MILO TEMESVAR

Ho vissuto tutta la vita con Milo Temesvar,
Umberto Eco, Non sperate di liberarvi dei libri


Milo Temesvar
-it për herë të parë i del emri te një ese e Umberto Eco-s, me titull “Da Pathmos a Salamanca” (të botuar në përmbledhjen Apocalittici e Integrati, 1964), ku na përshkruhet si “inteligjencë e çrregullt, shqetësuese dhe e paparashikueshme”. Gjatë një periudhe të shkurtër qëndrimi në Argjentinë, thotë Eco-ja, ky zotëri iu imponua vëmendjes së studiuesve me një ese për Burimet bibliografike të J.L. Borges-it, e cila u prit jo pa interes, por pastaj u hodh poshtë nga një pamflet anonim, me titullin Rreth përdorimit të pasqyrave në lojën e shahut, autori i së cilës nuk ish tjetër veçse i njëjti Temesvar.

Po ç’të ishte ky Temesvar-i vallë? Një shqiptar, shkruan Eco-ja, që kish ikur nga atdheu, pasi e kishin akuzuar për deviacionizëm të majtë, për të gjetur strehë në Bashkimin Sovjetik, ku ish marrë me kërkime për makinat inteligjente, duke u përpjekur të reduktojë – përmes analizash informacionale – vlerat poetike në qarqe logjike të riprodhueshme nga një tru elektronik i udhëzuar si duhet. Kish botuar edhe një ese për Akademinë Sovjetike të Shkencave, me titullin Verifikimi si falsifikim i hipotezës. Pasi kish emigruar në SHBA, kish punuar ca kohë lektor i gjuhëve sllave pranë Rutgers University, dhe para se të ikte edhe nga ai vend (me gjasë, pas presionesh nga F.B.I.-ja), pat gjetur kohë të botonte pranë SevenTypes Press një ese tejet origjinale, irrituesee dhe provokatore, me titullin The Pathmos Sellers, që mund të përkthehet Shitësit e apokalipsit.

Eco-ja ia bën një përmbledhje të gjatë këtij teksti, nga e cila po citojmë vetëm atë që shitësit e apokalipsit janë ata intelektualë që, të mbetur pa punë për shkak të vjetrimit të aftësive të tyre përballë progresit teknik, adoptojnë për të mbijetuar një zgjidhje të njohur si e “të diturve të Salamanca-s” – zgjidhje e cila e ka marrë emrin nga një ngjarje historike. Këtyre të diturve të universitetit të atij qyteti, që merrnin rroga të larta nga Mbreti i Spanjës, iu paraqit një ditë Kolombi, për të diskutuar me ta hipotezën se mund të arrihej në Lindje, duke lundruar drejt Perëndimit (“buscar el Levante por el Ponente”). Por të diturit e hodhën këtë poshtë, me argumentet e tyre. Kolombi gjithsesi nuk ua vuri veshin, u kuturis drejt Perëndimit dhe zbuloi Amerikën, çfarë ua përgënjeshtroi të diturve jo vetëm këshillën, por edhe pozicionin social. Për pasojë, të diturve të Salamanca-s, nëse nuk arrijnë dot t’i përshtaten realitetit të ri post-Kolombian, nuk u mbetet veçse të hedhin bazat e një shkence të re, që mbështet dhe argumenton negativitetin moral dhe kulturor të zbulimit të Amerikës, duke u shndërruar kështu në shitës të Apokalipsit. Këta teknikë të Apokalipsit, shkruan Temesvar-i, duan të provojnë se horizontet e reja të problemeve janë rrënjësisht ekuivoke, anti-njerëzore dhe se duhet të kthehemi në kultin e vlerave të dikurshme, për t’i garantuar njerëzimit mbijetesën. Në të vërtetë, ai që predikon kështu, thjesht ka zgjidhur problemin e mbijetesës së vet private.

Patmos-i në titullin e esesë së Temesvar-it i referohet një ishulli të Egjeut ku qëndroi apostulli Gjon, gjatë kohës që shkruante Librin e Zbulesës dhe ku e vizituan vizione që lidheshin me fundin e botës (Apokalipsin). Salamanca është vendi ku ishin instaluar të diturit e Spanjës. Sa për Temesvar-in vetë, të cilin Eco-ja e prezanton si shqiptar, le të themi se ai ka emër sllav, Milo, por mbiemër hungarez, meqë Temesvar është versioni hungarisht i emrit të qytetit rumun Timișoara.

Te një shënim që shoqëron esenë, Eco-ja jep një sqarim të çuditshëm: thotë se, pas botimit të parë të këtij teksti në 1964, një botues dhe dy kritikë u vunë të kërkonin me ngulm veprat e këtij Temesvar-i, aq sa ai tani ndihet i detyruar të lajmërojë lexuesin se Temesvar-i nuk ka ekzistuar kurrë, është një personazh fiktiv; por personazhet për të cilat ai autor flet, u referohen modeleve reale.

Në fakt, Temesvar-i erdhi në “jetë” – siç rrëfen Eco-ja vetë, së fundi edhe te Non sperate di liberarvi dei libri, shumë herët (para vitit 1964) në një Panair libri të Frankfurtit, ku Eco-ja merrte pjesë si konsulent i shtëpisë botuese Bompiani. Atje u ulën një ditë për drekë Gaston Gallimard, Paul Flamand, Ledig-Rowohlt dhe Valentino Bompiani, me fjalë të tjera “shtabi i përgjithshëm i editorisë europiane”, siç e quan Eco-ja. Gjatë drekës u fol për çmendurinë e atyre që u jepnin paradhënie gjithnjë e më të mëdha autorëve të rinj, që ende nuk kishin dhënë prova se vlenin. Dhe atje njërit prej drekëtarëve i erdhi ideja që të shpikte një personazh, Milo Temesvar-in, i cili kish shkruar tashmë veprën Let Me Say Now, për të drejtat e së cilës American Library sapo kish ofruar, në Panair, pesëdhjetë mijë dollarë. Dhe të katërt vendosin që të hapin fjalë për këtë dhe të shohin se çfarë do të ndodhë. I gatshëm për të marrë pjesë në këtë eksperiment “editorial”, Eco-ja vihet të shëtisë nga një stendë në tjetrën, deri sa Giangiacomo Feltrinelli ta bëjë publikisht të ditur – duke blofuar – se i ka blerë të drejtat e përbotshme të kësaj Let Me Say Now. Siç duket qartë, Temesvari nuk është pra sajim origjinal i Eco-s, por ky e adoptoi dhe e rriti dora-dorës, duke e mbushur me “biografi”, siç do ta shohim në vijim.

Vite më pas, Temesvar-i rishfaqet, këtë herë në hyrjen e romanit Il nome della rosa (datuar 5 janar 1980), ku autori rrëfen historinë (përndryshe edhe ajo fiktive) e dorëshkrimit të Adso da Melk-ut dhe ashtu i kthehet një dite të vitit 1970, në Buenos Aires, kur atij (Eco-s vetë, në versionin metafiktiv) tek qëmtonte në tezgat e një librarie të vogël antikuarësh në Avenida Corrientes, i bie në dorë versioni spanjisht (kastilian) i broshurës Rreth përdorimit të pasqyrave në lojën e shahut, të cilën – thotë – se e kish përmendur në një libër të vetin të mëparshëm (Apocalittici e integrati) por pa e pasur atëbotë në duar. Ky version kastilian ishte përkthim i origjinalit – tashmë të pagjendshëm – në gjuhën gjeorgjiane (Tbilisi 1934), dhe në faqet e tij Eco-ja thotë se gjeti citate të shumta nga dorëshkrimi enigmatik i Adso-s, me burim nga Athanasius Kircher (!).

Këto të dhëna të reja e komplikojnë raportin e Temesvar-it të Eco-s me botën “reale”. Viti i botimit të librushkës në Gjeorgji (1934) lë të kuptohet se atëbotë Temesvar-in ende nuk e kishin dëbuar nga atdheu (Shqipëria) për “deviacionizëm të majtë”, meqë Shqipëria ishte aso kohe mbretëri dhe për deviacionizmin e majtë nuk shqetësohej kush, aq më pak autoritetet dëbuese. Veç kësaj, edhe arsyet e botimit të esesë në Gjeorgji mbetet enigmatik.

Ndonjë filolog kish vënë ndërkohë në dukje se një libër tjetër i Temesvar-it, edhe ai i përmendur me titull te eseja e parë e Eco-s, u kushtohej burimeve bibliografike të Borges-it, dhe se titulli i librit tjetër të tij, Rreth përdorimit të pasqyrave në lojën e shahut nuk mund të ndahej nga tregimi i Borges-it Tlön, Uqbar, Orbis Tertius ku flitet për pasqyrat, kombinimin e një pasqyre dhe një enciklopedie, dhe një darkë të rrëfimtarit (Borges) me Bioy Casares-in, ku të dy këta, si kanë vënë re një pasqyrë në një skaj të korridorit, komentojnë se pasqyrat kanë diçka të përbindshme në vetvete (duke qenë Borges-i praktikisht i verbër, çdo përmendje e pasqyrave në veprën e tij sjell me vete një lloj kërcënimi), dhe pastaj Casares-i shton se një nga hereziarkët e Uqbar-it paskësh deklaruar se pasqyrat dhe akti seksual janë të përçudshme, sepse e shtojnë numrin e njerëzve, një citat që ai, Casares-i, e paskësh gjetur në një vëllim të Anglo-American Cyclopaedia (sic) që gjendej në raftet e bibliotekës së shtëpisë ku ata po hanin darkë.

Kjo, paçka se tregimi i Borges-it është botuar në maj të vitit 1940, ose të paktën gjashtë vjet pas versionit gjeorgjian të librushkës së Temesvar-it.

Pasqyrat shfaqen edhe te një tjetër tregim i rëndësishëm i Borges-it, Biblioteka e Babelit (1941), ku pasqyrat në korridoret e ngrehinës aq kozmike, të ftojnë të mendosh se Biblioteka nuk është e pafund – se po të ishte vërtet, kujt do t’i duhej ky dyzim iluzor?

Një tjetër përkim kurioz: mes dhjetëra personave që përmenden te Tlön, Uqbar, Orbis Tertius, gjendet edhe një Silas Haslam, me gjasë pararendës funksional i Milo Temesvar-it – si autori i një A General History of Labyrinths (1888), libër i trilluar prej argjentinasit, por që ka përfunduar dy herë i cituar në revista shkencore peer reviewed, dhe madje ka faqen e vet në GoodReads. Edhe Herbert Quain, një tjetër autor i krijuar prej Borges-it dhe që shfaqet në tregimin “Examen de la obra de Herbert Quain”), ka shkruar një roman policor, The God of the Labyrinth (1933).

Eco-ja do t’i kthehet kolegut të vet “shqiptar” te një parodi e botuar në La Repubblica, në 11 dhjetor 2004, me titullin Il Codice Temesvar, ku mes të tjerash e informon lexuesin se ai vetë, Eco-ja, e pat lexuar Rreth përdorimit të pasqyrave në lojën e shahut në origjinalin gjeorgjisht, të cilin e pat deshifruar me mundim, duke lexuar një poemë të poetit kombëtar të Gjeorgjisë, Rustaveli-t, Kalorësi i veshur me lëkurë pantere, në një botim të vitit 1964, nga shtëpia botuese Giugascvili (të vërehet aluzioni ndaj Stalinit, ose Josif Visarionoviç Xhugashvilit). Rrëfen pastaj Eco-ja se, gjatë një shëtitje në tezgat e librave të përdorur në Sofie të Bullgarisë, pat gjetur edhe një kopje fërtele të një vepre tjetër të Temesvar-it, Tajnaja Vecera Leonardo Da Vinci, Anekdoty, Moskva 1988, një vepër kushtuar interpretimit të Cenacolo-s të Leonardo Da Vinci-t. Eco-ja vazhdon me një parashtresë të librit të Temesvar-it, i cili jep një hipotezë të re për pikturën e Da Vinci-t, të kundërt me atë Kodit Da Vinci të Dan Brown-it (roman i cili gjithsesi nuk ish botuar ende, kur pat dalë libri i Temesvar-it) dhe duke e vënë atë pikturë në lidhje me Protokollet anti-semite dhe homofobinë. Këtu Eco-ja pyet nëse duhet ta shohim këtë interpretim të befasishëm si provë të antisemitizmit të Temesvar-it vetë, apo thjesht si dëshmi të antisemitizmit të Leonardo-s, të nxjerrë tani në dritë nga shqiptari shëtitës.

Çfarë është, pra, Milo Temesvar-i për Umberto Eco-n, përveçse autor i trilluar dhe mishërim i bizarres në botën intelektuale? Nga njëra anë, i apasionuar pas Borges-it, pasqyrave, labirinteve dhe paranojës interpretative (hermeneutike); nga ana tjetër, një shqiptar (!) me emër hungarez, komunist heretik (deviacionist), që ka jetuar ca kohë në Bashkimin Sovjetik, dhe ka botuar në Gjeorgji – vendlindja e Stalinit. Libri i tij rreth përdorimit të pasqyrave në shah nuk është pa lidhje me interesimin e tij të mëpasmë për makinat inteligjente, çfarë do t’u referohet edhe automatëve që, në kohët e reja, habisnin oborret e mbretërve në Europë me zotësitë e tyre shahistike (njëri prej tyre, më i famshmi, ishte i ashtuquajturi Schachtürke, angl. Mechanical Turk, hungarisht A Török) i ndërtuar nga shpikësi hungarez Wolfgang von Kempelen, dhe ku lojtari i fshehur në trupin e manekinit përdorte pasqyra për të parë tabelën e shahut, gjatë lojës. Origjina hungareze e shpikësit përkon me prejardhjen e mbiemrit të “shqiptarit” Temesvar (sa e rastit është kjo?).

Automati që luante shah mund t’i ketë mahnitur vërtet sallonet e Europës të shekujve XVIII-XIX, por në analizë të fundit ai nuk ishte veçse një “lojë”, një truk prestigji, një marifet cirku, sa kohë që u mor vesh – vite më pas – se brenda makinës qëndronte fshehur një njeri, i cili ia komandonte lëvizjet në fushë. Por ideja e një njeriu të vogël, “homunculus”, brenda një njeriu tjetër, që ia komandon veprimet këtij të fundit, është e vjetër në filozofi dhe disa e gjejnë që tek Descartes-i. Filozofi Daniel Dennett ka përdorur metaforën e teatrit kartezian, për të shpjeguar paradoksin e argumentit me homunculus; një teatër ku ky homunculus vrojton të gjitha të dhënat i vijnë nga shqisat dhe merr vendimet përkatëse. Idenë e homunculus-it e pat rimarrë, në një formë tjetër, edhe Paul Valéry te Monsieur Teste (duke filluar nga La Soirée avec monsieur Teste, 1896). Metafora vlen edhe për të ilustruar marrëdhënien e autorit “fizik” me personazhet e veta dhe autorët fiktivë a ndërmjetësues, si në rastin e Eco-s me Milo Temesvar-in.

Edhe interesimi i Eco-s për pasqyrat nuk rrjedh vetëm prej Borges-it dhe post-modernizmit (mise en abyme); këtyre veglave optike ai u ka kushtuar një ese të veçantë, të botuar pastaj në Sugli Specchi ed altri saggi, Bompiani 1985. Më në fund, një lidhje – sado të tërhequr prej flokësh – mes pasqyrave në shah dhe leximit alternativ të Cenacolo-s të Leonardos nga Temesvar-i (në kontekstin e furores së krijuar nga Kodi Da Vinci i Dan Brown-it) duket sikur e jep ky artikull me të dhëna dhe interpretime rreth fshatit Rennes-le-Château në Oksitanë të Francës, Prioratit të Sionit dhe simbolizmit shahistik në Tour Magdala dhe gjetiu në atë fshat (autori i artikullit dhe lënda mund të jenë edhe ato fiktive).

Në çdo rast, Temesvar-i është autor fiksional, edhe pse statusi i tij nuk është i njëjtë me atë të personazheve në një roman të Eco-s (p.sh. murgu Adso da Melk); le të themi se ai popullon të njëjtin univers imagjinar, si edhe dyzimi fiksional i Eco-s (i cili e gjen librin e Temesvar-it në një tezgë në Buenos Aires) dhe guxon atje ku krijuesi i tij “real” mbase do të stepej. Kjo lloj ontologjie tipike post-moderne nuk relativizon statusin e Temesvar-it dhe as e bën këtë më “real” se, të themi, Borëbardhën ose Akilin, por përkundrazi, relativizon statusin e atij Eco-je që rrëfen – në tekste të ndryshme, në vetë të parë – si i ka njohur veprat e Temesvar-it gjithë duke ofruar të dhëna biografike për të. Është një botë e ndërmjetme, mes sonës dhe asaj të fiction-it.

Dhe për t’u kthyer te arsyeja që u bë sebep për këto shënime: pse e ka bërë Eco-ja shqiptar Temesvar-in? Çfarë ta ketë shtyrë që t’ia ngjitë kolegut të vet fiktiv këtë etiketë etnike? Duke qenë Miloja pjellë e fantazisë lojcake të një botuesi italian në vitet 1960, mbase ia vlen të kujtohet se në atë kohë Shqipëria ishte e mbyllur për italianët dhe imagjinatën e tyre, paçka se kujtimi traumatik i viteve të luftës (1939-1943) mbetej i gjallë. Eco-ja do ta ketë njohur Shqipërinë si vend komunist dhe stalinist, çfarë ndihmon për të shpjeguar qëndrimin e Temesvar-it në Bashkimin Sovjetik dhe botimin e tij në Gjeorgjinë e Stalinit (Josif Xhugashvilit) – por përndryshe edhe do ta ketë ditur se për vendin kaq fqinjë të Italisë nuk di asgjë. Që këtej Temesvar-i vjen në ekzistencë si përfaqësues i një jetërsie totale, shënjues i tëhuajzimit (strangement), aq enigmatik sa t’i shërbejë, me misterin e tij, hipnotizimit të audiencës, duke ndërmjetësuar për atë që në teoritë e letërsisë e quajnë suspension of disbelief (“pezullim i mosbesimit”).

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


Bibliografi minimale

Umberto Eco, Il Nome della rosa, Milano, Bompiani, 1980
Umberto Eco, Apocalittici e integrati, Milano, Bompiani, 1964
Umberto Eco, Sugli specchi ed altri saggi, Milano, Bompiani, 1985
Umberto Eco, Non sperate di liberarvi dei libri, con Jean-Claude Carrière, Milano, Bompiani, 2009.
Allen Ruch, The Crimson Hexagon, Books Borges Never Wrote, Variaciones Borges 1/1996.
Jacob Howland, Borges’s mirror, The New Criterion, Vol 30, No. 10, June 2022.
Ignacio Infante, Abominable Mirrors: On the  “Macabre” Hyperfictions Of Jorge Luis Borges, Variaciones Borges 12 (2001)
Beatriz Urraca, Wor(l)ds Through the Looking-Glass: Borges’s Mirrors and Contemporary Theory, Revista Canadiense de Estudios Hispánicos.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin