NË VEND NUMËRO

Pleonazmin fjalori e shpjegon si përdorim i më shumë fjalëve se ç’duhet, për të shprehur diçka.

Me këtë ç’duhet zakonisht përkufizuesit kanë parasysh qartësinë logjike të shprehjes, pa çka se ligjërimi nuk është vetëm logjikë.

Në fakt, çdo gjuhë, përfshi këtu edhe shqipen, përmban pleonazma me bollëk – aq sa të mendojmë se pleonazmi është i domosdoshëm për ekonominë e të shprehurit.

Kur themi sytë e ballit ose e pashë me sy, ose ngjitem lart, zbres poshtë, hyj brenda etj. përdorim pleonazma nga më flagrantët; por askush nuk është ngritur t’i korrigjojë e t’i thjeshtojë këto kombinime.

Ligjërimi poetik është madje i pasur me pleonazma, të cilat nuk kanë të bëjnë me logjikën, por me mënyrën si kërkon të komunikojë poeti.

Edhe pse jo çdo pleonazëm është qesharak, ka pleonazma që na vrasin veshin, sikurse ka të tjera që na tingëllojnë qesharakë.

(Sikur çdo pleonazëm të ishte qesharak, atëherë vetë togu pleonazëm qesharak do të ishte pleonazëm.)

E tillë është pakicat minoritare, për të cilat folëm në një shkrim të mëparshëm.

Pse na e vret veshin kjo pakicat minoritare, në një kohë që zbres poshtë dhe sytë e ballit nuk na bëjnë përshtypje?

Një arsye do të ishte marrëdhënia mes fjalëve pakicë dhe minoritet – e para ka kohë që sugjerohet, nga kujdestarët e leksikut, si zëvendësim për të dytën.

Minoritet dhe mbiemri i bashkëlidhur minoritar janë fjalë të huazuara vonë, nga gjuhët perëndimore, si terma politikë, me kuptim të përcaktuar mirë, të përdorura kryesisht në media dhe në ligjërimin formal politik dhe juridik.

Pakicë është një neologjizëm libror, që sikurse edhe shumicë, është formuar me prapashtesën –icë, nga një temë thjesht shqipe.

Si shumë neologjizma të tjerë, edhe pakicë është mbingarkuar me kuptime – duke u përdorur, ndër të tjera, edhe në togje si tregti me pakicë; një përdorim ky i fundit që s’ka fare lidhje me minoritet.

E keqja e pakicë është edhe që nuk ka një mbiemër të vetin; minoritet ka minoritar, por pakicë nuk ka pakicar, ose pakicor (për fat të mirë).

Dukuria dëshmon, ndër të tjera, se zëvendësimi i fjalëve duhet të marrë parasysh fjalën në sistem, përndryshe veç krijon probleme.

Tani, folësi shqip që ka krijuar një tog të tillë si pakicë minoritare, me siguri e ka ndier dobësinë kuptimore të pakicë, sikurse ka qenë i vetëdijshëm për referimin tekstual ndaj minoritetit, si koncept politiko-juridik saktësisht të përcaktuar.

Që këtej edhe pleonazmi pakicë minoritare; qesharak ngaqë tradhton një pështjellim konceptual të mbështjellë me fjalë autoritare.

Sot në të gjitha gazetat jepej lajmi, i trishtuar, për vdekjen e poetit Ali Podrimja, i cili para dy ditësh ishte shpallur si i humbur, në Francë.

(Më hidhëroi kjo vdekje – Podrimja është poet i hollë, dhe gur i çmuar për çdo antologji të poezisë shqipe.)

Pas gjase, trupi i të ndjerit ishte gjetur diku, por lajmet nuk jepnin hollësi të tilla, në një kohë që referonin me zell prej zëdhënësi qeveritar një ngushëllim të ministrit të Jashtëm të Kosovës Enver Hoxhaj, drejtuar familjes së poetit.

(Një dreq e di pse i duhej dhënë gjithë kjo hapësirë ngushëllimit protokollar të një ministri të Jashtëm; por ky pleonazëm nuk ka lidhje me gjuhën.)

Te Shqiptarja ndesha në titullin kurioz: Gjendet trupi i pajetë i poetit, i cili përmban një pleonazëm, ose një kombinim i gjendet i vdekur poeti dhe gjendet trupi i poetit.

Si rregull, kur dikujt ia gjejnë trupin, ky ka vdekur tashmë; përndryshe nuk do t’ia gjenin trupin, por do të gjenin personin vetë.

Të bën të mendosh, përndryshe, ky përkim që bën gjuha midis trupit dhe vdekjes, pa çka se trupi është shtëpia e shpirtit.

Gjithsesi, pleonazmi gjendet trupi i pajetë i poetit shembëllzon, në fakt, atë karakteristikë të ligjërimit të mediave, që ka të bëjë me të shprehurit jo me kombinime fjalësh, por me kombinime blloqesh ose togfjalëshash (të cilat janë zakonisht klishe).

Klishetë në media deri-diku edhe durohen; por kur përftojnë pleonazma, atëherë ngjallin hilaritet.

Çfarë janë pleonazmat qesharakë, atëherë? Natyrisht, janë ata pleonazma që na duken qesharakë… E vetmja mënyrë për t’i përkufizuar do të ishte, kështu, tautologjike.

Nuk ka komente

  1. Ndoshta mediat që kanë raportuar lajmin, kanë edhe informacione të tjera. DInë se tani policia franceze (që vetë mendon se ka kryer gjysmën e punës, ka gjetur trupin) është vënë në kërkim të shpirtit e, kur ta gjejë edhe këtë, do t’i bëjë të dy bashkë e do ta kthejë poetin Podrimja në shtëpi. Dhe dinë, po ashtu, se kjo është e pamundur të ndodhë, se shpirti nuk është se është shkëputur për disa orë e ka dalë një shëtitje të shkurtër, por, për ca rrethana që mediat tona i dinë, ka ikur për fare aty ku venë shpirtrat kur ndahen përfundimisht nga trupi. Shkurt, këto mediat tona duhet të kenë informacion për ndonjë krim a diç tjetër të ngjashme, por ende nuk po na i raportojnë detajet, po i mbajnë për vete, dhe po mjaftohen të na thonë se “është gjetur trupi i pajetë,” duke i sugjeruar butësisht po ashtu policisë franceze të heqë dorë nga kërkimet e kota për shpirtin. Ç’pyet më, punë mediash shqiptare.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin