ZGJEDHJE ME SHUMË PIKËPYETJE

nga Eda Derhemi

Gazeta ‘Si’ i quan “zgjedhje të befta” zgjedhjet e fundit të Akademisë që rezultuan me kryetar të ri Gjinushin. Nuk e di se në sa nivele më turbullon mendimin togu “kryetar i ri” kur përdoret për kryetarin e vjetër Skënder Gjinushi! Të tjera televizione dhe plot gazeta të këtyre ditëve, i quajnë zgjedhjet “të fshehta”, “jotransparente” dhe “jodemokratike”. Mund të gjeni diskutime të tilla në të gjitha mediat, por pëlqeva të sillja një zë më të ri mediatik si ‘Si’. News-24, TV Klan e plot televizione të tjera, kanë disa reportazhe mbi këtë, nëse keni interes t’i ndiqni.

Zgjedhjet bëhen pa konkurrentë të tjerë. I vetëm në lëminjtë tanë shkencorë, prin këtë garë me një garues, Gjinushi. Në një letër më të hershme,

 

Artan Fuga, edhe ky akademik yni, denoncon shkelje te njëpasnjëshme që në vitet e fundit janë kryer për të mbajtur Gjinushin në krye. Janë me interes vërejtjet e Fugës për moshën e akademikëve dhe mënyrën se si ndryshohen ligjet që Gjinushi të bëhet e të mbetet kryetar. Për Fugën si akademik nuk kam njohjen e duhur, dhe, për sa e kam lexuar, as respekt shkencor. Por, në fund të fundit, ai është një ndër akademikët tanë, dhe së paku flet hapur, dhe ishte i vetmi që hapur zgjodhi të kandidojë kundër kryetarit që sapo fitoi mandatin e dytë. Njëra prej dy votave vetmitare kundër!

Pyeta kësaj vere një njeri që është i kulturuar vite drite para injorancës sime në thashethemërinë e kupolës politike të Tiranës: përse do duhej të ishte gjithë kjo lëvizje shumëdrejtimëshe për të mbajtur Gjinushin në krye të Akademisë, sidomos kur pozicioni i tij në këto katër vjet nuk ka sjellë ndonjë bëmë përmbysëse; një njeri që, përndryshe, nuk njihet as si shkencëtar dhe as si politikan i ndonjë niveli special, pa i mohuar jetëgjatësinë në krye të një partie të mefshtë politike të pas-90ës? Çfarë e bën Ramën t’i vijë kaq shumë pas terezisë Gjinushit dhe të krijojë një hulli të jashtëzakonshme mbështetjeje për të dhe vetëm atë, me çdo kusht?! Përgjigja që mora nuk ishte aspak e qartë: afera e borxhe të vjetra që u ka ardhur radha të shlyhen. M’u duk si hamendje më shumë se dije. Ngulmova të zhbiriloj më tej këtë përgjigje opako-mjegullore, por pa sukses. Një njeri që beson tek Gjinushi më tha më pas se është administrator i jashtëzakonshëm dhe manovron shumë mirë në situate të vështira. Një tjetër përgjigje që m’u duk po aq e dobët sa e para. Kjo cilësi i duhet kryeakademikut tonë?!

I kam ndjekur aktivitetet e Akademisë në vitet e fundit. Jam e dëshpëruar: shumica e aktivitetit është për të krijuar një imazh zhurme e veprimtarie të pashtershme, por ku arritjet janë thjesht një ‘check’ në numrin e eventeve (siç thuhet tani). Konferencat e takimet shkencore synojnë sasi, por përfundojnë me diskutime sipërfaqësore ku pyetjet dhe qëndrimet kritike eliminohen ose me procedurë, ose me model të dhënë si shembull, ose sepse s’ka kohë për pyetje e diskutime; ambienti nëpër zyra e korridore është tipik bizantin, me prapaskena, lëpirje servile burrash e grash (sidomos burrash) që rrinë pas dyerve të kryetarëve e sekretarëve të kapin ndonjë kockë, e sidomos ndonjë pranim të mundshëm në çfarëdo cilësie si “akademikë”, “gjysmë-akademikë”, “çerek-akademikë” apo edhe “aroma-akademikë”; miqtë e Akademisë nëpër botë shkëmbejnë me Akademinë tonë ftesa këmbimesh shkencore ku të dy anët prodhojnë material për të thënë se marrin pjesë në konferenca të nivelit të lartë ndërkombëtar për të mbajtur gjallë CV-të e veta – për të mbetur pjesë e grupimeve që kontrollojnë fonde dhe politika shkencore që s’kapen ndryshe veçse me “ta kruaj kurrizin unë ty sot, që të ma kruash ti nesër”; botimet prej Akademisë së Shkencave kryhen shpesh nën nivelin e mediokritetit, dhe përfshijnë punë që do konsideroheshin të pabotueshme gjetkë.

Pata rast ta njoh në disa takime kësaj vere Kryetarin Gjinushi. Mbeta vërtet e zhgënjyer. Kryeakademiku ynë nuk flet rrjedhshëm asnjë gjuhë të huaj – manovron disi në frengjisht e, me siguri, edhe italisht; bisedat me të dëshmojnë gjithçka veçse njohje të thellë dhe kulturë shkencore; mungesat në kapacitetin e pritshëm të akademikut i kompenson me anekdota, thënie popullore, e barceleta, por në to tingëllon si burrë i gojës. Ekziston një servilizëm total në mënyrën se si akademikët e zyrtarët e tjerë i sillen rrotull kryetarit, dhe po ashtu një arrogancë e kapadaillëk ekstrem në mënyrën se si kryetari trajton rrethin e të bindurve rreth vetes. Po përse të jetë kjo gjendje? Unë sinqerisht nuk kuptoj a ka magji këtu, apo ç’u ka bërë trurit të të mençurve shqiptarë Gjinushi?! Po: mendoj se ka natyrë të zgjuar, është instinktiv, dhe i ndihet mprehtësia dhe dinakëria në reagime në bisedë. Por për këto cilësi, ndaloni në ndonjë gërxhe a monopat nëpër fshatrat e Kolonjës, dhe i pari bujk apo ish-bujk që do takoni, do t’i ketë edhe ai këto cilësi, madje me tepëri.

Kish ardhur koha për tjetër njeri në krye të Akademisë. Por për kë? Zgjedhjet në Akademi ishin shterpë. Si shqiptare që ndjek zhvillimet shkencore, jam thellësisht e zhgënjyer me zgjedhjet për udhëheqjen e Akademisë. Ndoshta parapëlqimi im për një kryetar të ri lidhet me kritere të miat, ndoshta edhe disi elitiste, për të cilat jam e ndërgjegjshme dhe i konsideroj garanci absolute për postin. Por mënyra si u bënë zgjedhjet duhet të shqetësojë këdo. Lexova e ndoqa sa munda. Është e qartë që mediat kanë ngritur pyetje, që pastaj janë injoruar apo mbuluar me hi. Pse të kryhen zgjedhje pa fushatë e diskutime? Përse të ketë vetëm një propozim për kandidat? Përse të ngelen jashtë mediat? Përse flitet kaq fort që procedurat ligjore janë ndryshuar për të manipuluar procesin dhe arritur në këto zgjedhje kallpe të Akademisë? U tha Akademia jonë për kryetarë më të rinj? Para pak muajsh ASA u bë pjesë e Akademisë, me motivimin që Akademia të kthehej në një trup unik e jo të copëtuar, më dinamik, me lëvizje shkencore dhe jo thjesht honorifike. Të gjitha ide të bukura këto që mund të krijonin një organizëm shkencor më të koordinuar dhe modern. Por ku janë të përfaqësuar këta njerëz e shkencëtarë më të rinj që iu bashkuan Akademisë prej ASA-s? Nuk duhej bërë e mundur që ata të ishin pjesë e kësaj Akademie tashmë të re, që të kishin zë e përfaqësim për vitet që vijnë? Qoftë edhe vetëm si votues apo edhe diskutues të platformës që kaloi pa asnjë lloj debati apo kundërshtie. Dhe nuk kemi harruar sa zhurmë u bë në momentin e bashkimit të institucioneve shkencore si një i vetëm. Për më tepër, duhet të kish ndodhur një shestim i mirë për diskutim të platformës, edhe për të lidhur gjithë grupimet dhe aktorët në këtë organizëm të ri (sepse i ri duhet të kish qenë). Sepse, në fakt, e vetmja risi në të ashtuquajturën platformë që nuk u diskutua nëpër institucione, ishte pikërisht hyrja e këtyre “të rinjve”[i].

Pastaj, përse u dashka që, meqenëse ka një kandidat të vetëm, zgjedhjet të bëhen me dyer të mbyllura? Së fundi, si është e mundur që kryetari i shkuar dhe i ardhshëm i Akademisë i lejon vetes përgjigje të tilla si ato që u dha mediave këto ditë: Pyetje: Zoti Gjinushi, përse nuk ftuat mediat? Përgjigje me qeshje ironike: Epo miqtë nuk ftohen! Ose, edhe më keq akoma, mënyra se si ai justifikon faktin që ishte i vetmi kandidat: “…Vazhdoni i bini një kambane. Dinë se ç’bëjnë 53 akademikë. Mos bëni sikur jeni më të mençur se 53 akademikët.” Këto janë përgjigje rruge. Nuk i takojnë kryetarit të Akademisë. Ish-akademikët tanë të një kohe, rrotullohen në varr prej nivelit të përgjigjeve.

Ky është kryetari i ri që do reformojë Akademinë tonë?! I vetmi kandidat mes gjithë akademikëve për postin e kryetarit në dy zgjedhje rresht? E vërteta është se, si fakti që kemi një kandidat të vetëm, si edhe fakti që ai zgjidhet me plot 51 vota nga 53 të mundshme (edhe pse procedurat si edhe ndryshimet e çuditshme që ndodhin e rindodhin në Ligjin për Arsimin e Lartë kanë qenë fort të diskutueshme e të diskutuara), janë tregues i jetës së vakët akademike në Shqipëri, i servilizmit ndaj kujt është në krye, i mungesës së thellë në debat shkencor dhe administrativ, i squlljes dhe shtirjes sonë intelektuale, i faktit që e kemi shtëpinë ku duhet të jetonte truri i kombit në vdekje e sipër – jo si vdekje e institucionit, por e mendimit të gjallë në të. Jemi në pikë të hallit! Po ta lëmë Akademinë tani, se i dhamë thuajse nëntë orë nëpër lajme. Tashmë kamerat janë atje ku ka flakë: tek Malltezi, Berisha dhe SPAK-u. Harruam madje edhe Ukrainën dhe Palestinën. Rroftë Shqipëria demokratike që po i afrohet dita-ditës Evropës së Bashkuar!

© 2023 Eda Derhemi. Të gjitha të drejtat janë të autores.


[i] “Platforma e Gjinushit në këtë mandat të dytë, parashikon mes angazhimeve kryesore kthimin e Akademisë dhe të instituteve përkatëse në qendrën kryesore të kërkimit e studimit në shkencat albanologjike dhe realizimin me sukses të tri projekteve madhore në Albanologji, Fjalorit të Shqipes, Historisë dhe Enciklopedisë së Shqiptarëve” (Shqiptarja.com)

Rreth Autorit

Eda Derhemi jeton e punon në Champaign-Urbana të ShBA-ve. Pasi punoi si pedagoge e gjuhësisë në Universitetin e Tiranës (1985-1990), ajo emigroi në Itali, e më pas në ShBA. Përfundoi një Master (Linguistics) dhe një PhD (Communications) në Universitetin e Illinoisit në Urbana-Champaign, ku, prej shumë vjetësh, punon si pedagoge me fokus kurse për gjendjen sociolinguistike në Itali, Mesdhe dhe Europë. Pas doktoratës, ka kryer dy herë kërkime post-doktorale 1-vjecare: në Kosovë mbështetur prej IREX, dhe në Tiranë mbështetur prej Fulbright. Puna e saj shkencore është ndërdisiplinore dhe ndërthur gjuhësinë me etnicitetin, politikën, ligjin, dhe kulturën. Pakicat gjuhësore dhe rrezikimi i ekzistencës së gjuhëve minoritare në Europë, sidomos gjendja e arbërishtes dhe arvanitishtes, janë qendrore në punën e saj. Mbetet shumë e lidhur me shqipen dhe Shqipërinë, sido që ka mbi 30 vjet që nuk është banuese e përhershme në Tiranë. Gjyshja e saj nga Tirana (nona), dhe Tirona e Vjetër me zakonet e veta i janë vazhdimisht në mendje. https://www.routledge.com/Endangered-Languages-in-the-21st-Century/Derhemi-Moseley/p/book/9781032196749

Author Archive Page

2 Komente

    1. Me qoka; ustallare safi, qe nuk ua ha qeni qoken.
      E ce duan nje kryetar t’jeter, kush rri e vret rradaken akademike ne cfare rase duhet ta perdore gjuhen.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin