KYÇJET E NURI BEUT

Duke shfletuar Tales of the Dervishes nga Idries Shah, libër i dashur për mua, u ndala te “Sënduku i lashtë i Nuri Beut”, e cila jo vetëm vendos në qendër një personazh shqiptar, por edhe ndryshon për nga toni, prej rrëfimeve të tjera.

Nuri Beu ishte një shqiptar i urtë dhe i respektuar, na thuhet; që ish martuar me një nuse të re.

Një mbrëmje, kur ky qëlloi që të kthehej në shtëpi më herët se zakonisht, njëri prej shërbëtorëve të tij besnikë iu afrua dhe i tha kështu: “Gruaja jote dhe padronia jonë po sillet çuditshëm. Është mbyllur në apartamentet e veta, me një sënduk të madh, aq sa të futësh atje një njeri, dhe që i përkiste dikur gjyshes tënde. Brenda duhet të ketë pasur vetëm ca qëndisma të vjetra. Por kam frikë se tani gjendet diçka tjetër. Por ajo s’po më le që të shoh brenda.”

Nuriu shkoi te dhoma e së shoqes dhe e gjeti të ulur, në dëshpërim, pranë sëndukut masiv prej druri.

“Do ma tregosh se çfarë ke atje?” e pyeti.

“Ngaqë ka dyshuar shërbëtori, apo ngaqë nuk më zë besë?”

“Po sikur thjesht ta hapësh, pa humbur kohë me këto hamendje?” pyeti Nuriu.

“Nuk mund ta bëj.”

“Është i mbyllur me çelës?”

“Po”

“Ku është çelësi?”

Ajo ia tregoi: e shtrëngonte në grusht.

“Dëboje shërbëtorin dhe do të ta jap.”

Shërbëtorin e dëbuan. Gruaja e dorëzoi çelësin dhe pastaj u largua në një dhomë tjetër, e shqetësuar.

Nuri Beu mendoi për një copë herë. Pastaj thirri katër kopshtarë të çifligut të vet. Të katërt e bartën sëndukun natën, pa e hapur, te një vend i shkretë; dhe aty e varrosën.

Kjo punë nuk u zu më në gojë.

Në anëshkrim, Idries Shahu shënon se rrëfimi është pjesë e repertorit të dervishëve endacakë (Kalandar), shenjti mbrojtës i të cilëve është Jusufi nga Andaluzia, i shekullit XIII.

Nuk jam në gjendje të them nëse fakti që Nuri Beu është “shqiptar” ka ndonjë relevancë për këtë histori. Ose për strukturën e saj prej ajsbergu – ku një pjesë e madhe mbetet e fshehur nën ujë.

Veç shqiptarit, personazhet e tjerë – nusja e re dhe shërbëtori besnik – janë klishé, në kuptimin që funksioni i tyre është gramatikor. Edhe çifti i martuar, me nusen e re dhe Nuri Beun në moshë, është njëlloj klishe.

Diferenca mes tyre gjendet në sëndukun prej druri.

Nuk na thuhet se çfarë kishte sënduku. Narrativa nyjtohet në mënyrë të tillë, që të sugjerojë se atje nusja kish fshehur një jaran, një “toy boy”, të kundërtën e hijerëndit Nuri Bej.

Por njëlloj mund të përfytyrojmë se sënduku përmban një frustrim seksual, ose edhe një Nuri Bej ideal – të risjellë në botë nga e kaluara.

Një personazh tashmë të dalë nga realiteti, një sekret të pashqiptueshëm, një realitet të pamundshëm: Nuri Beu tashmë nuk e sheh veçse si tabut.

Na thuhet që nusja nuk lejon njeri që t’ia hapë sëndukun, edhe pse në fund, e dëshpëruar, ia dorëzon çelësin të shoqit. Por tani as Nuri Beu nuk dëshiron që sënduku të hapet. As ai nuk është gati për të mësuar çfarë do të dalë që andej. Marrëdhënia mes çiftit – që në rrëfim nuk cilësohet as si e mirë, as si e keqe – nuk është gati për zbulimin e së fshehtës.

Ne si lexues, megjithatë, nuk e pengojmëdot përfytyrimin e skenës kur sënduku të hapet, dhe që andej të dalë një djalë i ri, një poet a muzikant, të cilin – me egërsinë orientale karakteristike që presim të gjejmë në situata të tilla – e therin si berr, në sy të së dashurës.

Por nuk ndodh kështu. Sënduku përfundon i varrosur në zgëq të një are, dhe askush nuk e përmend më.

Groposjen tundohem ta shoh si amputim të një gjymtyre narrative klishé: ndëshkimin e adulterit dhe ripërmasimin tragjik të Nuri Beut, që detyrohet të luajë rolin e bashkëshortit shpirtkazmë.

Këtë pjesë, na thotë rrëfimi, ju lexues plotësojeni vetë po t’jua mbajë: i plotësimit do të jeni ju vetë autori. Sepse Nuri Beu vendosi t’i japë ngjarjes një drejtim tjetër, duke e dëbuar sëndukun nga skena njëlloj siç largoi më parë shërbëtorin.

E lehtë për lexuesin që të gjejë, të varrimi, një lloj kyçjeje të rrëfimit në heshtje, të ngjashme me kyçjen e nuses në dhomat e veta dhe kyçjen tjetër – tashmë prej nuses – të së fshehtës së saj në sënduk. I vetmi personazh që kërkoi shkyçjen, shërbëtoi, dënohet me dalje para kohe nga skena.

Bashkë me sëndukun vetë, i cili, në mënyrën e vet, fton edhe ai për shkyçje: një objekt i tillë, i hedhur në rrafshin narrativ, nuk mund veçse të ndjellë te lexuesi (dhe jo vetëm) dëshirën për të parë çfarë ka brenda.

Përndryshe, vendimi i Nuri Beut për ta varrosur sëndukun ashtu, të kyçur, nuk është më pak mizor, se çfarë sugjeron klisheja. Me kusht që të pranojmë se aty brenda strukej një e fshehtë në formë njeriu, një mëkat që nuk mund, mbase nuk duhej nxjerrë në shesh.

Të ketë protestuar i dashuri enigmatik i nuses së Nuri Beut, të ketë shkelmuar muret e sëndukut, të ketë ulëritur në agoni kur ka dëgjuar dheun t’i rrëzohet sipër dhe e ka kuptuar se çfarë do të ndodhte me të?

Kopshtarët këtë nuk do ta tregojnë. Edhe këta do ta mbajnë gojën të kyçur, siç mbeti i kyçur sënduku dhe vetë fundi i parrëfyer i kësaj historie e cila, në thelb, është histori për gjërat që nga tabuti nuk do të dalin më.

Pas dëbimit të shërbëtorit dhe varrosjes së sëndukut, asgjë nuk duket të ndryshojë më në marrëdhënien e çiftit: kjo punë nuk u zu më në gojë, na thuhet. Por Nuri Beut do t’i mbetet dyshimi se mund të ketë varrosur të gjallë një njeri – sikurse mund t’i ketë mbetur nuses një koleksion ndjenjash faji, përfshi atë që me heshtjen e vet e çoi të dashurin e vet drejt vdekjes.

Pak fjalë shkëmbejnë personazhet te kjo histori – krimi, nëse ka pasur të tillë, konceptohet dhe konsumohet në heshtjen e të gjithëve.

Ndëshkimi më i rëndë i bie Nuri Beut, i cili kurrë nuk do ta dijë nëse ka varrosur dikë të gjallë – dhe mbase kjo i afrohet, njëfarësoj, tragjizmit shqiptar; duke e pikturuar shqiptarin si skllav të rrethanave dhe vegël të po atij kodi “kanunor”, të cilit personazhi i detyron statusin prej njeriu të respektuar.

Që ky status të mbetet deri në fund i panjollë, Nuri Beu nuk do ta mësojë kurrë nëse ia vrau vërtet nuses së vet të dashurin; kjo garanton edhe që rrëfimi do të vazhdojë të tregohet, siç edhe ka ndodhur.

Ky rrëfim më sillka në mendje një tregim nga Balzaku, të përkthyer dikur në shqip me titullin “Shtëpia misterioze” – dhe që mund të lexohet anglisht këtu.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

1 Koment

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin