STALIN SIPAS NEVOJËS

Historiani Elidor Mëhilli prezantoi dje në Tiranë librin e tij “From Stalin to Mao, Albania and the Socialist World” – që mund të jetë edhe vepra më e rëndësishme deri më sot, për regjimin komunist në Shqipëri.

Librin nuk e kam marrë në dorë, prandaj po i ruaj vetes të drejtën të shkruaj për të më vonë. Këtu po ndalem vetëm te një argument, që e ceka me autorin edhe gjatë paraqitjes së librit, në lidhje me natyrën e stalinizmit shqiptar dhe marrëdhëniet e këtij me stalinizmin sovjetik.

Argumenti me siguri ka gjetur në libër shtjellimin e duhur; por mua më ngacmoi raporti midis stalinizmit si ideologji politike dhe stalinizmit si teknologji e pushtetit; aq më tepër që shumë kuadro, specialistë dhe aparatçikë të regjimit të Hoxhës e mësuan stalinizmin dhe teknikat përkatëse në Bashkimin Sovjetik – ku kishin shkuar për të studiuar.

Kjo nuk kish ndodhur megjithatë me Enver Hoxhën, i cili shihte te Stalini, para së gjithash, një model për të imituar, kur vinte puna për autoritarizmin dhe raportet me sistemin totalitar (sikurse Stalini, edhe Hoxha preferonte të qëndronte jashtë sistemit, çfarë i jepte të drejtën ekskluzive për arbitraritet).

Paradoksalisht, destalinizimi do të prekte pikërisht atë brez kuadrosh të shtetit dhe të pushtetit në Shqipëri që e kishin mësuar stalinizmin “nga goja e kalit” (për ta thënë me një frazeologji të anglishtes); ose që e kishin studiuar in situ; në një kohë që Hoxha do ta refuzonte frymën e 1956-ës dhe do ta shihte veten të rrezikuar sa nga Hrushovi, aq edhe nga kuadrot “sovjetikë” në aparatin e Partisë, të shtetit dhe të pushtetit.

Në vitet 1960, stalinizmi shqiptar do të shërbente sa për të kundërshtuar “revizionizmin” sovjetik (hrushovianizmin), aq edhe për të asimiluar më mirë marrëzitë maoiste dhe kultin e Maos në Kinën Popullore; në një kohë që metodat staliniste në drejtimin e punëve do të ruheshin qoftë edhe thjesht ngaqë nuk kish alternativë tjetër. Hoxhës i shkoi veçanërisht për shtat modeli stalinist i zbulimit dhe i likuidimit të “grupeve armiqësore” në Parti dhe në shtet; dhe në thelb historia e luftës brenda llojit, proceseve politike dhe pastaj gjyqësore në kulturë, art, ushtri dhe ekonomi, në vitet 1970 rimerrnin spastrimet e mëdha në Bashkimin Sovjetik në vitet 1930 – në frymë, në formë dhe në pasoja.

Mund të argumentohet se stalinizmit i referohej edhe teza e “mbështetjes në forcat e veta” dhe e Shqipërisë si “fanar ndriçues i socializmit” në Europë; ose besimi i shprehur se Shqipëria mund ta ndërtonte socializmin e rrethuar nga armiqtë – aq më tepër që rrethimi imperialisto-revizionist, si realitet dhe si krye-metaforë, mundësonte normalizimin e paranojës politike dhe kulturore dhe përjetësimin e gjendjes së jashtëzakonshme në Shqipëri.

Një zhvillim edhe më kurioz ndodhi në vitet 1980, kur hovit revolucionar i viteve 1960 ia kish zënë vendin autarkia dhe nacionalizmi folklorik dhe sentimental, me ngjyra të frikshme populiste. Kulti i Stalinit, në këto vite, mbijetoi jo vetëm ngaqë Stalinin e mbronte Enver Hoxha, por edhe ngaqë, siç thuhej zyrtarisht dhe jo-zyrtarisht, ai mund të kish bërë gabime, por Shqipërinë e kishte mbrojtur, kundër armiqve të saj të vjetër dhe të rinj, përfshi këtu edhe momentin kritik të krizës në Informbyro dhe prishjes me Jugosllavinë e Titos (Libri me kujtime i Enver Hoxhës, Me Stalinin, u botua në vitin 1979). Pra imazhi i Stalinit duhej ruajtur jo vetëm si “klasik i marksizëm-leninizmit”, por edhe si mbrojtës i madh i Shqipërisë së vogël.

Çfarë edhe dëshmon, për mua, që krye-shënjues politikë të llojit të Stalinit, priren të rrëshqasin nga një kuptim në tjetrin, nga një funksion ideologjik në tjetrin, nga një konotacion në tjetrin, sipas nevojave të momentit; dhe kjo ndodh pikërisht ngaqë forca e tyre nuk varet aq nga çfarë realizohet në emër të tyre, sa nga inercia (aq karakteristike për regjimet autoritare dhe totalitare). Për regjimin e Hoxhës, pas Kongresit XX të PKBS-së dhe fushatës destalinizuese, Stalini u shndërrua kështu, hap pas hapi, në një monedhë të çmuar me të cilën mund të blihej pushteti; ose në krye-alibi.

Paradoksalisht, në vitet 1980 në Shqipëri Stalini i mbijetoi stalinizmit, duke marrë rolin – përndryshe tradicional për shtetin shqiptar në dekada dhe për mitologjinë kombëtariste – të mbrojtësit, garantit dhe patriarkut nga jashtë.

8 Komente

    1. Besnik Dizdari tek Panorama jep pjese te perkthyera nga kujtimet e Gjilasit, ku kjo pjese likujdohet si kurth i Stalinit.

      http://www.panorama.com.al/te-panjohurat-e-shoqerise-komuniste-shqiptaro-jugosllave-cfare-bisedoi-stalini-me-titon-per-shqiperine/

      Keshtu per ofertat e Stalini gjendet kjo:

      -Gjilas mendon ndërkaq se “ofrimet që i bënte ai Jugosllavisë për Shqipërinë ishin një kurth”, siç e përcakton fjalë për fjalë.

      Me tej Gilasi/Gjilasi ngaqe nuk e beson Stalinin shprehet :

      -“Çështja shqiptare ishte vetëm njëri lak, madje më i prekshmi, që ai lëshonte të vibronte në përpjekjen për të ndezë egon tonë e për të mbërritur drejt synimit që ai kishte zgjedhur”.

      Pra brenda kontekstit, Gilasi mendon se gjithe ajo mbeshtetje qe Stalini i jepte Titos per rastin e Shqiperise, por edhe levdata Stalinit ndaj Titos :
      – Unë nuk do të jetoj gjatë dhe Europa ka nevojë për të. Po! Europa ka nevojë për Titon!”.
      , ne fakt ishte nje dinakeri e Stalinit per te kontrolluar Titon e Jugosllavine.

      Nderkaq per viziten ne 1945 ka diçka interesante per Federaten Ballkanike:

      – Shqiptarët po tregoheshin tejet të lidhur me Jugosllavinë, madje në rrugë krejtësisht zyrtare qarkullonin zëra se ata do të bashkoheshin shpejt me ne për të formuar bërthamën e parë të një federate të ardhshme ballkanike, pjesë e së cilës do të ishte edhe territori i Kosovës.

      Federata Ballkanike ku do hynte edhe Bullgaria, ishte projekti i Titos, qe me 1945, ku sipas Gjilasit komunistet shqiptare paskan qene shume te informuar dhe perkrahes te medhenj. Ne kete kontest federativ duhet pare edhe roli i Titos ne luften civile ne Greqi e mbeshtetja e madhe qe Titoja i dha komunisteve greke ne armatime e logjistike, duke perdorur edhe territorin shqiptar.

      Mesa e kam ndjekur, prishja e Titos me Stalinin erdhi sepse gjeorgjiani e ndau mendjen qe nuk ishte ne interesat e tij dhe te BS-se qe te krijohej Federata Ballkanike.

      Shpresoj qe Mehilli te mos kete bere perzgjedhje tendencioze burimesh per te mbrojtur ndonje teze te re.

      1. Ka një dallim midis çfarë i tha Stalini Gilasit, dhe si e interpreton atë Gilasi. E para është fakt (brenda optikës së Gilasit), i dyti është supozim. Tani, po të gjykojmë që Titoja dhe në fillim mbase edhe vetë Stalini e shihnin Jugosllavinë komuniste si një kopje të vogël të Bashkimit Sovjetik, atëherë “gëlltitja” e Shqipërisë ishte diçka në logjikën e sendeve. Vetë Stalini sapo kish gëlltitur republikat baltike – atëherë pse të mos e merrte edhe Titoja Shqipërinë? Preokupimi i Stalinit, nëse më lejohet edhe mua të spekuloj, ishte që Shqipëria – shtet fare i dobët – të mos përfundonte në kampin e kundërt, ose në duart e amerikanëve dhe të anglezëve. Le të mos harrojmë, gjithnjë në këtë kontekst, se mbrojtjen më të madhe Shqipërisë, në Konferencën e Paqes në Paris, ia bënë jugosllavët.

        1. Dakort, po eshte i njejti Gilas qe percjell edhe biseden, dmth ajo bisede eshte e paperdorshme si burim duke perdorur emrin apo kujtimet e Gilasit. Gilasi eshte per t’u perdorur si argument nga e kunderta.
          Stalini operonte me logjiken e mirefillte te forces dhe ne periudhen 45-49, e hante meraku te legjitimonte pushtimin e Lindjes nepermjet partive komuniste te ketyre vendeve. I njihte autoritet Anglise edhe ne punet e Lindjes, ia njihte edhe ne Shqiperi, sepse anglezet hodhen armatime e oficere ketu gjate Luftes. Ne çdo kohe, fuqia e madhe qe ndihmon me armatime e njerez, ne mos vendos, te pakten i degjohet zeri ne fatet e atij rajoni apo shteti ku eshte investuar.
          Ne kete logjike force, per Stalinin fati i Shqiperise do te vendosej nga Jugosllavia dhe Anglia, ku domosdo Stalini do te mbeshteste jugosllavet.

          Vendet balltike i gelltiti ne baze te paktit me Hitlerin, as Anglia nuk beri ndonje gje per t’i ndihmuar, çka e legjitimoi pushtimin, ndersa Shqiperia nuk u perfshi shprehimisht ne asnje pakt e ndarje zonash influence, çka e bente zone te minuar. Nqs Anglia zbarkonte trupa ne Shqiperi, Stalini mund te protestonte, nqs Stalini fuste trupa ne Shqiperi, Anglia mund te protestonte. Ndryshe zbarkimi i trupave angleze ne Greqi, nuk ngjalli proteste apo i trupave sovjetike ne Bullgari, sepse ishin ndare zonat e influences.

          Sigurisht qe kjo nuk do te thote se Stalini ishte mbrojtesi i madh i Shqiperise e koncepte te tilla bombastike, (nuk ishte Uillsoni i L2B-se), por Stalini do e pranonte me shume deshire pushtimin e Shqiperise prej Jugosllavise, nqs Titoja do te hynte ne vathen sovjetike me statusin e gjithe te tjereve ne lindje. Kete shpreh Gilasi dhe mua me duket interpretim i drejte nga ana e tij.
          Po ashtu te supozohet e kunderta, qe Stalini do mbeshteste Titon kunder anglezeve ne Shqiperi, duke e trajtuar Titon si aleat e jo si vasal, kjo nuk pajtohet me konceptimin e rolit te lidershipit sovjektik ne boten komuniste. Kjo, pavaresisht levdatave qe i ka bere Titos. Te gjithe, besoj ,jemi te bindur se nqs Titoja do te kish qene nenshtetas sovjektik Stalini do ta kishte pushkatuar pa nje pa dy .

          1. Meqe ra llafi tek anglezet dhe Shqiperia, pas pushtimit italian te Shqiperise , pati protesta diplomatike relativisht konsistente angleze, ndryshe nga Franca, e cila nuk e vuri fare ujin ne zjarr. Kjo besoj lidhet me nje pakt te mehershem me Duçen, ku Anglia dhe Italia impenjoheshin te respektonin status quo-ne ne Mesdhe. Shqiperia ishte nen influencen italiane, por si shtet i pavarur. Medyshjet e medha te Duçes per pushtimin e Shqiperise, mund te ndihmojne per te kuptuar edhe medyshjet jugosllave e sovjetike ne periudhes 45-48.
            Kuptohet qe ne te dyja rastet ne mes eshte Anglia. Po te perfshijme ne ekuacion qe ne fazen e ftohjes se Zogut me Italine ne mes te viteve ’30, ne Shqiperi erdhen oficere angleze per te ndihmuar e trajnuar xhandarmerine shqiptare, duket se interesi dhe impenjimi anglez ka qene konkret. Kjo per te kuptuar me mire rolin anglez si gjate luftes, si pas luftes.

  1. Stalinizem ne cdo stine- i Vladimir Tismanianu ka nje qasje te ngjashme te praktikave staliniste ne Rumani , nga Dezh tek Caushesku. Kursi i Rumanise dhe Shqiperise ne qendrimin ndaj hrushovizmit, Kines, Traktatit te Varshaves , paten pika perafruese sikurse dhe dallime ne raport me Jugosllavine e Titos dhe trashegimnine staliniste.
    Vitet 60-te persa i perket spastrimeve politike mund te konsiderohen si “dekada e qete” ku mbizoterojne levizjet revolucionarizuese, qarkullimi kuadrove (spastrimi bute) dhe vija e masave, perkundrejt dekades se viteve 70-te si dekada e spastrimeve te medha politike dhe jetersimit te matrices se “rrethimit imperialisto -revizionist”.
    Nacionalizmi ( mbrojtja e sovranitetit kombetar pas daljes nga Traktati Varshaves) dhe mbrojtja e m-l ( internacionalizmi) nga shtremberimet revizioniste, ishin dy flamujt qe alternoheshin ne duart e E.Hoxhes .
    Kesisoj Hoxha ne propaganden zyrtare, krijimtarine artistike dhe liturgjine populiste , vizatohej si nje Engjell i dyfishte, pra si mbrojtes i sovranitetit ( moj Parti ta lumsha synin/ s’guxon kush me ta prek kufinin) dhe si mbrojtes i m-l ( ligjero shoku Enver/ligjero bilbili yne/ ti marksizmin e shpetove / na nderove Shqiperine).
    Praktikat staliniste nga E.Hoxha u aplikuan vecanerisht ne fushen e kolektivizimit socialist, ne ushtri ( Partia ne komande) dhe ne politiken e kuadrove ( kuadrot si monopol i Partise).
    Ndikimet e maoizmit u reflektuan ne drejtim te revolucionit kulturor, qarkullimit te kuadrove, fushates se flete rrufeve (dacibaot) dhe praktikave te kontrollit punetor .
    Por nuk mund te flitet per “kinezim” te jetes shqiptare ne ate raport sikurse ndodhi “sovjetizimi” , vecanerisht ne fushen e kultures dhe letersise ( metoda e realizmit socialist).
    Sidoqofte , jetegjatesia e Hoxhes ne pushtet ishte edhe produkt i diplomacise prej xhongleri ne lojen me aleatet e jashtem .

    1. Faleminderit qe na e solle ne vemendje kete studim te Sofokli Meksit. Sa per sqarim, Elidor Mehilli e ka mbrojtur punen e doktoratures, ku edhe bazohet libri i tij i fundit, ne vitin 2011. Nuk e ve kete ne dukje per t’i dhene perparesi njerit mbi tjetrit pasi punet flasin vete dhe do duhen te pakten nja 100 doktoratura per t’i ezauruar keto tema.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin