MBIEMRA POLITIKË

Ka një sërë hipotezash interesante mbi historine e Shqipërisë që sot është e mundur të studiohen sistematikisht nëpërmjet metodave të digital humanities.

Ideja është që nga pikëpamja metodologjike të mos rishpikim rrotën duke kritikuar narrativat e mëdha (modernizimi, shtet-formimi, etj.), kategoritë abstrakte me të cilat punohet (klasat, elitat) dhe objektet e vëzhgimit (konfliktet si ato klasore, anti-intelektualizmi, etj.) Se teorikisht nuk ka shumë për të revizionuar në këtë lëmi. Gjermanët (për inat tim dhe të prof. A. Dojës,) i kanë qëmtuar disa prej këtyre punëve (shih Grothussen,)[3] dhe Elidor Mëhilli po i vijon. Unë mendoj se për të ndarë punën, disa të merren me shqyrtimin sistematik të tezave që rrjedhin prej tyre duke i testuar nëpërmjet analizave statistikore, dhe duke filluar nga individi si njësi analitike, jo nga kategoritë abstrakte.

Për shembull, disa prej tezave mbi organizimin e shtetit totalitar në Shqipëri nuk kanë bazë të shëndoshë empirike që të lejojnë përgjithësime, pasi ato janë ilustrative ose mbështeten kryesisht në analizën e agjendës politike (dokumentet arkivore, synimet) dhe pak në rezultatet e tyre (shih më poshtë disa prej këtyre hipotezave.) Ndërsa studimi i elitave ka ngecur te Byroja Politike dhe tezat mbi ndërrimin e elitave pas 1945  ndoshta duhen rishikuar.

Marrim p.sh. hipotezën e parë, se në drejtimin politik të regjimit të kaluar totalitar ka qenë përfaqësuar më së shumti komuniteti i besimit ortodoks apo vlleh (paraqitur nga Ismail Kadare dhe Hysamedin Ferraj duke u përqëndruar në emrat e disa anëtarëve të Byrosë Politike.) Tej argumentimit teorik (afërsia me Jugosllavinë dhe Rusinë, apo prania e ndonjë agjende anti-kombëtare) një model empirik do të vëzhgonte së pari mbiemrat, përkatësia fetare e të cilëve mund të identifikohet nëpërmjet machine learning (ndonjë algoritëm që mund ta bënte INSTAT shumë lehtë duke qenë se ka të dhënat e censusit), dhe më pas do të kontrollonte për efektin e familjes, p.sh. duke identifikuar familjet e mëdha prezent në bazën e të dhënave (edhe kjo nëpërmjet një algoritmi për vendndodhjen, GIS, a ndonjë të dhënë nga censusi.)

Si proof of concept mund të vërehen p.sh. disa baza të të dhënave për të analizuar përfaqësimin në pozicionet drejtuese të qeverisë e administratës. Sikur vërehet nga grafiku i mëposhtëm, aty janë mbiemrat e zakonshëm (Hoxha dhe Shehu) dhe mbiemra të tjerë me përkatësi myslimane që në dukje hedhin poshtë tezën e përmendur. Por nuk vërtetohet statistikisht pasi këto duhen korrigjuar me përqindjet e komuniteteve përkatëse (mungon klasifikimi fetar prandaj nuk mund të analizohet këtu.)

Një tezë tjetër që mund të testohet, është ajo e ndërrimit të elitave pas lufte (shih Michael Schmid-Neke, 1993.) Venn diagram i mëposhtëm tregon se prerjet janë relativisht më të mëdha ndërmjet periudhave sekuenciale; pra ka vazhdimësi nga qeveritë para- me atë pas-lufte. Duhet analizuar më pas me metoda statistikore nëse këto janë thjeshtë rastësore, nga efekti i gjeneratës (analizë sekuenciale,) apo ndonjë faktor tjetër (për këtë lipset një tjetër dataset, me të dhëna mbi komunistët e parë dhe rrjetin e tyre.)

 

Prerjet ndermjet bashkesive te mbiemrave sipas periudhave te qeverisjes

 

Po ashtu mund të ngrihet teza mbi diversitetin krahinor e klasor (gjatë periudhës komuniste p.sh. ka më shumë mbiemra unikë në politikë, n=1839, e më pak në atë të inteligjencies me tituj akademik, n=1275, etj.) Të dhënat gjithashtu lejojnë formulimin e hipotezave të tjera, p.sh. mbi vazhdimësinë e qeverisjes së vendit nga disa familje të mëdha (kuptohet pasi janë diferencuar fiset në sajë në ndonjë algoritmi që përcakton dallimet krahinore, p.sh. njëri fis me të njëjtin mbiemër Shehu në Vlorë ka më shumë gjasa të përdorë emrin Mehmet, sesa Ahmet, në fisin Shehu në Dibër.) Sikur të lidheshin (record linkage) me baza të tjera të dhënash për të identifikuar emrat, atëhere vëzhgimi do të ishte edhe më sistematik.

Një tjetër bazë të dhënash interesante për të testuar hipotezën e ndërrimit të elitave është ai i të burgosurve politikë apo të internuarve për të analizuar në mënyrë sistematike shkallën e përndjekjes dhe të luftës së klasave. A mund të vërtetohet empirikisht se ka pasur dhunë strukturore tej ligjërimit diskriminues (duke qenë se në ligjërim ishin magazinuar si lufta e klasave, por edhe lufta ndaj sektarizmit, humanizmi socialist, .etj?) Teorikisht argumentohet se regjimi mund ta ketë pasur këtë ambicie (stalinizmi i E. Hoxhës apo frika ndaj elitës së mëparshme), por suksesi ka qenë i kufizuar për shkak të mungesës së kapaciteteve zbatuese të regjimit, dhe personalizimit të pushtetit. Kjo e fundit e argumentuar bindshëm nga komuniteti shkencor në Gjermani[5], apo S. Meksi,[4] por në cilindo rast në mënyrë ilustrative, jo sistematike (Kretsi në disa familje, e Hellers vetëm në Byronë Politike.)

Kujto.al ka një bazë të dhënash të të burgosurve politik (rreth 20.2 mijë.) Pas përpunimit më dolën rreth 16.5 mijë (çfarë dëshmon për rrezikun e përpunimeve të tilla të shpejta.) Sidoqoftë, pas pastrimit rezultojnë afërsisht 5.5 mijë mbiemra unikë. Sikur vërehet më poshtë, ndër mbiemrat e mëposhtëm janë sërish Hoxha dhe Shehu. Të dhënat janë të mangëta, por vlejnë për të ilustruar metodën (sipas statistikave zyrtare, deri në vitin 1989 kanë qenë rreth 201 mijë të burgosur, prej tyre mesatarisht 6 deri në 7 përqind të dënuar për krime kundra shtetit, reth 12 mijë, po të fusim këtu edhe ata të klasifikuar ndryshe me qëllim, nuk duhet të ketë qenë më shumë se 50 mijë; nëse do të ekzistonin të dhënat mund pra të kontrolloheshin e nuk kishte nevojë të hamendësonim; le të spekulojmë se Kujto.al ka së paku 30 perqind të të burgosurve politikë në database)

Disa prej mbiemrave më të shpeshtë (3 për kategori)

P.sh. Venn diagram tregon qartë se gjatë revolucionit kulturor në Shqipëri reprezaljet kanë qenë me intensitet më të ulët ndër radhët e intelektualëve. Pas një kontrolli që i bëra disa emrave duke i gjurmuar nëpër këto datasete (record linkage) më rezulton se një grup prej 60 individësh të arsimuar në Bashkimin Sovjetik vijojnë në poste të larta shtetërore prej 1960 deri në 1989, dhe ajo që quhet ndryshe fushata anti-Sovjetike, sikur në Kinën e largët gjatë Revolucionit Kulturor, mund të ketë qenë thjeshtë në rrafshin ligjërimor. Flasim gjithmonë duke pretenduar se po nxjerrim hipoteza përgjithësuese, pa injoruar rastet e veçanta. Por ka pasur fushta anti-intelektuale në vitet 1970, kur numri i të arsimuarve me universitet ndër radhët e  të dënuarve është rritur (statistikisht në mënyrë sinjifikante nëse do të kontrollonim për efektin e rritjes së popullsisë dhe të atyre me arsim të lartë.)

Shkurt pra, nëse dikush tundohet të shkruaj diç në lidhje me këtë temën, rekomandohet ta fillojë me gjermanët e cituar më sipër, a ta bitisë me këto të dhënat që gjenden lartë e poshtë. Bazat e të dhënave mund të ndërtohen nga studimi i arkivave, por për përtacët si unë ato mund të merren edhe nga gërmimi (scraping, mining) i dokumenteve që gjenden online (shih p.sh. CIA,[1] ose nga skanimi i librave si i Kastriot Dervishit.)[2] Krijimi i bazës së të dhënave lejon një analizë përshkruese. Nëse kjo bazë të dhënash mund të ndërlidhet me të tjera (record linkage,) atëherë mund të ndiqet edhe karriera e shumë individëve për të kryer analiza më të sofistikuara: survival analysis apo analiza të rrjeteve sociale (social network analysis.)


[1] Central Intelligence Agency, Directory of Officals of the People’s Socialist Republic of Albania (National Foreign Assessment Center, 1979).

[2] Dervishi, Kastriot. Kryeministrat Dhe Ministrat E Shtetit Shqiptar Në 100 Vjet: Anëtarët E Këshillit Të Ministrave Në Vitet 1912-2012, Jetëshkrimet E Tyre Dhe Veprimtaria E Ekzekutivit Shqiptar. , 2012. Print.

[3]  Südosteuropa-Handbuch: Albanien, ed. Klaus-Detlev Grothussen (Göttingen: Vandenhoeck & Ruprecht, 1993).

[4] Sofokli Meksi, “Stalinizmi shqiptar: një vështrim nga poshtë. (Aspekte politike dhe shoqërore të sistemit stalinist shqiptar në vitet 1960-1961)” (PhD. University of Tirana, 2016).

[5] Michael Schmid-Neke te K. D. Grothussen (1993); ose shih edhe një studim interesant të së ndjerës Georgia Kretsi, Verfolgung und Gedächtnis in Albanien : eine Analyse postsozialistischer Erinnerungsstrategien (Wiesbaden: Harrassowitz, 2007); Stephan Hensell, “Regieren in Albanien,” Herrschaftslogik und Zerfall eines Familienstaates. WeltTrends 12, no. 45 (2004). Wolfgang Höpken and Holm Sundhaussen, “Eliten in Südosteuropa,” Rolle, Kontinuitäten, Brüche in Geschichte und Gegenwart  (1998).

 


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin