KOPSË PAS KOPSE

Dje më shërbeu Facebook-u shkrimin e një portali, ku një historiane shumë e pëlqyer nga mediat bënte thirrje për heqjen menjëherë të fjalorit ku gjuha shqipe del 90% e huazuar (“turp për Akademinë dhe Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë!”). E kishte fjalën për Fjalorin etimologjik të gjuhës shqipe, të Kolec Topallit, vepër që prej disa vitesh është vënë në shënjestër prej amatorëve – që nuk marrin vesh as si funksionon etimologjia, as çfarë është një fjalor etimologjik. Argumenti i historianes në fjalë mbështetej mbi një premisë të rreme: leksiku i shqipes vërtet përmban huazime, siç përmban edhe fjalë vendëse dhe fjalë të krijuara rishtas, por kjo shifër, 90%, nuk i përgjigjet realitetit (gjetiu e kam parë si 93%). Edhe pse kapërcen me lehtësi të papërballueshme nga një faqe në tjetrën dhe nga një emision televiziv në tjetrin, ajo mbetet e rreme. Njëlloj si shumë pretendime të tjera të studiuesve amatorë, të cilët kanë një raport shumë të hapur me korrektesën shkencore (për të mos thënë të vërtetën).

Deri këtu, asgjë për t’u habitur – aq më tepër kur një rrenë, e përdorur si premisë e një arsyetimi ose si mbështetje për një përfundim, sikur fiton besueshmëri, tingëllon më e vërtetë. E reja, në këtë mes, është thirrja për ta hequr Fjalorin e Topallit nga qarkullimi, “ngaqë i mëson të tjerët për pavërtetësinë e popullit shqiptar”. Një shqiptim publik që synon të normalizojë censurën, eliminimin e një teksti “problematik” ose në përgjithësi të fjalës së papëlqyeshme; sikurse synon të normalizojë censurën me argumentin kinse “kombëtarist” – pra asgjësimin e librave që gjykohen (nga kjo historiane, nga grupe të caktuara të mbështjella me flamur, nga patriotë profesionistë ase nga kushedi ç’autoritet tjetër) si kundër interesave kombëtarë.

Dhe kjo më sjell te një deklaratë tjetër, këtë herë nga një avokat i njohur, që në një emision televiziv shpjegon se “nuk mund të flasë njeri kundër interesit kombëtar… I kam bërë thirrje Ramës që të gjitha stacionet televizive që marrin antishqiptarë në studio dhe i vënë të flasin, duhet t’u heqin licencën, të mos lejojë transmetimin e tyre.” Dhe pastaj vazhdon: “Si mund t’i lejoj unë të gënjejnë për historinë e Shqipërisë, si mund të lë një stacion shqiptar që thotë shqiptarët nuk dihet nga kanë ardhur.” Një jurist që kërkon të merren masa shtrënguese, ndaj vënies në diskutim të etnogjenezës së shqiptarëve.

Juristi që indinjohet (juristi që gjithnjë indinjohet) dhe pyet “si mund t’i lejoj unë të gënjejnë për historinë e Shqipërisë” niset nga premisa se historia e Shqipërisë tashmë njihet dhe është sanksionuar, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje të prejardhjes (mbase edhe ky u referohet teorive të historianes më lart, që ka shpjeguar shumë gjëra për etnogjenezën jo vetëm të shqiptarëve por edhe të grekëve). Nga të gjitha broçkullat që thuhen ditë e natë në televizion, ai zgjedh të ndëshkojë dyshimin ndaj versionit zyrtar të etnogjenezës – duke anashkaluar çdo shkelje tjetër të etikës dhe deri edhe të ligjit, shkelje mbi të cilat sot është themeluar dëfrimi televiziv i mbrëmjes. Përpiqem ta lexoj këtë thirrje – edhe kjo për censurë – si përpjekje për të korracuar narrativën kombëtariste folklorike të historisë së shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe. Gjithsesi, bëhet fjalë për censurë selektive: nuk besoj se juristi kërkon t’u heqë licencën kanaleve televizive që ftojnë në studio turbo-albanologët dhe kozmikologët e shqipes, saldatorët e embriomorfemave dhe shkoqitësit e kanuneve shumere dhe etruske.

Në të dy shembujt që solla, thirrjet për ndalim, heqje nga qarkullimi dhe mbyllje kanalesh televizive nuk është se kërkojnë vërtet vendosjen e censurës; si në gjithçka tjetër që ndodh në ekran, synimi është te normalizimi i idesë së censurës, për vepra që bien ndesh me çfarë beson populli. Sa kohë që respekti për pluralizmin e ideve dhe të drejtën e fjalës kërkon mundim të vazhdueshëm dhe, mes të tjerash, edhe respekt për publikun, atëherë alternativa e ndalimit të fjalës së papëlqyeshme josh. Nesër mbase do të bëhet thirrje për një referendum, kundër Fjalorit të Topallit, ose përdorimit të “fjalëve të huaja” në shqipe. E gjitha kjo, në emër të mbrojtjes së interesit kombëtar. Kopsitjen e kemi gati, tani le të qepim kopsat.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

3 Komente

  1. Ndofta natyra e formulimit te avokatit nuk eshte shume e qarte dhe le vend per ambiguitete, por shqetesimi i tij eshte i drejte. Shume tv ne emer te nje debati ftojne si palaço pseudo shencetare dhe pseudo analiste e politikane qe per pese lek te ndonje ministrie te jashtme bejne diversion kombetar, apo edhe konflikte hibride. Jetojme ne nje kohe qe lufta hibride eshte e mirestudiuar ne qendra strategjike te ndonje vendi qe domosdoshmerisht i duhen vatra konfliktesh.

  2. Avokati nga njera ane kerkon mbylljen e stacioneve televizive ku vihet ne dyshim etnogjeneza e shqiptareve, ndersa nga ana tjeter kerkon qe libri “Roli mesianik i shqipes” (Petro Zheji) “te futet ne te gjitha programet e Universiteteve te Shqiperise, si detyrim ligjor”. Regjimi mirefilli teokratik ky i avokatit liberal, me liber te shenjte, heretike, inkuizitore e keshtu me radhe. Dhe per keto gjera avokati me kulture anglo-saksone flet ne menyre te prere, jo duke lene “vend per ambiguitete”, sic shprehet per te me lart gabimisht Z. Mato. I cili, nga ana e tij, do bente mire te na i identifikonte nominalisht “pseudo-shkencetaret qe per pese lek te ndonje ministrie te jashtme bejne diversion kombetar.”

  3. I kam ndjekur avokatin dhe historianen rastesisht ne nje emision te postuar ne Youtube.Nuk dija nese duhej te qaja apo te qeshja me brrockullat nacionaliste te tyre.Pak a shume i tille eshte niveli i emisioneve te TV ne te gjitha subjektet.Muhabete te tipit :kush po din me pak, flet me shume dhe te drejte ka ai qe e ngre zerin me teper .Ndoshta nje periudhe blackout e TV do te ndihmoje per detoksifikimin e truve te shqiptareve.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin