SI TË MOS E PËRKTHESH MIRË NJË LIBËR SHKENCOR

(për termat në përkthimet në shqip)

nga Teuta Toska

Kërkimi shkencor është veprimtari e mendjes njerëzore dhe kjo mendje nuk mund të jetë vetëm e një njeriu në asnjë brezni dhe në asnjë komb. Përparimi në shkencë kërkon përpjekje të bashkërenduara dhe që duhet të vijnë së bashku njëherësh, në një kohë të caktuar, ose njëra pas tjetrës në kohë. Nga historia e shkencave mësojmë se thuajse të gjitha idetë që sollën kthesa të mëdha në mendimin njerëzor dhe në arritjet shkencore nuk ishin krejt të panjohura dhe zbulime kryekëput origjinale prej studiuesve të cilëve u njihet autorësia, dhe se shkëndijat e atyre ideve ishin dhënë shekuj përpara, ndoshta edhe mijëvjeçarë përpara. Për të përdorur një citim nga Bibla: “Ajo që ka qenë, është ajo që do të jetë; ajo që është bërë, është ajo që do të bëhet; nuk ka asnjë të re nën diell” (Predikuesi 1:9). Por ajo që e bën shkencën të përparojë dhe të ndryshojë e përmirësojë jetën njerëzore dhe organizimin e shoqërisë njerëzore është përpjekja e bashkërenduar e mendjeve më të afta në një etapë të caktuar të historisë njerëzore dhe po aq edhe mundësia që një brez tjetër pasardhës të mund të vijojë përpjekjet dhe kërkimin e nisur nga brezi paraardhës, për të depërtuar më thellë në shtegun e çelur, për të ndrequr gabimet, për të mbushur hendeqet, për të qartësuar mjegullnajat, për të verifikuar gjetjet, për t’u dhënë përgjigje pyetjeve të ngritura e për të ngritur të tjera, për të përmbushur projekte të lëna përgjysmë etj.

Përpjekja e bashkërenduar në kohë kërkon, më së pari, që mendjet që i përkushtohen zbulimit dhe prodhimit shkencor të përdorin të njëjtën “gjuhë”, pikëpamjet e tyre të kuptohen kështu plotësisht. E vërteta në shkencë, që duhet të përputhet me realitetin që po studiohet, përkthehet në kategori të njohjes e të mendimit shkencor. Këto kategori janë më së pari terma. Fjalën gjuhë pak më sipër e shkrova në thonjëza pikërisht sepse termat janë njësia bazë e gjuhës së shkencës. E citoj këtu edhe unë thënien e famshme të Volterit: “Para se të fillojmë diskutimin, le të sqarojmë termat”.

Termi shkencor për një fushë studimi u ngjan gurëve të vendosur në sipërfaqen e një lumi shtratgjerë, që nuk mund të kalohet dot në këmbë. Një gur e pastaj një gur tjetër, e kështu përparohet për të dalë matanë. Termi është themeli i formulimit të parashtrimit shkencor, të aksiomës, të teorive mbi të cilat ngrihet e gjithë ngrehina e një shkence. Termi është më konvencionali dhe arbitrari nga çdo element tjetër i gjuhës njerëzore, e me këtë kuptojmë se për atë që ai shënon në realitet ka një shpjegim edhe individual (i njihet një studiuesi krijimi i një termi), por kuptimi i tij është pranuar gjerësisht (kolektivisht) dhe mund të ndryshojë vetëm prej një shpjegimi tjetër të gjithëpranuar, fryt i një zbulimi të ri të ndonjë aspekti të panjohur të realitetit.

Nëse termat do të ishin të lirë si fjala (për të marrë kuptime të figurshme, për të qenë të shumëkuptimshëm, për të shënuar realitete krejt të përveçme a deri të parealitetshme si në poezi), atëherë kërkimi shkencor mbetet në vend. Depërtimi për më thellë ndërpritet dhe ti mbetesh i/e çoroditur në mes të shtratit të lumit. Duhet të kthehesh mbrapsht.

Kjo hyrje pak e gjatë e natyrës epistemike m’u bë e nevojshme për të përligjur një shqetësim që e kam prej kohësh me përkthimet e librave shkencorë sot në shqipe. Në bulbërimin e përkthimeve sot ai i librit shkencor është një dukuri, të them, jo fort e zakonshme. Librat shkencorë në fushë të gjuhësisë të përkthyer deri më sot numërohen me gishta. E besoj se duhet të jenë të tilla edhe në fusha të tjera të shkencave që po lëvrohen sot më së shumti në mjedisin universitar dhe shkencor në Shqipëri. Një nga treguesit se si është kërkimi shkencor sot në Shqipëri është edhe cilësia e përkthimeve shkencore që kemi. Gjithsesi, një pjesë e madhe e kërkuesve shkencorë lexojnë në anglisht, ku thuajse është përkthyer gjithçka që ka rëndësi për shkencat, mund të thotë dikush. Madje, në mjedisin universitar ka një presion për ta mënjanuar sa më shpejt edhe shkrimin shkencor në shqip. Që të afirmohesh, duhet të shkruash në anglisht. Por nevoja për përkthimin shkencor në shqip është e madhe për mjedisin universitar, por mbi të gjitha për zhvillimin e vetë shkencës në shoqërinë shqiptare. Dhe shkenca është mjeti më i rëndësishëm për shndërrimin shoqëror dhe përmirësimin e jetës, e shkruam këtë.

Përkthimi i librit shkencor në Shqipëri rëndom po shfaq probleme të gjuhës së shkencës, d.m.th. shfaq një mungesë të koherencës terminologjike. Ndryshe nga ç’ndodh me përkthimin letrar, ku përkthyesi tregon zotësi përmes ndryshueshmërisë e pasurisë së tij gjuhësore, në përkthimin shkencor zotësia e përkthyesit duket tek zotërimi i terminologjisë së fushës. Një përkthyes që përgatitet të përkthejë një libër shkencor, përpara duhet të bëjë gati një listë me termat e përdorur në atë tekst dhe të gjejë barasvlerësit në shqip. Këta barasvlerës nuk janë zgjedhje e tij, janë vendime kolektive të pranuara prej gjithë grupit të studiuesve të fushës, një grup real (ata që janë bashkëkohës me të dhe që kryejnë studime apo mësimdhënie akademike në atë fushë), por edhe virtual (të gjithë ata që kanë dhënë sadopak kontribut në atë fushë të caktuar në rrjedhë të kohërave). Saktësia dhe cilësia e përkthimit shkencor lidhet me këtë hap themeltar: dallimi i termave dhe gjetja e barasvlerësve të tyre në gjuhën ku po përkthen.

Në këtë pikë, përkthyesi i librit shkencor duhet të jetë edhe shkencëtar/studiues i fushës ose njohës shumë i mirë i saj, student i asaj fushe në të kaluarën. Përndryshe, i duhet të lexojë shumëçka është shkruar e përkthyer në atë fushë për të nxjerrë një përkthim të saktë që ndihmon shkencën dhe e bën kërkimin shkencor të përparojë.

Duke e ditur sa e rëndësishme është koherenca terminologjike në përkthim (përdorimi i të njëjtit term në diskurse të ndryshme), para disa vitesh ndërmorëm nismën në Elbasan të organizonim një konferencë shkencore për terminologjinë në shkencat e ligjërimit[1]. Atëherë ishim të bindur se, në dritën e fushave të reja të studimit gjuhësor në Shqipëri, përkthimeve vetjake (në kuadrin e ciklit të leksioneve universitare dhe parashtresave teorike në studime shkencore si dhe te disertacionet e monografitë shkencore) dhe nevojave të ngutshme për terma të rinj, ishte e domosdoshme që studiuesit të mblidheshin bashkë për të dëgjuar njëri-tjetrin për zgjedhjet gjuhësore terminologjike dhe kështu të krijohej ai konvencioni i domosdoshëm. Aspirata ishte të mund të organizohej periodikisht kjo konferencë, por universitetet dhe studiuesit sot në Shqipëri janë zhytur në turbullira ekzistenciale dhe energjia po shpenzohet në reforma e reformime statusesh universitare, që s’duket se do përfundojnë në brezin tonë, ndërsa konferencat shkencore priren të bëhen gjithnjë e më shumë përkujtimore shkencore.

Do të përmend në këtë shkrim 3 libra shkencorë të përkthyer në shqip në kohë të ndryshme, me të cilët jam ndeshur përgjatë punës sime kërkimore dhe universitare, për të treguar se sa pak mund të komunikojë me universitetin dhe studiuesin e fushës një tekst i përkthyer në pamje të parë mirë, por pa koherencë terminologjike, sa mund ta pështjellojë studiuesin dhe studentin teksti i përkthyer pa një redaktor/recensent/rishikues të përkthimit profesionist të fushës (teksti i parë dhe i dytë), dhe sa papërgjegjshmëri dhe mungesë respekti mund të tregojë një përkthyes dhe një shtëpi botuese ndaj lexuesve dhe gjithë historisë së Shqipërisë, duke u ofruar një tekst të përkthyer ndoshta nga një makinë dhe jo njeri (teksti i tretë).

I. Teksti i parë është “Shkencat e komunikimit: teori dhe arritje” i autorit Bruno Ollivier, përkthyer nga frëngjishtja nga Tomi Nakuçi[2]. Desha ta përgëzoj, fillimisht përzgjedhjen për ta përkthyer këtë tekst. Shkencat e komunikimit sot janë ndër më të zhvilluarat, me disiplina e nëndisiplina, me qasje të ndryshme teorike dhe, siç mund të imagjinohet, pak të studiuara në Shqipëri. Teksti i prof. Ollivierit synon një publik sa më të gjerë, i cili kërkon të njihet me këtë fushë studimi dhe është një hyrje shumë e mirë për studentë të këtyre shkencave dhe studiues të interesuar dhe që hulumtojnë në fusha që ceken me komunikimin. Pra, ai është i konceptuar si një hyrje panoramike në shkencat e komunikimit me disiplinat, fushat, problematikat dhe terrenet e studimit.

Siç mund të imagjinohet, baza e çdo studimi të komunikimit është studimi i gjuhës, pra gjuhësia, si një ndër studimet parake në kohë dhe më të përparuarit ndër shkencat shoqërore. Dhe baza nis me Sosyrin, themeluesin e gjuhësisë moderne, me ndikim në të gjitha shkencat shoqërore.

Një nga pikëpamjet qendrore të Sosyrit dhe që është tashmë aksiomatike për gjuhësinë dhe shkencat e tjera të komunikimit është koncepti i tij për gjuhën, për objektin e gjuhësisë. Ai ka dalluar 3 terma në këtë çështje: langage (ligjërimi), langue (gjuha) dhe parole (të folurit). Termat e tij në frëngjisht janë sjellë në gjuhë të ndryshme në mënyra të ndryshme, ndërsa në shqip, kur e studiojmë “Kursin e gjuhësisë së përgjithshme” të Sosyrit, përdorim kryesisht termat e përzgjedhur nga prof. Rexhep Ismajli në përkthimin e tij që në vitin 1977, e më pas në ribotimin e vitit 2002[3]. Sipas kësaj zgjedhjeje shkon edhe Ledi Shamku-Shkreli[4] në përkthimin e saj, të dytin për Sosyrin në shqip, të botuar po ashtu në 2002. Por në mësimdhënien universitare ne përdorim gjerësisht edhe dikotominë gjuhë/ligjërim (dhe jo gjuhë/të folur, si e kanë përdorur përkthyesit). Kështu e gjejmë në tekstin universitar “Hyrje në gjuhësi” i prof. Rami Memushajt dhe në “Hyrje në gjuhësinë e përgjithshme” të prof.Shezai Rrokajt. Pra, përkthehet “langage” me “të folurit” dhe “parole” me “ligjërim“. Gjithsesi, në “Fjalorin krahasues të termave të gjuhësisë (shqip-italisht-frëngjisht-anglisht)”, ku prof. Rrokaj është bashkautor me Giovanni Belluscio-n, pranohen që të dyja alternativat në përkthimin e “langage” dhe “parole” (shih zëri “të folurit” dhe “ligjërim“)[5].

Mirëpo përkthyesi i “Shkencave të komunikimit” përdor një zgjedhje tjetër gjuhësore. Po e citoj: “Kundërvënia e dytë themelore është ajo që vendos Sosyri ndërmjet gjuhës dhe fjalës[6]” (theksimi im, TT). “Fjala” është dhënë për “parole“, me një përkthim që duket i saktë për amatorin, por krejt i pasaktë për studiuesin e fushës. Këtu më vjen çudi edhe për faktin se të gjitha citimet nga ” Kursi i gjuhësisë së përgjithshme” (kujtoj, me dy përkthime në shqip prej ekspertësh që në 2002) autori i ka bërë vetë, duke e rritur nivelin e qortueshmërisë së përzgjedhjeve terminologjike. Si mund të përkthesh vetë pjesë të një teksti të përkthyer tashmë shqip? Kjo mungesë e komunikimit mes përkthyesve dhe teksteve të përkthyera në shqip, veçanërisht pas viteve ’90, më trishton. Duket se gjithkush përkthen sikur të jetë Vangjel Meksi, i cili përktheu i pari në shqip një libër të Dhiatës së Re (Ungjillin sipas Mateut) në vitin 1819. Përkthyesi e ka për detyrë të vëzhgojë punën e të tjerëve përpara tij në kohë me atë tekst apo pjesë të tekstit. E gjithë cilësia e përkthimit shkencor varet prej marrëdhënieve me tekstet e tjera të fushës.

Përzgjedhja e pasaktë e termit “parole” në shqip e ka detyruar përkthyesin të vijë në përkthime absurde nga ana shkencore. Pak më poshtë lexojmë: “Analiza gjuhësore bën të mundur që nëpërmjet vëzhgimit të prodhimeve të fjalës, të ndërtohet një model abstrakt për shpjegimin e gjuhës. Në mënyrë të anasjelltë, njohja e sistemit të gjuhës, bën të mundur të kuptohet se si funksionon fjala në punën e saj të përditshme të prodhimit[7]“. Lexuesi mund të pyesë: cila është puna e përditshme prodhuese e fjalës? Si mund të ndërtohet një model për shpjegimin e gjuhës prej vetëm një njësie gjuhësore, si fjala? Po njësitë e tjera të sistemit: fonemat, morfemat, sintagmat etj.? Një përkthim i saktë i mundshëm duhej të ishte: “ Analiza gjuhësore bën të mundur që nëpërmjet vëzhgimit të prodhimeve të ligjërimit [të të folurit], të ndërtohet…  Në mënyrë të anasjelltë, njohja e sistemit të gjuhës, bën të mundur të kuptohet se si funksionon ligjërimi [a të folurit] në përditshmërinë e realizimit/prodhimit të tij.”

Mungesa e koherencës me tekstet e tjera të fushës dhe mosrespektimi i konvencionit terminologjik ka krijuar probleme në të kuptuarit e tekstit. Por jo vetëm kaq. Tek fjalia e sipërcituar ku përmendet kundërvënia gjuhë/fjalë, përkthyesi ka vendosur asterisk (*) mbi secilën prej fjalëve të përmendur, gjë që na tregon se termat shpjegohen nga prof. Ollivier në fund të librit. Pra, libri shoqërohet nga një Fjalorth terminologjik, i cili për lexuesin dhe studiuesin është shumë i rëndësishëm. Por përkthimi i Fjalorthit shfaq dy probleme:

1. Në origjinal termat janë renditur në rend alfabetik, por në shqip nuk janë kështu. Rendi i termave ruan origjinalin, por lexuesi shqiptar nuk ndihmohet fare, sepse në shqip nuk e ka më këtë rend. Do të kishte mjaftuar një komandë e thjeshtë kompjuterike për ta kthyer fjalorthin në rendin e duhur. Lexuesi duhet të dijë a të marrë me mend si është termi në frëngjisht për ta gjetur shpjegimin përkatës. Ja një shembull me termat nga fillimi (aktant, akt ligjërimi, aktor, ndihmës (nga aider në frëngjisht), agenda setting, tjetërsim (nga alteration), analogjik etj., e kështu me radhë. Pra, termat “ndihmës” dhe “tjetërsim” nuk janë sipas rendit alfabetik në shqip dhe e pështjellojnë lexuesin që parakuptohet se nuk di frëngjisht (se po të dinte, e lexonte veprën në origjinal).

2. Problemi i dytë, më seriozi, është se kur kërkon në Fjalorth termin “fjala”, që i përgjigjet, sipas përkthyesit, “parole” (dhe ne e kërkojmë te lista e fjalëve me P), përkthimi i këtij termi na del “të folurit”. Përkthyesi jo vetëm s’ka koherencë me tekstet e tjera të fushës para përkthimit të vet, por s’ka koherencë as me zgjedhjen e vet. Në fillim e përkthen “parole” me “fjala” e më pas “të folurit”.

Këtu vijmë te një rregull tjetër i përkthimit të librit shkencor: nuk lejohet sinonimia në terminologji. Termi do përkthyer vetëm në një strukturë gjuhësore (fjalë ose sintagmë) fillimefund përkthimit dhe vetëm në një. Nëse me mungesën e koherencës me tekstet përpara në kohë përkthimi nuk sjell ndonjë ndihmesë, por na lë vetëm në mes të lumit të rrëmbyer të mendimit shkencor, me mungesën e koherencës brenda tekstit e bën reflektimin dhe arsyetimin shkencor të autorit të pakuptueshëm.

Përkthyesi duket sikur nuk i ka lexuar përkthimet e gjuhësisë në shqip, nuk ka studiuar për gjuhë a gjuhësi në universitetet shqiptare, përndryshe përkthimin e termave sosyrianë do ta kishte të ngulitur në kokë, sa kohë që janë një “refren” që përsëritet në të gjitha vitet e studimit universitar, në shumë kurse universitare dhe nga shumë profesorë të fushës. Më duket e papranueshme që të mos përdoret një tekst i domosdoshëm për përkthimin shkencor në gjuhësi, si “Fjalori krahasues i termave të gjuhësisë”, i autorëve Belluscio dhe Rrokaj dhe një nga nxitjet e mia për këtë shkrim ishte se do të doja që përkthyesit e kësaj fushe në të ardhmen të mos stërmundohen për gjetje termash në shqip kur ndërkohë ekspertët e fushës e kanë kaluar me sukses këtë sprovë me këtë botim të vlefshëm. Shpresoj shumë që profesorët që ligjërojnë lëndët e gjuhësisë së përgjithshme, gjuhësisë teorike, hyrjes në gjuhësi në departamentet e gjuhësisë dhe të gjuhëve të huaja në Shqipëri e Kosovë ta dinë se tashmë që prej vitit 1977 tre termat sosyrianë përkthehen kështu në shqip: “langage” – ligjërimi/të folurit; “langue” – gjuha dhe “parole” – të folurit/ligjërimi.

Desha të shtoj se, pavarësisht nga ky kaos që krijohet me termat bazikë të fushës së gjuhësisë në shqip, leximin e vijova edhe më tej dhe kam lexuar kapituj të një qartësie të mirë, por kryesisht për fusha dhe terrene fillestare në studimet shkencore te ne (semiologjia e imazhit të palëvizshëm, komunikimi brenda grupeve, globalizimi i rrjeteve etj.). Dhe shpresoj, nga ana tjetër, që përkthyesit e tjerë të librave shkencorë në studimet e komunikimit të mund t’i referohen këtij libri për disa zgjedhje terminologjike fillestare, që duken të mira, edhe sepse kanë qenë të parat. Në fushë të përkthimit shkencor është mirë të përdoret zgjedhja e përkthyesit të parë, kur ajo është e saktë, sigurisht.

II. Në vitin 2006 u përkthye në shqip një nga veprat më të cituara në fushë të traduktologjisë, gjithashtu edhe në artikujt për përkthimin në shqipe: “Të thuash gati të njëjtën gjë: përvoja përkthimi[8] të Umberto Eco-s. Nuk besoj se ka ndonjë përkthyes në shqip që nuk e ka lexuar veprën në shqip ose në gjuhë të huaj të autorit më të rëndësishëm të shek.XX në fushë të studimeve semiotike, të shkencave të komunikimit, studimeve kulturore, dhe njërit prej shkrimtarëve më të përkthyer në botë dhe në gjuhën shqipe. Dhe teksti është bazik për studentët që e kanë përkthimin dhe marrëdhëniet mes shqipes e përkthimit objektin e studimeve të tyre universitare.

Në të gjithë kapitujt analizohen çështje që lidhen me elementet gjuhësore të tekstit, nga pikëpamja e shprehjes gjuhësore, që Eco e quan me termin “manifestazione lineare”, e përkthyer në shqip si “shfaqja lineare”, ajo që ne e njohim nga stilistika e shqipes si “organizimi parësor gjuhësor”. Por veçanërisht te kapitujt e parë, siç është e kuptueshme, analiza përkthimore mbështetet mbi dijen gjuhësore. Është e natyrshme që një fushë e re si përkthimologjia të ndërtohet mbi teori të suksesshme gjuhësore dhe perspektiva shkencore të sigurta. Kështu, Eco i referohet gjuhëtarit Louis Hjelmslev për konceptimin e gjuhës dhe, sipas Ecos edhe të çdo sistemi semiotik. Që ta bëj të qartë mendimin e Hjelmslevit për gjuhën, po citoj nga “Hyrje në gjuhësi” e autorit Rami Memushaj (botimi i parë 2002, po nga shtëpia botuese “Dituria”): “Këto dy koncepte (formë dhe substancë të Sosyrit, shënimi im, TT) u morën nga gjuhëtari danez Lui Hjelmslev, i cili nga gërshetimi i planit të shprehjes dhe i planit të përmbajtjes me substancën dhe formën, arriti në një ndarje katërshe, duke dalluar te çdonjëri nga këto plane substancën dhe formën. Si rrjedhim, kemi katër koncepte: më një anë, substancën e shprehjes dhe formën e shprehjes; më anë tjetër, substancën e përmbajtjes dhe formën e përmbajtjes.[9]” I kam theksuar me shkronja të trasha termat në diskutim.

Përcaktuar që më 2002 se si mund të përkthehej koncepti i Hjelmslevit për gjuhën, është shumë e rëndësishme t’i qëndrohet kësaj paradigme, në mënyrë që duke shkuar më tej me njohjen shkencore, të mos mbetesh në udhëkryq dhe pa drejtim, si ka ndodhur me përkthimin e Ecos në shqip të këtyre termave. Citoj: “Në ç’kuptim një gjuhë shpreh një këndvështrim të vetin për botën, shpjegohet fare qartë nga semiotika e Hjelmslev-it (1943). Për Hjelmslev-in një gjuhë (e në përgjithësi çdo sistem semiotik) ka një rrafsh të shprehjes dhe një rrafsh të përmbajtjes, që përfaqëson universin e koncepteve që mund të shprehen nga ajo gjuhë. Çdonjëri prej dy rrafsheve përbëhet nga forma e përmbajtja dhe të dy janë rezultat i copëzimit të një kontinuum apo lënde para-gjuhësore[10].” (Sic!) Nga nënvizimi im, mund të kuptoni zgjedhjen e gabuar për termin “substancë” (sostanza në italisht): nga 4 terma të origjinalit dhe të konceptit teorik të Hjelmslevit, përkthyesja sjell në shqip 3 dhe “përmbajtja” shënon dy realitete teorike.

Ja ku na del edhe një rregull tjetër për përkthimin e termave: termat nuk janë polisemikë, por monosemikë. Një term ka vetëm një kuptim dhe polisemia shkakton pështjellim. Përkthyesja nuk ka pasur koherencë as me botimin e prof.Memushajt (e çuditshme se si nuk komunikojnë mes njëri-tjetrit as përkthimet e së njëjtës shtëpi botuese) dhe as me vetveten. Pak më tej, në kapitullin “Tekste si substanca”, e ka përkthyer “substancën e shprehjes” të Hjelmslevit me “shprehje lëndore[11]“. Tërësia e termave të një teksti përbën një strukturë më vete, një nivel tjetër të leximit analitik të tij dhe paradigma e termave të një libri shkencor dhe të një teksti të përkthyer shkon përtej përkthimit të termit brenda fjalisë ku gjendet apo paragrafit.

III. Leximi i “Paris 1919: gjashtë muaj që ndryshuan botën[12] është një nga përvojat më të këndshme që kam pasur si lexues, por edhe më zhgënjyeset. Rrëfimi i historisë prej autores, prof. Margaret MacMillan, është gjithë ngjyra, faktet historike përshkruhen me saktësinë e historianes dhe emocionin dramatik të një shkrimtareje. Përdorimi i burimeve të shumta historike e kanë çuar jo vetëm në shkrimin e historisë së 6 muajve vendimtarë të vitit 1919, por edhe në krijimin e atmosferës shpirtërore të individëve, aktorë të fuqishëm të politikës botërore, por edhe për grupet njerëzore etnike, pakica, kombe në luftë për mbijetesë, qytete me fate në dyshim, shtete në shpërbërje etj.

Leximi i librit të mbush me kënaqësinë e rrëfimit thuajse shterues të historisë, zbulimit të anës njerëzore të shtetarëve të mëdhenj dhe politikanëve me ndikim global deri nga mesi i tij. Me fillimin e pjesës së gjashtë duket se teksti e humbet melodinë e origjinalit, ngjyrat fillojnë e bëhen të turbullta, fjalitë nuk e respektojnë dhe aq sintaksën e shqipes dhe gabimet drejtshkrimore vërshojnë faqe pas faqeje edhe më të shumta. Kapitulli për Italinë (22. “Italia largohet”) duket sikur jo vetëm nuk është redaktuar, por i është lënë në dorë një përkthyesi jo të zot dhe/ose të dërrmuar nga puna e mundimshme e përkthimit të një teksti aq të vëllimshëm (630 faqe, me shkronja më të vogla se tekstet e tjera, ndoshta masa 10 ose 9 dhe me një gjatësi të letrës më të madhe). Nga faqja 320 e, të themi, deri në fund kemi një stil tjetër përkthimi. Në fakt, nuk di sa mund të quhet stil. Mendoj se është dora e parë e përkthyesit, drafti i parë, mbi të cilin duhej punuar ende, mirëpo, kushedi, kërkesa për ta botuar sa më parë, padurimi për ta parë të botuar, ndonjë afat për shkak të ndonjë përvjetori të ngjarjes e ka lënë punën të papërfunduar. Shkurt, botimi në shqip i gjysmës së kësaj kryevepre të historiografisë botërore nuk na nderon edhe aq.

Ishte viti 2020 kur e lexova këtë libër që më magjepsi, për disa arsye. Shkruaja librin për Parashqevi Qiriazin dhe jetoja me të edhe unë në Paris në vitin 1919 dhe mund të them se leximi i atyre kapitujve të mrekullueshëm të librit të zonjës MacMillan më ndihmuan në zbërthimin e shumë ngjarjeve të përmendura fare shkurt në ditar prej Parashqevisë. Kur kalova te kapitujt për Italinë, për Japoninë, Kinën, Greqinë, Perandorinë Osmane, leximi m’u bë i mundimshëm. Nuk mund ta lëshoja nga dora për shkak të projektit studimor, por leximi e humbi emocionin dhe u bë edhe një përpjekje për të deshifruar faktin historik për atë që ishte.

Po jap vetëm nja dy shembuj nga ato faqe ku mendoj se kemi një punë të lënë përgjysmë apo të saponisur.

«Në Dhjetor 1918, pas takimeve të Aleatëve në Londër, Orlando dhe Sonnino kishin udhëtuar në Paris me Klemensonë. “Ne nuk i pamë ato asnjë moment gjatë gjithë ditës”, raportonte ndihmësi i Klemensosë,” dhe ne Gare du Nord, ata u zhdukën pa u takuar me Klemensonë, i cili nuk qe jo vetëm krejtësishtë i habitur, por edhe i ofenduar.” Klemenso kishte një rrespekt te pavullnetshëm për Sonninon, por fare pak për atë që thoshte Orlando; “gjishçka për të gjithë, tepër Italiane[13] (Sic!)

Citimi është riprodhuar pikë për pikë siç është në tekst dhe imagjinoni pak sikur të duhet ta citosh diku në një artikull këtë paragraf. Për shembull, i shkruar kështu, një lexues mendon se Orlando dhe Sonnino ishin dy zonja (“ne nuk i pamë ato…”), kur në fakt po flitet për Sidney Sonnino, i cili në 1919 ishte ministër i Jashtëm i Italisë, dhe për Vittorio Emanuele Orlandon, kryedelegatin italian. Gabime të tjera gjithfarësh mund të dallohen lehtë.

Së fundi, në Nëntor 1920, Italia dhe Yugosllavia menaxhuan të gjitha urrejtjet për të arritur një marrëveshje. Një qeveri e re italiane (Nitti kishte rënë në Qershor) nën realistin e vjetër e të ashpër Xhovani Xhioliti donte të vendoste rendin në shtëpi dhe ta nxirrte vendin nga aventurat e huaja të rrezikshme. Italia i hodhi trupat jashtë në Shqipëri, e cila nxiti ngritjen e tensioneve me jugosllavët. Për pjesën e vetë, qeverisë së Beogradit i nevojitej të ringjallte tregtinë me Jugosllavinë, diçka që nuk do të mund të behej përsa kohë që italianët vazhdonin të ishin pengues ne portet e Adriatikut. Kur zgjedhjiet presidenciale të nëntorit në ShBA vunë në Shtepinë e Bardhë një republikan, jugosllavët lëshuan çdo shpresë për ndonje mbrekulli për një ndërhyrie amerikane. Pak më pas delegatët italianë dhe jugosllavë u takuan në Rapallo dhe një botë e habitur mësoi se ishte nenshkruar një trakatat, në të cilin ishin fiksuar kufijtë mes dy vendeve të tyre. Italia fitoi në të vërtetë të gjithë gadishullin istrian, Zadarin (i vetmi qytet me shumicë italiane në brigjet dalmate) dhe pak ishuj të vegjël por të parëndësishe në Adriatik. Jugosllavia mori pjesën e mbetur, ndërsa Fiume u bë një shtet i lirë i lidhur me Italinë me një rrip toke.[14]” (Sic!)

Nëse mendoni se e kam tepruar me gabimet, mund të shihni fotografitë e këtyre faqeve dhe mund të lexoni më shumë sesa paragrafët që kam rishkruar, për të kuptuar cilësinë e përkthimit, theksoj, në gjysmën e dytë të  librit. Sa për gjysmën e parë, më duhet të ripohoj që leximi është vërtet një kënaqësi e pashoqe dhe libri meriton të ketë një vend në bibliotekën e çdo njeriu që i intereson historia e botës në shek.XX, qoftë edhe për gjysmën e vet aq cilësore.

Në përfundim dua të shpreh se lexuesi shqiptar ka të drejtë të ketë përkthime cilësore dhe të sakta në bibliotekën e vet, studenti shqiptar ka të drejtë të formohet si duhet nga pikëpamja shkencore dhe të përparojë në udhë të sigurt në dije, studiuesit e fushës duhet të kenë një gjuhë të vetën të përbashkët të komunikimit shkencor. Këto parime të tregut të dijes kërkojnë përkthime të cilat e çojnë më tej punën e studiuesve dhe përkthyesve pararendës në kohë, mbështeten në shpatullat e tyre për të parë më mirë dhe më thellë në misteret e natyrës dhe të jetës njerëzore, që shkenca përpiqet të na i zbulojë.

 

© 2023 Teuta Toska. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

 

[1] Konferenca shkencore ndërkombëtare “Terminologjia në shkencat e ligjërimit”, organizuar nga Universiteti i Elbasanit, Fakulteti i Shkencave Humane, në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, Fakulteti Histori-Filologji dhe Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Filologjisë, mbajtur më 13 mars 2012, në Elbasan, dhe aktet e kësaj konference u botuan 2 vjet më vonë, ISBN 978-9928-115-35-5.
[2] Bruno Ollivier, “Shkencat e komunikimit: teori dhe arritje”, “Papirus”, 2015, 296 f., përkthyes Tomi Nakuçi, redaktor Lorena Dedja.
[3] Ferdinand de Saussure, “Kurs i gjuhësisë së përgjithshme”, përktheu dhe pajisi me një hyrje prof.dr. Rexhep Ismajli, “Dituria”, 2002 (botim i dytë i rishikuar, botimi i parë në 1977).
[4] Ferdinand de Saussure, ” Kurs i gjuhësisë së përgjithshme “, përktheu nga origjinali Ledi Shamku-Shkreli, me një fjalor të gjuhësisë saussuriane, portret të autorit dhe analizë të veprës nga Ardian Klosi, K&B ShLK, 2002.
[5] Giovanni Belluscio, Shezai Rrokaj, “Fjalori krahasues i termave të gjuhësisë” (shqip-italisht-frëngjisht-anglisht), “Arbëria”, Arcavacata di Rende, Tiranë, 2011.
[6] Bruno Ollivier, vep.cit., f.16.
[7] Po ai, po aty.
[8] Umberto Eco, “Të thuash gati të njëjtën gjë: përvoja përkthimi”, shtëpia botuese “Dituria”, Tiranë, 2006, 413 f., përkthyer nga Mariana Ymeri (kapitujt 7-14) dhe Alketa Ylli (kapitujt 1-6), me redaktorë Mariana Ymeri dhe Mimoza Gjika.
[9] Rami Memushaj,”Hyrje në gjuhësi”, Toena, 2012, f.31.
[10]U.Eco, vep.cit., f.41.
[11] U.Eco, f.52.
[12] Margaret Macmillan, “Paris 1919: gjashtë muaj që ndryshuan botën”, “Plejad”, 2006, 631 f., përkthyer nga Fatmir Xharri dhe Myrtezan Shini (pa redaktorë).
[13] Margaret Macmillan, vep.cit., f.347.
[14] Po aty, f.363.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin