RETORIKA LËNDON

Këto ditë u përcoll në shtyp lajmi për dëmtimin, nga vandalët, e përmendores kushtuar dy viktimave të njohura të regjimit komunist, Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës.

Persekutimi dhe ekzekutimi i tyre, nga regjimi i Enver Hoxhës, është provë elokuente e mënyrës si vepronte shteti totalitar, për të shtypur çdo lloj kundërshtimi dhe për të tmerruar qytetarët e vet.

Historia e Blloshmit dhe Lekës është bërë veçanërisht e njohur edhe për shkak të interesimit të një numri personalitetesh të kulturës për fatin e këtyre dy martirëve; të cilët, përveçse kundërshtarë të regjimit, ishin edhe poetë.

Megjithatë, si edhe herë të tjera, zelli i tepruar i disave në mediat, ia ka shtuar një përmasë absurditeti një historie që s’ka nevojë për zbukurime dhe patetikë, për të mbetur tragjike në thjeshtësinë e fakteve të saj.

Prej kohësh është krijuar përshtypja në opinion se Blloshmin dhe Lekën i pushkatuan ngaqë shkruanin poezi kundër regjimit.

Edhe në lajmin e tanishëm për vandalizimin, të përcjellë nga Tirana Observer shkruhej, ndër të tjera, se në memorial “janë shkruar me shkronja bronzi poezitë e të dy poetëve, poezi për të cilat u pushkatuan.”

Regjimi totalitar mund të të vriste pa asnjë shkak; vetëm e vetëm për t’u dhënë një sinjal të tjerëve. Historia e të pushkatuarve, për bombën që iu hodh Ambasadës Sovjetike në vitet 1950, e dëshmon qartë indiferencën e këtij regjimi për personin, përgjegjësinë individuale dhe të drejtat elementare të njeriut.

Megjithatë, Blloshmin dhe Lekën i kanë dënuar, formalisht, për “krimin e sabotimit”, sikurse thuhet në vendimin e gjykatës së atëhershme, të botuar tani vonë edhe në shtyp.

Historianët dhe publicistët e interesuar për këtë çështje duhet të sqarojnë, një herë e mirë, nëse këta të dy kishin organizuar vërtet ndonjë veprimtari sabotuese kundër “pasurisë socialiste”; sikurse kanë sqaruar, një herë e mirë, se poezitë e tyre nuk pajtoheshin me kanonin e realizmit socialist.

Dihet se, në procesin gjyqësor, poezitë “kundërrevolucionare” dy viktimave u sollën si dëshmi në favor të akuzës, ose për të mbështetur hipotezën se këta të dy ishin “armiq të pushtetit popullor.”

Megjithatë, të thuash se Vilson Blloshmi dhe Genc Leka u pushkatuan “ngaqë kishin shkruar poezi kundër regjimit” më duket e pambështetur nga faktet, ose spekulim në erë; i tillë që nuk ndihmon as për të nderuar kujtimin e tyre, as për të kuptuar natyrën e dhunës që ushtronte regjimi ndaj shtetasve të vet.

Poetët dhe shkrimtarët e sotëm bëjnë mirë që ruajnë dhe kultivojnë kujtimin e kolegëve të tyre, të persekutuar dhe të ekzekutuar nga komunizmi; por kam frikë se kjo e Blloshmit dhe Lekës, si histori ekzemplare poetësh të pushkatuar, është pompuar për interesa që s’kanë shumë lidhje me ndriçimin e së vërtetës historike dhe njerëzore.

Shumë pak është bërë, në Shqipëri, për nderimin e viktimave të regjimit komunist. Brezi i ri sot rritet praktikisht pa ditur asgjë për atë kohë, meqë propaganda e trashë e ka zëvendësuar informacionin dhe patetika e ka zëvendësuar refleksionin. Me kalimin e viteve, nostalgjia për disiplinën, gëlqeren dhe paternalizmin e atyre viteve po ia zë vendin kujtesës për tmerrin e dhunës totalitare.

Një pjesë të fajit, për këtë përçudnim, i mbetet edhe këtyre orvatjeve, të përsëritura, për t’i shtrembëruar dhe përdorur, abuzivisht, historitë e krimeve totalitare në emër qëllimesh të tjera, herë vanitoze herë ngushtësisht politike.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin