NDIHMOJENI PODRIMEN

Si edhe herë të tjera, me rastin e vdekjes së poetit të dashur Ali Podrimja, politikanët po rendin të kapin mikrofonat dhe kamerat, që të luajnë rolet e paracaktuara në teatrin e dhimbjes publike.

Princ i poezisë së letrave shqipe,” e quajti poetin kryeministri shqiptar Sali Berisha.

Disa fjali të ministrit të Jashtëm të Kosovës Enver Hoxhaj kanë gjithë ditën që priten e përcillen faqeve të gazetave shqip online.

Tani, që është e shtunë mbrëma për mua, BalkanWeb i ka rreshtuar me radhë deklaratat e krerëve të institucioneve shtetërore dhe të kryepolitikanëve, nga të dy anët e kufirit.

Në fakt, duke u shqiptuar për Ali Podrimen, të gjithë të fortët e politikës shqiptare riprodhojnë dhe rikonfirmojnë pushtetin e tyre, pozicionin e tyre në hierarkitë e forcës dhe të ndikimit.

Nesër këtij kori kakofonik do t’i shtohen me siguri edhe plot të tjerë: krerë institucionesh fetare, OJQ-sh, përfaqësues të shoqërisë civile, të gruas dhe të rinisë sipas ngjyrave, përfaqësues të pakicave etnike, sportistë dhe balerina, kukulla rozë dhe fotozhenikë të tjerë me bollëk.

Kush do të guxojë të mos shqiptohet vallë e të mos i bashkohet korit?

Me shpresë se këtë thirrje timen, ose më mirë këtë lutje timen, do ta lexojnë miq e kolegë të mediave në Tiranë, në Prishtinë dhe gjetiu ku shkruhet shqipja, po u lutem këtyre që t’ia kursejnë publikut, këtë herë, dhimbjen butaforike dhe protokollare të politikës për një ngjarje që me politikën nuk ka lidhje.

Ali Podrimen le ta kujtojnë dhe ta vajtojnë, për të gjithë ne që e donim, kolegët e tij poetë, kritikët e studiuesit që janë marrë me veprën e tij, botuesit dhe mbështetësit; si edhe lexuesit e dashamirësit e shumtë, që ka pasur anembanë trevave të shqipes.

Politikanët do të bëjnë detyrën e tyre dhe do të shqiptohen në telegrame dhe deklarata, të cilat le të botohen në faqet zyrtare të institucioneve përkatëse.

Bëni edhe ju detyrën, miq të mi, dhe mbajini larg kravatat, përfituesit profesionistë dhe pozuesit prej dylli nga vdekja e një artisti.

Nga mënyra si sillen dhe flasin, nga gjestet dhe zakonet e vjetra dhe të reja, nga makutëria dhe ligësitë dredharake, politikanët shqiptarë sot, si klasë, nuk duken ta kenë lexuar Podrimen, as t’ia kenë përfillur shumë zërin, dëshirat dhe shpresat.

Këta njerëz që deri edhe Kushtetutën sot po e lëçisin me ngulm veç për t’ia gjetur anën si ta arnojnë e ta riqepin, xhaketë të kthyera mbrapsht për dimrat që afrohen; këta njerëz, pra, poezinë e mendojnë në trajta vargjesh rapsodike, që do t’u kushtohen dikur atyre, në mos sot, nesër (pallateve dhe bunkerëve të pushtetit ndër shqiptarë rapsodët s’u kanë munguar kurrë).

Prandaj mbrojeni Ali Podrimen nga ky karnaval nëse mundeni, të nderuar kolegë të mediave, nga këta zhonglerë funeralesh, zish kombëtare dhe ngushëllimesh për dhimbjet kolektive; gjithë duke ndihmuar edhe që mediat tuaja të mos shndërrohen në kopisteri për Zërin e Padronit.

Nuk ka komente

  1. Është poshtëruese kur politikanët marrin të vajtojnë shkrimtarë e artistë,ato që lexojnë para mikrofonit apo i deklarojnë shtypit,janë më fyrje se shprehje e dhimbjes.Është kjo antifisnike,andaj më mirë të heshtin, apo të dërgojnë telegram ngushllimi protokollar, asgjë më shumë.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin