TRURI DHE DIASPORA

nga Elidor Mëhilli

Një të shtunë prilli në mëngjes, në universitetin Yale, u hap një summit mbi çështje të diasporës shqipfolëse. Më ftuan të flas për ikjen e trurit shqiptar. Në ballë të sallës ishin dy udhëheqëse energjike të organizatës studentore atje. Takimi qe modest, por çdo gjë e mirëmenduar: fletëpalosjet e futura në korniza, shqiponjat e ndërthurura me emblemën e Yale-it, biografitë e përgatitura me kujdes.

Pak dihet, rrallëherë flitet, për organizatat studentore shqiptare që janë formuar vitet e fundit në universitetet amerikane, jo vetëm në Yale, Columbia, apo në Harvard, por edhe më gjerë gjeografikisht, nga Penn-i në Drexel, nga University of Massachussets në Seton Hall, nga Michigan-i në Connecticut, e tjetërkund.

Janë grupe të thjeshta, pa ndonjë staf të dedikuar apo burime të shumta, edhe pse disa prej këtyre universiteteve emërmëdha rivalizojnë, për nga financat, produktin e brendshëm bruto të Shqipërisë. Studentët punën e bëjnë vullnetarisht.

Kur kam qenë vetë student nuk ishte e mundur të krijoje organizata të tilla. Nuk ishin numrat. Tashmë, me një gjeneratë të re diasporike—e, duhet mbajtur parasysh, një diasporë që e ka parë edukimin cilësor si prioritet absolut edhe kur nuk e ka patur fuqinë ekonomike—numrat janë shtuar. Është shtuar e amplifikuar edhe interesi për vendet shqipfolëse nga u vijnë prindërit.

Se mund të kesh numrat, po tjetër gjë është oferta. Studentët shqiptaro-amerikanë duan socializim mes veti: pizza parties, rituale kuqezi për ditët e pavarësive, Dua Lipën. Por interesohen edhe për çështje historike, shoqërore, kulturore. Dhe në këto sfera më të komplikuara nuk është se kanë ndonjë busull që t’i orientojë.

Organizatat studentore janë pluraliste e të hapura; studentët i kanë origjinat nga të gjitha trojet ku ka shqiptarë. Edhe kjo është një formë bashkëpunimi që i diferencon prej diasporës më të rritur, e sidomos prej ndasive politike ballkanike.

A kanë qenë në gjendje Tirana dhe Prishtina t’i shfrytëzojnë këto zhvillime përtej kufijve?

Një farë përgjigjeje fillonte të merrte formë në sallën e Yale-it, ku prania e Kosovës ndihej, duke përfshirë zv. ministren e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës Liza Gashi. Gashi nuk iku fill pas fjalës, siç kam parë të bëjnë politikanët ultra-performativë të Tiranës në takimet “për media” që mbahen ritualisht në Shqipëri. Qëndroi për diskutim, madje edhe për kundër-argumenta. (Para disa muajsh, edhe kryeministri Kurti u takua virtualisht me studentë shqiptarë të Columbia-s.)

Po Tirana? Ndërsa në rrjet shpërndahen imazhet e kuruara të takimeve diasporike nga Athina dhe Milano-ja, kujtoj sa vite ka Tirana zyrtare që merret formalisht me problemin e diasporës (le më pastaj me ikjen e trurit).

Mbaj mend konferenca pafund në vitet 2000. Mbaj mend lloj-lloj individësh që pasi diplomoheshin jashtë vendit dyndeshin drejt organizatave jo-qeveritare, se e kuptonin që disa prej këtyre ishin jo-qeveritare në formë por pothuaj-qeveritare në pëmbatje.

Apo sektorë që merrnin frymë pothuajse tërësisht falë një ekosistemi financimesh perëndimore – ekosistem që mbajti gjallë edhe një masë të mirë të trurit të kalbur shqiptar, e pastaj kthehej e financonte studime me temën: “Pse ikën truri jashtë?”

Mbaj mend takime euforike me tituj si “Kthimi i elitave, një domosdoshmëri për shoqërinë shqiptare” dhe me përbetime plot patos për Kthesën e Madhe që do të sillnin të rinjtë në politikën shqiptare.

E sollën?

Asokohe shkruaja në shtyp për politizimin e skajshëm që i bëhej problemit të ikjes së trurit dhe sidomos fetishizimit të të ardhurve me diploma perëndimore, që në Shqipëri jo rrallëherë janë treguar edhe më toksikë se xhaketat e vjetra.

“Të rinjtë e politikës shqiptare vjetërsohen tmerrësisht shpejt”, shkruaja, siç duket më tepër duke folur si budalla me vete, tek shihja si futeshin moshatarët e mi me ngut nëpër kanalet rinore të partive të majmura, për t’u skulpturuar magjishëm siç e donte njëshi.[1] Apo kishin qenë gjithmonë gati për t’u bërë pantomima politike, dhe diplomat e huaja u duheshin thjesht si dekor?

Historikisht elitat e Shqipërisë i kanë parë të diplomuarit jashtë si thikë me dy presa – si kapital që duhet përvetësuar, por edhe si rrezik që duhet mbajtur nën kontroll. Shumëkush kthehet e citon Konicën, po mos shkoni më larg se aparati partiak i PPSH-së, që i dërgonte të rinjtë me bursa në demokracitë popullore të Lindjes, e atje i mbante nën survejim për “qëndrimin e tyre moralo-politik.”

Pas gati 35 vitesh nga Dyndja e Madhe Jashtë, a është bërë bilanci? Të “kthyerit” u bënë  ministra, deputetë, drejtorë doganash, pronarë. Qeveritaret tashmë janë me shqipe të çalë por me kredenciale të London School of Economics. Ka zyrtarë me diploma perëndimore që janë hetuar për krime, apo janë në hetim. Sa euro janë hedhur, ku kanë shkuar, me ç’rezultat?

Përtej këtyre, a ka Tirana një plan të mirëmenduar e global (përtej marketing-ut politik) duke marrë parasysh sfidën e madhe që paraqet kontakti me një diasporë në transformim e sipër? Se kushdo që jep mësim sot në një universitet amerikan e kupton që kemi të bëjmë jo vetëm me një gjeneratë tjetër, por me forma identifikimi dhe komunikimi që vështirë të kuptoheshin edhe sikur dhjetë vjet më parë.

Një shtet që vazhdon të “zbulojë” Mirat (si Murati) në Perëndim vetëm pasi ato dalin në kopertina të revistave amerikane, apo siç “zbulonte” se në universitetet prestigjoze amerikane kishte doktorë e shkencëtarë të nivelit të lartë vetëm kur plasi një pandemi globale, apo siç vazhdon të “zbulojë” se ka kapital diasporik (ndërkohë që Kori Institucional i Tiranës vazhdon me operetën: “Nuk ju njohim! Nuk ju njohim!”) mund të jetë shumëçka, por nuk është shtet serioz.

Përndryshe, mbetemi në kufijtë e një fabule që përsëritet e ripërsëritet, edhe pse ndryshojnë figurinat. Diaspora vazhdon të mbetet portofol, ose perde ceremoniale për fushatat elektorale ku transmetohen mekanikisht statistikat e turizmit dhe sukseset e pandalshme të industrisë së betonit.

© 2024 Elidor Mëhilli. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.


[1] Elidor Mëhilli, “Miti i kthimit të trurit,” Shekulli, 22 gusht 2008.

Rreth Autorit

Elidor Mëhilli mban gradën Assistent Professor në historinë europiane dhe ndërkombëtare në Hunter College, City University of New York. Ka mbaruar studimet e doktoraturës në Princeton University (2005-2011), studimet e larta në Cornell University (2000-2005), dhe ka mbajtur poste akademike të shkurtra në Columbia University (2011-2012) dhe University of Pennsylvania (2012-2013). Punime të tjera të tij mund të shihen këtu: www.elidormehilli.com. Jeton në Nju Jork.

Author Archive Page

3 Komente

  1. Pas gati 35 vitesh nga Dyndja e Madhe Jashtë, a është bërë bilanci? Të “kthyerit” u bënë ministra, deputetë, drejtorë doganash, pronarë. Qeveritaret tashmë janë me shqipe të çalë por me kredenciale të London School of Economics. Ka zyrtarë me diploma perëndimore që janë hetuar për krime, apo janë në hetim. Sa euro janë hedhur, ku kanë shkuar, me ç’rezultat?

    Nuk ështe e lehtë të shkosh kundër rrymës. Ndonjë prej këtyre të “kthyerve” idealistë e pëson si ai qeni te fabula e Lafontenit: kapitullon para lukunisë që i është sulur tepsisë dhe, do s’do, kafshon edhe ai një llokmë nga bakllavaja publike. “Edhe unë si gjithë të tjerët!”

    Lafontain / Qeni që po i çonte drekën të zotit

    Sytë na tundohen nga bukuria,
    Gishtat paranë gjithë lakmi e fërkojnë.
    Të ndershëm s‘ka shumë njerëzia,
    që thesarët me besnikëri na i mbrojnë.

    Një qen drejt shtëpisë po vraponte,
    drekën – të varur në qafë si kollare – të zotit t’ia çonte.
    I përmbajtur ishte ai,
    madje më shumë i zoti mund të priste,
    nga një qen që mishin me aq qejf e kullufiste.

    Por ai i tillë ishte! Ndërsa ne? Çfarë na pëlqen dhe nuk e lakmojmë?
    Ne vetëpërmbajtjen qenëve – por jo njerëzve – ua mësojmë!

    Qeni – me torbën e varur në qafë – drejt shtepisë nxitoi,
    kur përpara i del një lango që me ngulm mishin ia kerkoi.
    Por aq kollaj qeni ynë nuk dorëzohej,
    e la trastën mënjanë dhe filloi të mbrohej.

    Një sherr i madh plasi në shesh plotë furi,
    dhe qenë të tjerë – nga ata të sokakëve – u sulën gjithë uri.

    Qeni ynë, që i vetëm s’ia dilte dot lukunisë,
    mendoi mishin që fitimtarët do ndanin mes veti pas kërdisë,
    dhe i trembur se mund të ngelej me gisht në gojë,
    iu drejtua zagarëve që po bënin plojë:

    “Zotërinjë, qetësohuni! Unë vetëm copën time kërkoj,
    secili prej jush me pjesën e vet mund të bëjë ç’të dojë.”

    Kështu foli qeni dhe këputi një llokmë nga mishi.
    Lukunia gëzoi dhe më gjatë nuk priti.
    Kush mundej kafshonte nga një copë,
    dhe vraponte tutje me gojën plot.

    Kështu është edhe puna jonë me shtetin,
    me zyrtarët që paranë publike vjedhin,
    gjyqtar a tregtar, nuk ndalet më kush,
    por bëhet kopuk dhe xhepin e mbush.

    Dhe kur ndonjëri që ka ca skrupuj,
    hajdutëve me fjalë e moral u del përballë,
    ata me një zë i thonë: “Budallë!”
    dhe ai tundohet, zemra e lëshon,
    e vetë i pari një llokmë e kafshon.

    (Përkthimi im, pa pretendime.)

  2. Diaspora shqiptare do të bëjë si paraardhësit e saj që ikën nga Shqipëria në Perëndim dhe nuk u ndien më
    E mësuan se nuk ka asnjë kuptim të merren me një popull të rrënuar nga çdo pikëpamje ,konformist e servil,pa dinjitet dhe pa kurajë
    Një popull që pranon t’a shkelin,tallin,vjedhin,
    vrasin e varfërojnë pikërisht të zgjedhurit e tij.
    Çdo i studiuar jashtë ka të drejtë të ëndërrojë që atdheu i tij i origjinës të bëhet një ditë,por po ashtu duhet të dijë se me dijet dhe kulturën që fiton andej jo vetëm që nuk i ndihmon dot Shqipërisë por përkundrazi e pengon…..
    E pengon sepse rrugaçët dhe vrasësit që populli shqiptar ka zgjedhur t’a udhëheqin i kanë shumë bezdi dijen,ligjin dhe aftësinë,kulturën dhe qytetarinë.
    Rrini aty ku jeni o bij,mos bëni gabimin fatal të atyre që erdhën t’a ndihmonin atdheun dhe i hëngri balta.

  3. Shume politikane jane te shkolluar jashte megjithate nuk kane sjelle ndonje ndryshim per tu shenuar pervec faktit se me te huajt flasin pa ndihmen e perkethyesit .Diku ne internet pashe nje klip te E Spiropalit qe thone se eshte e shkolluar ne Angli , ne nje tubim te PS ajo i thurrte lavde E rames i cili ne mbledhjen e KS te OKBse evuri bajlozin rus ne vend e vet me te njejtin patetitzem si dikur nje gjysem anlfabete si Lenka Cuko i thurrte lavde Dulles i cili cuditi gjithe nje bote kur i perplasi Hrushovit ne fytyre .Mu kujtua nje shprehje e F Konices “Ne Shqiperi nuk ka te rinj e te vjeter por te lindur me perpara e me prapa.”Ndoshta shkolla te jep vetem dije . Mendesia eshte produkt i marredhenieve te nje shoqerie , ne kete aspekt te diplomuarit jashte nuk munden te bejne gje .

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin