DY FJALË SHKRIMTARIT

(Sende që nxirrte deti)

nga Ader Kalaja

Ardian Vehbiu shkruan në mënyrë të atillë që nuk është një mik i mirë për askënd. Te parathënia, ja po citoj: Si brez, ne u përcaktuam nga liria që na ishte mohuar dhe u identifikuam me gjakimin tonë për të dalë dikur prej kafazit. Soren Kierkegaardi, një filozof që unë e adhuroj, është një filozof që nuk ka shumë qejf të thotë “unë”, megjithatë është një filozof i unit. Sadopak i krishterë të jetë Vehbiu, tek “Sende që nxirrte deti” ai përdor një teknikë të ngjashme.

Ky është koncepti i Symparakromenoi. Mënyra se si e kam kuptuar unë këtë gjatë leximit, ka qenë që tërësia e unëve që flasin njëherësh i nënshtrohen unit të parë, që është ai prej shkrimtari. Nuk është ky një lloj vokacioni apo respekti për punën. Dihet se për autorin nuk ka gjë më të rëndësishme se kompozimi i romanit dhe për poetin krijimi i një tingulli të tillë që kur vargu të shqiptohet nga një recitues i denjë, të shenjojë në mënyrë të tillë të pandërgjegjshmen e dëgjuesit, që të lërë gjurmë. Mendoj se fjalimin para Symparakromenoi mund ta përkufizojmë si t’i flasësh dikujt sikur po i flet një grigje të barabartësh. Kjo nuk është ajo grigja priftërore, imazhin e së cilës na e krijon R.Çollaku te “Mjaltë në teh”. Krejt e kundërta. Është tmerri i të diturit që po flet të njëjtat fjalë dhe të gjithë i kuptojnë në mënyrë të ndryshme.

Unë, për vete, mbaj mend që në fëmijëri ime më më recitonte vazhdimisht N.Frashërin dhe akoma më ka ngelur në trajtë shakaje fjala “gërxhe”. Sigurisht unë nuk e di tërë “Bagëti dhe bujqësi” përmendësh, por vite më vonë, kur iu riktheva, ishte kjo fjalë që mua më la një buzëqeshje në buzë, jo aq nga kuptimi, sa nga fakti që ishte një fjalë toske, një fjalë toske në poemën e një poeti kombëtar që i ishte recituar një djali të vogël gegë nga mamaja e vet.

Izolimi i shqiptarëve nga regjimi komunist (komunist i thënçin) nuk i pruri më afër me njëri-tjetrin, dhe as epoka e qirinjve si kusur i tranzicionit. Kush i kujton ato mbledhjet te shtëpia e njërit për të parë Gjermaninë fshehtas? Apo detyrat e shkollës që bëheshin me qirinj kur ishe vonuar te biçiklisti se të qe shpuar biçikleta nga rrugët me gropa. Sot maksimumi mund të të kafshojë ndonjë qen-bushtër-femër rrugës, por cilësia e detyrave as nuk është rritur dhe as nuk është ulur.

Pikërisht këtë na mëson Vehbiu. Të luajmë me dijen në mes. Sikur të ishte top. Imagjinojmë lojën topa djegës. Nuk ka rëndësi kush e sheh topin. Nuk ka rëndësi kush ka parë më shumë topa në jetë, rëndësi ka tashmë kush di të shmanget dhe të pasojë mirë. Të luajë gjithmonë me dyshimin, të provokojë dyshim dhe të nxisë mendimin. Mendimi mund të të shërbejë dhe jashtë-shtet-it, kurse biografia e kuruar e Da Vinçit jo. Megjithatë, ky është një qëllim dytësor i librit, jo parësor. Le të kthejmë ca faqe dhe të bëjmë një lexim me laps në dorë. Pat thënë diku E.Hatibi që poezinë që e pëlqen, e shkruan vetë dhe një herë me dorë. Assesi nuk mund ta bëjmë këtë me një ese të gjatë, por mund të përpiqemi të evidentojmë arsyet pse është një ese e shkëlqyer.

Protagonistë të këtyre mbrapshtive kanë qenë, në masën më të madhe, shqiptarët e formuar intelektualisht në vitet e izolimit totalitar, pavarësisht nga orientimi i tyre ideologjik dhe qëndrimi i tyre ndaj botës.[1]

Pikësëpari, pra, se denoncon. Kjo është detyra e parë e një publicisti apo gazetari të mirë. Publicisti denoncon fenomenin në përgjithësi, gazetari denoncon fenomenin specifik. Më vonë, shkrimtari engage do të merrte përsipër një rol më të zgjeruar si shihet, për shembull me Diderot. Vehbiu denoncon mirë, sepse nuk i sheh shqiptarët nëpërmjet atdhedashurisë. As nëpërmjet dashurisë. Nuk kemi nga ta dimë dhe as nuk duam ta dimë nëse ai vetë ka atdhedashuri. Një lexim më i kujdesshëm më vonë në lidhje me lëvizjen e kufijve shtetërore na sugjeron se ka bindje kozmopolite.

Po të kisha bindje kozmopolite unë, parti e tërë politike do t’i sugjeronte dynjasë se unë flas përçart dhe jam trim i çartur që shaj atdheun e ëmbël si balta e të tjera. But we digress.

Ardiani vetë, ashtu si Fishta më herët, përdor fjalët e të tjerëve sikur të ishin të tijat. Kjo i vjen nga kultura e lartë dhe njëherësh mungesa e paragjykimit ndaj kulturës së ulët (këtu unë marr frymë lirshëm tek shkruaj, sepse më në fund mund ta them këtë për një shkrimtar).

Ardiani, ashtu si Fishta vetë nuk është Zog Shkinet. Dhe as miku i tij Ardian Klosi nuk besoj të ishte, të cilit i kushton një kapitull të tërë në libër, duke analizuar në mënyrë shkencore vetëvrasjen e tij dhe duke vënë në dukje arsyet intelektuale të saj. Po të veprojmë me Kantin, një prej arsyeve është një shikim tërësisht dhe rrënjësor i ndryshëm i botës. Kanti thotë që është e mundshme që botë të tjera të kodifikuara me ligje të tjera fizike dhe neurologjike të ekzistojnë, por ne nuk mund t’i njohim ato, jemi të lidhur me perceptimin e formave që kemi. Gjëja në vetvete eludes us dhe kjo është pikësëpari kthimi përmbys i shumicës së arsyetimeve teologjike që veprojnë mbi botën e përtejme, amshimin e të tjera. As Zoti vetë nuk është mbi arsyen. Sado të përpiqesh, do të përpiqesh kot. Mendimi teologjik është një mendim i skajeve të trupit, të gishtërinjve dhe të syve. Ardiani vetë thotë vazhdimisht që nuk e ka shumë qejf filozofinë, por kjo është një shaka e vogël me veten. Tek shkruan, mendon dhe kësisoj mbërrin në një formë mendimi të kthjellët, dhe kjo nuk mundet të jetë përveçse filozofi.

Ashtu si çdo studiues i vjetër ai kundërshton çdo logjikë të përfytyrimit që i vjen tjetrit nga klishetë e gatshme. Po ta përshkruaja dijen normative shqiptare, do të thosha se është një leksion i gjatë në autobus, ku ti mban shënim emrat në kurrizin e mjeteve që sheh rrugës dhe numrat e targave. Ndonjëherë të ndalon policia kur ndonjë kamion ka shkaktuar turbullira me ndonjë fjalë si “litost” për shembull. Në fund të fundit ke shënuar në bllok ca germa dhe do t’i japësh duh vetë sepse edhe ato pedagogët që të prenë biletën dhe iu mbante goja erë nuk kanë para as për çamçakëz.

Zgjidhja, nëse gjendet, do të vijë vetëm nga Tirana. Barin çudibërës do ta shpikë vetë i sëmuri.[2]

Dritëro Agolli vazhdimisht nuk bënte shaka dhe kam përshtypjen që nuk ishte as njeri me të cilin mund të bëhej shaka. Vepra e tij, edhe ajo poetike, ndoshta kryesisht ajo poetike, sepse është lexuar më shumë, përmban ngacmim ndaj njeriut automatik dhe burokrat. Kujtojmë këtu “Baladë për tim atë dhe për vete”, “Njeriun me top” dhe “Arka e djallit”, por edhe tregimet e Sadije Agollit. Për Dritëroin njeri automatik është edhe fshatari (shiko: “Komisari i dritës”) dhe njeri besëtytë apo analfabet. Dritëroi nuk kishte logjikë prej misionari (si Migjeni – “Një natë pa dritë”) apo logjikë historike si Kadareja (“Mosmarrëveshja”; “Kohë barbare”; “Bisedë përmes hekurash” dhe pikësëpari “Ftesë në studio”). Ai vinte në dukje se punët thjesht nuk po shkojnë mirë me një dozë të vogël humori, por që nuk është satirë dhe prandaj mund të lexohet nga të gjithë dhe me një gotë konjaku para që josh dhe më shumë ndjekësit e nxënësit e vet që i mblidheshin te këmbët si apostujt Krishtit. Të njëjtën gjë ka bërë dhe Ardian Vehbiu me “Zotin Shyti” dhe me “Castigat”, që i kam lexuar online te “Peizazhe të fjalës”. Qëllimisht vonova ta përmend “Peizazhe të fjalës” në një shkrim për Ardian Vehbiun. Aty duket sikur shkruan më i çlirët, madje dhe me tuta sportive, por kur i duhet të vijë në Shqipëri të japë llogari për teori gjuhësore në vend të Eqrem Çabej (a mund ta bëjë dikush tjetër?), vesh këmishë (si të gjithë ne), por jo kollare (jo si të gjithë ne).

Në fakt, përgjatë gjithë librit duket një admirim për kundërkulturën dhe Bitëllsat. Nuk ke se si të mos i admirosh Bitëllsat, por ta teorizosh këtë admirim në një vend që dënonte me ligj pantollat kaubojs, është e guximshme dhe shumë e nevojshme. Pse thashë “pantollat” dhe jo “pantallonat”?  Sepse dua! Ke inat? Imagologjia është menduarit nëpërmjet imazheve. Mënyra se si lidhet ajo me shkrimin është hedhja në letër, ndonjëherë dhe me parashutë e mendimit që pason shikimin. Ky mendim është i drejtpërdrejtë dhe kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet teknologjisë. Kinemaja përdoret në mënyrë edukative dhe evokative, sepse i paraprin këtij procesi dhe i mëson ndërgjegjen trurit tonë. Kinemaja na mëson si të dëshirojmë, tha Zhizheku, dhe e la batutë këtë ai. Batuta është pikërisht ky kondensim i mendimit dhe fjalës.

Kopertina e librit ka një palë këpucë dhe mua, që sapo kam mbaruar trajtesën e Maurice Merleau-Ponty për Cezanne-in, më vjen të them se me patjetër bëhet llaf për ato këpucët që pikturonte ai. Në fakt këto këpucë janë përkufizimi më i mirë i lirisë që mund të shprehim në kopertinë libri. Pasi na mbajnë këmbët erë prej komunizmës dhe kemi ecur se nuk kemi pasur ç’të bëjmë tjetër në një shtet-kapanon, më në fund mund t’i lajmë këmbët në det. Por a mund të ecim dhe të kalojmë në bregun tjetër? Sigurisht që nuk mund t’i hysh detit në këmbë, por mund të ëndërrosh, si ajo kënga e Ritfolk. Mund të ëndërrosh duke shkruar dhe duke ditur histori dhe histori të mendimit njerëzor. Por këpucët janë të një burri dhe jo ato të një fëmije. Duken si të vjedhura, si rinia që u vodhi Hoxha shumëkujt. A e ka lexuar byroja politike Sosyrin?

Vëzhgimet e tij janë të mprehta, antropologjike. Jo pothuajse, si do ta thoshim me një terminologji gazetash, por tërësisht. Ai citon vazhdimisht raste dhe anekdota. Arsyeja pse këto citohen të thjeshtuara është sepse duhet t’i bëhet më i lehtë lexuesit kuptimi dhe të ndërtohet një marrëdhënie e drejtpërdrejtë. Libri i flet dhe një lexuesi më të ri në moshë si puna ime, një lexuesi që nuk e ka jetuar dogmën totalitare, por po jeton një dogmë të ngjashme turbokapitaliste (për të përdorur po një term të A.Vehbiut te një tekst te PTF).

Po sikur ajo që na ka shpëtuar, ajo që nuk e shohim dot, sepse nuk e futim dot në kornizën tonë të referencës, të jetë pikërisht thelbi i kësaj kulture, së cilës përndryshe duam aq shumë t’i përkasim?[3]

Kuptojmë këtu dhe te kapitulli më pas që ne e fetishizojmë kulturën. Autori që referohet te kapitulli, apo pjesa (muzikore?) “Arkeologjia e së ardhmes” është patjetër M.Foucault. Vazhdimisht këta autorë të teorisë kritike shihen nëpër punët e studiuesve dhe studiuesve të kalibrit madje. Me Lyotard-in te “Kushti postmodern”: ekzistenca e dijes klasike kushtëzohet nga ekzistenca pothuaj parazite e teorisë kritike. Ju mund të vazhdoni dogmatikën e mendimit, por ne jemi këtu të gatshëm në çdo moment t’ju pickojmë dhe t’ju shpërbëjmë, t’ju tallim e dekonstruktojmë, sepse duke qenë dy ujëvara të ndara, ne, ndryshe nga ju, e pranojmë që jemi pak më të ndyrë, pak më proletarë dhe më pak të iluminuar. Nuk kemi as xhaketa padded te bërrylat. As nuk e mendojmë tjetrin si jashtëtokësor e aq më pak si jashtëtokësor të përsosur (ndoshta ngaqë vetë ju mendoni se jeni të përsosur?).

Shumëkujt do t’i vijë në mend se edhe osmanët e Sulltan Muratit e quajtën tradhtar Kastriotin kur ky u ktheu krahët në Nish, braktisi betejën kundër ushtrive të Huniadit dhe rendi të kthehet në Krujë si “pëllumb i shkruar”, për t’i shpallur sfidë vdekjeprurëse perandorisë…[4]

Për ta thënë në mënyrë historike sfidën me Goliathin historik, do të ishte një rënie fatale në banalitet. Për të logjikuar në mënyrë letrare nëpërmjet atyre që P. Modiano i quan zona pamjaftueshmërie do të duhej të thoshim se osmanët dhe osmanishtja janë pjesë e kulturës sonë po, por janë margjinalë, ashtu si gegnishtja, dhe si të tillë nuk duhen paragjykuar. Këtë mund ta thotë dikush që e ka autoritetin ta thotë dhe me gjysmë shakaje. Në fund të fundit historia është histori e skajeve, jo e bëmave të mëdha. A nuk i tradhtoi edhe Skënderbeu hungarezët në Fushë Kosovë? A nuk është kjo arsyeja pse ata luftuan vetëm, u mundën dhe për këtë arsye nuk kanë fare pretendime për Kosovën, ndryshe nga serbët uzurpatorë? Për autorin e këtyre radhëve këto muhabete janë të lodhshme dhe unë, ashtu si autori i librit, vizatimet e kufijve, kur votoj aksh parti apo filan parti, ua lë të tjerëve, më të mençur se unë, por jo vetëm, edhe më të fortë se unë.

Batutaxhiu është i fortë. Nastradini ishte i fortë. Enver Hoxha ishte i fortë. Artisti kontemporan i lagjes time është i fortë. Miku-i -depolitizuar-i-edi-ramës është i fortë. Ornela Vorpsi është e fortë dhe e bukur…

Ardian Vehbiu di të shkruajë.

(c) 2023 Ader Kalaja. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


[1] “Sende që nxirrte deti”, fq.21, Dudaj, 2013.

[2] Po aty, fq.42.

[3] Po aty, fq. 56.

[4] Po aty, fq.71.

Rreth Autorit

Adri Kalaja ka lindur në Shkodër më 21 gusht të 1997. Sapo është diplomuar nga UT, FSHS në Filozofi (niveli Master Shkencor) me një tezë mbi M.Foucault (në 2020). Interesat kërkimore-teorike shtrihen në një larmi fushash, me fokus filozofinë por gjithashtu antropologjinë, veçanërisht atë kulturore.

Author Archive Page

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin