TË FLASËSH DHE TË THUASH (VIII)

Gjatë periudhës totalitare, informimi i publikut i nënshtrohej një “ekonomie të luftës” – qarkullonin ato informacione që nuk mund të mbaheshin të fshehta, dhe sidomos ato informacione që kishin vlerë propagandistike dhe edukative. Lajmi për një tërmet nuk mund të mbahej i fshehtë, por edhe do të shoqërohej menjëherë nga njoftime për mobilizimin e masave dhe kujdesin e organeve të pushtetit, nën drejtimin e PPSh-së, për të zbutur pasojat e dëmeve dhe për të rindërtuar objektet e shkatërruara. Përndryshe, dhe me parazgjedhje, çdo informacion tjetër që nuk hynte në punë, do të trajtohej si sekret, në kuptimin që nuk do të bashkëndahej me publikun, pa qenë kjo absolutisht e domosdoshme.

Sekreti ishte mekanizëm themeltar për ushtrimin e pushtetit totalitar. Vetë PPSH-ja, më parë PKSH-ja, ishte krijuar dhe kish funksionuar për disa vjet si organizatë sekrete (“konspirative” ose “klandestine” thonë dokumentet), dhe parimi i fshehtësisë u ruajt deri në vitin 1948, ose katër vjet pasi kish përfunduar Lufta II Botërore. Krejt veprimtaria e organeve të Partisë dhe të pushtetit ishte sekrete, madje publikut nuk i jepej as edhe një njoftim për shtyp siç është zakon në regjime të tjera; përkundrazi, vendimet e marra në tubimet e ndryshme, nga ato të sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSh-së te Plenumet e KQ të PPSh-së ose mbledhjet e qeverisë, mund të bëheshin publike, por gjithnjë sipas rastit. E drejta e publikut për t’u informuar as njihej, as respektohej gjëkundi.

Po çfarë ishte sekreti pikërisht, nën një regjim të tillë? Ishte, natyrisht, një objekt[1] dhe më shpesh akoma një informacion i caktuar, zakonisht i lidhur me aktualitetin por ndonjëherë edhe me të shkuarën sikurse edhe me të ardhmen; për të cilin publiku nuk duhet të ketë dijeni. Duhet një autoritet specifik, për të vendosur se çfarë informacioni do të trajtohet si sekret, dhe vetë shpallja e sekretit është akt performativ, kur kryhet sipas rregullave formale.[2] Çdo informacion i etiketuar si sekret e ndan shoqërinë të paktën më dysh: në një grup të vogël që ka dijeni për të dhe që zakonisht përkon me grupin me pushtet; dhe në një grup më të madh që nuk ka dhe nuk lejohet të ketë dijeni. Brenda këtij grupi të dytë, mund të përvijohet një nën-grup që të paktën e di se aksh informacion është sekret – për shembull, numri i të arratisurve gjatë një viti ose numri i të vrarëve gjatë një revolte në burg. Ky nën-grup e përjeton sekretin si sfidë nga një e panjohur dhe ofron edhe truallin ku do të lulëzojë pastaj thashethemi.

Për një publik të djegur për informacion, si ai në Shqipërinë totalitare, asgjë nuk e ndizte më shumë kuriozitetin se gjysmë-sekreti, ose të diturit se një lloj i caktuar informacioni ishte sekret. Mjetet e komunikimit masiv nuk kishin kurrfarë interesi që ta shuanin këtë kuriozitet, meqë mirëqenia e tyre nuk varej nga besnikëria e publikut dhe as nga shitjet: ishin tërësisht të subvencionuara. Meqë zakonisht ata në pushtet nuk jepnin informacion për asgjë, por i përdornin daljet publike për të riprodhuar diskursin totalitar në format e veta stereotipike, atëherë publiku kish krijuar bindjen se çdo e vërtetë do të mbahej sekret, derisa të mos kishte më vlerë. Kështu, zhvillime të rëndësishme në politikën e jashtme, si konflikti ideologjik shqiptaro-sovjetik në fund të viteve 1950 dhe konflikti ideologjik shqiptaro-kinez në vitet 1973-1977 do të mbaheshin krejtësisht të fshehta, në një kohë që njerëzve u tregohej me hollësi, çdo mbrëmje, për litrat e qumështit të mjelë mbi planin vjetor, ose për notat e mira të nxënësve të fshatit.

Sipas një praktike të kolauduar dhe të konsoliduar në Bashkimin Sovjetik, ruajtjes së sekretit shtetëror i shërbente institucioni i censurës; i parë jo aq si imponim i ndalimeve dhe i kufizimeve ndaj veprave të letërsisë dhe të artit, sesa si kontroll i rreptë ndaj informacionit që qarkullonte. Megjithatë, për shkak të sasisë shumë të vogël të teksteve të ligjërimit mediatik në qarkullim, ishte e mundur që ky kontroll të ushtrohej pa qenë nevoja për institucione të veçanta të ngarkuara me këtë punë. Në përgjithësi, vetëdijen se çfarë lajmi mund të jepnin, punonjësit e mediave e kishin bërë pjesë të profesionalitetit të tyre; dhe çdo informacion “me zarar” nuk kalohej, pa marrë autorizimin e një organi partiak. Kjo praktikisht ia hiqte çdo liri gazetarit, përfshi këtu edhe lirinë për të rrëfyer realitetin dhe për t’ia sjellë atë publikut; meqë detyra e medias nuk ishte aq të informonte, sa të edukonte. Por në këtë kontekst, publiku u mësua me idenë se lajmet nuk do t’i merrte nga mediat, ose të paktën jo kryesisht nga mediat, sesa nga bisedat, thashethemet, zërat që qarkullonin dhe, në zona të caktuara përfshi këtu sidomos Tiranën dhe Durrësin dhe Vlorën dhe Shkodrën, nga radioja dhe televizioni italian. Lajmet e RAI-t, që jo gjithnjë kuptoheshin mirë, qarkullonin gojarisht dhe të përshtatura sipas dëshirave dhe frikërave të publikut; dhe interesi për to mbetej i lartë, edhe pse nuk kish ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë mes tyre dhe jetës në Shqipëri. Një gazetar italian që pat vizituar Tiranën dikur në vitet 1980, pati shkruar se Shqipëria ishte i vetmi vend në botë ku njerëzit e kalojnë kohën e lirë në një vend tjetër – duke pasur parasysh tërheqjen e madhe të publikut ndaj Italisë, si imazh i mediatizuar. Duke biseduar për Italinë, politikën italiane, këngëtarët dhe aktorët dhe artistët pop, filmat italianë dhe gazetarët e njohur të përtejdetit, publiku ushtronte njëfarësoj fjalën e lirë, sërish pa rrezikuar shumë. Por megjithatë do të tingëllonte e çuditshme, për italian, që të merrte vesh se në Shqipëri njiheshin dhe ndiqeshin me simpati të sinqertë jo vetëm këngëtarë si Adriano Celentano-ja dhe Lucio Batisti, jo vetëm aktorë si Marcello Mastroianni dhe Sofia Loren, por edhe gazetarë politikë si Bruno Vespa, ose politikanë të regjur si Giulio Andreotti. Ngaqë i ishte mohuar spektakli i përditshëm i politikës së regjimit në Tiranë, publiku kish pranuar një spektakël të ngjashëm, por këtë herë të përcjellë nga përtej detit.

Publiku shqetësohej veçanërisht në periudha tronditjesh sociale dhe ashpërsimit të luftës së klasave, për shembull gjatë spastrimeve të mëdha të elitave, në vitet 1973-1981, që filluan me Plenumin IV të KQ të PPSh-së në vitin 1973 kundër shfaqjeve të huaja në kulturë dhe në art, për të përfunduar me “vetëvrasjen” e Mehmet Shehut dhe asgjësimin e “grupit” të Kadri Hazbiut & Co. Siç mund të merret me mend, lajmet për këto zhvillime jepeshin me pikatore, shpesh pasi kalonte një kohë e gjatë pas arrestimeve dhe ndëshkimeve dhe internimeve përkatëse. E megjithatë, në Tiranë dhe në qytete të tjera të mëdha, lajmet përhapeshin edhe pa ndërmjetësinë e mediave; nga ata që kishin qenë të pranishëm në një arrestim ose internim, ose nga të tjerë që ishin në dijeni të lajmeve.

Në përgjithësi, mjetet e komunikimit masiv nuk njoftonin kurrë për kronikën e zezë, arratisjet, ndjekjet, arrestimet dhe gjyqet; prandaj publiku nuk priste prej tyre që ta njoftonin për spastrimet e rëndësishme politike dhe as ndihej i zhgënjyer ngaqë i mbaheshin informacione të tilla sekret. Që pushteti totalitar i “rridhte” disa sekrete, edhe kjo pritej; veçanërisht kur ishte fjala për të matur pulsin e opinionit publik, ndaj lajmeve “të rënda.” Për shembull, publiku nuk u njoftua kurrë që Enver Hoxha ishte i sëmurë, madje edhe në fund fare, kur pritej vdekja e tij dita-ditës. Nëse infarkti që i ra liderit, dikur në fillim të viteve 1970, mund të jetë mbajtur sekret edhe për arsye “strategjike,” kjo arsye nuk vlen për pranverën e vitit 1985, kur pak a shumë të gjithë të interesuarit e kishin marrë vesh që shumëçka nuk shkonte me shëndetin e udhëheqësit plak. Te kjo heshtje përziheshin ngurrimi për të dhënë lajme të këqija, refuzimi “për ta gëzuar armikun” dhe njëlloj të menduari magjik; por publikut ajo i përcillte edhe idenë se mbetej krejtësisht i përjashtuar nga të ushtruarit e pushtetit.

Ndoshta ngaqë regjimi totalitar në Shqipëri ishte dhe mbeti deri në fund konspirativ për nga natyra, ngaqë kupola e tij gjithnjë funksionoi si të ishte shoqëri e fshehtë – jo aq për nga anëtarët, sa nga kompetencat e tyre dhe mënyra si merreshin vendimet, ndoshta ngaqë konspirativiteti ishte pjesë integrale e mënyrës si regjimi ruante veten dhe pushtetin, teoritë e komplotit ose teoritë konspirative nuk luajtën ndonjë rol të madh, në përpunimin e mendimit alternativ dhe të ligjërimit subversiv gjatë viteve 1945-1990. Një ide intuitive për këtë ta jep fakti, i mirënjohur, i zgjerimit dhe i qarkullimit marramendës të këtyre teorive, menjëherë pas ndërrimit të regjimit dhe që vazhdon sot e kësaj dite – nga Katovica, mbijetesa e Sigurimit të Shtetit, zhdukja e dosjeve dhe trashëgimia e pushtetit politik dhe ekonomik të kupolës, te thesari i shtetit, kolapsi i skemave piramidale, shpërndarja e armëve, Soros-i dhe roli i shërbimeve të fshehta jugosllave dhe greke në disa nga ngjarjet më të bujshme e të pashpjeguara të pas-1990-ës. Mediat e tanishme, ndryshe nga ato të djeshmet, parazitojnë mbi këto teori komploti dhe i ushqejnë ato, për t’i mbajtur gjallë. E megjithatë, vështirë të mos gjesh një fill që t’i bashkojë teoritë e sotme të komplotit me sekretet e djeshme, të periudhës totalitare; madje një lidhje e tillë, nëse vendoset dot, shërben edhe si dëshmi vërtetësie, për shkak të një barazie që publiku ende vendos lirisht midis sekretit dhe së vërtetës. Në një kuptim, thashethemet e djeshme janë “privatizuar” dhe janë vënë në punë për të shitur lajmin, që është zakonisht i rremë.

Kishte, megjithatë, një sektor të jetës në Shqipëri të sunduar nga teoritë e komplotit – vetë kupola e regjimit.

Që të lindë dhe të vihet në qarkullim një teori komploti e suksesshme, duhet të përvijohen disa kushte paraprake. Duke filluar nga sekreti, i cili mbështjell ngjarje të caktuara dhe organizata të caktuara, të cilat nuk i përshkruajnë hapur motivet e tyre; dhe pastaj nga fakti ose përshtypja se këto ngjarje – p.sh. një vrasje politike ose një atentat terrorist ose një katastrofë – nuk janë shpjeguar mirë nga autoritetet, ose të paktën jo në mënyrë të kënaqshme për publikun; më tej akoma, duhet që publiku të jetë i prirë për t’i parë ngjarjet si rezultat i një planifikimi të hollësishëm nga ana e një organizate që vepron në errësirë; çfarë parakupton edhe bindjen, në thelb paranojake, se prapa çdo pushteti sipërfaqësor – të zgjedhur, të kontrollueshëm dhe të tejdukshëm – qëndron një pushtet tjetër, i fshehtë dhe i thellë, që nuk i jep llogari kujt, por që i lëviz të gjitha fijet (këtu metafora e buratinos që e lëviz “tjetri” është gjithnjë e pranishme); ky pushtet i fshehtë, që ndjek zakonisht një program të vetin pa lidhje me interesat publike në mos në kundërshtim me to, shpërndan edhe interpretime të ngjarjeve të tilla që t’ia ruajnë maskën dhe sekretin. Teoritë e komplotit kanë lidhje sa me psikologjinë kolektive, aq edhe me reagimin e publikut ndaj traumave dhe ngjarjeve të vështira për t’u përfshirë në skemën e përgjithshme të sendeve; sa me vështirësinë për të pranuar që një ngjarje e madhe mund të ketë edhe arsye triviale – p.sh. aksidenti rrugor fatal i një presidenti të republikës aq edhe me mosbesimin ndaj autoritetit qendror dhe motiveve të këtij të fundit; sa me nevojën për t’u dhënë menjëherë një shpjegim të plotë ngjarjeve, aq edhe me nevojën që ky shpjegim të jetë koherent, ose t’i shpjegojë të gjitha së bashku; sa me refuzimin e koincidencave, aq edhe me argumentimin e trajtës “nuk është rastësi që…”. Nga pikëpamja thjesht diskursive, teoritë e komplotit qarkullojnë si alternativë ndaj mediave dhe diskurseve zyrtare, priren të marrin trajtën e hipotezave ose të raporteve hetimore, ku përzihen të vërteta dhe të pavërteta; dhe mbështeten mbi premisën se historia, e manifestuar si njëpasnjëshmëri ngjarjesh, herë të shpjeguara, herë të shpjegueshme, herë të pashpjeguara e herë të pashpjegueshme, është në fakt nënprodukt i përpjekjeve të fuqive okulte për të ruajtur statu quonë ose për të konsoliduar pushtetin në duart e tyre.

Me të drejtë, teoritë e komplotit i kanë lidhur me paranojën; të kuptuar jo doemos si patologji mendore, por më shumë si një filozofi e vështrimit të botës e tillë që dallon prapa çdo rastësie një motiv të fshehur dhe prapa çdo gjesti, veprimi, fjale a ngjarjeje një kërcënim të maskuar. Paranoja ka qenë gjithnjë karakteristikë e kupolave në regjimet totalitare: e tillë ishte atmosfera e induktuar në periudhën e spastrimeve të mëdha në Bashkimin Sovjetik të viteve 1936-1938, e tillë ishte edhe gjendja mendore e Enver Hoxhës midis viteve 1973 dhe 1982, kur ai goditi dhe asgjësoi, plenum pas plenumi, praktikisht të gjithë elitën politike, ekonomike dhe kulturore të Shqipërisë totalitare, me akuza shpesh të fabrikuara dhe haptazi në kontradiktë mes tyre.

Shembull i mirë i paranojës së Enver Hoxhës është e ashtuquajtura “Tablo sinoptike” e përgatitur nga lideri pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, në 18 dhjetor 1981; dhe ku e gjithë veprimtaria politike e njërit prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Hoxhës vetë u riparaqit në mënyrë të tillë, që ky jo vetëm të rezultonte armiku më i madh me të cilin ishte përballur PPSH-ja në vite, por edhe të dilte si personi që, i mbështetur dhe i nxitur nga agjenturat e huaja, të kish frymëzuar dhe nxitur pjesën më të madhe të “komploteve” anti-Parti që nga vitet e Luftës e deri më sot. Në Tablo, Shehu përshkruhej si agjent i CIA-s amerikane dhe i KGB-së sovjetike, i UDB-së jugosllave dhe i çdo agjenture tjetër me interesa në Shqipëri; rekrutimi i tij fillestar i paraprinte deri edhe angazhimit të tij me Luftën Na-Çl, por kjo nuk e paragjykoi aspak bashkëpunimin e tij me jugosllavin Dushan Mugosha në vitet e Luftës; Mugosha, ose “Çalamani” i ruajti lidhjet agjenturore me familjen Shehu edhe pas vdekjes, meqë andej erdhi edhe helmi që iu dha Fiqiret Shehut në Paris dhe që duhej përdorur “imediatisht” për Enver Hoxhën në 1981. Deri edhe vetëvrasja e ish-kryeministrit u interpretua si akt armiqësor i urdhëruar nga padronët e tij, për t’i dhënë një goditje të fundit “pushtetit popullor” dhe Enverit Vetë. Çfarë të kujton një batutë të njohur të ministrit të Jashtëm të Perandorisë Austriake, kontit Metternich, i cili, me të dëgjuar se ambasadori rus kish vdekur, përsiati: ‘Kushedi çfarë motivi do të ketë pasur?’

Spastrimi i madh në radhët e PPSh-së dhe të shtetit, pas “vetëvrasjes” së Mehmet Shehut dhe likuidimit të Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, Llambi Ziçishtit, Nesti Nases dhe të tjerëve, ishte edhe akti i fundit një vazhde plenumesh dhe fushatash, ku u goditën me radhë grupe “armiqësore” në kulturë, në ushtri dhe në ekonomi; sipas të njëjtit skenar, që fillonte me identifikimin dhe demaskimin e këtyre grupeve në instancat partiake dhe përfundonte me nxjerrjen e të akuzuarve para gjyqit dhe, eventualisht, skuadrës së pushkatimit. Çdo instancë e kësaj procedure themelohej mbi fjalimin që do të mbante Enver Hoxha, zakonisht në një Plenum të KQ të PPSH-së, për t’i kritikuar ashpër ish-kolegët e vet, artikuluar gabimet e tyre dhe shmangiet nga vija dhe sugjeruar lidhjet e tyre me njëri-tjetrin, për të konspiruar kundër pushtetit. Fjalime të tilla, të cilat mund të konsultohen lehtë sot e kësaj dite, i ngrenë akuzat mbi thashetheme të rëndomta, raportime bisedash, opinione të shprehura, komente të bëra poshtë e lart nga ana e të akuzuarve. Meqë askush nga të dënuarit gjatë viteve 1973-1982 nuk kish ndërmarrë ndonjë veprim të mirëfilltë të dënueshëm nga ligji, dhe as ishte kapur duke përgatitur ndonjë kryengritje, atentat ose revoltë kundër pushtetit, atëherë provat e sjella kundër tyre, më parë në Plenume dhe më pas në hetuesi dhe në gjykatë, ishin të llojit “ti ke thënë… ai ka thënë…”, kur nuk ishin prova të ditura me kohë por që ishin ruajtur në kasafortat, për shantazh ose për t’u përdorur në momentin e duhur.

 


[1] Këtu mund të përmendeshin edhe organizatat, departamentet dhe zyrat sekrete, si dhe repartet sekrete të zbulimit dhe të kundërzbulimit; por kjo do të na largonte disi nga tema e kësaj eseje.

[2] Drejtori i arkivit mund ta shpallë një dosje sekrete, por këtë nuk mund ta bëjë, për shembull, një përkthyes që punon në arkiv, edhe po ta dëshironte këtë ose ta konsideronte si të nevojshme.

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: