FJALË PËR ROMANCIERË QË DUAN

Nga Viktoria Lark 

Dikur desha të shkruaj një roman, nisur nga respekti për një zhanër që më kishte formuar arsyen. Dikur. Deri sot, s’kam guxuar. Për mirë a keq, dëshirën për të lëvruar një format që riprodhohet me shpejtësinë dhe shumëllojshmërinë e artikujve kozmetikë (nuk dua të them lepujve, këta i thërret natyra), ma frenuan këshillat e një eksperti, zhongler i të gjitha sojeve të shkrimit.

Udhëzimet – të cilat, tek pinim një ekspres të hidhur, eksperti, një mik i largët, m’i renditi një më një, sikur për ta lehtësuar botën e romanit nga kotësi të reja – po i ndaj me ju, pa lënë asnjë grimë të ashpër të asaj renditjeje, siç e kujtoj dhe e vërtis në mendje sa herë që ëndërroj emrin tim në kopertinë. Kam besim se do më kuptoni pse hezitoj.

  • Romanet mbi diktaturën, perandorinë osmane, arbëreshët, ilirët, Konstantinët, gjeneralët janë një qyp që i ka ardhur fundi. Deri këtu shkonte kjo recetë, tashmë mos e ktheni letërsinë në majmun ekzotik.
  • Metafizikë? Kujdes, sigurohuni që arrini lartësi të epërme kafkaeske, para se të keni kurajë të shihni mes vrimës së çelësit rrëpirën greminore të ekzistencës. Në mos, ju dhe famën tuaj e pret rrokullima.
  • Romane mbi trauma familjare nuk na duhen më. Lërjani këto tema të ujshme Hollywood-it. Romanin e thërrasin rrënjët e tija epike. Harrojeni Penelopën te pëlhura dhe ndiqni labirintet e Odisesë. Ose të Minotaurit (por jo ta vini këtë në titull).
  • Të gjithëve na pëlqejnë labirintet. Por mos gënjeni veten se mund të shkruani romanin që J. L. Borges pati urtësinë të mos e shkruante kurrë, sa kohë që s’keni këllqe të nxirrni nga dora një monstër të ndritshëm si 2666 të Roberto Bolaño-s.
  • As labirintet e ekuivokëve seksualë nuk premtojnë më. Kjo gjini e preku fundin e thellësive në 1831. Histori turbulluese, serioze, artistësh tragjikë. Me pak fjalë: një skulptor i talentuar bie në dashuri me një artiste. Ai e ndjek, e adhuron, e dëshiron, ia rikrijon shëmbëlltyrën me artin e tij, e kërkon t’i jepet me mish e shpirt. Ajo është e ndrojtur, i thotë se diçka e pengon. Artisti s’bindet, i ngjitet pas, sepse ajo i ngjan femra ideale edhe e veshur me petka mashkullore. As gjuhëve të liga se artistja është një castrato, artisti nuk bindet. E rrëmben të dashurën ideale në studion e tij. Në kulm të epshit, artistja i thotë se vërtet është castrato. Artisti sa s’çmendet e do ta vrasë, por miq të castrato-s e vrasin para se të tentojë krimin epshor. Historia e dashurisë së skulptorit Sarrasine me castrato-n Zambinella. Autori: Balzak. Më shumë ekuivok e tragjedi prishet.
  • Emrat ekzotikë në titullin e romanit nuk garantojnë famë, aq më pak titullin Nobel. Megjithatë, 120 vjet pas vdekjes suaj, shekullit mund t’i lind një Roland Barthes e Sarrasine juaj të ngrihet nga vari. Shpresa për Nobel, jo.
  • Jua rekomandojmë fort të gjeni formulat tuaja estetike. “Forma bën artin” është pronë e Flaubert-it dhe e zogjve të tij. Bëjini shoqëri Papagallit të Flaubert-it dhe do bindeni.
  • Mos bini preh e makutërisë borgjeze të përvetësoni trillet paratekstuale të Shtëpisë së fletëve ose gjetheve po ta preferoni të tillë. Shpikni fletët tuaja ose vdisni i pafamë.
  • Meqë përmendëm “shtëpinë”, mos e sendërtoni romanin tuaj rreth objekteve, sidomos objekteve “shtëpi” dhe “dollap”. Lista e shtëpive narrative është e gjatë shumë, ndërsa ajo e dollapeve më e shkurtër, por edhe ajo e lodhur në rruzullin e Narnias sa s’habit më as çiliminë.
  • As mos pretendoni ta vishni romanin detektiv me petka gotike, aq më pak nga ato të mistershmet e “Shtëpisë së Gjetheve”. Kësaj bukurosheje të fjetur do t’i zbulohen aq sekrete sa zbuloi Fjalori udhëzues për misterin e dosjeve.
  • book sculptTani që hoqët dorë nga dhuna totalitare, po mendoni një shkuesi mes dhunës dhe erotikës. Lëreni! Ju kanë dalë përpara Markezi de Sade dhe E. L. James, me sukses të krahasueshëm.
  • Edhe me çiftin erotikë-sëmundje zor të qullosni gjë, vetëm në jeni provë e gjallë e paradokseve të Zenonit dhe arrini t’ia kaloni Markezit kolumbian. Realizmi magjik mund të jetë rruga juaj, veç, për hir të Perëndisë, mos bëni gabim të marrakoteni pas barokizmave dhe ta ngjyeni penën në rrëfime në vetën e parë.
  • Tani që u mbyll shtegu i mësipërm, po flirtoni me romanin epistolar, shkëmbim letrash medemek? Po a mos vallë harruat se kjo është dredhia e iluminizmit, fajtorit dhe dështakut që s’na ruajti nga dy Luftëra Botërore? Provoni njëherë gishtat me romanin celular, cicërimtar, soc-rrjetar, a ndonjë eksperiment që mund të na shpëtojë nga Lufta Ndërkohë, udhëzimi mbetet po ai i një shekulli më parë: shmangni fluturat dhe qëndroni besnik hebrenjve.
  • Si? Më bëjnë veshët, apo vërtet guxoni? Serioziteti i romanit nuk qëndron në angazhimin social? Nga arti s’kërkohet më shumë se art? Kaq serioz është arti, sa te jetë krejt i pavarur? “Dear Earnest, I must disappoint your ‘wild’ claim for art’s independence despite the grave importance of being earnest.” Jeni papagalli i Wilde-it. E thamë më lartë, shpikni formulat tuaja.
  • Peshoni mirë lojrat intertekstuale. Lejojani vetes këtë kapriço me karar. Pa çka se kjo ka kosto të lartë për erudicionin tuaj galaktik, as jua pranon dinjiteti prej artisti t’ia përshtatni vizionin dietës së lexuesit anemik. Mbaheni vath në vesh, e themi nga eksperienca: obeziteti intelektual nuk i bën mirë as veshit, as syrit.
  • Ç’të bëni me dijen tuaj, me tufën e citateve që ju ulen mbi penë? Bëni mirë, për hir të lexuesit, por edhe të egove të shkrimtarëve të tjerë, që romanin ta piperosni pa njoftuar se kujt ia keni marrë hua piperin.
  • Jo, as përzierja e zhanreve nuk ju çliron nga imperativa e origjinalitetit. Pa hidhni një sy te Changing Places. I ka bërë zotëria anglez të gjitha: një pjatë e vërtetë mikse, një satura siç u pëlqente romakëve me mish e fruta, narrativ e dramaturgji, gazetari dhe akademi.
  • Mon cher, ju kuptojmë, ju doni të shkruani për l’esprit humain. Por gjasat janë se, sot për sot, suksesi juaj do të vijë më i shpejtë sikur të arrini të thoni shumë pa thënë asgjë. Fitimi do të jetë i dyfishtë: sa të rroni, do keni lexues, ndërsa brezat e ardhshëm, edhe po nuk ju vlerësuan për mençuri, do t’ju përmendin si një prej shkrimtarëve që i mbajtën një pasqyrë budallallëkut njerëzor: Vive la sottise humaine.
  • Ju dhe ne që ju vlerësojmë jemi në kërkim të Romanit të Pashkruar, të risisë që garanton pëlqimin tonë, turrjen e botuesve, famën mes lexuesve, marrosjen e mediave, ose njërën prej të katërtave. Risia – Magjia: uria në tregun e romanit.

Të gjithë këtë listë udhëzimesh, kufizimesh, ndalimesh, kërcënimesh edhe mund ta kisha hedhur prapa krahëve, e do isha vënë seriozisht në kërkim të risisë që priste të shpikej prej meje, por konstatimi i nënës së Flaubert-it më ka ndaluar sa herë mobilizohem: “Mania për fraza do të ta thajë zemrën krejt”.

1 Koment

  1. Ka edhe një udhëzim për romancierë me famë, për ata që duan të riprovojnë drithërimat e romanit të parë, duke botuar me pseudonim. Si Doris Lessing, e cila pasi kishte arritur status të afirmuar sidomos me “Golden Notebook” i nisi botuesit të saj një roman të botuar nga një Jane Somers: “The Diary of a Good Neighbour”. Doris Lessing si Jane Somers nuk e kaloi provimin, po Lessing vërtetoi atë që qe nisur të vërtetonte me këtë aventurë: ata që përballen me shtëpitë botuese për herë të parë e kanë të vështirë, sepse emri e nxirrka romanin nga errësira në dritë të shtypit.

    M’u kujtua kjo se para ca kohësh lexoja një prononcim të pikërisht atij lexuesi që ia refuzoi Lessing/Somers romanin:

    http://www.newyorker.com/books/page-turner/doris-lessing-and-the-perils-of-the-pseudonymous-novel

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: