GLAGOLITIKU

Alfabeti më i vjetër, me të cilin janë shkruar gjuhët sllave, është glagolitiku, që mendohet se është krijuar nga Shën Cirili, një murg nga Selaniku, në shekullin e 9-të, për të shkruar tekstet e shenjta në Sllavishten e vjetër kishtare.

Sipas një legjende mjaft të përhapur në Mesjetë, alfabetin e pat krijuar Shën Hieronimi, përkthyesi i Biblës në latinishte (përkthimi i tij njihet me emrin Vulgata). Madje ai lloj skripti dikur njihej edhe si “Skripti i Shën Hieronimit”, të cilin sllavët e Dalmacisë, për shkak të një iluzioni anakronik, e mbanin si “bashkatdhetarin” e tyre.

Origjina e shumë shkronjave (glagolicave) nuk është e qartë, edhe pse një pjesë mund të kenë rrjedhur nga një formë e alfabetit grek të përdorur në Mesjetë, ndërsa shkronja të tjera janë marrë nga alfabeti hebraik, alfabeti koptik, alfabeti samaritan dhe alfabeti armen.

Alfabeti glagolitik u përdor nga sllavët e Perandorisë Bullgare në Ballkan, përfshi edhe shkollën letrare të Ohrit. Shumë shpejt ai u adoptua nga sllavët e Dalmacisë (kroatët). Në 1248, Papa Inocenti IV u njohu kroatëve të Dalmacisë jugore privilegjin unik që të përdornin gjuhën dhe shkrimin e tyre në liturgjinë e ritit roman (më shumë këtu). Një numër mesharësh të dorëshkruar me atë alfabet u krijuan në Romë, me bekimin e Selisë së shenjtë. Mendohet se në këtë vendim disi të jashtëzakonshëm të Vatikanit mund të ketë ndikuar besimi mjaft i përhapur, në atë kohë, se alfabetin e kish krijuar Shën Hieronimi, një nga etërit e kishës, dhe me gjasë ilir nga Panonia.

Missale Romanum Glagolitice ishte libri i parë i shtypshkruar në gjuhën kroate.

Me kalimin e kohës, glagolitishtja – si skript i sllavishtes së vjetër kishtare dhe i kroatishtes – erdhi duke u zëvendësuar nga alfabeti latin, dhe sipas rastit edhe cirilik.

Të gjitha këto të dhëna për glagolicat (një emër tjetër për shkrimin glagolitik) sugjerojnë edhe mundësinë që me atë alfabet të jetë shkruar sporadikisht edhe shqipja, përgjatë bregdetit jugor të Dalmacisë, ku mes klerit rregulltar dhe shekullar nuk do të ketë munguar elementi arbër.

Dhe kjo jo ngaqë alfabeti glagolitik ka ndonjë epërsi ndaj alfabetit latin, por ngaqë shkrimi i një gjuhe të pamiratuar nga Vatikani për tekstet e shenjta, si shqipja e shekujve XIII-XIV, nëse ka ndodhur, do të jetë ndikuar nga lloji i alfabetit që përdorej në mjedisin përkatës (p.sh. në manastir) dhe që shkruesit kishin mësuar të shkruanin.

E kam thënë gjetiu që shqipja mund të jetë dorëshkruar hershëm në kontekste të ndikuara prej herezisë katare (bogomile), ose atje ku kontrolli dhe disiplina nga Roma ishin dobësuar tashmë. Nëse kjo ka ndodhur, rriten gjasat që shkruesi të ketë përdorur glagolitikun, si një alfabet tashmë të sanksionuar, dhe njëkohësisht alternativ ndaj alfabetit latin.

Brenda kësaj hipoteze dy gjëra janë për t’u mbajtur parasysh: bëhet fjalë për tekste të dorëshkruara jo tekste të shtypura (si Meshari i Buzukut), mbase edhe copëza të përfshira brenda tekstesh në kroatishte ose në sllavishten e vjetër kishtare; dhe shkruesi arbër hipotetik e ka përdorur glagolitikun sepse atë skript ka njohur, jo sepse e ka preferuar ndaj skriptit latin.

Vetë alfabeti – i rrallë dhe i vështirë – e komplikon hulumtimin në arkivat: nuk janë të shumtë specialistët që mund ta lexojnë dhe që, njëkohësisht, të kenë interes për shqipen.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Shënim: të dhënat për glagolitikun, historinë dhe përhapjen e tij, i kam marrë nga burime enciklopedike dhe i kam sjellë thjesht për kontekst.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin