LEIBNIZ-I, ILIRËT, ELSIE

Dijetari gjerman Gottfried Wilhelm Leibniz (1646-1716) ka zënë vend në albanologji përmes disa letrave të tij, të fillimshekullit XVIII, ku tregon interes për gjuhën shqipe dhe prejardhjen e saj, në një kohë kur gjuhësia historike-krahasuese ende nuk ishte zhvilluar dhe dija europiane kish koncepte shumë të turbullta për historinë dhe evoluimin e gjuhëve.

Letrat e Leibniz-it për shqipen i kanë hulumtuar mirë – gjen studime dhe analiza që nga Engjëll Mashi te Konica, dhe pastaj nga N. Reiter dhe Jup Kastrati. Kureshtarëve do t’u rekomandoja një artikull të Bardhyl Demirajt, Si ta lexojmë Lajbnicin.

Këtu do të ndalem te një nga letrat më të hershme (të vitit 1705), që Leibniz-i – aso kohe Drejtor i Bibliotekës së Hanover-it – ia shkruan (frëngjisht) Drejtorit të Bibliotekës Mbretërore të Berlinit, Maturin Veyssière La Croze[1], dhe ku mes të tjerash i thotë që gjuha e shqiptarëve (la langue des Albanois) duhet të jetë ndonjë lloj sllavishtje, meqë kjo gjuhë flitet përgjatë detit Adriatik. E quajnë gabimisht Linguam Illiricam, shton ai; për të vazhduar se, sipas tij, gjuha e ilirëve të lashtë ka qenë diçka krejt tjetër, dhe se po të kish mbetur ndonjë gjë prej saj në malet e Epirit, do të ishte me interes të madh dhe e denjë për t’u hulumtuar.

Ja pasazhi i cituar, në origjinal:

Që te ky shënim e gjejmë parimin, përndryshe të përligjur, të Leibniz-it për ta lidhur origjinën e një gjuhe me vijueshmërinë gjeografike; edhe pse ai natyrisht gabon kur supozon një origjinë sllave për shqipen thjesht ngaqë ajo flitej “përgjatë detit Adriatik”. Në atë periudhë, botimet e ndryshme, me natyrë enciklopedike, të shekujve XVI-XVII, sidomos përmbledhjet karakteristike të varianteve, në gjuhë të ndryshme, zakonisht quanin “gjuhë ilirike” sllavishten që flitej në Dalmaci[2], duke u nisur edhe ato thjesht nga kriteri i vijueshmërisë gjeografike (sllavishtja e Dalmacisë si gjuhë që flitej në trojet e Ilirisë antike).

Duket se Leibniz-i nuk ka sesi të pranojë që sllavishtja e Jugut të merret si vijim i gjuhës së “ilirëve të lashtë” – sepse, në të vërtetë, e vetmja e dhënë që ka ai për shqipen, është se kjo gjuhë ekziston diku në brigjet e Adriatikut. Nga kjo letër për La Croze-n mund të deduktohet edhe se, mes dijetarëve të kohës, kishte nga ata që e merrnin shqipen për gjuhë ilire; këtyre dijetarëve Leibniz-i, në krye u kundërvihet, duke mos u orientuar dot mirë në trekëndëshin: gjuhë ilire (në lashtësi) – gjuhë ilirike (në mesjetë: sllavishte e Jugut?) – gjuhë shqipe.[3]

Nga ana tjetër, Leibniz-i përsiat mundësinë e ruajtjes së disa mbijetojave të ilirishtes së lashtë “në malet e Epirit”; edhe këtu me Epir do të kemi parasysh atë provincë romake që shtrihej në jug të Illyricum-it, meqë gjeografia lajbniciane e Ballkanit duket se i mban, në çdo rast, trajtat që kish pasur në kohën e Romës[4]. Ideja e “ruajtjes së një gjuhe në male” do të ketë qenë një topos për dijetarët e kohës. Përsa i përket shqipes, e ndeshim atë ide që në fund të shekullit XVI, në një vepër të humanistit italian Joseph Scaliger, i cili, edhe ai, e përmend shqipen si një gjuhë që flitet “prej një populli të rreptë e luftarak”, “në malet e Epirit”[5] e do të vijojmë ta ndeshim deri edhe në veprën e historianit Stadtmüller, të shekullit tonë.

Për të kuptuar motivet që e shtynin Leibniz-in të interesohej për shqipen duhet të çlirohemi, së pari, nga një paragjykim që, jo rrallë, qarkullon në kulturën albanologjike. Ky paragjykim e ka burimin në interesimin e dijetarëve të shekujve XVIII-XIX për shqipen, për shqiptarët, për folklorin, për etnografinë e për historinë e tyre, një interesim që lulëzoi kryesisht në truallin e romantizmit, si ideologji e si psikologji. Dihet se romantikët e kthyen vështrimin nga popujt “e harruar”, kultura e të cilëve ishte ende “e pamolepsur” nga qytetërimi borgjez prozaik; në këta popuj do të gjendej pastërtia e virtyteve dhe e moralit njerezor, që përndryshe kishte humbur; në gjuhët e tyre do të zbulohej poezia e vërtetë, autentike. Ekzotizmi konsiderohej si një arsye e mjaftueshme për një ndërmarrje intelektuale, qoftë shkencore, qoftë artistike. Në një farë mënyre, albanologjia u themelua e hodhi shtat mbi baza romantike, e kjo duket jo vetëm në punimet e dijetarëve shqiptarë si De Rada, Kamarda, S. Frashëri etj., por edhe, sidomos, duke filluar që nga Thunmann-i, historiani suedez që argumentoi lidhjet shqiptaro-ilire qysh në fund të shekullit XVIII. Ideologjisë romantike i detyrohej ekzaltimi i së kaluarës dhe idealizimi i saj, kulti i gjuhës dhe kulti i racës. Shprehjet e këtyre dukurive në shkencë do të ishin të ndryshme nga në art, por thelbi i përbashkët megjithatë do të mbetej.

Gjithsesi, nga Leibniz-i nuk mund të kërkohet që të jetë romantik e të ngashërehet thjesht me faktin se “në malet e Epirit” janë ruajtur gjuha dhe populli i “ilirëve të lashtë”[6]. Dijetari gjerman nuk i vështronte gjuhët si shprehje të “shpirtit të kombit”, e as nga pozita historiciste. Për të gjuhët vlenin, para së gjithash, si një fenomenologji e mendimit njerëzor; në fjalët dhe në mënyrat e shprehjes të gjuhëve të ndryshme ishin ruajtur, në një masë a në një tjeter, mbeturinat e gjuhës primitive universale, të përbashkët për njerëzimin; në atë gjuhë lidhja simbolike mes tingullit dhe kuptimit ishte e tejdukshme dhe mendimi harmonizohej tërësisht me shprehjen e vet gjuhësore. Duke u orvatur ta rindërtojë këtë gjuhë universale, Leibniz-i nisi të kërkonte, në gjuhë nga më të ndryshmet, të njohura e të panjohura, të afërta e të largëta, çfarë ishte ruajtur nga gjuha e përbashkët e dikurshme; në këtë mënyrë do të çelej rruga jo vetëm për rindërtimin e gjuhës primitive, por edhe për një njohje më të plotë të arsyes njerëzore.

Gjithë duke pasur kaq parasysh, le t’i kthehemi arsyetimit të lartcituar të Leibniz-it, në kohën kur ai nuk e besonte se shqipja kish ndonjë gjë të bënte me ilirishten e lashtësisë dhe prandaj edhe thoshte se emërtimi i shqipes si “Linguam Illiricam” është i gabuar (On l’appelle par abus Linguam Illiricam). Çuditërisht, këtë pasazh Robert Elsie, në faqen e vet Albanianhistory.net, nën rubrikën Texts and Documents of Albanian History, e ka përkthyer kështu në anglishte:

As to the language of the Albanians, I have the impression that it may be a sort of Slavic since this tongue is spoken along the Adriatic Sea. It is commonly known as Linguam Illiricam, but I believe that the language of the ancient Illyrians was something quite different. If there were any remnants of it in the mountains of Epirus, it would certainly be very odd, and most worthy as a subject of research.

Atje ku Leibniz-i shkruan “on l’appelle par abus”, Elsie thotë “it is commonly known” – duke e përmbysur kuptimin (nga “quhet gabimisht” në “njihet zakonisht…”, çfarë do të ishte gabim jo i vogël. Elsie i referohet, për përkthimin, veprës Gottfried Wilhelm Leibniz, Opera Philologica (Hildesheim: Georg Olms, 1989), por tekstet origjinale të letrave të Leibniz-it janë gjerësisht të njohura; prandaj nuk më duket të ketë arsye për të besuar se albanologu kanadez ka punuar me ndonjë version tjetër të tyre.

Meqë kjo faqe e Elsie-t, autor i respektuar për seriozitetin dhe përkushtimin që ka treguar në vite, është praktikisht i vetmi burim në dispozicion të shumë lexuesve të interesuar por jo të fushës, për dokumente të rralla me natyrë albanologjike, atëherë ky gabim duhet ndrequr në ndonjë farë mënyre.

(c) 2017, Peizazhe të fjalës.


[1] Maturin Veyssière La Croze ishte një teolog, historian dhe orientalist frëng, njohës mes të tjerash i koptishtes, armenishtes, siriakishtes dhe gjuhëve sllave. Studiuesja Sigrid von der Schulenburg, në veprën e vet Leibniz als Sprachforscher (Vittorio Klostermann, Frankfurt am Main, 1973, f. 29), vëren se edhe La Croze merrej me studime rreth gjuhës shqipe, të cilat Leibniz-i “i ndjek me vëmendje.” Kjo duket, mes të tjerash, në një letër të Leibniz-it për La Croze-n të datës 6 korrik 1712, ku gjermani i kërkon frëngut që t’i dërgojë shembuj të krahasimeve që ky i fundit ka ndërmarrë mes shqipes dhe keltishtes. Deri më sot, këto studime mbeten për t’u zbuluar – me shpresë se do të gjenden dikur në dorëshkrimet e lëna nga ky dijetar.

[2] Te një letër e Leibniz-it e vitit 1714 drejtuar Johann Chamberlayn, lexojmë mes të tjerash: “Sot e quajnë gjuhën sllave në përgjithësi ilire, sepse sllavët janë vendosur në Iliri” (cituar sipas përkthimit të B. Demirajt).

[3] Nga e njëjta letër, mund të krijojmë një ide edhe për mënyrën si e përfytyronte Leibniz-i ilirishten: “Ilirët e vjetër ishin të burimit kelt. Ata përdornin një gjuhë shumë të afërt (= farefisnore) me gjermanishten dhe galishten.” (cituar sipas përkthimit të B. Demirajt).

[4] Për t’u shënuar këtu edhe kundërvënia midis Ilirisë dhe Epirit, si rimarrje e kundërvënies midis sllavishtes si “ilirishte moderne” dhe ilirishtes “së lashtë”.

[5] Jokl, N., Albanisch, në “Die Erforschung der indogermanischen Sprachen”, Zweites Buch, II, Strassburg, Verlag von Karl J. Trübner, 1917, ff. 109-151.

[6] Një studiues relativisht i vonë, si N. Reiter-i (Leibniz’ens Albanerbriefe, Zeitschrift für Balkanologie, 1980, XVI, 1, ff. 82-97), shkon deri aty sa të pohojë se “ilirishtja kishte për të [Leibniz-in, A.V.] më tepër një funksion kozmetik, meqë tingëllon më mirë po të mund të thuhet se kjo ose ajo gjuhë ka qenë e njohur qysh në lashtësi…”. Pa u pajtuar plotësisht me këtë pohim e pa e vënë në dyshim faktin se, duke e barazuar ilirishten me shqipen, dijetari gjerman vetëm sa mbushte një kuti të zbrazët në tabelën e origjinës së gjuhëve të Evropës, do të thoshnim se, për kohën, Leibniz-i nuk mund të shkonte më tej, sidomos për sa i përket shqipes. Argumenti i vijueshmërisë gjeografike, i sjellë për herë të parë prej tij, mbetet edhe sot themelor për të mbështetur tezën e prejardhjes ilire, pse ilirishtja mbetet njëlloj e panjohur, shenjë konvencionale që mbulon një zbrazëti të hidhur për albanologët. Nuk duket pak, po të kemi parasysh se, që prej gati tre shekujsh, dija nuk ka arritur të sjellë argumente të tjera po kaq vendimtare, megjithë sukseset e padiskutueshme të gjuhësisë historiko-krahasuese, të gjuhësisë gjeografike e të gjuhësisë ballkanike.

4 Komente

  1. Vertet nuk eshte perkthim i fjaleperfjalshem, por mua nuk me duket gabim aq i rende sa te permbyset kuptimi. Leibnizi mendon se shqipja nuk rrjedh prej ilirishtes. Ky eshte thelbi i pasazhit dhe ky thelb nuk eshte cenuar ne perkthim. Fakti tjeter qe sillet eshte se ne kohen e tij quhej “gjuhe ilirike”. Qe ai nuk pajtohej me kete percaktim, pra e konsideronte te gabuar, del qarte edhe ne perkthimin e Elsie-se.

    1. Besoj se, sa kohë që Leibniz-i e thotë qartë se shqipen e quajnë “gabimisht” (par abus) gjuhë ilire, atëherë kjo duhet përcjellë edhe në përkthim; sepse më duket me rëndësi themelore për të kuptuar si e mendonte filozofi gjerman atë punë. Siç del edhe nga një pasazh i një letre tjetër të Leibniz-it, që kam cituar në shënimin 2, këtij nuk i dukej e saktë që sllavishtja të quhej “gjuhë ilire” (dhe meqë shqipja, për Leibniz-in e vitit 1709, kish gjasë të ishte gjuhë sllave, atëherë edhe ajo nuk mund të ishte “gjuhë ilire”). Madje tek letra e cituar, Leibniz-i bën dallim midis shqipes si “espèce d’Esclavon” (lloj sllavishteje) dhe gjuhës së ilirëve të lashtë, që mund të ketë mbijetuar në “malet e Epirit” dhe që duhej hulumtuar më tej. Ai përjashton filiacionin ilir të së parës dhe e supozon këtë filiacion për të dytën. Ky pështjellim i Leibniz-it vjen, besoj unë, ngaqë në gjeografinë e tij mendore, Iliria dhe Epiri janë dy entitete të ndryshme; dhe gjurmët e “ilirishtes së lashtë” janë ruajtur në Epir. Ndoshta do ta ketë dëgjuar a parë gjëkundi shqipen të quajtur “lingua epirotica”, edhe pse në 1709 Fjalori i Bardhit ende nuk i kish rënë në dorë. Prandaj arsyetimi i Leibniz-it, i organizuar rreth asaj “par abus”, është i gabuar, por njëkohësisht domethënës dhe i rëndësishëm për të kuptuar evoluimin e mendimit të tij. Ndryshimi që bën Elsie – se nuk po guxoj ta quaj “editim”, “ndreqje” ose më keq akoma “sheqerosje” – e vështirëson këtë interpretim.

  2. Megjithe admirimin per figuren e Lajbnicit, megjithe respektin per punen e palodhshme te R. Elsis, mendoj se si thenia e vete Lajbnicit ashtu dhe perkthimi i R. Elsise nuk luajne kurrfare roli ne boten shkencore, (pra as duhet humbur kohe me keto shprehje), pasi kemi te bejme me nje opinion te pergjithshem e te percipte, biles me sakte, me nje mendim apo dyshim te shprehur ne nje kohe kur shkenca e krahasimit te gjuheve akoma nuk kish lindur.

    1. Por dija e mirëfilltë gjithnjë me gjëra “të vogla” merret – të mëdhatë ia lë ideologjisë. Ato çfarë ka shkruar Leibniz-i për shqipen kanë rëndësi mes të tjerash ngaqë (1) tregojnë si e mendonte dija perëndimore prejardhjen e shqipes, para shekullit XIX; (2) ndihmojnë për të kuptuar si u arrit te metoda historike-krahasuese në gjuhësi (nëpërmjet përpjekjeve për të zbuluar gjuhën universale); (3) ndihmojnë për të kuptuar edhe si njihej shqipja në Europën e Leibniz-it, për shembull, duke gjurmuar tekstet me të cilat punonin dijetarët e kohës, si Fjalori i Bardhit dhe Doktrina e Budit; (4) ndihmojnë për të kuptuar, më në fund, si e përfytyronte dija europiane historinë dhe parahistorinë gjuhësore të Ballkanit. Të mos harrojmë se në atë kohë shumë njerëz ende besonin se gjuhët europiane rridhnin, në analizë të fundit, nga hebraishtja. Prandaj nuk besoj se po humbet kush kohë, duke u marrë me letrat “shqiptare” të Leibniz-it, sidomos në rrethanat kur informacioni për njohjen e shqipes para shekullit XIX është kaq i pakët dhe i varfër; dua të them, ndihmojnë jo vetëm studimet leibniz-iane, por edhe ato albanologjike, veçanërisht për të sqaruar peripecitë e kuptimeve të emrit “Iliri”, siç e kam përdorur edhe unë në shkrimin më lart. Sa për përkthimin e Elsie-t, ky ka rëndësi jo në vetvete (ata që studiojnë dokumentet në fjalë, i lexojnë këto në origjinal) ngaqë është i pari që të del përpara, po të kërkosh për letrat shqiptare të Leibniz-it në Google; dhe prandaj duhet saktësuar, për të mos ushqyer keqkuptimet mes kureshtarëve; aq më tepër që sot, për shumë studentë, Google-i ka zëvendësuar bibliotekën.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin