sy, të kamufluar si terroristë. Shpella e tyre, për ata të dy aq statike dhe e pezullt, ishte përndryshe një karkasë automotive metalike, e ngarkuar me mish njeriu pa shije, që i vinte rrotull Tiranës. Infermiere, mësuese shkollash të periferive, pensionistë, fshatare me shall të bardhë sipër flokëve, mysafirë nga rrethet; të gjithë këta, si të zgjedhur rastësishëm për të përfaqësuar anonimitetin e rrugës, u shërbenin atyre të dyve për t’u kamufluar, kur ceknin ndonjëherë gjunjët ose majat e gishtave; ose edhe thjesht kur ia ndienin erën njëri-tjetrit.

Normat e jetës së përditshme u ngjajnë shufrave të dritares së burgut: duhet të bëhet njeriu zog, që të fluturojë mes tyre, për t’ia mbathur. Vitet tona tetëdhjetë ishin vite të frustrimeve seksuale, por edhe të dashurive të mëdha. Dhe fantazitë, me të cilat e kalonim kohën, gjithnjë fillonin nga një hapësirë e rezervuar, një hapësirë e mbyllur – vëreni oksimoronin – ku mund t’i largoheshe, qoftë edhe përkohësisht, vështrimit të Tjetrit, syrit, thashethemit, informacionit, apelit dhe databazës dhe disiplinës kolektive. Tani që i kujtoj ato vite, them se i përkisnin ende një shoqërie të obsesionuar me riprodhimin, me çështjen se “kush do të bëjë fëmijë me kë”, me ritualet e hekurta që ua shndërronte çifteve marrëdhënien në performativ skenik. Prandaj i përmenda shufrat e dritares – shumëve prej nesh u dolën krahë dhe shijuan përmasën e katërt të jetës, pikërisht prej atij ndalimi. Ai shoku më pat thënë se gjithnjë do të ëndërronte, më pas, që ta bënte film eksperiencën në autobusin e Unazës, me dy të dashuruar që zgjedhin të kalojnë ditën atje, prani permanente në një hapësirë aq kalimtare. Metaforë për fatin tonë, prej njerëzish që e duam njëri-tjetrin, por jo gjithnjë në vendin dhe në kohën e duhur; të mbyllur në dhoma anonime hotelesh, të lidhur pas shtretërish të spitalit, të kyçur në qeli burgu; të ngecur në orbita që as ishin tonat, as i kalkulonim dot.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

3 Komente

  1. Nuk kam lexuar ndonjehere nje shkrim kaq te bukur.Te pershendes me hjithe zemer pamvaresisht se nuk ta di emrin

  2. Ky peisazh kishte mbetur vetëm si një kujtim i së kaluarës që rikthehet herë pas here. Më pëlqen shumë këndvështrimi dhe përshkrimi juaj romantik. Falemnderit

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin