SURREALIZËM ADMINISTRATIV IV

Në të vërtetë jemi mësuar që kronikat të na sjellin edhe ndonjë notë humori që rrallë mungojnë gjatë seancave gjyqësore, sado dramatike qofshin. Lexoja para ca kohe në gazetën lokale se kur një gjyqtar pyeti një bandit se çfarë e shtyu të shkonte e të vidhte bankën, ai iu përgjigj : Kriza, z. Kryetar, kjo e fundit vërtet është e padurueshme! Por qëllon që edhe vetë Drejtësia të japë prova të një humori që të ngre qimet përpjetë.

Ai vdiq duke patur për qëllim të vononte procesin që ishte ngritur kundër tij.

Personi u mbrojt duke thënë se ishte i çmendur, gjë që nuk është e mundur sepse ai kishte dalë nga spitali psikiatrik një ditë para se të kryente krimin.

Thotë se nuk mund të paraqitej para gjykatësit për shkak të një sëmundjeje dhe na dërgoi fotokopjen e saj.

Më së fundi vendosi të hapë një sy për të na dëgjuar.

Gruaja mëtonte se dinte vetëm spanjisht, por u përgjigjej me një “po” dhe “jo” pyetjeve tona.

Leximi i akt-akuzës nuk ia turbulloi gjumin të pandehurit.

Personi tentoi ta shuajë këtë çështje që bënte zhurmë të madhe, duke blerë heshtjen tonë.

André G… u dënua me 5 muaj burg dhe 30.000 gra gjobë.

Para nesh personi rilexoi deponimin me një vesh të vëmendshëm.

U paraqit para trupit gjykues pa kravatë, me gjithë të ftohtit që bënte.

Burri shtiu disa herë në trupin e gruas duke pretenduar se nuk e kishte lënë shtatzënë.

Gruaja kishte ndryshuar seksin e saj duke përdorur atë të një burri me të njëjtin emër.

Iu përgjigjëm të pandehurit duke i thënë se nëse ligji i dukej i keq, ai le ta ndryshonte.

I akuzuari, pra, u dënua që të lirohej menjëherë për mungesë provash.

Leja e qëndrimit të tij, megjithëse ishte në rregull, nuk dukej të ishte në rregull.

Duke qenë krejt shurdh, i akuzuari nuk kishte asgjë me vete që të lexonte.

Gruaja u cilësua fajtore për tradhti bashkëshortore se ka hipur me biçikletë në veturën e të dashurit të saj.

Nëse i akuzuari nuk kishte dashur të vrasë, ai do të qe kujtuar përpara vrasjes.

Personi kishte marrë në shenjë kokën e fqinjit ë tij, duke i thyer keqas gjurin.

Aty ku ishte fshehur në fund të sallës së gjyqit, personi u ngrit të shante trupin gjykues, pa thënë asnjë fjalë.

As që na shkon në mendje të deklarojmë fajtorë ata që janë në tillë, megjithë protestat e tyre.

Gjatë seancës gjyqësore ai pretendon gjithnjë që është normal, gjë që nuk mund të thuhet për prokurorin.

E kaluara e tij penale është krejt e virgjër, njëlloj sikundër gruaja e tij.

Të shoqëruara nga avokati i tyre, të dyja gratë u ngritën në këmbë si një burrë i vetëm, në çastin e pretencës, .

Gjykata shpalli dënimin me kusht prej tre vjetësh, nga të cilat pesë vjet brenda në qeli.

Një djalë u dënua të martën në Epinal me 2 000 franga borxh për marrëdhënie seksuale me ca pula, duke shkaktuar ngordhjen e shpezëve.

Gjykata nuk e dënoi shumë rëndë të akuzuarin, duke qenë se ky tashmë ishte dënuar nga mjekësia.

Edhe pse i verbër personi bëri sikur nuk dëgjoi.

Ai nuk pranoi të flasë veçse në prani të avokatit të tij, para të cilit nuk e hapi gojën.

I akuzuari u njoh fajtor dhe u dënua me burgim të përjetshëm për dhjetë vjet.

Në këtë çështje shurdh-memeci tregoi një xhelozi të verbër.

Dy nga të vrarët u arrestuan menjëherë pas vrasjes së tyre.

Analiza e gjakut nuk mundi të provojë se vrasja është kryer me gjakftohtësi.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin