AVLLIA E VLORËS

nga Albert Riska

Emri i qytetit më të madh bregdetar në jug të Shqipërisë na vjen në gjuhën e sotme shqipe me dy trajta dialektore, Vlona dhe Vlora.

Dallimi fonetik midis këtyre dy trajtave (n/r ndërzanore) tregon normalisht moshë, vjetërsi, dhe, vërtet, Vlora nuk është e re.

Gjurmët e një vendbanimi antik në qendër të qytetit të sotëm janë identifikuar në mënyrë të padyshimtë nga arkeologët si Aulona e periudhës antike. Në dokumentet e vjetra vendbanimi përmendet që në shekullin II të erës së re nga Lukiani dhe Ptolemeu.

Edhe ndër fqinjët tanë emri i qytetit është në përdorim me trajta specifike: nga italianët me trajtën Valona, grekët dhe arumunët përdorin trajtën Avllona, bullgarët Vallona etj.

Sa për shqipen, zhvillimi historik i emrit nga AulonaVlona/Vlora (pa u marrë me detajet) vjen në mënyrë perfekte në përputhje me normat e zhvillimit fonetik të gjuhës sonë, çka do të thotë se ai është përcjellë ndër shekuj përmes gojës së shqiptarëve.

Faktikisht ky duhet të jetë i treti ose edhe i katërti vendbanim i vjetër që identifikohet nëpërmjet mbetjeve arkeologjike në vijën bregdetare, brenda gjirit të Vlorës, bashkë me ato që janë evidentuar në Triport, në Orikum e në Tragjas, pa llogaritur Kaninën e ndonjë tjetër që ndodhen diçka më larg nga buza e detit.

Siç besohet se ka ndodhur edhe në ndonjë rast tjetër, megjithëse brenda territoreve ilire, qyteti mund të jetë themeluar nga romakët në periudhën perandorake dhe, sipas arkeologëve, fortifikimi duhet të jetë bërë aty nga shekulli IV i erës së re.

E shohim me interes të veçantë që për kohën e themelimit, pse jo edhe për dinamikën e zhvillimit të qytetit, në mbështetje të mendimeve të historianëve e arkeologëve do të mund të përdorej edhe origjina dhe historia interesante e emrit të qytetit (kjo në nivel hipotetik ndoshta, por jo pa analogji e pa raste për t’u përqasur).

Dhe, sipas natyrës së emrit, me shumë mundësi, vendbanimi, veç që është themeluar, edhe duhet të jetë pagëzuar nga romakët. Normalisht do të pranohej që trajta Aulona gjuhësisht mund të përligjet shumë mirë brenda latinishtes, pavarësisht nga burimi i rrënjës së fjalës. E para gjë që do të vihej në dukje e që duhet vlerësuar, është prania e prapashtesës –on në strukturën e saj. Pra, emri mund të analizohet në aula + ona dhe, duke pasur parasysh që prapashtesa –on- ka vlerë zmadhuese, do kishim kështu një “aula e madhe”.

Nga ana e vet burimi i rrënjës e bën akoma edhe më interesante historinë e emrit.

Aula, që sot në italishte ka kuptimin “sallë, klasë”, është fjalë e trashëguar nga latinishtja áula, por është e rëndësishme të theksohet se për vetë latinishten ajo është një fjalë e huazuar nga greqishtja e vjetër αυλή (aule), në trajtën dorike αυλα (aula).

Kështu, për të mësuar kuptimin e parë të fjalës do të duhet t’i referohemi greqishtes së vjetër.

Të dhënat etimologjike tregojnë se në greqishten e vjetër fjala ka pasur fillimisht një kuptim që do ta lidhte me oborrin e sotëm. Më pas ajo ka shënjuar edhe një ambient të hapur brenda një ndërtese, si atriumi romak, dhe prej këtej duhet të ketë rrjedhur kuptimi “sallë”.

Në qoftë se është kështu, atëherë Aulona do ta përkthenim “oborr i madh” apo “sallë e madhe”, dhe, vërtet, gjiri i mbyllur i Vlorës i plotëson kushtet për të qenë një oborr i rrethuar apo sallë e hapur, një atrium natyral për romakët.

Kështu bëhet i qartë fakti se emri i vendbanimit është përftuar nga emërtimi gjeografik i terrenit ku u themelua, ndërsa emërtimi gjeografik, nga ana e vet, duhet të jetë përftuar diçka më herët nëpërmjet një figure gjuhësore.

Por historia interesante e kësaj fjale nuk përfundon këtu.

Me të drejtë fjala greke duhet përfshirë në atë listë fjalësh që do të quheshin “fjalë bredharake”, domethënë fjalë që lëvizin shpesh nga një gjuhë në tjetrën, dhe do të ishte konkurrente e fortë me fjalën e burimit po grek, makinë, që në shqip del me disa trajta (maqinë, makinë, mashinë) e që gjendet në disa gjuhë të Evropës.

Dhe, kështu, si për të rinisur historinë e emrit të qytetit tonë, fjala e vjetër greke është huazuar edhe në turqishten otomane. Në turqisht kemi një avlu/avlı, sipas etimologjisë turke me burim nga greqishtja αὐλή (aulḗ). Shihet që në turqisht fjala ka kaluar me trajtën e greqishtes atike.

Nuk mund të dyshohet që në morinë e fjalëve turke që janë bërë pjesë e leksikut të shqipes, si huazime gjatë pushtimit osman, do të numërohej edhe fjala avlli, me kuptimin “mur” ose “oborr i rrethuar me mur”.

Në këtë mënyrë, duke iu referuar në radhë të parë veçorive gjeografike, por detyrimisht edhe historisë së emrit, që është përcaktuar nga marrëdhëniet ndërgjuhësore, gjiri i mbyllur i Vlorës, përveç që mund të ishte “oborri”, “salla e hapur” apo “atriumi” i Vlorës, do të mund të konsiderohej edhe si “avllia” e qytetit të Vlorës.

Si përfundim do të duhet të themi se në listën e trajtave të përmendura deri tani si variante të emrit të qytetit tonë bregdetar, Aulona, Valona, Avllona, Vlona/Vlora, do të mund të shtohej edhe trajta që na vjen me ndërmjetësinë e turqishtes, avlli. S’është çudi që, po ta kishin njohur turqit historinë e lashtë të emrit të qytetit, do të na e kishin thirrur Vlorën Avlli.

 

(c) 2022 Albert Riska. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht riprodhimi, pa lejen e autorit Albert Riska.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin