THE SHOW MUST GO ON

Masakra në Aurora, Kolorado: Një farë James Holmes, i veshur si një prej heronjve të filmit, hyn i armatosur në një sallë ku po shfaqej premiera e “The Dark Knight Rises” dhe nis të shtjerë kuturu mbi spektatorët, duke vrarë 12 prej tyre dhe plagosur së paku 50.

Nuk po flas më tutje për absurditetin e kësaj masakre, as po cek temën e dhunës së skajshme në kinemanë komerciale amerikane dhe në videolojërat, që japin e marrin me këtë kinema, estetikën dhe etikën e saj.

Mes lajmeve të shumta, me të cilat mediat po mitralojnë publikun sot në mëngjes, më tërhoqën vëmendjen fjalët e disa spektatorëve në sallë: “i dëgjuam të shtënat, por kujtuam se vinin nga filmi, ishin pjesë e spektaklit.”

Nga njëra anë, teknologjia e efektit special dhe e shfaqjes në 3D e bën dhunën e ekranit gjithnjë e më reale, më të besueshme: gjymtyrë që shkëputen nga trupi, plumba që depërtojnë kafkat tejpërtej, sy të nxjerrë që lëvaren faqeve në fijet e nervit optik.

Nga ana tjetër, e njëjta teknologji na lejon tani ta mendojmë dhunën si diçka virtuale, që edhe ndodh para nesh, por që nuk na prek e nuk na përket; ose që mund ta shmangim me një të shtypur të butonit OFF.

Në një kulturë ku spektakli masiv themelohet mbi paraqitjen (representation) e qëllimshme të dhunës, edhe dhuna reale do të perceptohet, para së gjithash, si të ishte spektakël.

Këtë aspekt e plotësojnë për bukuri edhe masakrat e panumërta, të kryera në Afganistan dhe gjetiu, duke përdorur avionët pa pilot (drones), të cilët drejtohen prej zyrave mijëra kilometra larg, me teknika që deri dje i ndeshje vetëm në videolojërat; dhe ndonjëherë, kushedi për ç’arsye, qëllojnë me raketa gjithfarë dasmash dhe pleqnish.

Luftës ia ka zënë vendin vrasja e kulluar.

Përpjekjet e kinemasë dhe të industrisë së videolojërave për ta estetizuar dhunën dhe terrorin, ose të paktën për ta shndërruar në një formë të skajshme dëfrimi, të ngjashme me emocionet e forta të një hedhjeje nga avioni pa parashutë a të një udhëtimi me roller-coaster-in më të madh (më të pjerrët, më të shpejtë, më marramendës, më të kushtueshëm) në botë, kanë hyrë në garë dëshpërimtare me përpjekjet e terroristëve, të marrëve ose edhe shtatmadhorive të fuqive të mëdha, për ta rekuperuar dhunën nga virtualiteti, për t’ia kthyer atë realitetit – çka mund të arrihet vetëm nëpërmjet vdekjes.

Tipik edhe refuzimi i terroristëve për t’u identifikuar, ose për ta marrë përsipër krimin (si në atentatin e djeshëm kundër autobusit me hebrenj në Burgas); ose gatishmëria e zyrtarëve për t’i paraqitur masakrat ushtarake nga ajri si “gabime.”

Terrorit i kanë mbetur eksplicite vetëm kundrinat; meqë, sikurse na kujtojnë videolojërat hap pas hapi, kryefjala e terrorit je pikërisht TI.

Sa për filmin “The Dark Knight Rises”, tani publiku që tash e tutje do të dyndet për ta parë në sallë do të detyrohet t’u nënshtrohet kontrolleve të rrepta, si në aeroportet; teksa masakra e Aurorës njëfarësoj do të integrohet në fabul, për ta kombinuar virtualen me realen në një mënyrë të tillë që veç nëpërmjet dhunës dhe terrorit mund të realizohej.