SHQIPJA E DRUNJTE (V)

Ky seksion u kushtohet shprehjeve parafjalore të panevojshme dhe mënyrave për t’i zëvendësuar.

Ndryshe nga parafjalët e zakonshme, shprehjet parafjalore përmbajnë edhe elemente emërore, të cilat me kohë e kanë humbur kuptimin dhe funksionet e tyre gramatikore, për t’u bërë pjesë e një grupi funksional të vetëm. Për shembull, shprehja parafjalore me anë përmban parafjalën me dhe emrin anë, dhe ndiqet nga rasa gjinore.

Jo të gjitha shprehjet parafjalore janë të panevojshme; disa prej tyre përligjen nga konteksti libror ku përdoren (ligjërimi juridik ose tepër formal), por në më të shumtën e herëve, mund të mënjanohen pa pasoja.

Më poshtë do të përmend pesë nga shprehjet parafjalore më parazitare, së bashku me disa alternativa zëvendësimi.

në drejtim (të)

Kjo shprehje parafjalore është përdorur, në zanafillë, për të shenjuar drejtimin e lëvizjes në hapësirë, por me kohë ka filluar të shprehë edhe raporte abstrakte, që kanë të bëjnë me prirjen, ose objektin e një përpjekjeje ose pikësynimin e një veprimi. Pothuajse gjithnjë mund të zëvendësohet me parafjalët drejt, ndaj ose për (dhe sipas rrethanave, duke përdorur një paskajore në vend të emrit prejfoljor). Disa shembuj:

Lëvizjet mekanike të popullsisë në drejtim të qendrave të reja të banimit dhe shpërnguljet në drejtim të zonave më pjellore./Lëvizjet mekanike të popullsisë drejt qendrave të reja të banimit dhe shpërnguljet drejt zonave më pjellore.

Kompania është e profilizuar në drejtim të guidës turistike në Shqipërinë e Jugut./Kompania është e profilizuar për guidën turistike në Shqipërinë e Jugut.

Rritja e rolit dhe kontributit në drejtim të mirëadministrimit të financave publike, nëpërmjet kryerjes së kontrolleve cilësore./Rritja e rolit dhe kontributit ndaj mirëadministrimit të financave publike, nëpërmjet kryerjes së kontrolleve cilësore.

Presidenti i Greqisë, Karolos Papulias, ka deklaruar se vendi i tij po bën hapa të vegjël dhe të kujdesshëm në drejtim të njohjes së pavarësisë së Kosovës./Presidenti i Greqisë, Karolos Papulias, ka deklaruar se vendi i tij po bën hapa të vegjël dhe të kujdesshëm drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Presionet në drejtim të Kosovës lidhur me fillimin e bisedimeve me Serbinë./Presionet ndaj Kosovës lidhur me fillimin e bisedimeve me Serbinë.

Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier nënvizoi se Shqipëria ka bërë përparime të mëdha në drejtim të afrimit në BE dhe NATO./Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier nënvizoi se Shqipëria ka bërë përparime të mëdha drejt afrimit në BE dhe NATO.

Duke folur për përpjekjet e Maqedonisë në drejtim të integrimit në strukturat euro-atlantike…/Duke folur për përpjekjet e Maqedonisë drejt integrimit/për t’u integruar në strukturat euro-atlantike…

Prej disa vitesh, nuk është bërë asnjë hap në drejtim të zgjidhjes së këtij problemi./Prej disa vitesh, nuk është bërë asnjë hap drejt zgjidhjes së këtij problemi.

në raport me

Kjo shprehje parafoljore zakonisht e panevojshme mund të zëvendësohet me parafjalët e thjeshta ndaj, përballë, karshi, kundrejt, kundruall, përkundrejt, përkundruall ose me shprehjet parafjalore krahasuar me, në krahasim me; ose duke përdorur ndërtime sintaksore krahasore. Disa shembuj:

Sfidat që parashtohen nga kjo lojë e thjeshtë, por sidoqoftë komplekse, janë simbolike në raport me detyrën që kemi përpara./Sfidat që parashtohen nga kjo lojë e thjeshtë, por sidoqoftë komplekse, janë simbolike krahasuar me detyrën që kemi përpara.

Superfuqia e vetme demokratike botës, përmes vizitës së presidentit të saj në Shqipëri, vërtetoi pozitën e mirë të shqiptarëve në raport me botën./Superfuqia e vetme demokratike botës, përmes vizitës së presidentit të saj në Shqipëri, vërtetoi pozitën e mirë të shqiptarëve ndaj botës.

Kosova e ka fituar luftën në raport me Serbinë./Kosova e ka fituar luftën me Serbinë.

A mund të na thoni se si e shihni qenien tonë, pra popullin shqiptar në raport me tërë këtë amulli ngjarjesh në tërësi?/A mund të na thoni se si e shihni qenien tonë, pra popullin shqiptar përballë tërë kësaj amullie ngjarjesh në tërësi?

Njohësit e ekonomisë kanë vlerësuar dje se Kosova i ka mjaft të shtrenjta politikat investuese në raport me rajonin./Njohësit e ekonomisë kanë vlerësuar dje se Kosova i ka mjaft të shtrenjta politikat investuese në krahasim me rajonin./Njohësit e ekonomisë kanë vlerësuar dje se Kosova i ka politikat investuese më të shtrenjta sesa vendet e tjera të rajonit.

Ballkani është më i sigurt nga sa mendohej në raport me krimin global, por ndër vendet ballkanike Shqipëria është shteti që ka më shumë probleme./Ballkani është më i sigurt nga sa mendohej në krahasim me krimin global, por ndër vendet ballkanike Shqipëria është shteti që ka më shumë probleme.

Vendet anëtare të OSBE-së kanë përparuar në drejtim të respektimit të këtyre të drejtave në raport me një vit më parë./Vendet anëtare të OSBE-së kanë përparuar drejt respektimit të këtyre të drejtave në krahasim me një vit më parë.

Bashkimi Evropian e ka akuzuar Rusinë për qëndrim jokonstruktiv në raport me Kosovën./Bashkimi Evropian e ka akuzuar Rusinë për qëndrim jokonstruktiv ndaj me Kosovës.

Standardet janë parësore në raport me rezultatin./Standardet janë parësore ndaj rezultatit./Standardet janë parësore se rezultati.

Kështu, çmimi për familjarët është shumë më i ulët në raport me çmimet e larta që mbahen për konsumatorët jofamiljarë./Kështu, çmimi për familjarët është shumë më i ulët se çmimet e larta që mbahen për konsumatorët jofamiljarë.

Në raport me Shkodrën, Partia Demokratike ka shumë për të reflektuar. /Ndaj Shkodrës, Partia Demokratike ka shumë për të reflektuar.

Gjithashtu, edhe gjykatësi Ali Latifi ka qenë shumë korrekt në raport me aktivistët e Vetëvendosjes./Gjithashtu, edhe gjykatësi Ali Latifi ka qenë shumë korrekt me aktivistët e Vetëvendosjes.

Biseda me dyer të mbyllura për të qartësuar pozicionin e misionit EULEX në raport me UNMIK-un dhe Beogradin./Biseda me dyer të mbyllura për të qartësuar pozicionin e misionit EULEX përkundrejt UNMIK-ut dhe Beogradit.

në lidhje me

Kjo shprehje parafjalore shenjon raport të paqartë ose të zbehtë me objektin e veprimit paraprirës; rregullisht mund të zëvendësohet me parafjalë të thjeshta si për dhe ndaj, ose ndërtime me gjinore.

Çfarë thotë Bibla në lidhje me kumarin?/Çfarë thotë Bibla për kumarin?

Ky është kolekcioni i pyetjeve të parashtruara në lidhje me shërbimet tona./Ky është kolekcioni i pyetjeve të parashtruara ndaj shërbimeve tona.

Ky dokument parashtron shtatë nga çështjet me thelbësore në lidhje me të drejtat e njeriut./Ky dokument parashtron shtatë nga çështjet me thelbësore për të drejtat e njeriut.

Deri tani në lidhje me këtë nuk ka pasur një qëndrim të Brukselit zyrtar./Deri tani për këtë nuk ka pasur një qëndrim të Brukselit zyrtar.

Çfarë na mëson Bibla në lidhje me Trinitetin?/Çfarë na mëson Bibla për Trinitetin?

Një dialog në lidhje me Perëndinë e vërtetë./Një dialog për Perëndinë e vërtetë.

Një vështrim kritik në lidhje me gjendjen aktuale të sigurisë në Republikën e Kosovës./Një vështrim kritik i gjendjes aktuale të sigurisë në Republikën e Kosovës.

Çfarë thotë Bibla në lidhje me tatuazhet/shpimet në trup?/Çfarë thotë Bibla për tatuazhet/shpimet në trup?

Dijetari i famshëm musliman Fethullah Gylen, ka bërë një deklaratë në lidhje me komentet e ditëve të fundit të Papës./Dijetari i famshëm musliman Fethullah Gylen, ka bërë një deklaratë për komentet e ditëve të fundit të Papës.

Nqs. jeni në listën e pritjes dhe jeni të shqetësuar në lidhje me shëndetin tuaj, duhet të konsultoheni me doktorin privat të familjes./Nqs. jeni në listën e pritjes dhe jeni të shqetësuar për shëndetin tuaj, duhet të konsultoheni me doktorin privat të familjes.

në varësi (të)

Kjo shprehje parafjalore duket se po përdoret gjithnjë e më shpesh, e ndikuar nga anglishtja depending on. Në shumë kontekste, zëvendësohet lehtë me parafjalën e thjeshtë sipas. Disa shembuj:

Në varësi të temës më të rëndësishme të javës emisioni zhvillohet në studion e Top Channel në Tiranë./Sipas temës më të rëndësishme të javës, emisioni zhvillohet në studion e Top Channel në Tiranë.

Pabarazia në varësi të të ardhurave shfaqet pothuaj njëlloj si në shumë vende të tjera./Pabarazia sipas të ardhurave shfaqet pothuaj njëlloj si në shumë vende të tjera.

Renditja përfundimtare e kandidatëve në listën shumemërore të Partisë Aleanca Demokratike do të bëhet në varësi të numrit të votave./Renditja përfundimtare e kandidatëve në listën shumemërore të Partisë Aleanca Demokratike do të bëhet sipas numrit të votave.

Në varësi të shkallës së përhapjes tumoret mund të prihen dhe të hiqen gjatë operacioneve./Sipas shkallës së përhapjes tumoret mund të prihen dhe të hiqen gjatë operacioneve.

Ekziston një gamë e pafundme nuancash, që duhen zgjedhur në varësi të materialit dhe modelit, por edhe në varësi të ngjyrës së lëkurës dhe të flokëve./Ekziston një gamë e pafundme nuancash, që duhen zgjedhur sipas materialit dhe modelit, por edhe sipas ngjyrës së lëkurës dhe të flokëve.

Mjekimi bëhet në varësi të madhësisë, llojit, lokalizimit e thellësisë së kancerit./Mjekimi bëhet sipas madhësisë, llojit, lokalizimit e thellësisë së kancerit.

në pamundësi për

Kjo shprehje (të cilën po e fut në parafjaloret me marrëveshje, edhe pse kërkon zakonisht paskajoren e tipit për të punuar) ndeshet rëndom në fjali të paorganizuara dot mirë dhe mund të zëvendësohet me mënyra të ndryshme, sipas kontekstit: fjali të nënrenditura me folje ose pjesëza modale, përcjellore të tipit pa punuar, përcjellore mohore të tipit duke mos punuar, dhe mënyra të tjera edhe më specifike.

Muri i Shengenit është një problem serioz për qytetarët shqiptarë, sërish të izoluar dhe në pamundësi për të lëvizur të lirë./Muri i Shengenit është një problem serioz për qytetarët shqiptarë, sërish të izoluar dhe të privuar nga mundësia për të lëvizur të lirë/që nuk lëvizin dot të lirë.

Me zemër të dridhur, në pamundësi për të lëvizur për shkak të dritave që ikin, në pamundësi për të trokitur në derën e farmacisë për shkak të ilaçeve./Me zemër të dridhur, pa lëvizur dot për shkak të dritave që ikin, pa trokitur dot në derën e farmacisë për shkak të ilaçeve…

Në pamundësi për të qëndruar në gjyq i riu ka rënë në tokë pa ndjenja./Ngaqë nuk qëndronte dot në gjyq i riu ka rënë në tokë pa ndjenja.
Por një ditë siç isha në shtrat, në pamundësi për të punuar, fillova të reflektoja mbi jetën time./Por një ditë siç isha në shtrat, meqë nuk punoja dot, fillova të reflektoja mbi jetën time.

Kështu që, në pamundësi për të rezistuar më gjatë në fushë të hapur, së bashku me gardën e tij pretoriane, Genti u izolua brenda mureve të kryeqytetit./Kështu që, meqë nuk rezistonte dot/duke mos rezistuar dot më gjatë në fushë të hapur, së bashku me gardën e tij pretoriane, Genti u izolua brenda mureve të kryeqytetit.

Ai vetë në pamundësi për të marrë pjesë kishte dërguar njërën nga infermieret e ekipit./Meqë nuk merrte dot pjesë vetë, kishte dërguar njërën nga infermieret e ekipit.

Në pamundësi për të gjetur një zgjidhje është kërkuar ndihma e drejtësisë./Meqë s’po gjendet dot zgjidhje është kërkuar ndihma e drejtësisë.

Në pamundësi për të udhëtuar drejt Kosovës, ai i ka dërguar kosovarëve një letër përshëndetëse./Meqë s’ka mundur të udhëtojë drejt Kosovës, ai i ka dërguar kosovarëve një letër përshëndetëse.

Në pamundësi për të arritur sukses me metodën stimuluese hormonale, mund të përdoret fertilizimi in vitro./Kur nuk arrihet sukses me metodën stimuluese hormonale, mund të përdoret fertilizimi in vitro.

Në pamundësi për të verifikuar pretendimet e tyre, KSHH ka sinjalizuar Prokurorinë e rrethit gjyqësor përkatës./Meqë s’i ka verifikuar dot pretendimet e tyre, KSHH ka sinjalizuar Prokurorinë e rrethit gjyqësor përkatës.

Në pamundësi për të rritur fëmijën, por edhe për opinion, ajo e ka dorëzuar foshnjën e seksit mashkull me emrin Marko, në shtëpinë e fëmijës./Meqë s’i ka pasur mundësitë për të rritur fëmijën, por edhe për opinion, ajo e ka dorëzuar foshnjën e seksit mashkull me emrin Marko, në shtëpinë e fëmijës.

në mungesë (të)

Shprehja parafjalore në mungesë të është, në thelb, rezultati i emërzimit të një mohimi, siç rrjedh edhe nga vetë kuptimi i foljes mungoj dhe i emrit përkatës mungesë.

Për shembull, pak minuta para premierës së një koncerti recital, mësohet se pianisti që do të jepte koncertin është rrëzuar në vaskë të banjos dhe ka thyer kyçin e dorës. Meqë pianist nuk ka, atëherë koncerti anulohet. Një gazetë lokale do ta formulonte lajmin kështu: Në mungesë të pianistit, koncerti anulohet. Natyrisht, kjo është një rrugë shumë e tërthortë për të treguar se çfarë ndodhi, dhe lidhja midis dy gjymtyrëve të thënies mbetet e dobët. Gjithsesi, unë nuk kam ndeshur ndonjëherë ndonjë thënie që të mos përfitonte nga zëvendësimi i në mungesë (të) me diçka më të hijshme. Disa shembuj:

Mbahet në mungesë të Janullatosit lutja për çamët./Mbahet pa Janullatosin lutja për çamët.

Elektrik dore me energji diellore – përgjigja më e mirë në mungesë të dritave./Elektrik dore me energji diellore – përgjigja më e mirë kur mungojnë dritat.

Për dialektologjinë historike shqiptare thellimi në këtë drejtim paraqet, në mungesë të dokumenteve të shkruara, pasqyrën e gjendjes së shqipes në shek. XV./Për dialektologjinë historike shqiptare thellimi në këtë drejtim paraqet, sa kohë që mungojnë dokumentet e shkruara, pasqyrën e gjendjes së shqipes në shek. XV.

Ceka: Tryeza dështoi në mungesë të kandidatit konsensual./Ceka: Tryeza dështoi ngaqë mungoi kandidati konsensual./ Tryeza dështoi ngaqë nuk pati kandidat konsensual.

Në mungesë të mekanizmave të shtetit demokratik funksional, në Kosovë po zhvillohet një politikë e reduktimeve./Duke munguar mekanizmat e shtetit demokratik funksional, në Kosovë po zhvillohet një politikë e reduktimeve.

Në mungesë të një qendre përpunimi, fermerët janë të detyruar ta nxjerrin rakinë e verën në kushte tradicionale me kazan./Sa kohë që nuk ka një qendër përpunimi, fermerët janë të detyruar ta nxjerrin rakinë e verën në kushte tradicionale me kazan.

Lëvizja MJAFT është shprehur tashmë se ligji për legalizimin është hartuar në mungesë të plotë të një politike mbi problemin./Lëvizja MJAFT është shprehur tashmë se ligji për legalizimin është hartuar pa ekzistuar ndonjë politikë për problemin.

Në mungesë të aparaturave, ka pasur shumë raste që i kemi kthyer mbrapsht qytetarët./Meqë aparatura nuk ka, ka pasur shumë raste që i kemi kthyer mbrapsht qytetarët.

Natyrisht, në mungesë të organizimit publik të udhëtimeve, shqiptarët e kanë zgjidhur problemin me furgona e me “stacione të lëvizshme”./Natyrisht, kur mungon organizimi publik i udhëtimeve, shqiptarët e kanë zgjidhur problemin me furgona e me “stacione të lëvizshme”.

Bicaj ka pranuar se në mungesë të regjistrit nuk dihet numri i saktë i të sëmurëve me kancer./Bicaj ka pranuar se, ngaqë mungon regjistri, nuk dihet numri i saktë i të sëmurëve me kancer.

Në mungesë të kësaj hapësire, panairi ESAEXPO organizohet në hapësirat e Qendrës së Kulturës./Meqë një hapësirë e tillë nuk ekziston, panairi ESAEXPO organizohet në hapësirat e Qendrës së Kulturës.

Opozita, në mungesë të fakteve dhe argumenteve, i ka veshur pretendimet e veta me argumente boshe e gënjeshtra./Opozita, meqë nuk ka fakte dhe argumente, i ka veshur pretendimet e veta me argumente boshe e gënjeshtra.

Megjithatë ata shpreheshin se puna e tyre është një përpjekje për zgjidhjen e konflikteve në mungesë të funksionimit normal të shtetit dhe ligji./Megjithatë ata shpreheshin se puna e tyre është një përpjekje për zgjidhjen e konflikteve kur shteti dhe ligji nuk funksionojnë normalisht.

[vijon]

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin