MITE E KONSPIRACIONE

nga Arjan Shahini

Një konsorcium universitetesh (i Tiranës, Vienës) dhe organizatash (Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë, Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, dhe Fondacioni Konrad Adenauer) kanë nxjerrë thirrjen për një konferencë me tematikë interesante. Sipas organizatorëve, ftesa vlen për tema në lidhje me Mitet e komunizmit në Shqipëri, përpara dhe pas ndryshimit të sistemit.

Në ftesë renditet edhe një listë e gjatë mitesh që organizatorët synojnë të hetojnë në fushat (1) politike (udhëheqjen, partinë, luftërat për çlirim e ato klasore), (2) ekonomike (arritjet, autarkinë); (3) sociale/kulturore (emancipimi femëror, njeriu i ri, heroi socialist, barazia sociale e solidariteti, normat sociale, arritjet në arsim, besimi fetar); (4) të rendit (kriminaliteti, korrupsioni); (4) mbrojtjes (fuqia ushtarake, shtet-rrethimi); (6) sigurisë (konspiracionet); e (7) të politikës së jashtme (reputacionin ndërkombëtar).

Studiuesit (I. Idrizi, J. Godole, O. Jens, V. Duka, E. Ceka, K. Këlliçi) që organizojnë konferencën kanë një histori të gjatë akademike, edhe pse tema duket disi e paragjykuar. Synohen të shqyrtohen mite, të cilat, sipas organizatorëve, gjejnë një mjedis të favorshëm në kushtet politike e sociale të Shqipërisë gjatë tranzicionit, ku ndër to renditen edhe mangësi të mëdha në trajtimet profesionale të këtyre çështjeve.

Ndjekës e studiues aktiv të Peizazhe të Fjalës kanë rastin të propozojnë disa studime mbi temën më të fundit që ka hapur A. Vehbiu në lidhje me mendimin e gjykimin konspirativ. Konspiracionet, që unë i shoh si mite të racionalizuara, që kanë pak lidhje me të vërteten por ndikojnë veprimin politik duke sjellë veprimtari konspirative, janë shumë interesante për tu trajtuar. Jo vetëm pse ato kalojnë nëpër periudha e hapësira të ndryshme konstelacionesh gjeopolitike, por edhe sepse në aspektin shkencor tejshkojnë një sërë fushash studimore.

Kështu që unë po mendoja të analizoj konspiracionet e grupeve të Teme Sejkos (1960-61) apo Beqir Ballukut (1975). Por veç halleve botnore që më mundojnë për momentin, e shoh shumë të vështirë për disa arsye.

Së pari, cilido interpretim apo premisë është e ndotur. Interpretimi im patjetër do të bjerë në një prej pikave të boshtit ndërmjet tradhtisë dhe heroizmit. Njëri shpjegim është ai zyrtar, si armiq e përbetues, me shumë gjasa të nxitur nga armiqtë (grekë) apo ish-aleatët, sipas rastit sovjetik apo kinez. P.sh. në një intervistë, ish-shefi i FSB (dikur KGB), A. Bortnikov, që duket një njohës i mirë i historisë, në një intervistë (Rossiyskaya Gazeta, Nr. 288, 19.12.2017) pretendonte se rreziku nga konspiracionet kundër Stalinit në vitet 1920-30 ishte i vërtetë. Opozita ruse i kundërshtoi këto pohime, por probabiliteti që Bortinkov të ketë të drejtë është i lartë, edhe pse gjykimi i tij niset nga situata aktuale (rreziku i konspiracioneve perëndimore nëpërmjet përdorimit të shoqërisë civile apo opozitës). Mund të mendojmë analogjikisht edhe për rastin e Shqipërisë dhe të ngrejmë hipotezën mbi bazën e interpretimit zyrtar. Gjithashtu, unë nuk mund t’i shpëtoj imazheve të krijuara gjatë e pas-komunizmit. Ndërsa shpjegimet zyrtare ndërtuan mbi këto karaktere mitin dhe imazhin e armikut të brendshëm si tradhëtor apo besëshkalë, mitet pas-komuniste i prezantuan si viktima, sipas rastit të ndërthurura me konstrukte të tjera, p.sh. të Enver Hoxhës në imazhin e udhëheqësit gjakpirës, apo si instrumente (imazhi i të keqpërdorurit), ose si heronj (imazhi i disidentit brenda elitës).

Vërejtur pamundësia për t’u shpëtuar këtyre kurtheve në ngritjen e një hipoteze, studimi im ka rrezik të përfundoj në ndërtimin e një tjetri mit. Ngjashëm me një studim të fundit mbi lëvizjen e majtë në Shqipëri (2020) financuar nga fondacioni konkurrent gjerman në Tiranë, Friedrich Ebert Stiftung (i partisë Social-Demokrate, SPD), e cila balancon këtë lloj qasje çmitizuese të së djathtës, financuar nga Konrad Adenauer Stiftung (i partisë Kristian-Demokrate, CDU), duke nxjerrë në pah individët pas ideve komuniste (një ndër synimet e studimit sipas Ilir Kalemaj, është që brezi i ri “të mësojë … [mbi] fatin e individëve që kishin një identitet të qartë politik të majtë, por [nuk pranuan]  qasjen … [e] “diktaturës së proletariatit në Shqipëri”, fq. 12).

Së dyti, hulumtimi do të kërkonte një qasje ndërdisiplinore, që nis me mendimin konspirativ të Hoxhës (psikologjinë politike) e vijon me instrumentalizimin e sigurimit të shtetit në konfliktet për pushtet, të cilat lidhen me konspiracionin si dukuri shoqërore në një popull provincial me kulturë politike parokiale (sociologjinë politike), shkon te historia e institucioneve sociale që i ushqejnë këto konspiraci (historia sociologjike) e përfundon te probabiliteti real i ndërhyrjeve të jashtme (konspiracionet globale amerikane e sovjetike, anti-propaganda komuniste e lëvizjeve të djathta). E nëse nuk ruaj mendtë, do të përfundoj te scientologjia apo ndonjë shpjegim i ngjashëm jashtë-tokësor.

Së treti, në ndërtimin dhe ruajtjen e këtyre miteve janë përfshirë një sërë aktorësh, ndjeshmëritë e të cilëve, sidomos të familjarëve apo institucioneve, ekzistenca e të cilave përligjet nga trajtimi i këtyre çështjeve historike, duhen marrë parasysh. Këto studime dhe pasojat e tyre kapërcejnë edhe kufijtë e Shqipërisë, pse qoftë Rusia, apo SHBA, nuk janë të interesuara të prekin linjat e politikës së jashtme për të shuar kureshtjen e disa studiuesve apo për hir të transparencës, që si qëllim në vetvete nuk ka kuptim. Edhe kryesisht, jo vetëm për të siguruar agjentët aktualë se imazhi apo legjendat e tyre nuk do të cenohen nga çelja e dosjeve, por edhe pse besnikëritë ndaj tyre janë familjarisht të trashëgueshme në vende klanore si Shqipëria.

Së katërti, nuk besoj se njerëzit janë interesuar të njihen me të vërtetën. Historia orale, mbi të cilën do të bazoheshin disa prej këtyre rrëfimeve, herazi është e gënjeshtërt. Një dobi e mendimit konspirativ është pikërisht zhvendosja e kontrollit nga brenda individit, d.m.th.. përgjegjësia individuale, jashtë tij. Njerëzit nuk duan të shpjegojnë, por të justifikojnë. A do të ishin p.sh. familjarët të interesuar të dinin se personi i prekur nga persekutimi ka marrë pjesë aktive në një konspiracion? Sa e dinë ata të vërtetën? Sa prej saj është e ri-konstruktuar nga imazhet dhe raportimet pas ndryshimit të regjimit? Sa janë të bindur e të vetëdijshëm ata se prindi i tyre ka qenë vërtetë i përfshirë? Po nga familjarët e persekutuesve a mund të flasë dikush? A kanë lënë kujtime? Sa prej tyre janë trillime që nuk dallojnë nga letërsia banale?

Pastaj mu kujtua një këshillë, që më mirë se të trajtohen këto tema në këtë mënyrë që dua ti trajtoja unë, është të mos trajtohen fare; që të mos i hiqet risia (novelty) studiuesve më të zotë e më të ngeshëm se une të merren me këto çështje. Kështu që e lashë fare.

PS: Gjej rastin të merrem pak me konspiracionin “Katovica” e ta kundërshtoj Ardian Vehbiun pasi e kisha përgatitur këtë shkrim. Në shkrimin pararendës, Vehbiu arsyeton se “Katovica zuri vend të qëndrueshëm në diskursin konspiracist, por pa u shtjelluar – sepse nuk u artikulua tamam dhe as u shpjegua gjëkundi si e ruajtën “komunistët” e djeshëm pushtetin ndaj sendeve dhe njerëzve”. Në studimet krahasuese politike të tranzicionit të vendeve lindore, Shqipëria klasifikohet si një tranzicion i drejtuar nga elitat politike. Ndryshimi i regjimit shpjegohet si një kompromis i kushtëzuar nga ndryshimet politike në rajon ndërmjet reformatorëve brenda regjimit, si Ramiz Alia, dhe elitave kulturore. Roli i lëvizjeve sociale si ajo e studenteve në këtë aspekt është cilësuar tepër i vogël, ose ornamental, dhe brenda këtij kompromisi. Nga ky këndvështrim, Katovica është një shpjegim i thjeshtësuar, vërtet sikur thotë Vehbiu, “folkorik”, por gjithsesi një version i këtij klasifikimi e shpjegimi reduktues shkencor. Ndoshta historianët do të thelloheshin në detaje, por sa i përket lidhjes së shkakut (kompromisit, konspirativ apo jo) me pasojen (ndryshimit të elitave/regjimit), skema e Katovicës, që përfshin edhe elementët e jashtëm në traditën e konspiracioneve tona kombëtare, në thelb është i njëjtë me atë që përcillet sot në studimet krahasimore mbi Shqipërinë. Ndërsa sa i përket aktorëve që e kanë artikuluar këtë skemë, apo të ngjashme me versione studimore më të pranueshme, mjafton të shohësh Gazetën Dita dhe intervistat e botuara si libër të ish-truprojës së Sali Berishës, Izet Haxhia (Xhevdet Shehu, 2016), apo edhe studimin më të fundit të Shenasi Ramës (2020).[1]

PS 2: Idriz Idrizi ka publikuar së fundmi një artikull shumë interesant mbi eliminimin e Mehmet Shehut dhe grupit të tij mbështetës (2021, “Enver Hoxha’s Last Purge: Inside the Ruling Circle of Communist Albania (1981–1983).” East European Politics and Societies).


[1] Rama, S.A. (2020). “Who Slew The Dragon?! The Collapse Of Communism, Political Change, And The Student Movement In Albania—A Review Of The Literature”, in: The End of Communist Rule in Albania : political change and the role of the student movement (ed.) S. Rama. (New York: Routledge).

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin