ILIRIA E SHEKSPIRIT

Ka qenë një kohë që, kur dëgjoja se ngjarjet e komedisë “Nata e 12-të”, të Shekspirit, zhvilloheshin në Iliri, më ngjethej mishi. Do të kem qenë diku midis 9 dhe 12 vjeç; më pas nuk mbaj mend që kjo të më ketë mallëngjyer më.

Mirëpo gjithnjë shoh dhe dëgjoj për individë, grupe madje edhe institucione, jo të mitura por në moshë madhore, që të ngashërehen nga kjo komedi “ilire” e Shekspirit; dhe jo sepse është e Shekspirit, madje as sepse është e bukur ose argëtuese – por sepse është “për ne.”

Dhe këtu ka një problem.

Nata e 12-të është e ambientuar në Iliri; por personazhet – me emra si Viola, Sebastian, duka Orsino, Olivia, Malvolio, Maria, Feste, Antonio, Curio, duken sikur janë marrë hua prej teatrit dhe letërsisë italiane (veçanërisht Commedia dell’Arte). Historianët e teatrit shekspirian kanë vënë në dukje ngjashmëritë e mëdha midis Natës së 12-të dhe komedisë Gl’ingannati, të shkruar kolektivisht nga Accademia degli Intronati, në Siena.

Tek e fundit, lidhjet mes dramaturgjisë shekspiriane dhe Italisë janë të mirënjohura.

Nga ana tjetër, janë vërejtur edhe ngjashmëri strukturore dhe narrative midis komedive të Shekspirit (veçanërisht Komedisë së gabimeve, por edhe vetë Natës së 12-të) dhe pjesës teatrale Menehmët, të Plautit; ngjarjet e së cilës zhvillohen në Epidamnus[1], ose në Durrësin antik, çfarë mund t’i ketë sugjeruar autorit Ilirinë si lokacion.

Në kohët e Shekspirit, emri i Ilirisë përmendej ndonjëherë në kontekstin e lajmeve dhe legjendave për piraterinë në Adriatikun e shekullit XVI (uskokët), që shqetësonte Venedikun dhe popullsitë latine të brigjeve të Dalmacisë, përfshi këtu edhe Raguzën (Dubrovnikun e sotëm), të cilën disa historianë e kanë lidhur me Natën e 12-të – piratët e Ilirisë përmenden edhe te një pjesë më e hershme e Shekspirit, Henry VI, Part II (“Bargulus[2], the strong Illyrian pirate”).

Në çdo rast, dhe siç është theksuar rëndom, “Iliria” për Shekspirin përfaqëson një territor të përtejmë, të huaj, të largët, ekzotik; ose të panjohur jo aq për publikun e tij anglez (i cili për Ilirinë nuk do të kish dëgjuar kurrë), sa për botën italiane të shumë pjesëve të tij të njohura, nga Verona te Venediku. “Iliria” është kësisoj ana e errët e Italisë, si skenë e teatrit shekspirian.

Në kohën kur jetonte Shekspiri, Iliria, si territor gjeografik, përkonte me provincën romake të Illyricum-it, që shtrihej nga Drini në Istria: pjesa e kësaj province më e njohur për Europën perëndimore, dhe veçanërisht për Italinë, ishte Dalmacia – dhe qytetet e saj ku jetonin italianë, latinë (dalmatë) dhe sllavë katolikë. Që nga shekulli XVII, i njëjti emër gjeografik – Iliria – nisi t’u bashkëlidhej trojeve sllave të Ballkanit perëndimor; çfarë gjeti shprehje në Provincat Ilire që Napoleoni i përfshiu në Perandorinë e vet dhe më pas Mbretëria e Ilirisë, që ish për një kohë pjesë e Perandorisë Austriake. Në ato kohëra, viset e banuara nga shqiptarët, më në jug, do të identifikoheshin si rregull me Epirin ose Maqedoninë antike, jo me Ilirinë.

Vetë emri “ilir”, që u përdor për këto vise, nuk i referohej etnicitetit të banorëve të tyre (sllavë, dalmatë, italianë), por përfaqësonte një manierizëm neoklasik, ose modën për t’u dhënë trojeve moderne emra të lashtësisë, në mbështetje legjitimitetesh dhe pretendimesh politike.

Këto të dhëna të bëjnë të mendosh se për Shekspirin “Iliria” nuk ishte veçse toka në brigjet adriatike përballë Italisë[3], një vend gjeografikisht edhe i afërt, edhe i largët; i njohur për dijen dhe kulturën antike, por edhe i shkëputur nga përditshmëria “perëndimore” – çfarë do ta bënte skenë të përshtatshme për një komedi si Nata e 12-të, e cila nuk është e rrënjosur në truall, as në personazhet.

Në fakt, emri Illyria shfaqet në tekstin e pjesës gjithsej dhjetë herë (dymbëdhjetë, po të llogaritim edhe hasjet në tekstet përshkruese), dhe pikërisht:

CAPTAIN: This is Illyria, lady.

VIOLA: And what should I do in Illyria?

SIR TOBY BELCH: He’s as tall a man as any’s in Illyria.

SIR TOBY BELCH: I’ll drink to her [my niece] as long as there is a passage in my throat and drink in Illyria.

SIR ANDREW: As any man in Illyria, whatsoever he be, under the degree of my betters;

SIR ANDREW: And I think I have the back-trick simply as strong as any man in Illyria.

CLOWN:  if Sir Toby would leave drinking, thou wert as witty a piece of Eve’s flesh as any in Illyria.

FABIAN: He is, indeed, sir, the most skilful, bloody and fatal opposite that you could possibly have found in any part of Illyria.

SIR ANDREW:  I’ll have an action of battery against him, if there be any law in Illyria.

MALVOLIO: I tell thee, I am as well in my wits as any man in Illyria.

Po ashtu, njëri prej personazheve, ORSINO, prezantohet si “Duke of Illyria”; akti i parë ndodh te “A city in Illyria and the sea-coast near it”;

Edhe një vështrim i shpejtë të lejon të pikasësh disa rregullsi në këto hasje (okurrenca) të emrit “Iliri”: “as any man in Illyria (tre herë), in any part of Illyria, any law in Illyria, etj.; të cilat tregojnë se Iliria shërben këtu si normalizator, ose si shënjues i vetëdijes së personazheve për sfondin, botën ku jetojnë dhe që i rrethon – por jo më tepër.

Dhe kjo është një arsye më tepër për të kuptuar se zgjedhja e Ilirisë te Nata e 12-të nuk është veçse një përftesë narrative për ta zhvendosur botën e komedisë përtej, dhe është zgjedhur prej Shekspirit falë rezonancës konotative që ka me botën italiane, romake dhe klasike në përgjithësi.

Kjo Iliri e Shekspirit nuk ka gjë të bëjë me Shqipërinë, shqiptarët, prejardhjen e tyre, lashtësinë shqiptare dhe shqiptarinë; prandaj përpjekjet e disave për ta kornizuar komedinë vetë dhe produksionet e saj specifike si “me temë shqiptare” janë, në rastin më të mirë, patetike.

Një vepër nga Shekspiri meriton të vihet në skenë dhe të ndiqet nga publiku sepse është nga Shekspiri dhe sepse ka vlerë të madhe artistike dhe kulturore, jo sepse i kruan bishtin patriotizmit fëminor të disave prej nesh. Që Nata e 12-të është e vendosur në Iliri dhe jo, ta zëmë, në Korsikë ose në Sicili ose në Korfuz, kjo nuk ka ndonjë relevancë as për fabulën, as për narrativën, as për personazhet e pjesës; meqë bota e komedisë dhe indi i saj social-kulturor janë, në thelb, italiane me nota elizabetane dhe një sfond klasik greko-romak.

Si edhe herë të tjera, vëmendja e tepruar madje keq-interpretimi herë naiv herë i qëllimshëm i një detaji me relevancë inter-tekstuale[4], por jo historike, si ai i Ilirisë, i përçudnon pritjet e publikut dhe e orienton këtë drejt një përjetimi të kotë të shfaqjes, madje një shpërdorimi të eksperiencës teatrale, në emër të një patriotizmi, madje etnocentrizmi agresiv.

Shkak për këto shënime u bë një lajm që e pashë të shpallur anembanë, për një vënie në skenë të Natës së 12-të në skenën e teatrit Metropol, nga regjisori amerikan Justin Anderson, i cili ka vendosur ta ambientojë veprën në Shqipërinë e viteve 1800. Shpresoj dhe uroj me zemër, që kjo vënie sërish në skenë të ketë sukses – por jo në kuptimin albanologjik, siç po duan ta trumbetojnë të zellshmit. Shekspiri meriton të shijohet jashtë tundimeve tona për të qenë në qendër të universit; Shekspiri nuk e meriton të përdoret si kamera për selfie-t tona prej të frustruarish … Edhe pse, mënyra si ka zgjedhur ta prezantojë këtë event një faqe kulturore si “Pasqyra”, duke vërejtur se “Ngjarjet e kësaj komedie… ndodhin në Ilirinë e kohërave të hershme, Shqipëria e sotme” nuk premton për mirë.

(c) 2017, Peizazhe të fjalës.


[1] Për këtë arsye, teksti ishte përfshirë si lexim i detyruar në programin e letërsisë antike, në degën e Gjuhë-Letërsisë, të Fakultetit Histori-Filologji të kohës kur studioja unë.

[2] Sipas ndonjë studiuesi, ky Bargulus nuk është veçse Bardulis, “banditi ilir” (“Illyrius latro”) për të cilin flet Ciceroni (De Officiis), duke iu referuar Teopompit; dhe që nuk është veçse ai që ne njohim si mbreti Bardhyl. Për t’u shënuar se forma Bargulus, që përdor Shekspiri, gjendet në dy përkthime anglisht të Officiis në vitet 1533 dhe 1534; e kanë shpjeguar si gabim shkrimi, por mund të jetë edhe refleks i një forme paralele të emrit në lashtësi; sidomos në rrethanat kur proto-shqipja *bardza (si formë që i ka paraprirë mbiemrit (i) bardhë) është afruar nga ndonjë etimolog me sanskritishten bharga “i ndritshëm”.

[3] Të shtojmë këtu edhe që komedia nis kur anija me të cilën udhëton Viola mbytet gjatë një stuhie, në brigjet e Ilirisë.

[4] Inter-tekstuale, në kuptimin që Iliria e Shekspirit nuk mund të kuptohet dhe as të ekzistojë jashtë referencave të pjesëve të tij teatrale ndaj botës italiane dhe klasike.

20 Komente

  1. Sa per saktesim, Provinca e Ilirise ne kohen e romakeve , shtrihej nga Lumi Drin (jug) deri ne lumin Sava (veri).
    Edhe sikur kete reference te kete perdorur Shekspiri per kohen e ngjarjeve, ti z. Adrian thua se asokohe trojet shqiptare ishin jashte kufijve te provinces Ilire. Jashte provinces ilire ishte gjysma e trojeve shqiptare , jo te gjitha.
    E dhena e dyte e cila nuk eshte thjesht perftese narrative eshte vete Orsio- Duka i Ilirise dhe e dhena e trete eshte fakti qe anija mbytet ne brigje te Ilirise.
    Sigurisht qe keto te dhena nuk permbajne asnje tregues per etnicitetin e personazheve, pra nese ata jane shqipfoles, dalmate apo italiane te brigjeve te Dalmacise.
    Lokacioni eshte qartesisht Ilir, Duka eshte ilir, edhe personazhet jane ilire, perderisa ne provincen e ilirise romake por edhe ne ate te Mesjetes ( Shekspiri e shkroi ne vitin 1601 komedine) popullsia e perziere nuk perjshton te jene vendas me emra qe tingellojne si italiane.
    Fakti qe sot ne trojet shqiptare nga Drini e ne Veri , njerzit quhen Zef, Ibrahim, Mustaf apo Mazllem, nuk do te thote se po keta emra kane patur dhe banoret e ketyre trevave ( dalmate, shqiptare, italiane katolike) ne kohen e perandorise romake apo ne mesjeten e hershme.
    Ka ndonje tregues komedia se personazhet e komedise ishin turiste romake , ania e te cileve u mbyt ne brigjet e Ilirise?
    Une e kuptoj se duhet shigjetuar e ridikuluar cdo krekosje kombetariste qe komedine e Shekspirit e merr si te shkruar prej tij enkas per NE, shqiptatet. Por nuk kuptoj keto “pasaktesite” historike dhe kenaqsine e dukshme qe kjo komedi nuk thote asgje per iliret si paraardhesit tane.
    Ose ndoshta ne nuk jemi pasardhes te ilireve dhe nuk kishte pse i bihej kaq gjate ketij muhabeti me naten e dymbedhjete.

    1. Emri neoklasik për shqiptarët në Mesjetë dhe në kohën e re ishte “epirotë” ose “maqedonas” – “ilirë” kur përdorej ndonjëherë, përdorej për sllavët e jugut. Edhe Leibniz-i, në një nga letrat e veta “shqiptare” – më të hershmen – pat shkruar kështu: “kam përshtypjen se [shqipja] duhet të jetë ndonjë lloj sllavishteje, meqë kjo gjuhë flitet përgjatë detit Adriatik. Njihet gabimisht (on l’appelle par abus) me emrin Linguam Illiricam, por unë besoj se gjuha e ilirëve të lashtë ishte diçka tjetër. Po të kish ndonjë mbetje të saj në malet e Epirit, kjo do të ishte shumë interesante dhe e denjë për kërkimet tona.” (Më vonë Leibniz-i do ta ndryshonte këtë mendim, duke u bërë me gjasë i pari dijetar i kohës së re që do ta shihte shqipen si vazhduese të ilirishtes).

      Tani, këtu çështja nuk është nëse mund të ketë ndonjë relevancë “Iliria” e Shekspirit për shqiptarët sot, por të kuptojmë – me aq sa mundemi – se çfarë e shtyu Shekspirin të përdorte atë emër dhe atë lokacion në komedinë e vet. Me aq sa kam gjetur unë, Iliria te Nata e 12-të është fiksionale, një vend “përtej”, i cili fiton konsistencë narrative brenda kuadrit social-kulturor të botës italiane të shekujve XV-XVI dhe letërsisë e teatrit përkatës, që Shekspirit i shërbyen si burime. Është fjala për një Iliri letrare, jo historike; të populluar nga personazhe të një komedie, me emra si Duka Orsino, Viola, Malvolio, Olivia e kështu me radhë, që janë qartazi italianë (dhe këtu nuk po përmend personazhe si sir Toby Nelch dhe sir Andrew Aguecheek). Nuk është për t’u përjashtuar që Orsino, Viola e Malvolio të ketë pasur edhe përgjatë bregut dalmat, në atë kohë – sidomos në qytetet me popullsi latine, dalmate, italiane dhe veneciane. Të kemi parasysh që shqiptarët, madje edhe ata në veri të Drinit, nuk kanë qenë dhe aq të pranishëm në qytetet bregdetare dhe në zonën afër bregdetit të Adriatikut – ekzistojnë dokumente të mjaftueshme për Durrësin, Vlorën, Drishtin dhe Shkodrën, në Mesjetën e vonë (para pushtimit osman) për t’u bindur se shqiptarët (arbërorët) atje kanë qenë një pakicë – Ducellier ka folur gjatë për këtë dhe nuk po dua të zgjatem. Në çdo rast, më duket gabim i madh që ta lexojmë komedinë e Shekspirit si ndonjë dokument historik; sepse as nuk është as nuk pretendon të jetë i tillë, përveçse si dëshmi e mënyrës si shkruhej letërsi dhe teatër në kohën e Shekspirit.

      Dhe më në fund, pika S – mund të bëjmë debat gjithë ditën për këtë çështje; por nuk më pëlqen kur flet për “kënaqësi të dukshme që kjo komedi nuk thotë asgjë për ilirët si paraardhësit tanë”; sepse duhet të jesh vërtet naiv, që të kujtosh se mund të gjesh te Shekspiri ndonjë provë a indicje se ilirët janë paraardhës të shqiptarëve; dhe sepse unë këtë nuk e kam dyshuar ndonjëherë, prandaj edhe habitem kur shoh të tjerët që e trumbetojnë. Shkrimi im më lart nuk ka fare, po FARE lidhje me çështjen e prejardhjes së shqiptarëve; por KA lidhje me deformimin që ia bën kulturës shqiptare sot preokupimi kombëtarist i sforcuar. Kjo që ndodh me “Natën e 12-të” është vetëm një shembull; mund të sillja edhe shumë të tjerë.

      1. Une nuk kam asnje iluzion se komedia e Shekspirit eshte dokument historik , ne vetvete, dhe as po them se ne ate komedi Shekspiri flet per prejardhjen ilire te arberoreve/ shqiptareve.
        Komenti im mori shkas nga pohimi juaj se :
        Në kohën kur jetonte Shekspiri, Iliria, si territor gjeografik, përkonte me provincën romake të Illyricum-it, që shtrihej nga Drini në Istria: pjesa e kësaj province më e njohur për Europën perëndimore, dhe veçanërisht për Italinë, ishte Dalmacia – dhe qytetet e saj ku jetonin italianë, latinë (dalmatë) dhe sllavë katolikë.”
        Ajo qe une e quajta “pasaktesi ” i referohet faktit qe , nese Shekspiri merr si reference “provincen romake Illyricum” , atehere brenda kesaj province perfshihej EDHE nje pjese e popullsise qe me pas u njoh si shqipfolese ( nga Drini, Shkodra deri ne Tivar, ne mos deri ne Kotorr) , edhe pse-sikurse thoni ju- Dalmacia ishte me e njohur.
        Me pas ne shkrim ju flisni per Provincen e Ilirise dhe Mbreterine e Ilirise pas shek. XVII, ( ku nuk perfshihej popullsia shqipfolese ne menyre eksplicite) pra pertej kohes kur Shekspiri shkroi komedine.
        Koha e shkrimit te komedise dihet (1601). Po koha e ngjarjeve te komedise/ referenca kohore, cila eshte? Shekulli XVII-XVIII ( Mbreteria Ilire) apo koha e Provinces romake Illyricum?
        Nese eshte kjo e dyta, edhe pse komedia Ilirine e trajton si lokacion fiksional, brenda ketij koncepti, pra ne fiksion, personazhet kane vetedijen e sfondit historik dhe kulturor . Dhe nga ky kendveshtrim, personazhet e trilluar te Shekspirit jane pa pasaporte etnike, ne kuptimin e sotem, dhe duke qene keshtu, shqiptatet e sotem , sikurse dhe kroatet, kane te drejten legjitime ti shikojne si “te tyret” dhe narrativen e komedise ta imagjinojne sot si deshmi artistike ( dhe jo si dokument historik) EDHE per paraardhesit e tyre, dhe jo ekskluzivisht vetem per Dalmatet.
        Ne kete kontekst, cvendosja nga regjizori italian i lokacionit te komedise ( ne kohe dhe hapsire) diku me poshte lumit Drin, ne shek. e XVIII dhe ne Epirin e Ali Pashes, ndoshta manipulon shikuesin e painformuar dhe ushqen iluzione kombetariste por kjo cvendosje eshte legjitime si truk artistike dhe logjikes historike, kapur pas fillit historik ( Provinca e Illirise).
        Cvendosje te tilla dhe sjellje te krijimeve te Shekspirit ne bashkekohesi nga regjizoret , jane nje praktike e njohur dhe , madje, duke modernizuar edhe indin social-kulturor te tyre.
        Nese regjizori amerikan kete cvendosje kohore te ngjarjeve te komedise e shoqeron me kostumografine dhe muziken tradicionale shqiptare , por pa deformuar ” indin social-kulturor” te komedise, e gjitha eshte nje konvecion dhe operacion artistik. Asgje shqetsuese.
        Interpretimet gazetareske me aludime kombetariste thjesht rrefejne paditurine e tyre groteske.

        1. Nuk është e nevojshme të futesh as në albanologji e as në histori e as të jesh njohës i hollë i Shekspirit (për të qenë thelluar në të trija disiplinat duhet të të falë Zoti edhe nja dy jetë të tjera) për të vëne re se ku rreh nga njëra anë çekani i artikullit te Pasqyra, nga njëra anë, dhe ai i shkruesit, nga ana tjetër.

          Nëse te Pasqyra po duan që Shekspiri të bëjë shqiponjën a ta veshin me kostum popullor e të bëjnë një selfie me të, mundësisht në presidencë, artikullshkruesi këtu vë re, me të drejtë, absurditetin e këtij përskajimi në SHTYP e jo medoemos në SKENË.

          Për këtë të dytën duhet parë shfaqja dhe inskenimi në fjalë, por edhe shkrimi nuk merret më këtë inskenim dhe as bën recensionin e tij.

          Që Shekspiri mund të inskenohet edhe në forma alternative – qoftë edhe me kostume popullore shqiptare – për këtë mund të merrej si shembull Orson Wells-i, bie fjala, që e pat vënë këtë në skenë vetëm me zezakë. Mund të silleshin shembuj të panumërt këtu: “Apocalypse now” apo “O Brother, Where Art Thou?” etj., nuk janë veçse inskenime të zhvendosura të Conrad-it (“Zemra e errësirës) dhe Odisesë – mirëpo ky nuk është shqetësimi i shkrimit.

          As kombëtarizmi – ky do të ishte fjalëzim i gabuar, porse “nacionalizmi”, ekstremi tjetër ky i lapërdhisë mediatike, që vura re unë kësaj here një koment më poshtë.

          Thënë shkurt: abuzohet në të dyja skajet e kombëtarisë: një palë e kujton veten për kërthizë të botës, ndërkohë që pala tjetër është gati të shesë të pasmet e gjithçka të trashëguar, për të shitur ndonjë ekzemplar më shumë të ndonjë libri, që sidoqoftë nuk e blen kush.

          1. Artikullshkruesi (A.V) reagon ndaj qasjes se shtypit per venien ne skene te Nates se dymbedhjete- dhe prezantimit te asaj ( komedise) si fakt albanologjik, si deshmi historike e dhene nga Shekspiri per Iliret , dhe me qe shqiptaret jane pasardhes te ilireve, komedia ka per subjekt NE shqiptaret e asaj kohe. Kjo eshte qasja e shtypit .
            Por artikull shkruesi i uron sukses ketij skenimi te RI dhe shpreh njeherazi dhe drojen qe kjo cvendosje ne kohe , hapsire dhe forme ( veshjet shqiptare te personazheve te komedise , sfondi muzikor me folk tradicional) te mos merren ( nga shikuesi dhe media) si fakt albanologjik .
            Pra duket se edhe regjizori amerikan me vetedije luan pak me ndjeshmerite tona etnocentrike ( ky do ishte me sakte si term per te shenjuar dukurite e sotme te krijimit te miteve per gjuhen shqipe si gjuha meme e kulturave dhe te gjithfare sharlatanesh te cilet rreken te bejne pseudoalbanologji me Aleksander, Perandore ilire, mite qe paskeshin qene tonat por na u vodhen nga helenet etj. etj. Ja nje deshmi- nese keni kohe dhe nerva i nderuar zotni- mund ta shikoni https://youtu.be/NCDBVPjPEnw)
            Dhe pajtohem me mendimin tuaj per refuzimin qe duhet ti bejme skajimit tjeter nihilist dhe ridikulizues edhe te atyre pakogjerave te mira qe kemi trasheguar, edhe kur mbeshtillen me mite apo hiperbolizohen.

            1. Faleminderit për linkun. Nuk di sa kohë keni që lexoni në këtë blog – ndoshta është e tepërt kjo që vijon; sidoqoftë më lejoni të vë në dukje, si lexues i rregullt këtu, prej vitesh tashmë, se këtu shpesh i bihet derës që të dëgjojë pragu dhe aludimet janë nganjëherë të tërthorta. Më së shumti kjo, ma do mendja, e kushtëzuar nga njëfarë mirësjelljeje akademike – nganjëherë e tepruar, mbase soft, rrallë e mbufatur, për shijen time – dhe nga fakti që në Shqipëri njihen të gjithë me të tërë. Edhe autorët nuk bëjnë përjashtim këtu, përshirë edhe shkruesin.

              Sidoqoftë – për shkrimin në fjalë: artikullshkruesi vë thjesht në dukje se rrafshi letrar dhe ai albanologjik janë dy gjëra të ndryshme dhe: interpretimi im ky e ndoshta gabohem – se po teprohet me simbolet kombëtare, me kostumet popullore, etj. dhe unë këtë vetëm e nënvizoj.

              Pas Cocciante-s, De Biazi-t dhe ambasadës amerikane (tërë personelit) tani i erdh’ radha Shekspirit.

              http://www.balkanweb.com/site/fotovideo-roland-tasho-prezanton-setin-e-rralle-fotografik-me-kostume-popullore-nga-de-biazi-tek-riccardo-cocciante/
              https://www.google.de/search?

              biw=1425&bih=776&tbm=isch&sa=1&ei=ypguWqDtI4iiwAK2p7ewCA&q=gani+biazi+kostum+komb%C3%ABtar&oq=gani+biazi+kostum+komb%C3%ABtar&gs_l=psy-ab.3…4816.8820.0.9137.16.16.0.0.0.0.242.1703.10j5j1.16.0….0…1c.1.64.psy-ab..0.0.0….0.6kmtJ0zYSTs#imgrc=WMUAAWgR2LTpYM:

              Mbase duhej shtuar këtu edhe rrafshi sociologjik e ai juridik: për shembull që për ujë e drita e për hapjen e dosjeve – për të mos folur për përmbytjet e korrupsionin – nuk ngjan të ngutet kush, gjë që nuk mund të thuhet për daljet në skenë e në ekran.

              Në këtë kuptim, mbase duhej inskenuar më së pari “Tregtari i Venedikut” : për rolin e Shajlokut do të kisha vërtet ca propozime interesante.

  2. Nacionalizmi natyrisht që duhet frenuar e qortuar kudo. Mirëpo, po në shtyp, një klik më tutje, gjenden tituj të tillë:
    “Shqiptarët, marrëdhënie erotike me armët”, apo “Shqiptarët: homoerotikë”.

    Këtu, nuk të mbetet tjetër, nëse nuk ke ndonjë kompleks identitar e nuk bën striptease me kallashin çdo mbrëmje në ekran, veç t’u kujtosh protagonistëve këtë:

    TË GJITHË KRETASIT GËNJEJNË

    Me të vërtetën dikujt mund t’i shkojnë punët si me atë historinë me kretasit.
    Kjo është goxha e shkurtër: “Një kretas (Epimenidesi) thotë: të gjithë kretasit gënjejnë.”
    Nëse të gjithë kretasit gënjejnë dhe thënësi është nga Kreta, atëherë ai nuk thotë të vërtetën. Thënia e tij – të gjithë kretasit gënjejnë – është pra gënjeshtër. Atëherë, në vijim, i bie që të gjithë kretasit të thonë – duke gënjyer – të vërtetën. Për pasojë, edhe kretasi ynë thotë të vërtetën, kur ai pohon që të gjithë kretasit gënjejnë. Dhe kjo në vijim do të thotë… etj., etj., e kështu me radhë.
    Thënia pra është e vërtetë me kushtin që ajo të jetë e rreme. Kjo është ajo që quhet “aporia” klasike, një kundërti prej të cilës nuk mund të dilet pa u ngatërruar në të tjera kundërti.

  3. E verteta eshte se te kerkosh te Shekspiri indikacione te vlefeshme per ne sot me duket fort e çuditeshme. Dihet se pertej gjenialitetit te tij, ai ka qene fort pak i formuar ne kulture te pergjitheshm. Ishte i pashkollur e autodiakt. Kete nuk e shoh si te keqe ne vetvete per nje artist (madje si gje te mire per t’u ikur skemave), por kur eshte fjala qe pikerisht ai t’u thote gjesendi historike, sociologjike a antropologjike edhe diteve tona, ne nje domen qe kerkon studime dhe interes veçanerisht te specializuar, kjo perben problem. Dikur lexoja gjera intersante per nje subjekt te tille (paditurine e tij), por sot me ka mbetur ne mendje p.sh qe te Jul Qezari ai ben topat te gjemojne, me tej nje qytet te brendshem te Italise, Verona me duket, e nxjerr si qytet bregdetar etj. etj. Per pasoje, ajo qe ne kohen e tij ia demtoi famen dhe me te medhenj se ai cilesoheshin E. Spenser etj ishte se ai mbahej si injorant ( Dictionnaire des auteurs, Laffont-Bompiani, Paris, 1990, p.303). Sot u kalojme anash ketyre konsideratave sepse Shekspirin e lexojme jo per te mesuar se ku ndodhet Verona, fvj por per thellesine e paarriteshme te sondimit te shpirtit njerzor. Por ne pozite ende me te veshtire e veme ate, ne mos me keq, edhe duke i kerkuar te dhena per nje province akoma me te panjohur si Iliria.
    Por tutje ketyre konsideratave, gjthnje kam menduar se emri Iliri per te huajt ka nje ngarkese mjaft me ekzotike se sa per ne, qe te degjuarit e shpeshte e ka rrafshuar disi ate muzikalitet te lehte si fllad mbi kavakët e moçëm qe krijohet tek i jepet fryme te “i-se” nistore, per t’u terhequr befasisht e zbutur frekuencen zanore te “l”-ja”, per ta rimarre perseri ne dore “i-në” me nje theks me te plote si per t’i rritur e moralin e per te ngecur me “r-ne” ne nje zalli lumi, ku nis e ngrihet tingulli nostalgjik e vetmitar si eremi i “i-se” finale. Jam gati te besoj se prania aty e kengeve me iso, nuk eshte krejt rastesi.
    Se nuk kam si e shpjegoj qe tutje Shekspirit, Iliria behet vend terheqes per personazhet e librit “Mbreterit ne ekzil” te Alfons Dode-se, ne menyre te pabesueshme aty vendoset edhe aksioni i “Duarve te ndyra” te Zh. P. . Sart, si province romake, Iliria ka terhequr shkrimtaren A. de Leseleuc, per te vendosur aksionin e romanit te saj “Kalendat e shtatorit” (trajton me nje fryme policore jeten e nje tribuni te njohur romak se Marcus Aper), por ne Iliri zhvillohen edhe ngjarjet e romanit The Blood Oranges, te amerikanit J. Hawkes, nje roman kult erotik, mardheniesh e shkembimesh seksuale midis personash e çiftesh te ndryshme.
    Une nuk besoj se ndokush mendon se keta te fundit mund te na mesojne gjesendi neve per Ilirine. Duket absurde, sepse veç emrit ata shpalosin asgje tjeter te vlefeshme per ne. E pra, nje detyre e tille shtrohet para me te talentuarit, por me te painformuarit, me te pa shetiturit (te pa dalit), me te pashkollit prej tyre, Shekspirit te madh.

    Ne rastin me te mire, ata duhet t’i falenderojme sepse nuk bien pré e opinionin me te perhapur per ato troje, pra si vend kaçakesh, banditesh, kusaresh, piratesh (qe sulmonin e plaçkitnin anijet romake Brindisi Igumenice), gje qe ne nje fare menyre ne opinion e pergjithshem jo vetem qe nuk ka ndryshuar, por eshte forcuar me shume. Sot e gjithe diten nuk ka gazete mos te flase per vrasje, vjedhje, traifk prostiutash, droge, korrupsion etj.

    Shkrimtaret e siperpermendur, ne traditen me te mire humane te artit te tyre, na paraqesin nje Iliri mjaft idilike dhe ekzotike, gje qe perseri vendasit nuk e gjejne te vertete, sepse nxitojne ta braktisin ne rastin me te pare. Por te pakten eshte me mire keshtu.

    1. “[N]e Iliri zhvillohen edhe ngjarjet e romanit The Blood Oranges, te amerikanit J[ohn] Hawkes…”

      Në librin që ju përmendni ka disa përshkrime që mbartin atmosferën e eksplorimit të një vendi antik. Rrënoja, mure dhe objekte të lashtë dhe diku më tej deti… Janë pamje që shfaqen gjithashtu edhe në film.
      Hawkes e botoi librin në vitin 1970. Ca vite më parë (në vitin 1953), arkeologu francez Leon Rey, i dërgonte për të lexuar mikut të tij, arkitektit Welles Bosworth, anëtar i Institute de France, atë që e cilësonte si dorëshkrimin e vet më të lumtur. Titullohej: “Hyjnitë kishin të drejtë” dhe fliste për Apoloninë.

      Natyrshëm mund të pyetet se ç’lidhje mund të ketë mes këtyre dy librave, apo autorëve. Aq më tepër kur dihet se Hawkes është amerikan, kurse Rey francez. E megjithatë, hollësitë dhe pikat e lidhjes janë aty, nëse lexoni librin për Apoloninë (botuar nga “Dituria”, në vitin 2012). Interesante është që asokohe, Leon Rey kërkonte një botues anglez, ose amerikan për ta botuar dorëshkrimin e tij, sepse teksti origjinal u shkrua prej tij në anglisht, me titullin “The Gods were right”.

      Për ta sqaruar disi lidhjen (e hamendësuar, sigurisht), ja si shprehej arkeologu me një mikeshën e vet për Apoloninë:

      “Ju e dini se aty ka vende magjepsesëse si këto kopshte të Trianonit që ju i njihni aq mirë, vende të përzgjedhura që nga historia e atmosfera që krijojnë, prekin apo nxisin imagjinatën e njerëzve, duke fiksuar përgjithnjë në zemrën e tyre një kujtim të bukur. Dhe kjo mund të lidhet me bukurinë e një vendi, me kujtimin për një grua, me një dashuri të bukur dhe të pafat, por unë nuk njoh tjetër vend që të ketë një atmosferë kaq të hirshme në kuptimin më të plotë të fjalës, kaq të gëzueshme dhe delikate sesa Apolonia… Hiret e saj qëndrojnë në ato pjerrësi të ëmbla, që nga njëra anë zbresin e shuhen në fushat ‘elizeane’ dhe nga ana tjetër qarkojnë atë luginë të vogël në fund të së cilës një vijë uji gjarpëron midis shelgjeve dhe dushqeve, apo që duken tutje në thellësi të maleve ku pleksen majat e tyre ajrore me pamjen që shtrihet deri në det, ku tutje ngrihet ishulli i Sazanit… Nuk di si të them, por një fakt është i sigurt: të gjithë ata që e kanë njohur këtë vend të privilegjuar kanë ruajtur një kujtim të mrekullueshëm, atë të një prej atyre pikëtakimeve që na rezervon jeta dhe ku shpirti, po aq sa edhe ndjenjat, gjejnë një lumturi të pakrahasueshme.”

      Një i tillë përshkrim nuk ka si të mos ketë qenë tërheqës për Hawkes që mund t’i ketë rënë në dorë dorëshkrimi i Rey-it, ose ka dëgjuar të flitet për të në rrethet që frekuentonte.

      Të jetë rastësi apo një lloj huazimi nga libri i Leon Rey-it, fakti një personazh i Hawk-ut e ka pasion fotografinë sikurse edhe vetë arkeologu që nuk ka ngurruar t’i vendosë madje në librin e tij?

      S’dihet në Hawk e ka vizituar Shqipërinë, po edhe itinerarin e lëvizjeve të Shekspirit zor ta kontrollojmë sot. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për autoren e Harry Potter, J. K. Rowling e cila gjithashtu e ka futur Shqipërinë në shkrimet e saj. Thjesht ka dëgjuar për pyjet e errëta të Bjeshkëve të Namuna, apo i ka rënë rruga nga alpet tona para se të bëhej e famshme?

      1. Nderhyrje me interes edhe pse nuk provon deri ne fund nje lidhje te vertete midis Hawkes me Leon Ray-it. Por nuk me kishte shkuar ndermend kjo lidhje par le biais te mikut te tyre te perbashket, Welles, edhe pse e kam lexuar me perfitim nje liber mjaft interesant te L. Rames per kete teme (versionin frengjisht). Gjithsesi jane me afer se sa mendoja.
        Ndersa kur thoni: “…. po edhe itinerarin e lëvizjeve të Shekspirit zor ta kontrollojmë sot.”, jam i shtrenguar t’ju them se nuk eshte tamam keshtu. Eshte tejet i madh numri i studimeve mbi pikerisht keto “itinerare” dhe ne asnje rast nuk del qe ai te kete lene ishullin e tij e te kete zbritur ne kontinent e aq me pak te kete ardhur ne Iliri (Arberi) se perndryshe do te ishim ne vete qe zbarkonim ne territore te paranojës.
        Me kete i shpjegojne edhe mjaft pasaktesi te rendit gjeografik ne vepren e tij.

        1. Padyshim që për jetën e Shekspirit ka një numër të madh studimesh. Disa prej tyre hedhin tezën se ai nuk ishte autori i vetëm i veprave të veta, por një lloj bashkëautori (mjafton të dihet që disa nga emrat e hamendësuar për bashkëautorësi me të janë: George Peele, Thomas Middleton, George Wilkins dhe John Fletcher) E dimë vallë nëse këta e kanë lënë ndonjëherë ishullin hijerëndë për të vizituar brigje të tjera? Për disa prej tyre ndoshta po.

          Pak a shumë i njëjti dyshim i mundon studiuesit e sotëm të Homerit (një përmendës i Ilirisë edhe ky) të cilët duan të provojnë nëse Homeri ishte i vetëm në krijimin e Iliadës dhe Odisesë, apo kemi të bëjmë me bashkëautorësi në formën e përmbledhjes së një tufe gojëdhënash të përcjella në kohë rapsod, pas rapsodi.

          Sido që të jetë e vërteta që fshihet pas vellos së kohës, Apolonia është aty ku ka qenë dhe mua (shpresoj të mos jem e vetmja këtu) më duket se e ka vërtet atë tërheqje magjike për të cilën flet Leon Rey tek “Hyjnitë kishin të drejtë”.

  4. Një recension të tij mbi shfaqen e komedisë në fjalë, Oscar Wilde-i, me atë stilin e vet karakteristik e mbyllte: “Where there is no illusion there is no Illyria!”

  5. E pashë shfaqjen dhe do kisha dashur që të ngelej te patriotizmi fëminor, por konstatova që gjërat rëndonin më shumë te etnocentrizmi, duke qenë se elementët përbërës si, p.sh., kostumet, por sidomos muzika – një përzierje e çuditshme repertoresh e gjinish që lëviznin nga “monodia” te “polifonia”, nga muzika “gege” te ajo “toske”, duke futur tek-tuk krahinoren e ndonjë melodie të këngës korçare – nuk bënin gjë tjetër veçse të përforconin këtë ide. Ngrehina ideologjike e folklorit muzikor trumbetuar pafundësisht gjatë periudhës diktatoriale, erdhi si “buqetë” në tre orë shfaqje.

  6. Meqenese, vec te tjerash, edhe regjizori eshte amerikan, mendoj se me shume se ne tematika te etnocentrizmit mesymja ka qene per nga spektakli. Pa ate muzike mendoj se kjo venie ne skene do ish veshtire e kaperdishme. Edhe Iliria apenine e Shekspirit eshte vetem nje rastesi fatlume per shfaqjen. Kostumet popullore, pastaj, tashme, jane nje trend ne teater. I patem te Lukrecia Borxhia, te “I ligu per mend” i Bashes. edhe diku tjeter kam pershtypjen.

  7. Arti regjisorial mund te marre persiper te inskenoje ne vende apo kohe te ndryshme cfaredolloj pjese dhe kjo nuk ka pse te quhet gabim. Çdo venie mund te jete pjese e vizionit regjisorial perfshi detajet dhe elemente te ndryshem varet se cfare stili zgjedh. Sefundmi ngjarjet e tragjedise Hamleti ndodhnin gjate Luftes se Dyte Boterore. Perpara disa vitesh personazhi i Hamletit u luajt nga Luiza Xhuvani. A mund t’i quajme keto gabime? Aspak. A mund te kete gjera qe nuk shkojne ne linjen e vepres? Ndoshta po, por duhen pare me gjakftohtesi.

    1. Të gjitha këto që thoni janë me vend – por nuk e kam të qartë se çfarë keni parasysh kur thoni që “kjo nuk ka pse të quhet gabim”; meqë unë, në shkrimin më lart, nuk jam marrë me vëniet në skenë “kreative” të pjesëve të njohura teatrale. Mua më ka interesuar ndikimi i ideologjisë kombëtariste në promovimin e një arti të caktuar, si ky i komedisë së Shekspirit, në bazë të një “keqkuptimi” – po e quaj kështu – të gjeografisë elizabetane dhe të vetë emrit “Iliria”. Kjo nuk ka të bëjë me realizimin e veprës në skenë, por me mënyrën si i paraqitet ajo publikut; sepse kalohet si pa të keq nga arti në ideologji, madje në një formë vulgare të kombëtarizmit.

  8. Se pari ndjehem mire qe ne nje faqe te dobishme si kjo, po diskutohet per Teatrin, edhe pse kritikat jane te ndertuara si qortime, por me besoni Teatri ka shume nevoje per to, qofte edhe keshtu! Metropoli po punon seriozisht per te ndertuar repertor qe lidh me fort publikun me teatrin, duke marre parasysh edhe mendimet e njerezve te teatrit qe nuk jane me mes nesh, por qe kane lene nje trashegimi qe duket marre ne kosiderate:’ Teatrin, gjithmonë, qysh në lashtësi, e kanë shqetësuar problemet e shoqërisë ku ky teatër jetonte e punonte. Përndryshe, përse do ta mbante shoqëria Teatrin? Pse ajo e krijon atë?M.H.
    Ne kete qasje u pa me vend edhe vizioni regjisorial i regjisorit Anderson qe te hulumtonte tekstin, duke i dhene te tjera kolorite (Eshte hulumtuar kaq shume neper bote Shekspiri en forma e kolorite, sa nuk besoj se regjisori e ka pasur parasysh se shqiptaret e kane vetkritiken e etnocentrizmit ne nivele te larta), gjithmone duke marre parasysh se nuk ishte nje drame historike, por nje trillim skenik.
    Per sa i perket realizimeve qe do te ndertojne baza te mira te nje fondi te qendrueshem te dramturgjise shqipe te panjohur e pavleresuar, Teatri Metropol eshte perpjekur te beje ftesa per te gjithe njerezit e interesuar e te dijshem, sepse vertete Teatri ka nevoje te bashkendaje mendime e kritika te pasura, qe te fuqizohet e zhvillohet ne struktura te qendrueshme, qe te ndajne mendimet aty, ne salle, bashke me publikun dhe artistet, sepse eshte menduar se mendimi i njerezve te shkences eshte me rendesi ne kete zhvillim.
    Teatri nuk obligon asnjeri te shohe nje shfaqje 2 apo 3 oreshe me detyrim qe pastaj mllefin e mbledhur nga mosshijimi ta shprehe shkurt me shkrim. Nga cdo shfaqje e Teatrit qe nuk te mbush, lehtazi mund te largohet gjithkush e te vazhdoje punet e veta. Ndersa kostumet shqiptare qe i perkasin kohes se veprimit skenik nuk perbejne nje “trend” nga i cili duhet pasur frike, por jane domosdoshmeri, si ne vepren “I ligu per mend” shkruar nga At Gjergj Fishta.
    E ne mbyllje, mirenjohje per te gjithe qe shpenzuar kohe dhe ndate mendimet tuaja per Teatrin, i cili besojme fort se eshte ne fund te fazes se tranzicionit per te hyre ne nje faze te re, me krijuese e me strukturuese. Ne keto perpjekje cdo mendim kritik e i vertete, per njerezit e Teatrit eshte i vyer. Po e mbyll me nje citim:
    “Të vrarët e mendjes mbi atë cka është Teatri dhe të përfytyruarit se si duhet të bëhet ai, është një gjendje e përgjithëherëshme e atyre që e kanë lidhur jetën me të.” shtoi kesaj edhe ftesen per te gjithe ju qe te na ndiqni e keshilloni ne kete proces.
    Respekte

    1. Sonila, shkrimi im (tek i cili po komentoni) nuk merret mirëfilli me teatrin, por me simbolikën e Ilirisë te Shekspiri (Nata e 12-të), mënyrën si është prezantuar (promovuar) sistematikisht vënia në skenë e kësaj komedie në Shqipëri, përfshi edhe këtë inskenim të tanishëm nga Metropoli dhe, më në fund, lidhjet midis asaj simbolike dhe mënyrës së prezantimit (promovimit). Prezantimi i shfaqjes në media, i cili synon kryesisht ta bëjë këtë tërheqëse për publikun, kushtëzohet mes të tjerash edhe nga çfarë prezantuesit mendojnë se do ta tërheqë publikun – pra nga opinioni i atyre që ofrojnë teatër për ata që konsumojnë teatër, sot në Shqipëri. Mua kjo më duket e denjë për vëmendje. E kuptoj që gjithkush ka të drejtë jo vetëm ta vërë në skenë Shekspirin ashtu siç e konsideron të përshtatshme, por edhe ta prezantojë pjesën teatrale duke tërhequr vëmendjen ndaj një aspekti specifik të saj. Ndonjëherë, mënyra si prezantohet një vepër – kopertina, posteri, parathënia, recensioni, fjalët e autorit ose të regjisorit, etj. – quhet PARATEKST – në letërsi, parateksti përfshin të gjithë ata mekanizma dhe konvencione, brenda dhe jashtë librit, që mundësojnë ndërmjetësimin kompleks midis librit, autorit, botuesit dhe lexuesit (po jap pak a shumë përkufizimin nga Gérard Genette). PARATEKSTI bëhet kështu pjesë e jetës së librit, po aq sa ç’është veshja pjesë e jetës së dikujt në publik. Për Natën e 12-të të Shekspirit, të vënë në skenë në Shqipëri, parateksti edhe këtë herë u përqendrua te “Iliria” si vend imagjinar ku ndodhin ngjarjet, duke e lidhur këtë Iliri me Ilirinë historike të stërgjyshërve të shqiptarëve. Unë u përpoqa të shpjegoj se çfarë ka qenë Iliria në shekullin e Shekspirit dhe për Shekspirin vetë, për të argumentuar se ajo Iliri nuk ka shumë lidhje me tonën, përveç një përkimi gjeografik pak a shumë të turbullt. Edhe pse vënien e tanishme në skenë nuk e kam parë, kam kuptuar se regjisori ka shtuar atje folklor shqiptar të ditëve tona, i cili gjithashtu nuk ka shumë lidhje me Ilirinë historike (të cilën nuk e njohim) dhe as me Ilirinë shekspiriane. Për këtë, megjithatë, nuk flas dot me siguri, sepse do të më duhej ta shihja vetë komedinë më parë, gjë që nuk mundem ta bëj, për shkak të distancës gjeografike. Po ta keni ndjekur këtë faqe (Peizazhe të fjalës) në vite, do ta keni vënë re, besoj, se ne kemi treguar gjithnjë vëmendje për historinë e ideve dhe të koncepteve dhe të miteve në kontekste ideologjike dhe propagandistike, të amplifikuara nga mass mediat; prandaj edhe shkrimi im më lart i përket kësaj kategorie, jo asaj të shkrimeve kritike për teatrin. Është thjesht përkim i rastit ose sipërfaqësor, që analiza e tanishme prej meje e imazhit/mitit të Ilirisë mes shqiptarëve të sotëm u lidh me një mënyrën si iu prezantua, po këtyre shqiptarëve, vënia në skenë e një pjese teatrale.

  9. Po, e ndjek me kenaqesi kete faqe pasi mendoj se ka materiale te dobishme dhe me interes. Une ashtu e kuptova shkrimin ne fillim, por pasi pashe se kishte komente te metutjeshme (dhe zhvillimet teatrore ne Shqiperi vertet kane mungese te theksuar mendimi te mire kritik dhe jane te brishta ndaj ngacmimeve) e pashe te udhes te sqaroj te mesipermet. Gjithsesi, ju falenderoj per pergjigjen dhe uroj t’ju shohim ne salle per te ndjekur shfaqje e per te ndare mendime kur te jeni ne Tirane.
    Deri atehere, pune te mbare e vetem te mira!

    1. Sonila, ideale do të ishte që të shkruanit edhe ju këtu, herë pas here, për teatrin (ose për gjithçka tjetër që ju intereson): kush më mirë se ju? Lidhuni me mua në Facebook, po të dëshironi dhe mund ta diskutojmë këtë. Për Peizazhet do të ishte privilegj i madh.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin