GJUHË PREJ KARTONI

Kohët e fundit kam parë të përdoret, në shtypin sportiv, fjalën karton me kuptimin cartellino dhe pikërisht “dokument me të cilin një atlet zotohet të ofrojë shërbimet e veta në favor të një shoqërie sportive, për një periudhë kohe të caktuar.”

Të njëjtën fjalë e kam ndeshur të përdorur në anglishte si licence.

Me këtë kuptim, fjala është relativisht e re dhe i referohet shitblerjes së lojtarëve midis klubeve; që këtej ka pasur ngutshëm nevojë për një përkthim në shqipe:

Barça konfirmon zyrtarisht se kartoni i lojtarit kushtoi 57 milionë euro

Në të vërtetë kartoni i lojtarit afrikan kushton dhjetë milionë euro.

[…] do të blihet përfundimisht kartoni i lojtarit, ose 15 milionë në fund të huazimit…

Kartoni i lojtarit do t’i kushtonte City-t rreth 12 milionë euro.

Kartoni i lojtarit ka kushtuar pesë milionë euro për Napolin plus bonuset

Zgjedhja e panatyrshme e fjalës karton për të dhënë italishten cartellino do të jetë ndikuar nga fakti që në atë gjuhë cartellino shënjon edhe kartonin e paralajmërimit ose të përjashtimit të një lojtari (cartellino giallo, cartellino rosso).

Megjithatë, karton për cartellino me kuptimin “licencë” është përkthim i keq, sepse pavarësisht nga mundësitë që ka në italishte fjala përkatëse, karton në gjuhën shqipe nuk mund të ketë kuptimin e një dokumenti.

Ose më mirë, nuk mund ta kish, sepse fjala ka hyrë tashmë.

Po të më pyesnin mua, unë cartellino do ta jepja, në kontekstin për të cilin flasim, si kartelë, e cila shënjon një “fletë letre ku shënohen të dhëna të nevojshme”.

Por mua nuk më ka pyetur njeri; dhe kam frikë se askush nuk është pyetur; dhe se gazetari sportiv, ose kushdo që i përkthen këto lajme, ka përdorur fjalën e parë që i ka shkuar në mendje.

Në shqipen e futbollit, karton menjëherë rrezikon të ngatërrohet me kartonin që ia tregon lojtarit arbitri; në një kohë që askush nuk mund ta shoqërojë mendërisht, pa u sqaruar, me një dokument me vlerë ligjore.

Duke e përdorur, e dëmtojmë gjuhën; pa çka se shqipja, si çdo gjuhë tjetër, ka përkulshmëri të madhe dhe arrin t’i absorbojë këto goditje.

Shumë prej nesh janë kushtëzuar të reagojnë ndaj fjalëve të huaja; por përkthimet ose më mirë lokalizimet e paqëlluara, si ky i cartellino në terminologjinë juridike-sportive, i bëjnë leksikut më keq, sepse ia heqin përpikmërinë.

Dhe është e kotë që të sugjerosh, për raste të tilla, që shqipërimi t’i besohet një specialisti të fushës, ose një terminologu. Trysnia dhe urgjenca për t’i dhënë këta terma të rinj në shqip është tepër e lartë, për të pretenduar që çështja të shqyrtohet me rrugë burokratike ose akademike.

Prandaj zgjidhja nuk mund të vijë menjëherë; sepse fara e këtyre fjalëve dështake mbillet në shqipe nga njerëz që nuk e njohin gjuhën marrëse, madje shpesh nuk njohin as gjuhën dhënëse; pra janë edhe ata dështakë dhe gjysmakë, si fjalët që përdorin.

Një person i cili shkruan tekste shqip që pastaj i jepen publikut nga mediat minimalisht duhet ta njohë mirë gjuhën; dhe kjo fillon nga shkolla, edhe pse kërkon edhe pak inteligjencë, kulturë dhe sidomos qytetari.

Do të më thonë: po punë e madhe se u përkthye keq një term i drejtësisë sportive; vërtet – por një term i keq këtu, një term i keq atje, dhe ashtu na mbetet në dorë një shqipe e ngathët, me fjalë dhe terma të mbingarkuara me gjithfarë kuptimesh pa lidhje që kanë trashëguar nga gjuhë të tjera; dhe pastaj as mendimin nuk e formulojmë dot mirë.

Ngushëllimi? Të paktën elitat na e flasin mirë anglishten!

3 Komente

  1. Fjala karton ne kuptimin e vleres se lojtarit dhe obsionit per ta blere ose shitur (ose jo) nje lojtar ka te pakten 20 vjet qe perdoret rendom ne bisedat e njerezve rreth futbollit dhe kjo fjale eshte aq e stabilizuar ne diskurs saqe me duket shume e cuditshme qe vetem kohet e fundit kjo fjale e ka gjetur rrugen per ne shtypin sportiv.
    P.s.
    Heren e fundit qe isha ne Shqiperi degjova fjalen bustelo per ate paketen e cajit me spango. 🙂

    1. Më duket shumë teknike, për të pasë hyrë në mënyrë spontane në shqipe – prandaj e kam të vështirë të besoj që ka të paktën 20 vjet që përdoret rëndom në bisedat e njerëzve rreth futbollit. Të kenë qenë mileti kaq të interesuar për hollësitë juridike të transferimit të lojtarëve?

      Po ashtu, nuk ka arsye gjuhësore që një dokument të quhet spontanisht “karton” në shqipe; të tilla thagma ndodhin vetëm në rast përkthimesh semantike, ose “kalkesh” sic i quajnë në leksikologji. Në shqipen popullore kartoni është gjithnjë material, lloj letre e fortë dhe e trashë.

      1. Jo jo.
        Eshte keshtu sic them une. Nuk e di, a ju kujtohet koha kur lojtaret shqiptare shkonin per te luajtur jashte dhe nuk ktheheshin me?
        Nje nga veshtiresite me te cilat keta perballoheshin edhe kur gjenin nje klub qe ti pranonte ishte: nuk ja leshon Federata kartonin.
        Federata mendonte qe kjo pune do frenonte hemorragjine e lojtareve te rinj drejt Evropes.
        Flasim vitet e para te 90-ve, kjo.
        Nuk do habitesha po te mesoja qe pioneret e kesaj fjale ishin pikerisht Neptun Bajko dhe nja dy te tjere qe ne fund te viteve 80, shkuan per specializim ne Itali.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin