SHPIRTËRORJA NË SYTË E MI

nga Rei Hodo

(Abstraktime mbi vëllimin me poezi “Nuk janë sytë e mi”, nga Ervina Halili)

 

Fjala ishte, është fillesë, është krijesë. Zotërimi i “krijesës” të shndërron në përgjegjësi, autoritet, të bindësh apo të kesh nën “urdhër” një audiencë të gjerë. Nadine Gordimer do ta cilësonte të tillë “fjalën” gjatë nderimit me çmimin Nobel në vitin 1991.

Nuk mbetet vetëm një eksplorim i vetes por edhe i botës, eksplorim i qenies si individ por edhe si qenie kolektive, pikërisht pra procesi i të shkruarit. E si i tillë, besoj se mund të shihet e arsyeshme që këtë proces të mund ta konsiderojmë “natyrë” e shkrimtarin si subjekt që vepron mbi natyrën e tij duke u përpjekur kësisoj të tentojë drejt qëllimeve që ka apo mund të vendosë.

Përgjatë këtij eksplorimi, ajo që do ta shihja si me më1 rëndësi është “e vërteta”, së cilës mund t’i qasemi falë një beteje mes vetes dhe tjetrit. E në këtë kuptim, edhe poetët, si zotërues të fjalës e zhvillues të procesit të të shkruarit, mundohen të mbërrijnë tek e vërteta e tyre, e cila jo domosdoshmërish duhet të mbizotërojë mbi të vërtetat e tjera por mund të qëndrojë krah tyre.

Duke u nisur nga dëshira për t’iu afruar kësaj të vërtete, për ta vetëpërthithur fillimisht e më pas për ta shpërndarë, besoj se është e arsyeshme të hulumtojmë në krijimtarinë poetike të Ervina Halilit, “poete dhe studiuese nga Prishtina, interesi i së cilës qëndron tek miti dhe manifestimi i sjelljes kolektive.”[1]

Në skedat paraprake në ndihmë të këtij punimi, vendosa të realizoj një ndarje shtresore “shpirtërore” të vëllimit poetik në fjalë, thënë ndryshe “shpirtërorja e Zotit”, “shpirtërorja e njeriut” apo edhe “shpirtërorja e mëmësisë”.

Trupi, mendja e shpirti i poetëve jetojnë në ato hapësira të vogla të vetvetes, hapësira edhe më të vogla se sa arkëmorti i tyre duke e shfrytëzuar këtë veçanti në dobì të asaj që quhet përhapje e shpirtit. Poetët dinë të përhapin shpirtin e tyre sepse në fund kjo mbetet karakteristika e shpirtit të poetit, sa më shumë të shtypet aq më shumë hidhet tej lartësisë. Si qenie e tillë, atë mund ta shohësh si Zot, si absolutisht të pafund, me një esencë të përjetshme.

Shpirtërorja e zotit

Në poezinë “Nuk janë sytë e mi” do të veçoj vargjet si vijojnë: “këta dy sy në ballë nuk janë sytë e mi/ janë dy fetusë langëzue ku rri kruspull Zoti”, (fq. 14). Prej një leximi më të kujdesshëm, mund të shohim se nga këtu autorja nis t’i afrohet pra, asaj çka përmendëm më sipër, së vërtetës. E bën këtë duke vepruar si shpirt në kontakt me materien. E këtë të vërtetë, ka zgjedhur ta japë sipas forma mentis të saj, poezisë. Në poezi, shfaqet si pastërti konceptuale.

Në vijim, mund të themi se pikërisht përvoja e atij kontakti ka edhe një tjetër të vërtetë, atë identitare, që do të thotë identitetin burimor të secilës materie, pjesëmarrjen e jetës njerëzore si të veçuar në jetën e gjithësisë si universale. Zoti është i tillë si në poezi sepse të tillë e ka krijuar përfytyrimi i poetes.

Shpirtërorja e njeriut

Si edhe në tërësinë e universit poetik, njeriu zë vend jo pak të rëndësishëm në krijimtarinë e autores E. Halili. Nëpërmjet poezisë “Q’ajo”, e më tej, falë veprimit të kësaj poezie pasqyrohet më së miri vullneti i poetes e përtej saj, vullneti i njeriut. “nji ditë kam pa andërr se kurrë s’kam qenë njeri/ veç nji gja që nuk ashtë e thanun me qenë/ nuk ishte as edhe gja/ e unë isha q’ajo”, (fq. 15). Kërkesa thelbësore e njeriut nuk është vetëm të jetojë por mbi të gjitha kërkesa për ta zotëruar kuptimin e jetës, kërkesa për të kuptuar denjësinë e saj.

Në vargjet që do të shënohen më poshtë mund të thellohemi edhe më shumë në kuadër të mendimit mbi njeriun. Mund të kuptojmë se në vetvete jeta nuk është qëllimi parësor, është shpirti e shpirti e tejkalon sa herë jetën. Kësaj mund t’i afrohemi në vargjet si vijojnë: “lëvozhgën time la me u vyshkë e farë me ra në dhè/ …/ ujëvarat rrjedhshëm rrjedhave rrjedhin në trupin e gjithkujt/ që merr frymë në ngopje ajri/ e nxjerr jashtë stërkala jete” (fq. 16) apo edhe në vargjet “i jep toka bekimin e krahëve njeriut/ e i thotë se t’kam zgjatue nga grimcat e mia/ dhe shputat në shpinë t’i kam mbajtë por tash shkoqju dhèut/ …/ e nisu drejt zanit të qiejve që oshëtijnë për ty dhe jeto/ …/ njeriu ka frikë me u nisë diku e mos me marrë gja pos vetes/ se ka frikë njeriu me ndejt me të panjohurin”, (fq. 26).

Shpirtërorja e mëmësisë ose Shpirtërorja e nënës

Nga një lexim i kujdesshëm që mund t’i bëhet Frojdit, na rezulton se “kur poeti na paraqet dramat e tij ose na tregon atë që ne jemi të prirur ta konsiderojmë ëndrrën e tij me sy hapur, në ndiejmë një kënaqësi të madhe, që ndoshta vjen prej kryqëzimeve të shumë burimeve.”[2]

Në rastin e shpirtërores së rradhës pjekuria e mendimit na paraqitet nëpërmjet katër poezive të cilat i dedikohen nënës. Një trajektore poetike e cila të formëson para syve udhën e jetës duke përfshirë momentet më kyçe të saj. “kockat e mija mbajnë qumështin e nanës sime flokëzezë/ dhe zemra ime mban mitrën e saj në gjì/ ajo thue se dëshiron me lindë veten rishtazi/ në zemrën time të vogël/ rri fetus”, (fq. 17).  Madhështia e individit, që këtë herë do të preferoja ta shihja vetëm si të konturuar në dimensionet e femërores del qartazi në vargjet që vijojnë: “veç nan nuk prek as tokë as qiell/ veç tamblin nga sisët rrjedh nana/ dhe ne hapim gojët poshtë rrjedhës/ e ngopemi me flakë parajse në zemër/ dhe gjaku i hekurt na rrjedh në trup/ me na ba me i harru vetët tona/ në shtatë palë qiej ku rri nana/ si nuse e bardhë me vello mbi sy”, (fq. 19).

E ndër të tjera, këtu krijohen kushtet që të mund t’i rikthehemi edhe një herë diskutimi në krye të këtij shkrimi. Do të na mësonte Spinoza se “pësojmë për sa kohë jemi një pjesë e Natyrës e cila nuk mund të konceptohet prej vetvetes, pa pjesët e tjera.”[3] Poetja na e konkretizon këtë në vargjet: “asht ngri tavani i detit kur kam marrë me dalë/ e kam ra me fjetë në andërr me t’thirrë/ ti sa herë ke ardhë në andërr m’ke thanë se nuk din me u lëshu”, (fq. 39) apo edhe në vargjet e poezisë “Frymë”: “asht qenë nji mot kur shpirti nxirrte fjalë e donte me marrë formë pa ndá/ tash që fjala m’asht ba shpirt/ kam veç frymë që shkruhet/ ne zemrën e zemrës tande”, (fq. 49).

E së fundmi, nuk do të mund ta fsheh admirimin për pasjen e poetëve dhe krijimeve të tilla në ato pak qarqe kulturore e letrare që duket se me një stoicizëm donkishotesk ende mbahen në këmbë.

I tillë është dhe do të mbetet misioni i poetëve, të tejkalojnë njeriun. Ta bëjnë këtë jo për të realizuar mbinjeriun, por të tejkalojnë njeriun për tek njeriu, tek ai që mund të shihet si gjeniu e që njëkohësisht mund, duhet dhe ia del mbanë të përfaqësojë idealin, që në shumicën e rasteve është vetë real e ideal. Poetja në këtë vëllim arrin me lehtësi të krijojë botën e saj të fantazisë duke investuar ngarkesë të madhe emotive. Rrjedhimisht krijon largësinë e nevojshme nga realiteti.

© 2023 Rei Hodo. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

 

[1] Halili, E. (2021). Shënim botuesi. Në Nuk janë sytë e mi (fq. 7–11). poezi, Berk.
[2] Freud, S. (2000). Psikanaliza e artit dhe letërsisë . Dituria.
[3] de Spinoza, B. (2015). Etika (D. Karadaku, Përkth.). Pika pa sipërfaqe.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin