PËR NJË BOTIM KRAHASUES TË “DHJATËS SË RE” SHQIP

Ngaha “të kthyerit” e V. Meksit tek “epistasía” e G. Gjirokastritit: drejt një botimi krahasues të teksteve shqip të “Dhjatës së Re”* 

 

nga Dhori Q. Qirjazi
Universiteti Aristoteli i Selanikut 

Këtë vit mbushen plot 200 vjet nga botimi në Korfuz i përkthimit shqip të Ungjillit pas Mateut, kryer fillimisht me dorën e Vangjel Meksit, prej Labove të Rrëzës së Tepelenës, dhe plotësuar e redaktuar nga Grigor Gjirokastriti. Ky pati qenë një botim paraprak apo prove, që tre vjet më pas do t’i çelte udhë shtypjes po në Korfuz të përkthimit të tekstit të plotë të “Dhjatës së Re”, i cili, kuptohet, ka rëndësi shumëduarshe, prapa- e paravajtëse, si për lëvrimin e shqipes së shkruar ashtu edhe për njohjen më të plotë të saj në kuadër të studimeve historike krahasuese të gjuhëve të familjes indoeuropiane.

Nisur dhe nxitur nga konstatimi se “Studiuesit tani kanë mundësinë të përcaktojnë me saktësi punën që ka bërë Gjirokastriti, duke e krahasuar botimin me dorëshkrimin e Meksit […] Një studim i imtë do të ishte me interes për të parë punën e një redaktori shqiptar, ndoshta të parit të dokumentuar, në fillim të shekullit XIX. Nga karakteri sistematik i ndreqjeve do të nxirreshin edhe kriteret gjuhësore të redaktimit.” (Lloshi 2012, 89-90), kemi përveshur mëngët për të sjellë në alfabetin e sotëm të shqipes përkthimin e Meksit e mandej ta krahasojmë atë me tekstin e botuar në vitin 1827, nën redaktimin e Gjirokastritit.

Punimi që po i japim sot lexuesit në trajtë PDF është i gjatë dhe i hollësishëm, prandaj edhe u gjykua e arsyeshme t’i paraprijë një hyrje e shkurtër. U botua së pari në revistën Studime Filologjike (nr. 1-2 të v. 2019), rimerret tani i plotë për t’iu bërë i njohur lexuesit të PTF, duke ruajtur përgjithësisht strukturën dhe përmbajtjen e motërzimit anglisht të tij, në përmbledhjen me aktet e Konferencës së Buçimasit (shtator 2019), botuar më 2020 me përkujdesjen dhe shpejtësinë e prof. Bardhyl Demirajt.

Aty rrihen çështje që kanë të bëjnë me 1)  Domosdoshmërinë dhe rëndësinë e një botimi integral të teksteve të “Dhjatës së Re”, 2) Rrethanat e botimeve të viteve 1824 dhe 1827, 3)  Çështje të transkriptimit dhe të leximit të dorëshkrimit të V. Meksit, 4) [vërejtje dhe përfundime krahasuese gjatë kalimit] Nga ungjilli në ungjill, 5) [që e vendosin tekstin e përkthyer] Mes traditës dhe risisë [së përkthimeve të atij lloji], dhe 6) Përmbyllje[n], ku përshkruajmë fazat e punës deri në realizimin e botimit të plotë dhe krahasues të teksteve shqip të “Dhjatës së Re”.

Ideja është për një botim gjuhësor e filologjik me katër kolona paralele, e para e të cilave do të përmbajë tekstin greqisht të “Dhjatës”, e dyta përkthim-redaktimin shqip të 1827-s, e treta transkriptimin e kopjes së dorëshkrimit të Meksit sipas alfabetit të sotëm të shqipes, e katërta transkriptimin e tekstit shqip të 1827-s, po me alfabetin e sotëm të shqipes, shoqëruar të gjitha këto me shënimet gjuhësore e filologjike  që do të burojnë nga shqyrtimi i brendshëm dhe i jashtëm i kolonave të Meksit e të Gjirokastritit. Krahas këtyre do të jetë edhe një kolonë virtuale, me tekstin e digjitalizuar të kopjes së dorëshkrimit të Meksit, aneks i domosdoshëm i librit, si dhe lista e përgjithshme e fjalëve të përdorura në tekste, shoqëruar me sqarimet e nevojshme. 

Dy kolonat e para i kemi të gatshme prej botimit të 1827-s, kolonën e tretë e nisi Xh. Lloshi dhe ka dëshirën ta vazhdojë autori i këtyre radhëve,  ndërsa të katërtën e ka përgatitur Th. Qendro.   

Ka për të qenë një punë bukur e madhe dhe fort e vlefshme, bazuar në përvojën e deritashme dhe e pasuruar me gjetje e qasje të reja, të pritshme e të mirëpritura gjatë eksplorimit të pjesëve gjer më sot të ”pashkelura” të veprës së jatro Meksikojt dhe të mitropolitit Grigor Stefo Gjirokastriti. 

Tej këtyre, sikurse e theksojmë me raste të ndryshme në hyrjen dhe shënimet e këtij punimi, realizimi i botimit në fjalë do të na ndihmojë të kemi një pamje më të plotë e pa paragjykime për të ashtuquajturin “Qarku ortodoks i Shqipërisë jugore” (Çabej 1994, 55), i cili, së bashku me “Qarkun katolik të Shqipërisë Veriore” dhe “Qarkun italo-shqiptar” mund të quhen edhe “qarqe parakombëtare, meqë më në fund derdhen të gjitha në lumin e literaturës nacionale të shekullit XIX”. (Çabej ibidem). I njëjti autor vëren pak më lart se “Këto qarqe veprojnë krejt pavarësisht njëri nga tjetri, dhe sado pothuaj të një kohe, veprojnë çuditërisht pa njohur fare shoqi-shoqin”. 

Punimi shoqërohet nga një shtojcë dokumentesh dhe është pajisur me bibliografinë përkatëse.

Lexojeni punimin duke klikuar në linkun më poshtë:

Për një botim krahasues të “Dhjatës së Re” shqip

Shënim: imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney, vetëm për qëllim ilustrimi.

Rreth Autorit

Dhori Q. Qirjazi (Δώρης Κ. Κυριαζής) u lind në Delvinë dhe vitet e fëmijërisë e të rinisë i kaloi në Sarandë. Pas përfundimit të studimeve për filologji greke dhe gjuhësi në Universitetin Aristotelian të Selanikut (1986), punoi në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë në Tiranë, në sektorin e leksikologjisë dhe të leksikografisë (1987-1991) dhe më pas u vendos në Selanik, ku doktoroi me temë “Ndikime të greqishtes në gjuhën shqipe” (2001) dhe punoi si ndihmës dhe hartues i Fjalorit shumëvëllimësh të Greqishtes Popullore Mesjetare, nën drejtimin e prof. Emanuil Kriaras (1992-1999). Ka qenë lektor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Institutin e Studimeve Ballkanologjike të Selanikut (1991-1999) dhe prej vitit 2000 në Universitetin ku punon edhe sot. Më 2006 filloi punën si lektor e më pas si assoc. prof. i gjuhësisë historike në Fakultetin Filozofik të Universitetit Aristotelian të Selanikut, me objekt studimi marrëdhëniet e greqishtes me gjuhët e tjera ballkanike.

Author Archive Page

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin