Qeveria një ditë do të bjerë. Këtë e kanë kuptuar pothuajse të gjithë, përveç ndoshta kryeministrit dhe rrethit të tij të ngushtë. Pyetja është çfarë vjen pas. Kam kohë që shkruaj për dështimet e qeverisjes në këto 35 vite, dhe ka një fill që i përshkon të gjitha shkrimet: vetëqeverisja. Më saktë, aftësia për t’u vetëqeverisur kur ke mjaftueshëm liri për ta ushtruar. Liria në vetvete është vegël, si çekani, por varet në duart e kujt ndodhet. Në duart e mjeshtrit ndërton diçka të dobishme, në duart e çirakut mund të bëjë dëm. Po që çiraku të bëhet mjeshtër, duhet ta përdorë çekanin, përndryshe mbetet gjithmonë çirak. Vetëqeverisja është diçka që një popull e mëson dhe ua lë trashëgim brezave. Tre dekadat e fundit janë periudha e parë e gjatë kur e kemi pasur këtë mundësi, të paktën deri diku. Dhe si me çdo herë të parë, nuk na ka ecur dhe aq mirë. Kjo nuk tregon se nuk dimë të vetëqeverisim. Tregon se jemi ende duke mësuar, dhe këtë mësim, sado të shtrenjtë, duhet ta mësojmë vetë.
Qeverisja osmane nuk ishte vetëqeverisje. As ajo që erdhi më pas, me disa përjashtime të pakta e jetëshkurtra, nuk ishte vetëqeverisje. Komunizmi ishte e kundërta e vetëqeverisjes, dhe ndoshta periudha që la gjurmët më të thella, sepse pjesëmarrjen jo vetëm nuk e lejonte, por e ndëshkonte. Nuk dua ta kthej këtë shkrim në tezë historike, prandaj po i bie shkurt: në pothuajse gjithë historinë tonë para 91-shit, qytetarët nuk kanë marrë pjesë aktive në qeverisje. Kjo kujtesë mungonte sepse nuk ishte praktikuar kurrë dhe nuk ishte bërë pjesë e kulturës. Ajo ndërtohet me përsëritje: duhet të gabosh, të mësosh dhe ta provosh sërish. Çdo brez bën gabimet e veta dhe mëson nga pasojat e veta. Por çdo brez nis nga një bazë e ndryshme, dhe nga se përbëhet kjo bazë ka shumë rëndësi. Brezi im, të gjithë ne që ishim 15 vjeç e lart në ’91, mbart ende në kurriz trastat e komunizmit. Mbi këtë themel të shtrembër u ndërtuan 35 vitet e fundit.
Po ç’dua të them me vetëqeverisje? Të kesh një qeveri që kryen detyrat e saj nuk është e njëjta gjë me vetëqeverisjen. Një shtet mund të mbledhë taksa, të ndërtojë rrugë dhe të japë certifikata në e-Albania, ndërkohë që qytetarët kanë fare pak kontroll mbi ata që e drejtojnë. Vetëqeverisja është aftësia e qytetarëve për t’i zgjedhur dhe për t’i zëvendësuar pushtetarët sipas dy kritereve: kujt i shërbejnë dhe sa të aftë janë për punën që bëjnë. Të dy kriteret janë të domosdoshme, por asnjëri nuk mjafton më vete. Le t’i quajmë patriotë ata që motivohen nga interesi publik, dhe mercenarë ata që motivohen nga interesi vetjak. Patrioti i paaftë e do vendin, por vetëm me dashuri nuk qeveriset. Qëllimi është të zgjedhim patriotë kompetentë, por shpesh zgjedhim mercenarë kompetentë. Këta të fundit janë më të rrezikshmit, sepse diçka bëjnë sa për sy e faqe: një rrugë këtu, një shesh atje. Dhe po të jenë aktorë të mirë, mund ta mbushin mendjen ndërsa zbrazin arkat e shtetit.
Grafiku më poshtë tregon këtë dallim. Sipas V-Dem, demokracia jonë e pandërprerë ka vetëm 20 vjet. Në kontrollin e korrupsionit Shqipëria është në fund të rajonit: shteti punon, por ne nuk e kontrollojmë dot.

Këto 35 vite, filtrat për të zgjedhur ata që na nevojiteshin kanë dështuar. Patriotizmi performativ, një flamur këtu, një zënkë e stisur me fqinjët aty, nuk kushton gjë dhe bëhet lehtë. Prandaj nuk tregon asgjë për përkushtimin e politikanit ndaj vendit. Patriotin e vërtetë nuk e njihni nga ç’thotë, por nga ç’ka humbur. Ka thënë jo kur i leverdiste të thoshte po? Nëse s’gjeni dot asnjë rast, patriotizmi i tij nuk vlen më shumë se flamuri pas foltores.
Kompetenca, nga ana tjetër, duhej të ishte më e lehtë për t’u matur, por në Shqipëri dallohet gjithnjë e më me vështirësi. Institucionet tona, ato që duhej të na ndihmonin të ndanim shapin nga sheqeri, e kanë humbur prej kohësh aftësinë për ta bërë këtë punë. Mjafton të shihni rastet e shumta të plagjiaturës që kanë pllakosur sistemin arsimor, pa kursyer as majat e qeverisë. Kur as një doktoraturë nga një institucion shqiptar nuk e dallon dot të aftin nga i paafti, votuesit nuk i mbetet gjë tjetër veç të mbështetet te kush duket më mirë në televizor dhe te ngjyra e partisë. Por dëmi nuk mbaron te kandidatët. Për të gjykuar kompetencën duhet kompetencë, dhe një sistem arsimor i dobët i dobëson njëherësh edhe pushtetarët, edhe votuesit që i zgjedhin.
Pse nuk na mjaftuan 35 vjet? Shoh tre mekanizma kryesorë. Së pari, klientelizmi e këput ciklin: voto, shih pasojat, mëso, voto ndryshe. Kur qytetari nuk voton për interesin publik, por për një punë në bashki, një leje ndërtimi apo një certifikatë pronësie, ai i lë filtrat mënjanë. Dhe kur merr atë për të cilën votoi, nga këndvështrimi i tij vota funksionoi. S’ka gabim për të korrigjuar, prandaj s’ka as mësim.
Së dyti, korrupsioni ul cilësinë e atyre që kandidojnë. Kur korrupsioni bëhet normë, të ndershmit e të aftët largohen, nga politika ose nga vendi. Kështu, në çdo fushatë zgjedhim nga një listë gjithnjë e më e varfër.
Së fundi, brezi që na qeveris mat me një kut të prishur. Pothuajse të gjithë ata që na qeverisin sot ishin 15 vjeç e sipër në ’91. Ky brez, brezi im, ka qeverisur vendin dhe ka hedhur shumicën e votave këto 35 vite. Çdo gjë e matëm me radhën e qumështit dhe pranuam një kontratë të pashkruar me qeverinë: “e dimë që vidhni, po të paktën ndërtoni”. Me këtë kontratë, mercenarin e zgjodhëm me vetëdije. Hoqëm dorë nga filtri i parë, ai i interesit publik, ndërsa krahasimi me ’91-shin e bëri të pavlerë edhe të dytin. Asnjë nga këto nuk e ndali mësimin. Vetëm e bënë më të ngadaltë dhe më të shtrenjtë.
Këto tridhjetë e pesë vjet na kanë kushtuar shumë, por nuk kanë shkuar dëm. Sot e dimë c’kosto ka një sistem ku korrupsioni është bërë normalitet, diploma nuk jep informacion, patriotizmi vishet e zhvishet sipas fushatës dhe vota këmbehet me një vend pune në bashki. Brezi im e pagoi shtrenjte këtë dije, por s’arriti ta përdorë.
Brezi që vjen pas nesh e ka nxjerrë mësimin, por pa nënshkruar kontratën. Ka parë shtëpitë ku kanë mbetur vetëm gjyshërit dhe e di ç’kushton një qeveri që nuk mendon kurrë për vendin. Për ta 91-shi është histori, jo kut. Kut kanë Europën, dhe me atë kut një rrugë e paguar katërfish nuk është përparim, është vjedhje. Ky është edhe brezi që ka më shumë gjasa të ikë. Por shumë nga ata që ndenjën, dolën në rrugë këtë verë, dhe kjo tregon se nuk kanë hequr dorë. Ne e prishëm dhe ata e panë ku gabuam. Kjo është rinisja: një brez që çdo kandidati i bën dy pyetje, kujt i shërben dhe a di si ta besh detyrën, dhe nuk pranon më përgjigjen “të paktën bëri diçka”. Këtë provim nuk e jep dot njeri për ne. Por për herë të parë po hyjmë në provim të përgatitur.
(c) 2026 Elton Dusha. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.