NJË FRËNG NË NEKROPOL

Gjatë viteve që shërbeu si konsulli i Francës në Shkodër, baroni Jules Alexandre Théodore Degrand ndërmori, mes shumë udhëtimesh në trojet shqiptare, edhe një ekskursion në kalanë e Dalmacës, afër fshatit Koman të Pukës, në vitin 1892, të cilin e ka përshkruar pastaj në librin e vet Souvenirs de la Haute-Albanie (Paris 1901).[1] Gjatë këtij ekskursioni a ekspedite, Degrand-i gërmoi në një pllajë ku shtrihej një nekropol misterioz, i cili më pas do të njihej në arkeologji me emrin “varrezat e Komanit”.[2]

Për këtë “zbulim” të Degrand-it është folur dhe shkruar mjaftueshëm, nga historianë, arkeologë dhe biografë të atij diplomati. Synimi im këtu është të komentoj kryesisht rreth kapitullit përkatës të kujtimeve të tij, për të nxjerrë në pah disa karakteristika të qasjeve “albanologjike” të atyre kohëve; por gjithnjë pa e prekur temën e kulturës së Komanit si të tillë dhe diskutimet rreth natyrës së saj.

Zona ku u kuturis Degrand-i ishte e thellë, e komplikuar për t’u arritur dhe tejet e varfër (nuk kam ndeshur ndonjëherë në ekskursionet e mia ndonjë fis më të mjerë, shkruan ai). Megjithatë, konsulli e kish dëgjuar tashmë nga vendësit, se vendi aty quhej “montagne des sépulchres” (mali i varreve), çfarë lë të kuptohet se vendësit e dinin që aty kishte varre, të cilat varre do të bëheshin – me gjasë – edhe synimi i ekspeditës së tij. Dhe, në fakt, pas disa peripecish të pritshme, konsulli dhe grupi shoqërues arrijnë te kjo montagne des sépulchres, ku varret janë kaq të shumta, sa gati prekin njëri-tjetrin; madje, thotë Degrand, edhe ishin ndërtuar njëri mbi tjetrin. Disa prej varreve përmbanin dy, tre madje edhe pesë të vdekur.

Varret që hapi Degrand-i (me të vetët) nuk i kishin hapur ndonjëherë më parë dhe përmbanin zbukurime bronzi. Të vdekurit, shkruan ai, duhet t’i kishin varrosur me stolitë dhe veshjet e tyre, sepse ndonjëherë fragmentet e pëlhurës përshkoheshin nga gjilpërat e fibulave. Kishte vathë, gjerdanë dhe byzylykë. Konsulli arrin të “heqë mënjanë” dy kafka pak a shumë të plota, të cilat përfunduan pastaj në një muze antropologjik të Parisit, ku edhe i matën.

Në gërmim e sipër, ia beh në varrezë një plakë zhelane, me pamje shtrige: duke tundur kërrabën, ajo u drejtohet zhvarrosësve me të shara e mallkime, duke i qortuar që ua kishin prishur qetësinë të vdekurve. Por punëtorët nuk duan t’ia dinë për këto mallkime: “Edhe ty, o plakushe, i thanë, do të të zhvarrosim një ditë.” Këtu Degrand-i i kërkon priftit shoqërues që t’i shpjegojë plakës se personat e varrosur kishin qenë paganë, prandaj nuk kish arsye të pezmatohej ashtu: ashtu edhe e ftojnë plakën të asistonte gjatë një hapjeje varri, për të parë se aty nuk gjenden as kryq, as rruzare, dhe ajo sikur bindet, para se të kthehet andej nga erdhi.

Vjen ora e drekës, punëtorët ulen të hanë, dhe konsulli u ofron një kuti sardelesh – por vendësit sardeleve u vlerësojnë veç vajin, të cilin e përdorin për të vajosur armët. Rrëfehen histori të dhimbshme gjaku dhe gjakmarrjeje, derisa njëri prej punëtorëve ngrihet në këmbë dhe vihet të “lexojë” një shpatull qengji, përballë diellit – për t’ia parashikuar të ardhmen të zotit të kafshës së therur.

Pas rrëmimesh e gërmimesh të tjera, Degrand-i shkruan se arriti të grumbullojë një inventar të shënueshëm objektesh me vlerë, të cilat pastaj do t’ia ofrojë Muzeut Kombëtar të Saint-Germain en Laye afër Parisit, mes të cilave rrathë qafe dhe gjerdanë prej bronzi, perla prej qelqi të ngjyrosur, byzylykë prej bronzi, vathë prej bronzi dhe argjendi dhe armë të ndryshme si sëpata dhe thika prej hekuri. Aty thuhet se i gjen të ekspozuara edhe sot, në sallën e “Arkeologjisë së Krahasuar”, te një kënd me mbishkrimin “Albanie”.

Është momenti edhe për hipoteza dhe interpretime: cilit popull i përkisnin këto gjëra? Cilat ishin doket e këtyre njerëzve, zakonet dhe feja; nga kishin ardhur?

Degrand-it i tërheq vëmendjen një imazh i punuar trashë i Merkurit, në një unazë. Por nuk gjeta, thotë ai, asnjë mbeturinë qeramike, asnjë gjë prej balte të pjekur, asnjë monedhë në varret që u hapën në praninë time; dhe malësorët më siguruan se edhe ata vetë, në varret që hapnin herë pas here me shpresën se do të ndeshnin në ndonjë thesar ose send me vlerë, nuk kishin gjetur të tilla.

Edhe pse numri i madh i këtyre varreve dhe rregullsia e tyre nuk na lënë që t’ia atribuojmë ndonjë populli endacak ose në kalim e sipër, vazhdon Degrand-i, unë nuk arrita të gjej asnjë shenjë vendbanimi në afërsi, me përjashtim të fragmentit të një rruge të shtruar me gurë, e cila sipas malësorëve ishte rruga e vjetër që të çonte në “kala”.[3]

Konsulli, që beson se e ka një farë ekspertize arkeologjike, shkruan se stolitë prej bronzi në varret duken si të prodhuara lokalisht, por ato prej argjendi dhe sidomos perlat dhe cilindrat e gjerdanëve janë të një finese që bie ndesh me ornamentimin primitiv dhe trashaman të së parave. Të vinin vallë nga një trevë tjetër? T’i kishin sjellë banorët me vete, kur kishin imigruar? Edhe rrallësia e sendeve prej hekuri është, gjykon ai, shenjë e lashtësisë.

Mos vallë, spekulon Degrand-i, kemi të bëjmë me mbetjet e një imigrimi pellazgjik, siç duket ta tregojë mungesa e mbishkrimeve dhe e monedhave? Ai krahason me disa varre të tjera që ka hapur në Samothrakë dhe përfytyron si pellazgët misteriozë, të dëbuar nga Greqia, dhe ndoshta stërgjyshër të shqiptarëve, kishin ardhur në këto anë, për t’u strehuar në malet.[4]

Një detaj, thotë ai, që nuk e lë dot jashtë dhe që duket se konfirmon opinionin se shqiptarët janë pasardhës në mos të pellazgëve, të paktën të atyre që prehen në këto varre, është afria deri në njëjtësi me veshjet e grave malësore dhe sidomos të grave lokale, dhe me stolitë prej bakri që këto ende mbajnë në brez dhe që shiten lirisht në pazarin e Shkodrës – edhe pse këto të sotmet janë prej “bakri të verdhë” (tunxhi), jo prej bronzi.[5]

Degrand-i largohet nga nekropoli me bindjen se kjo punë tani duhet vazhduar, dhe se duhet kërkuar për varre të tjera, në mënyrë që të gjurmohet kjo popullsi, gjatë shtegtimit të saj; ndoshta ka pasur të tjera, në pllajë, që janë prishur prej kërkuesve të thesareve; dhe se varret që ai “zbuloi” ia detyrojnë, ruajtjen e tyre, izolimit të tyre, distancës nga rrugët e komunikimit dhe vështirësisë për t’i arritur.

Çfarë ndodhi pikërisht gjatë kësaj ekspedite? Një amator, edhe në arkeologji edhe në histori, futet të gërmojë një numër pabesueshëm të madh varresh antike brenda një dite, pa qenë në gjendje të gjykojë se çfarë po trazon dhe pse; dhe sidomos pa e kuptuar se ashtu, në vend që të ndihmojë për të shkruar historinë e atyre anëve, është vënë të shkatërrojë monumente arkeologjike dhe historike të paçmuara, duke shkaktuar dëme të pallogaritshme (p.sh. duke shpërfillur stratigrafinë). Dhe sikur kjo të mos mjaftojë, ai i plaçkit varret, merr që andej eshtra, objekte zbukurimi, armë dhe sende të tjera, për t’i çuar në Francë dhe për t’i ekspozuar atje në një muze.

Te Neritan Ceka[6] lexoj se pak vjet më pas nekropolin e vizitoi arkeologu gjerman P. Treger, i cili hulumtoi disa nga varret e hapura nga fshatarët dhe gërmoi katër varre të paprekura – por ky ishte specialist i mirëfilltë dhe me të drejtë i identifikoi objektet dhe kulturën si të antikitetit të vonë dhe të mesjetës së hershme (siç konsiderohen edhe sot).[7] Më pas, për objektet e gjetura në varret shkruan konsulli austriak në Shkodër Theodor Ippen dhe Franz Nopcsa, dhe pastaj edhe Luigi Ugolini.

Nuk duhet të paragjykojmë dhe ta akuzojmë Degrand-in për plaçkitje: përvetësimi prej tij e sendeve dhe eshtrave nga varreza, për t’i çuar në Francë, ishte normale për kohën; aq më tepër që Perandoria Osmane nuk është se tregonte ndonjë interes për arkeologjinë e trojeve të saj në Ballkan.[8] Por gjithnjë mund të dyshojmë për seriozitetin e tij si kërkues, sa kohë që u ngut për të hapur me dhjetëra varre brenda një dite, duke u sjellë edhe ai – në thelb – si kërkuesit vulgarë të thesareve. Ose të paktën ta qortojmë për mendjelehtësi.

Qartazi, nekropoli i Dalmacës njihej prej vendësve, të cilët kishin rrëmuar aty, për thesare dhe sende të tjera të vyera, ndoshta edhe me nxitjen dhe bekimin e klerikëve të zonës. Tek e fundit, një pjesë e objekteve të varreve, që përshkroi Ippen-i në 1907, vinin “nga koleksioni i fretërve jezuitë, por edhe nga gërmimet klandestine të vendësve” (Ceka). Atje ku ne sot, me ndjeshmëritë e sotme, do të shihnim dhunim dhe përvetësim, bashkëkohësit e konsujve të Shkodrës mbase do të shihnin përpjekjet për të çuar përpara njohjen historike, në bashkëlidhje me dëshirën për t’i shpëtuar këto objekte nga asgjësimi dhe humbja. Të mos harrojmë se ishte koha kur në fshatrat anembanë trojeve shqiptare – dhe jo vetëm – ende shkriheshin për gëlqere dhe përdoreshin për ndërtime shtëpish gurët e rrënojave të qyteteve dhe vendbanimeve të mbijetuara nga lashtësia: helene, latine, ilire dhe kushedi ç’tjetër. Vendësit nuk u jepnin dot kuptim këtyre rrënojave, që nxirrnin kokën aty-këtu mes ferrave, shkurrishtave dhe pyjeve, pa i përkitur tamam “kësaj” bote; ndërsa të huajt merrnin ç’mundeshin, jo doemos për plaçkë; dhe linin pas vetëm çfarë nuk transportohej dot.

Incidenti me plakën dëshmon, nga ana tjetër, se varret e lashta i ka ruajtur edhe një faktor i papritur: supersticioni, sa kohë që vendësit kishin frikë t’ua prishnin të vdekurve qetësinë. Degrand-i mundohet të qetësojë, me argumentin se të varrosurit aty ishin paganë, meqë në varret mungonin sendet tipike të inventarit të krishterë, si kryqet dhe rruzaret. Megjithatë, Ceka vëren se “popullsia që krijoi varrezën e Kalasë së Dalmacës ishte e krishterë”, siç e dëshmon gjetja e unazave me mbishkrimin e lutjes drejtuar Krishtit. Por konsulli francez edhe një herë tregon se nuk ishte personi i duhur, për t’u marrë me zhbirime të tilla delikate.

Gjetiu në libër, Degrand-i përmend besimin popullor se thesaret e fshehura në dhé ose në rrënojat e kishave të shumta që ndesh në Shqipëri ruhen nga bisha me sy të përndezur, që dalin prej gropave të hapura prej kërkuesve – mjerë ata që gërmojnë, nëse nuk kanë ndonjë prift me vete… Thesaret e groposura mund t’i pikasësh nga “sonoriteti” i trojeve ku fshihen ose me marifete të tjera magjike; ndonjëherë vetëm pasardhësit e atyre që e kanë futur thesarin në dhe mund t’i gjejnë pa u rrezikuar; edhe pse duhet megjithatë të sakrifikojnë një kafshë, mu te vendi ku kanë ndërmend të gërmojnë.

Edhe myslimanët, edhe të krishterët, shkruan konsulli, megjithë kërcënimet e mbinatyrshme të cilave besojnë se po u ekspozohen dhe ndëshkimet e mundshme nga autoritetet, merren pa pushim me hulumtime të tilla, që i kryejnë zakonisht natën, me Hënë të plotë. Në çdo rast, varret e vjetra dhe të reja janë gjithnjë në marrëdhënie plotësuese me gërmimin e dheut për thesare – ku vlerën e arit dhe të argjendit dikur tashmë e zëvendëson ose të paktën e shton vlera arkeologjike. Për një popull që jeton i kapur në horizontalitetin e kulturës gojore, groposja dhe vertikaliteti i gërmimit janë kompensimi i një të kaluare të pasur, edhe pse tashmë në dukje të shndërruar në supersticion.[9]

Mënyrën si i trajtoi Degrand-i varret në Koman do ta kuptojmë më mirë, në kontekstin e përshtypjeve që një mendje si e tija kërkonte dhe merrte gjatë vizitave dhe ekskursioneve në brendatokën shqiptare. Ashtu mbase ishte edhe syri i tij kurioz, prej arkeologu (gërmuesi) amator, që e bënte të interesohej veçanërisht pas realiteteve të fshehura, të groposura, misterioze, edhe si metaforë për historinë e një populli që, për arsye politike, kish qenë shtrënguar ta varroste të shkuarën e vet para-osmane. Ashtu, gjatë një vizite në rrënojat e Sardës së lashtë (Shurdhahu), tashmë në një zonë të shkretë në mos të braktisur, ai vëren vragat e hidhura të një katastrofe kulturore dhe demografike. Kudo dheu i zhveshur është i mbjellë me varre, shkruan ai, disa prej tyre mjaft të vona: vdekja e ka marrë jetën në dorë… Pasi humbën, jo pa lavdi, kombësinë dhe lirinë e tyre… shqiptarët më duket se preferojnë varrezat e tyre të lashta ndaj atyre më të vonave; ashtu edhe protestojnë, në mënyrën e tyre.[10]

Rrënojat dhe varret shndërrohen në dëshmi të rrjedhës së kohës, në një vend dhe kulturë që – me pak përjashtime – nuk e njeh historinë e shkruar. Misteri i nekropolit të Komanit, edhe për Degrand-in, nuk është pa lidhje edhe me të tashmen ciklike të oralitetit, ku e gjejnë vizitorët të përfshirë popullsinë vendëse. Rrëfimet për gjaqe, vrasje dhe kundër-vrasje, krahas riteve folk-fetare dhe festave popullore, pikturojnë një tablo statike, ku – të themi – vrasja rituale e djeshme mund të jetë teknikisht shkaku i vrasjes rituale të sotme, por jo edhe detyrimisht më e vjetër. Perëndimori që takohet me shqiptarët e shekullit XIX sjell me vete obsesionin romantik me të shkuarën, zakonisht heroike dhe të lavdishme; aq sa shpesh ndërveprimi i tij me realitetin mikpritës reduktohet në një hulumtim të detyruar për mbijetoja të së vjetrës. Ta kuptosh një vend të tillë, sipas këtij vizitori antropolog amator, do të thotë t’ia zhvarrosësh të kaluarën që fsheh në dhé. Për këtë arsye, gërmimet e Degrand-it në Koman më duken emblematike, për krejt misionin kulturor që ky i kishte vënë vetes; sikurse më duken dëshmi të qasjes së tij po aq katastrofike, sa edhe ajo e historisë së kontinentit, ndaj shqiptarëve.

Nuk kam pse të dyshoj për “qëllimet e mira” të atyre gërmimeve, por kjo nuk ma ndryshon gjë bindjen se Degrand-i, me gjithë disa instinkte të spikatura arkeologjike që kishte, iu përvesh nëntokës lokale me zellin jo të një dijetari, por të një kërkuesi thesaresh; paçka se me siguri nuk synonte të pasurohej me gjetjet e mundshme. Nga ana tjetër, siç do të merret me mend, dëmet e zhvarrimit masiv të dhjetëra varreve të lashta, brenda një dite, do të kenë qenë të pallogaritshme, madje edhe po të vlerësohen me sytë e dijes profesioniste të kohës.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Libri është përkthyer në shqip (dhe botuar nga Plejad në 2019), por unë këtu e më poshtë po i referohem origjinalit, i cili është në domenin publik dhe mund të gjendet lirisht online.

[2] Këto shënime të miat nuk synojnë ndonjë vlerësim, madje as të pjesshëm, të hulumtimeve antropologjike dhe kulturore të konsullit Degrand në trojet shqiptare – këtë e kanë bërë të tjerë, përfshi Luan Ramën, autor i një biografie të diplomatit frëng; sikurse nuk synon të parashtrojë ndonjë analizë kulturore-kritike të rolit që luajti syri i udhëtarit Perëndimor në ngjizjen në mos të albanologjisë gjatë shekullit XIX, të paktën të sfondit të saj kulturor dhe sociologjik.

[3] Siç e treguan gërmimet e mëtejshme në zonë, konsulli frëng thjesht dështoi në përpjekjet e veta amatoriale për arkeologji fushore (të improvizuar).

[4] Që në kapitullin e parë të librit, Degrand-i pyet: “Të jenë shqiptarët vërtet pellazgë, të kësaj race që Homeri e cilëson si hyjnore; pellazgë që kanë mbetur deri në ditët tona të papërzier, që i kanë ruajtur të paprekura gjuhën dhe shumicën e zakoneve të tyre, siç thonë ata pak shkrimtarë modernë që i kanë studiuar? Jemi ende të ngecur në nivelin e supozimeve… thotë ai. Kjo përmendje gati “falas” e pellazgëve nga një autor që tregohet i matur në fluturimet e veta parahistorike më lexohet më shumë si një performativ, i kujt dëshiron ta kornizojë rrëfimin e vet brenda klisheve historiografike të kohës.

[5] Me intuitë të spikatur, Degrand-i e dallon ngjashmërinë mes këtyre objekteve dhe të tjerave të gjetura në Bosnjë.

[6] Neritan Ceka, Ilirët, Migjeni Tiranë 2005, kapitulli XIV “Nga ilirët te shqiptarët”, f. 325 e vazhdim.

[7] Edhe Treger-i bëri adetin dhe i çoi pastaj disa nga objektet e gjetura në Gjermani.

[8] Megjithëse ka një pasazh në libër, kur Degrand-i përshkruan rrënojat e njohura me emrin “kalaja e Gajtanit” (château de Gaëtani) dhe që atij i duken si mbetje muresh pellazgjike, ai flet për monedhat e shumta të lashta që gjenden atje, prej të cilave disa edhe ia kanë dhuruar (sjellë); dy ose tri ditë pune do të mjaftonin ndoshta për të nxjerrë në dritë ndonjë dokumentim dëshmues, por kjo është e pamundshme; autoritetet perandorake, shkruan ai, nuk do ta lejonin. Mjerë ai që dyshohet se ka gërmuar dheun ose edhe që thjesht ka marrë ndonjë gjë që ia ka dhuruar dheu; do të burgoset si hajdut dhe ndonjëherë edhe dëbohet; ato që gjen do të përfundojnë misteriozisht te argjendarët për t’u shkrirë sakaq, po të jenë sende ari apo argjendi; nëse sendi në fjalë është vështirë të fshihet, do ta shkatërrojnë ose do ta groposin sërish (f. 104).

[9] Diçka të ngjashme do të bënin edhe albanologët gjuhëtarë të kohës, të cilët do të “gërmonin” në leksikun e shqipes, për të gjetur aty gjurmë të lashtësisë së groposur.

[10] Te N. Ceka lexoj se këto varreza, të ngjashme me ato të Dalmacës (Komanit) janë gërmuar nga D. Komata; i përkasin fazës më të hershme të kështjellës së Sardës, të themeluar në shekujt VIII-IX (vep. cit. f. 331).

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin