GJUHA E ZEMRËS (II)

nga Eda Derhemi

Pjesa e dytë:  Roli i institucioneve, shteti Italian, ai shqiptar dhe shqipja

Spolsky, ndër mjeshtërit ndërkombëtarë të studimit të politikave gjuhësore të këtyre 70 vjetëve, diskutimi i fundit live i të cilit para se të vdiste, ishte pikërisht nga Tirana më 2021, në kongresin XXV të Fondacionit për Gjuhët e Rrezikuara (FEL), pra Spolsky[i] (2004:198) e sheh njohjen shtetërore të një gjuhe në rrezik si thelbësore për mbijetesën e saj. Sallabank[ii] (2011: 280) u referohen punëve të N. Dorian ‘87 dhe P. Bourdieu ’91 që sugjerojnë që një ndryshim në sjelljen zyrtare ndaj gjuhës, mund ta ndryshojë drejtimin e tregut gjuhësor dhe si pasojë rivlerësimin e një gjuhe që më parë kish status të ulët shoqëror. Keskitalo (1981)[iii] duke iu referuar gjuhëve Saami, thoshte se mungesa e njohjes zyrtare mund të çojë në “heqje dorë dhe pasivitet ndaj tyre” – në fakt ekzaktësisht siç ndodh me arvanitishten.

Kemi, në një krah, shtetin italian që, që prej kushtetutës së 1946 i njeh minorancat, dhe që, mbas shumë ngurrimesh dhe përpëlitjesh, në 1999, miraton ligjin 482 për minorancat. Mes këtyre 12 minorancave, njihet padiskutueshëm ajo arbëreshe, që quhet në tekstin e ligjit – “Albanese”, pra e përkthyer do të ishte shqip dhe shqiptare. Ndoshta nuk ka temë tjetër për të cilën sociolinguistët italianë të kenë derdhur më shumë bojë të përbashkët, se për kritikat ndaj këtij ligji kombëtar. Dhe, me të drejtë: mbrohet nga ligji gjuha ladine dhe ajo friulane, por jo sicilishtja ose bergamasko. Por dua të nënvizoj këtu, se nuk mund të mohojmë se ky ligj që ka qenë i padrejtë për minoranca të tjera italiane, abstandi i të cilave me italishten nuk është aq i padiskutueshëm sa distanca e qartë gjuhësore mes italishtes dhe arbërishtes, ka sjellë të mira relative në komunitetet arbëreshe; janë punësuar folës e njohës të kulturës dhe gjuhës arbëreshe; ka pasur fonde për gjallërim të jetës gjuhësore e kulturore, janë organizuar konferenca, janë ndërmarrë disa hapa për planifikimin e korpusit gjuhësor, madje tek-tuk edhe futja nëpër praktika shkollore kursesh kryesisht jashtë-kurrikulare, janë bërë punë kërkuese e klasifikuese nëpër biblioteka të komunitetit, dhe janë hapur muze e portale të ndryshme. Fondet nacionale herë-herë janë bashkërenduar me ato krahinore si edhe me fonde prej Bashkimit Europian. Sa jetëgjata kanë qenë këto iniciativa? Pak! Shpesh, sporadike dhe shpesh, të drejtuara keq e të painformuara si duhet. Në momentet e krizave të herëpashershme ekonomike të dy dhjetë-vjeçarëve të fundit nga të cilët Italia nuk duket ende se do dalë, këto hapa pozitivë janë shkërmoqur dhe reduktuar fort. Nuk është rastësi që Italia vetëm e ka firmosur por nuk e ka ratifikuar Kartën Europiane për gjuhët regjionale ose minoritare (European Charter for Regional or Minority Languages), që gjithsesi e bën shtetin disi më të përgjegjshëm ndaj detyrimeve ligjore që ka ndaj minorancave gjuhësore. (Ndërkohë, plot kritika janë shprehur për padrejtësitë kryer në mënyrën si është hartuar dhe funksionon edhe Karta Europiane e sapopërmendur).

Tani le të marrim rastin e Greqisë. Që më parë, por sidomos pas zgjerimit territorial pas 1913-ës, shteti dhe institucionet e tij (ushtria, shkollat, bashkitë etj) kanë ushqyer një kulturë dominante kundër pakicave gjuhësore. Greqia jo vetëm që nuk e njeh Kartën, por nuk njeh as minorancat e veta, (veç asaj të myslimanëve të Thrakës, që i njeh prej një detyrimi të hershëm ndërkombëtar). Ja kështu ndodh që, edhe pse kryetari i Bashkisë së Selanikut Boutaris, futi dikur gjuhën letrare shqipe nëpër bankomatet e Selanikut, nuk ndihu dot praktikisht askënd; gjuha e arvanitëve tashmë është terur në eter; dhe fëmijët e brezit të dytë të emigrantëve shqiptarë të pas 90-ës që ikën prej këtu fëmijë, flet pak ose aspak shqip. Kjo është çfarë i bën një kulturë institucionale antiminoritare një gjuhe (të gjallë), e sidomos një gjuhe që rrezikohet edhe prej shumë faktorësh të tjerë. Në një vështrim krahasues mes Italisë dhe Greqisë, ligji italian 482 mund të themi se është lule! Kuptohet që ligjet e sotme gjuhësore përkatëse në Spanjë apo në Mbretërinë e Bashkuar janë më të hapura dhe mbrojtëse se 482-shi. Por e mira s’ka fund e drejt asaj ndërtohet e ardhmja. Bradley and Bradley (2019: 175)[iv] thonë se “politikat qeveritare shpesh reflektojnë pritshmëri negative të grupit dominant ndaj minorancave[v]…” Do shtoja se institucionet shtetërore nuk janë pa faj në ato pritshmëritë negative të grupeve dominante; përkundrazi janë motori i tyre ideologjik.

Gjithsesi, ndërhyrjet prej institucioneve shtetërore për shpëtimin e gjuhëve minoritare të rrezikuara janë parë shpesh me dyshim nga gjuhëtarët si jo më efikaset: Rasti i dështimit të rivitalizimit të irlandishtes me një mbrojtje e financim të hershëm e të pashembullt në Irlandë, tregon se jo gjithnjë politikat institucionale janë përgjigja e duhur. Sallabank (2013: 147-155)[vi] përshkruan në detaj cilët dhe përse studiues të ndryshëm kanë dyshime për ndërhyrjet shtetërore. Sallabank si edhe shumë studiues të tjerë ve theksin në politikat nga poshtë lart (grass-root movements) si më efikaset, dhe jo ato nga lart poshtë (institutional policies). Në vitet 70 e 80, madje edhe në vitet 90, politika të tilla që nisnin nga baza e komunitetit, prej krerësh fetarë, mësuesish, poetësh, studentësh e nxënësish, botuesish gazetash, fletushkash e revistash, dramturgësh e artistësh arbëreshë të gjithë llojeve, kanë qenë një prani më energjike dhe më e përhapur se sot. Besoj se ata janë lënë të zhgënjehen, dhe u është ulur rëndësia që kanë pasur në mbajtjen gjallë të gjuhës së një komuniteti. Ky grup “nga poshtë” (grassroot) që përmend, përqëndrohet në përdorim të gjuhës dhe në përhapje dhe komunikim të gjallë e të shumëllojshëm të saj. Si mund të rikthehet dhe udhëhiqet më mirë ky grup – si mundet që fokusi, energjitë dhe fondet të çohen drejt tij, si mundet të fuqizohet shprehshmëria dhe rigjallërimi i këtij grupi?

Të kemi parasysh se sido që profesorati në disa nga qendrat universitare arbëreshe (kryesisht, Palermo dhe Cosenza), ka ndihmuar dhe disa herë drejtuar punët për hartimin e disa teksteve shkollore (që konsultantët e mi arbëreshë në vitin 2001, kur gjuha ish në gjendje më të mirë se sot, ndonjëherë nuk dinin as t’i lexonin dhe as t’i përkthenin), puna e tyre është përqendruar kryesisht në ribotime dhe analiza e interpretime , herë më pak e herë më shumë teorike, të autorëve të vjetër dhe të klasikëve arbëreshë. Nuk ka dyshim që është punë me shumë vlerë pasqyrimi i pazakontë i pasurisë gjuhësore të tyre – aq i nevojshëm sot për arbërishten, si edhe analiza e ideve dhe arsyeve historike që ushqyen elitën arbëreshe, kur dihet sa modern dhe largpamës ka qenë shpesh mendimi i elitës arbëreshe dhe puna kolosale e kësaj elite bërë për mbrojtjen e ritit, gjuhës dhe traditës së të qenit “ndryshe”.  Arbërishtja është sot, sepse ishin ata dje – kjo nuk mohohet.

Ka po ashtu nëpër qendrat e shqipes pranë universiteteve, punë studiuesish dhe studentësh pasuniversitarë bërë për mbledhje fjalësh në fusha e zona të ndryshme arbëreshe. Por të mos injorojmë faktin se gjuha e folur mpaket e vdes çdo ditë, dhe nuk kemi pasur për aq e aq dekada një plan real për t’u marrë me gjuhën e gjallë dhe rikthimin e përdorimit të saj, dhe sidomos nuk kemi ende një dokumentim bazik e përshkrim tërësor të të gjithë të folmeve arbëreshe dhe as të gjendjes së folësve nëpër zonat arbëreshe sot. Numri i folësve realë të arbërishtes është sot më pak i njohur se kurrë. Dhe të mendojmë që flasim për një numër katundesh që mundej fare mirë të mbuloheshin nga ekspedita të kontrolluara prej studentësh të parapërgatitur disi për punën në fjalë. Paratë për kaq, kanë qenë, dhe kjo do ishte një gur themeli për të ardhmen e gjuhës, më shumë se gjithë kongreset e mbledhura bashkë. Këtë lloj pune masive me nevojë koordinimi, mund ta drejtojë vetëm një universitet ose institucion me përgatitje shkencore serioze; po ashtu, duhet të kryhet me studiues që ngulen në komunitet, dhe jo ata që Bradley[vii] i quan “Parachute linguists” (p. 252); nuk e bëjnë dot këtë shkollat fillore dhe ato të mesme, sado vetëmohues e vullnetaristë qofshin shpesh mësuesit arbëreshë.

Tani të kthehemi tek shteti shqiptar dhe shqipja, dhe roli i tyre. Politikat gjuhësore të ndërhyrjeve të një ‘shteti amë/fis’ ndaj një tjetri ku janë ngulitur pakicat e të parit, janë parë historikisht me sy të keq prej shtetit ku jeton minoranca e diasporës ose ‘minoranca fis’ (në angl. përdoren termat kin state dhe kin minority). Kjo s’do të thotë që shtetet fis e kanë ndërprerë ndonjëherë punën e vet për të kontrolluar grupet e diasporës që janë popullsi të shtetit tjetër. Kjo është një histori sa e vjetër aq edhe aktuale në Evropë, përfshirë Italinë, si edhe në Ballkanet e BE-së dhe jo. Dhe ky kontroll (që kryhet më lehtësisht nëpërmjet gjuhës si tipar identifikues më i dukshëm dhe i matshëm), synon shpesh aneksim tokash më shumë se njerëzish. Por probleme të tilla në rastin mes Shqipërisë dhe Italisë, sot nuk ka, dhe, për më shumë se një arsye. Arbëreshët janë historikisht qytetarë krenarë të Italisë që kur ajo u lind si komb, dhe po me aq krenari flasin gjuhën e vet të shtëpisë, tundin flamurët shqiptarë, komodifikojnë veshjet karakteristike të burrave “të paveshur” duke huar ato shqiptare, që të kompletojnë festat arbëreshe me kostume tradicionale, dhe i thonë vetes me gojën plot “gli albanesi d’Italia”. Është fat që ky identitet dyfish i arbëreshëve është rritur kështu me një të sotme paqësore dhe gratifikuese (edhe pse rruga s’ka qenë pa probleme e pa malore, ndonjëherë edhe të forta).

Është krejt e kundërt situata në Greqi. Unë besoj në vlerën identitare, vlerën shpirtërore dhe atë materiale të shumëgjuhësisë, sidomos kur gjuha e mëmës dhe gjyshes kthehet në gjuhë të dytë apo të vdekur, dhe shihet me turp e frikë. Si studiuese që një pjesë të mirë të jetës është marrë me ruajtjen e diversitetit gjuhësor dhe beson fort në të, unë nuk shoh pse në këto kushte, ndihma nga shteti shqiptar të kish një vlerë negative, duke besuar se kjo ndihmë nuk lejohet as të manipulohet e as të abuzohet. Është kjo arsyeja përse kam parë që herët me sy pozitiv krijimin e Qendrës (QSPA), dhe punën e tyre të këtyre viteve për të shkuar dhe njohur afër komunitetet arbëreshe, për t’u lidhur me ta në terren e nëpërmjet komunikimit dhe studimit të gjuhës dhe kulturës. Është kjo arsyeja, që, kur më kanë pyetur, kam ngulmuar që shkenca shqiptare nuk duhet të merret vetëm më arbërishten por edhe me arvanitishten[viii] njëlloj. Por shteti shqiptar që e polli qendrën, e ka lënë atë krejt të izoluar ose e injoron pa sqarime. Po kështu bën edhe Akademia e Shkencave, që mendja ta do të bashkëpunojë me Qendrën. Ndoshta sepse Qendra, për arsye të ndryshme jo gjithnjë të qarta, hasi që në fillim rezistencën e dy katedrave kryesore universitare për Italinë e arbëreshëve, Palermos dhe Kozencës. Megjithatë, nga sa di, lidhjet direkte të Qendrës me komunitetet arbëreshe vazhdojnë, atje ku nuk u bëjnë block institucional. Si mendon shteti shqiptar ta japë kontributin e vet pasi e ka krijuar Qendrën, dhe pastaj, me hir a pahir, është tërhequr apo bërë pishman? Nuk ka asnjë dyshim që QSPA ka nevojë për katedrat arbëreshe që të punojë me sukses. Mosbashkëpunimi i tyre me qendrën, dhe aq më keq futja e shkopinjve në rrota që ato i bëjnë QSPA-së, është një dështim jo i QSPA-së, por i qeverisë sonë dhe i organeve tona akademike. Gjithashtu ka punë e studime që bëhen më mirë me praninë se sa pa praninë e arbëreshëve vetë. Nëse ajo portë mbyllet prej shtetit tonë, dështimin e QSPAsë ia faturojnë kot asaj vetë, sepse asnjë qendër studimi dhe publikimi, e re ose e vjetër, me punonjës të rinj e pa eksperiencë apo me akademikë të kripur, nuk do funksiononte dot po t’i priteshin gjymtyrët. Unë rri me veshët ngrehur të dëgjoj si do zhvillohen këto marrëdhënie të komplikuara e të ndera që mund të kishin qenë paqësore e të ndihmonin ruajtjen dhe rivitalizimin e arbërishtes. Në këto kushte, ose QSPA paqëtohet dhe punon krahas me qendrat universitare arbëreshe që nga sa duket kanë kontroll politik “okult” në Tiranë, ose merr aprovim shtetëror eksplicit e të rikonfirmuar, dhe ndjek një rrugë që nuk është përsëritje a vazhdim i po atij misioni dhe shtegu ndjekur nga qendrat akademike arbëreshe deri sot. Përsëritja e botimeve teknike shkencore, të së njëjtës natyrë (pra e veprave të klasikëve arbëreshë), nuk mund të bëhet nga askush më mirë se prej arbëreshëve vetë, dhe nga sa duket, ata edhe e kanë fort për zemër këtë punë. Ribotimi me analiza të hollësishme i letërsisë së vjetër arbëreshe ka vlerë të jashtëzakonshme, sidomos duke qenë që kryhet nga njohës të vërtetë si të disiplinave teorike, si të gjuhës arbëreshe në zhvillimin e vet historik. Por botimet e suksesshme të mendimit dhe veprës historike arbëreshe, vetëm tërthorazi do mundeshin (…ndoshta) të ndihmonin përdorimin e arbërishtes. Dhe në fakt deri sot nuk janë vënë në shërbim të komunitetit folës, por kanë mbetur botime për grupe të mbyllura akademike. Dhe nëse ky do kish qenë qëllimi i punës bërë në kaq dekada, atëherë ai qëllim është arritur me sukses. Nga ana tjetër ato botime ngrenë pa dyshim prestigjin si edhe statusin e gjuhës, por kjo mund të kish dobi për arvanitishten e vetëstigmatizuar dhe thupruar nga komuniteti folës. Arbërishtja, qartësisht, nuk vuan për prestigj; ajo vuan për përdorim të gjallë.

Ndërkaq në një lajm të ATA-s të 14 qershorit 2022, shoh që njoftohet se ekziston “Njësia kërkimore-studimore për arbëreshët, arvanitët dhe arbneshët” e krijuar në janar të vitit 2022 pranë Akademisë së Shkencave (në faqen e së cilës e kërkova, e kërkova, por nuk e gjeta dot Njësinë), me një plan strategjik tre-vjeçar, që pastaj gjatë leximit del në fakt që është katër-vjeçar[ix]. Në këtë plan parashikohen sërish botime historike si “Santori i plotë, vepra monumentale e Marco La Pianës – Grammatika historike në dy pjesë, një fjalor me leksik arbëresh të vjelë nga letërsia e traditës, katër festa përkujtimore për 100, 200 dhe 300 vjetorët e lindjes apo vdekjes të disa arbëreshëve të shquar, pas të cilave do të botohen edhe veprat e tyre”, si edhe (më në fund!) “implementimi i një vjeljeje leksikore të gjallë për të krijuar një database të fjalorit arbëresh dialektor” (dhe në fakt s’kemi tjetër arbërishte veç asaj dialektore). Këtë të fundit mezi e pres, dhe shpresoj të jetë ajo që unë pres.— Nëse është apo jo kjo Njësi, politika e e shtetit shqiptar ndaj arbërishtes në këto 4 vjet, apo ajo e Akademisë që është institucion i pavarur, këtë nuk e di. Por pashë që të gjithë emrat e grupit të punës për këtë njësi ishin profesorë e lektorë arbëreshë si edhe shqiptarë që kanë punuar a punojnë në qendrat universitare arbëreshe në Itali.

Së fundmi, ndër metodat për rikthim të gjuhës që po bjerret (language reclamation) që janë diskutuar prej shumë studiuesish të rivitalizimit gjuhësor, ajo që unë gjykoj të jetë më e përshtatshmja për rastin e tipareve të arbërishtes sot, është ajo nëpërmjet mësimdhënies. Pse: sepse vende-vende gjuha ende flitet, ka familje, që sido që shumë të kufizuar, ende ia kanë përcjellë atë brezit të fëmijëve – pra zinxhiri ndër-brezor i transmetimit të gjuhës ende është gjallë e i pakëputur në disa segmente të komunitetit folës. Është komuniteti përkatës që i njeh më mirë tiparet e veta dhe nevojat e veta, sigurisht! Por pesha që i jepte J. Fishman në vitet 70-90 gjuhës së folur dhe shtëpisë si vatra e fundit ku gjuha gjallon, ka treguar se nuk funksionon sot nën ndikimin e mediave dhe shkollës në gjuhët dominante.

Çështja se cila arbërishte do mësohet apo trashëgohet është e lidhur fort me atë të futjes së arbërishtes nëpër shkolla. Cila gjuhë do shkruhet? Si do shkruhet? Si do përshkruhet? Ka disa vëllime abetaresh e këndimesh punuar me mençuri e dashuri prej arbëreshëve, por para se të shihet a funksionojnë duhet parë si të bëhet mësimi i rregullt nëpër shkolla, dhe si të pajtohen qendrat e vogla arbëreshe që të përdorin të njëjtin dialekt krahinor (si çati e disa katundeve). Mungesat dhe humbjet gjuhësore, pastaj, a do i mbushë arbërishtja e klasikëve, huazimet e vona, apo ndërhyrjet e shqipes së sotme? Është shumë interesante të vëzhgohet mënyra se si janë koordinuar këto metoda nëpër librat e rrallë shkruar për mësimdhënien e arbërishtes. Sido qoftë, roli i shqipes është për t’u gjykuar prej vetë komuniteteve folës. Duhet thënë që të vetmit arbëreshë që unë njoh (dhe këta sot janë plot, jo si dikur kur ishin me kokrra) që e flasin dhe e shkruajnë arbërishten e shumë tematikave të përditshme, pa pasur nevojë që ta kthejnë pas vetëm dy-tri fjalish në italisht, janë ata që njohin edhe shqipen. Por mund të ketë edhe mënyra të tjera. Unë jam kurioze të di si do funksiononte fjalavjen polinomia (ose pluricentrizmi) gjuhësore në mësimdhënie (?!)[x] Është një metodë me një bazë ideologjike të bukur, por që nuk më jep shpresë se ka forcë të ndryshojë gjendjen e një gjuhe me themele të tronditura. Por kjo gjithashtu është për t’u parë e diskutuar prej komuniteteve gjuhësore, dhe do ishte fat që qendrat universitare arbëreshe, shteti italian apo ai shqiptar, Akademia jonë apo QSPA-ja, të jepnin një ndihmë ku duka e entitetit dhe suksesi i individit dalin në plan dytësor, ku kontrolli për pushtet të vogël evitohet, ku e institucionet bashkërendojnë dhe planifikojnë racionalisht dhe me zemër hapur një ndihmë aq të nevojshme për komunitetet e gjuhëve të rrezikuara.

A do e dëgjojmë tingullin e arbërishtes së gjallë në 2090? Varet, varet, varet… por nëse vahdojmë të bëjmë si e sa kemi bërë, pa dyshim që jo.

 

© 2023 Eda Derhemi. Të gjitha të drejtat janë të autores.


[i] Spolsky, Bernard. 2004. Language Policy. Cambridge University Press.

[ii] Austin, Peter and J. Sallabank. 2011. The Cambridge Handbook of Endangered Languages. Cambridge University Press.

[iii] Edhe kjo nga Sallabank, p. 280.

[iv] Bradley, David and Maya Bradley. 2019. Language Endangerment. Cambridge University Press.

[v] Referenca e plotë: [government policies often reflect negative majority group attitudes towards minorities and their languages. They are nation-building policies…often based on a single language”.]

[vi] Sallabank, Julia. 2013. Attitudes to Endangered Languages: Identities and Policies. Cambridge University Press.

[vii] Po ai vëllim.

[viii] Revista Continuum Nr 1. 2021. (QSPA.) p.212-225. https://online.fliphtml5.com/mhxxc/uwut/#p=223

[ix] https://ata.gov.al/2022/06/14/projekte-afatgjata-ne-veprim-te-njesise-kerkimore-studimore-per-arbereshet-arvanitet-dhe-arbneshet/

[x] Sallabank (2013 si më lart: p. 92-95) u referohet Marcellesi-t dhe Jaffe-s kur analizon këtë metodë për mësimdhënien dhe tekstin e shkruar në rastin e gjuhëve në rrezik.

Rreth Autorit

Eda Derhemi jeton e punon në Champaign-Urbana të ShBA-ve. Pasi punoi si pedagoge e gjuhësisë në Universitetin e Tiranës (1985-1990), ajo emigroi në Itali, e më pas në ShBA. Përfundoi një Master (Linguistics) dhe një PhD (Communications) në Universitetin e Illinoisit në Urbana-Champaign, ku, prej shumë vjetësh, punon si pedagoge me fokus kurse për gjendjen sociolinguistike në Itali, Mesdhe dhe Europë. Pas doktoratës, ka kryer dy herë kërkime post-doktorale 1-vjecare: në Kosovë mbështetur prej IREX, dhe në Tiranë mbështetur prej Fulbright. Puna e saj shkencore është ndërdisiplinore dhe ndërthur gjuhësinë me etnicitetin, politikën, ligjin, dhe kulturën. Pakicat gjuhësore dhe rrezikimi i ekzistencës së gjuhëve minoritare në Europë, sidomos gjendja e arbërishtes dhe arvanitishtes, janë qendrore në punën e saj. Mbetet shumë e lidhur me shqipen dhe Shqipërinë, sido që ka mbi 30 vjet që nuk është banuese e përhershme në Tiranë. Gjyshja e saj nga Tirana (nona), dhe Tirona e Vjetër me zakonet e veta i janë vazhdimisht në mendje. https://www.routledge.com/Endangered-Languages-in-the-21st-Century/Derhemi-Moseley/p/book/9781032196749

Author Archive Page

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin