NJË STREHËZ PËR ALBANOLOGJINË

nga Ledio Hala

Në periudhën 15-26 gusht Prishtina gjëlliu sërish nga studiues e studentë, shqiptarë e të huaj, të cilët i bashkoi një qëllim: gjuha, kultura dhe letërsia shqipe. Seminari ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare, kremtoi kësaj radhe të 40-in vit, e megjithatë duket se kjo ngjarje madhore dhe e rëndësishme për Albanologjinë tërhoqi pak ose aspak vëmendjen e medias shqiptare (asaj në Shqipëri). Këtu nuk kemi të bëjmë aspak me neglizhencë apo mos dijeni, duke marrë parasysh faktin që kohët e fundit dyert e disa mediave (pa dashur të përgjithësoj) janë hapur për akademinë alternative, thënë ndryshe për diletantizmin që kërkon pareshtur të zërë vend në studimet albanologjike, kryesisht në ato mbi etimologjinë. Prandaj me anë të këtij shkrimi do të mundohem që në mënyrë të thukët të them dy fjalë rreth asaj që pashë, dëgjova e mësova në seminarin e këtij viti, që të paktën mendimi shkencor albanologjik të zërë vendin e tij e të promovohet për publikun e interesuar, ashtu si e meriton (pa dashur të sfidojë mendimin diletantesk albanologjik që ka triumfuar tashmë në media).

Tri shtyllat e seminarit, ashtu si çdo vit ishin mësimi i shqipes për studentët e huaj, ligjërata nga profesorë e studiues shqiptarë e të huaj, si dhe kumtesat/referatet shkencore.

Shtylla I: Mësimi i shqipes për të huajt

Rreth 100 studentë e studiues nga katedrat e Albanologjisë dhe Ballkanologjisë (përmendim këtu Bullgarinë, Poloninë, Italinë, Serbinë, Austrinë etj.) si dhe një grup i madh (rreth 20 vetë) studentësh gjermanë morën pjesë në një nga tri nivelet e ofruara të gjuhës shqipe. Për disa prej tyre ishte kontakti i parë me gjuhën shqipe, e për disa të tjerë dobia e përvitshme për të komunikuar në shqip, për të praktikuar shqipen e folur, gjë të cilën nuk mund ta realizojnë aq shpesh në vendet e tyre. Rëndësia e kurseve të shqipes është e trefishtë:

  1. a) ndihmon studentët të kenë kontakt me komilitonët e tyre në botë që ndajnë të njëjtat interesa;
  2. b) ndihmon promovimin e shqipes si gjuhë e sprachbundit të Ballkanit, duke nxitur kësisoj interesin e studentëve të Ballkanistikës. Psh. po përmend këtu studentin polak Kamil Ptasiński, i cili fushë studimi ka Ballkanologjinë dhe deri më tani ka studiuar vetëm gjuhët sllave të Ballkanit. Gjatë seminarit ai mundi të kryente nivelin e parë të shqipes e të njihej me një gjuhë e cila potencialisht mund të përfshihet në studimet e tij të mëtejshme. E njëjta situatë edhe për studentin austriak Jakob Lidauer, i cili studion për Sllavistikë, por që ndjek seminarin e Prishtinës që prej tri vitesh, si mundësia më e mirë, për të mësuar e praktikuar shqipen;
  3. c) mundësohet njohja me kulturën, traditat dhe të kaluarën e Kosovës, qoftë përmes vizitave në muze (këtë vit edhe te Manifesta), qoftë përmes ekskursioneve (këtë vit në Gjakovë e Prizren).

Shtylla II: Ligjëratat

Këtë vit u mbajtën ligjërata shumë interesante, me qasje dhe perspektiva të reja studimore nga studiues në institucione shkencore shqiptare e jashtë vendit. Këtu vlen të përmendim ligjëratën tepër interesante të Prof. Eda Derhemit mbi globalizimin dhe kushtet e komunitetit folës, nga e cila të gjithë mësuam shumë rreth situatës gjuhësore të komuniteteve arvanitase në Greqi; ligjëratën e Prof. Ekaterina Tarpomanova mbi shënjuesin e diskursit “hajde” në shqip, në kontekstin e Ballkanit; ligjëratën e Prof. Giuseppina Turanos mbi arbërishten në kontakt me italishten; atë të Prof. Irena Sawickës mbi rrokjen në gjuhën shqipe e sigurisht qasjen e re kroslinguistike që Prof. Rrahman Paçarizi sugjeron për kompozimin si mënyrë të fjalëformimit.

Një aspekt tepër i rëndësishëm për t’u përmendur është se Seminari planifikoi e mundësoi diskutimet pas çdo ligjërate e kumtese. Kësisoj, si rrallëherë në konferenca e organizime shkencore të kësaj natyre, pati shkëmbime e përplasje idesh, mosdakordësi, pyetje e përgjigje, të cilat jo vetëm sqaruan më mirë tematikat përkatëse por mundësuan reflektimin mbi atë çka u tha e mbi mënyrën se si u tha.

Shtylla III: Referatet shkencore

Njësoj si te ligjëratat, kishte kumtesa shumë të mira dhe me kontribut cilësor në Albanologji. I pari që do të përmend këtu është studiuesi polak Marek Majer (doktoruar në Harvard), i cili vjen me një etimologji ndryshe të fjalës “kot” në gjuhën shqipe. Nga tryeza e doktorantëve, ku referova dhe vetë, më la mbresa të veçanta kumtesa e koleges time Magdalena Dimitrovës, doktorante në Universitetin e Sofjes, e cila po merret me lidhjet semantike të emërtimeve të kafshëve në gjuhët ballkanike.

Mund të përmend edhe shumë emra të tjerë, të cilët sollën kontribute vërtet serioze, por më duket më e dobishme që t’i rikthehem edhe njëherë marrëdhënies së medias në Shqipëri lidhur me një (me plot gojën) Institucion të përvitshëm si Seminari i Prishtinës.

Ndërkohë që mediat në Kosovë kanë qenë të interesuara dhe kanë ardhur thuajse çdo ditë për të ndjekur punimet e Seminarit, çfarë ndodh me median në Shqipëri? Sa priren studiuesit në Shqipëri që të promovojnë ngjarje të tilla? Seminari realizohet si rrjedhojë e një bashkëpunimi mes Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Tiranës, por edhe sikur të realizohej vetëm nga Prishtina, a kemi arritur në pikën që të kuptojmë e ndërgjegjësohemi që ka Albanologji edhe jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë?

Seminari këtë vit mblodhi bashkë plot 180 të interesuar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare, disa prej të cilëve nisën të bisedonin mbi mundësitë e bashkëpunimeve, mbi perspektivat që do të ketë Albanologjia në të ardhmen, mbi çka duhet bërë më shumë që ta mbajmë gjallë këtë fushë studimesh. Ndër këto të interesuar, pjesa më e madhe ishin të rinj e të reja, plot energji dhe ide, të cilët nesër do të jenë shpresa dhe e ardhmja e studimeve shqiptare.

Por, cili është hapi tjetër që do të rehabilitonte këto zhvillime studimore në mënyrë serioze, sa për të mbytur të gjitha arradhat diletante që kudo (jo vetëm në media) flasin në emër të Albanologjisë apo etimologjisë?

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin