VRIMA NË EKRAN

Ca kohë më parë, kryeministri i atëhershëm Berisha vendosi t’i bënte mbledhjet e qeverisë të hapura për publikun, kinse në emër të transparencës.

Pishaku pat shkruar atëherë për këtë dukuri, duke vënë në dukje si një nismë e marrë për të shtuar transparencën, në fakt e shndërronte veprimtarinë e qeverisë në teatër.

Ministrat nuk komunikonin mes tyre dhe me shefin e tyre, por luanin për kamerat; dhe kryeaktori ishte Berisha vetë, i cili e kish zëvendësuar ushtrimin e detyrës së përditshme të kryeministrit me një performance act.

E megjithatë, nuk ishte dashur gjë ajo nismë e kryeministrit, për t’ua përçudnuar rolin dhe funksionimin mediave të Tiranës.

Nuk di pse, si dhe qysh, këtyre u është krijuar bindja gati profesionale, se misioni i tyre për të informuar publikun përkthehet, në praktikë, me shndërrimin e tyre në paparazzi të pushtetarëve.

Vëreni mikrofonët e shumtë e shumëngjyrësh që i drejtohen zëdhënëses së kësaj apo asaj partie, kur ajo del të shqiptojë banalitete nga më të mrekullueshmet, për punën rutinë të institucionit përkatës.

Po a është kjo pikërisht që duam prej mediave?

Një nga veçoritë e sundimit të Berishës ishte shndërrimi i veprimtarisë administrative të qeverisë dhe të kryeministrit në një lloj fushate elektorale të përhershme.

Të gjitha mediat që i përcillnin këto veprimtari, përfshiheshin, dashur pa dashur, në propagandë pro-qeveritare.

Qarkullonte një anekdotë në Tiranë, se dikush po stepej të rinovonte kuzhinën në apartament, se mos ia behte Berisha me shpurën e vet, truprojet, ministrat dhe kameramanët, për t’ia inauguruar.

Të gjithë kemi reaguar, në mënyra të ndryshme, ndaj obsesionit të këtij njeriu me rrugët – të cilat vraponte t’i inauguronte, disa edhe nga 3-4 herë; aq me siguri do t’i jenë bërë kallo te gishti i madh, prej gërshërëve.

Në fakt, është pjesë e veprimtarisë rutinë të një qeverie, që të sigurojë realizimin e veprave të tilla publike, si rrugët.

Kur flas për teprime të padurueshme, nuk kam parasysh raste të rralla veprash me rëndësi kombëtare, si rruga e Kombit (të cilat janë detyrimisht të rralla); por për praninë e kryeministrit dhe të mediave në inaugurime segmentesh të vogla, pak-kilometërshe, që lidhnin dy fshatra mes tyre.

Çfarë bënin ato media atje, përveçse të rrafshonin vetë konceptin e lajmit?

A është detyrë e televizioneve, qoftë edhe atyre me karakter thjesht informativ, që të ndjekin hap pas hapi pushtetarët dhe politikanët e republikës?

Jo, nuk është as detyrë as mision.

Pushtetarët dhe politikanët do t’i ndjekin hap pas hapi ato media që informojnë për veprimtaritë e tyre; p.sh., një diçka si TV Kryeministri, ose TV Kryeparlamentarja – pse publiku vërtet kërkon të dijë, por jo të dijë për teatrin rutinë të kryepushtetarëve, para kamerave.

Një media që kërkon vërtet të informojë, nuk përcjell fjalimin e kryeministrit në inaugurimin e një çezme (të cilin mund t’ia kish lënë ta bënte edhe kryeplakut të fshatit), por shkon të shohë se ç’do të bëhet me atë çezëm qoftë edhe një javë pasi ka kaluar që andej “profeti.”

Shembja e rrugës dy ditë pas përfundimit të saj meriton të njoftohet më fort se përurimi i saj dhe buzëqeshja fotozhenike e të pranishmëve.

Këtu natyrisht përvijohen dy probleme: shfrytëzimi i paskrupullt i mediave nga pushtetarët, dhe ideja krejt e gabuar që kanë këto media për informacionin.

Tek e fundit, të çosh kameramanë që të filmojnë Berishën që inauguron një WC publike ose një stacion autobusi, nuk është ndonjë mëkat i madh; mëkati fillon kur gjesti vjen dhe normalizohet, në kuptimin që mediat, madje edhe ato që nuk janë në shërbim të pushtetit, ndihen të detyruara për t’i përcjellë ngjarje të tilla.

Çfarë mund t’i detyronte vallë, përtej presionit që mund t’u vijë nga pushteti vetë?

Ndonjë mund të thotë se publiku pikërisht këtë kërkon: fytyrën e Berishës 24 orë në ditë, të shoqëruar nga zëri i tij që mban fjalimet e rastit, në dekorin përkatës.

Çka, natyrisht, nuk qëndron.

Publiku nuk e dëshiron këtë; ose të paktën nuk ka arsye pse ta dëshirojë. Publiku nuk ka ndonjë etje të madhe për të marrë vesh se çfarë bën qeveria, administrata ose bashkitë.

Sipas kësaj logjike, do të kërkonim që të dilte në TV edhe mjeku që viziton pacientët në mëngjes, edhe makina e plehrave që mbledh plehrat, edhe shoferët e autobusave që marrin kthesat e forta.

Dhe të dëgjonim pastaj për mjelëse që thyejnë rekorde dhe traktoristë që punojnë për vitin 2025 – si në kohën e lajmeve gjysmë të gatshme të totalitarizmit.

Në fakt, kjo lektisje e kamerës pas VIP-ave të politikës nuk është veçse faza e fundit, ose komike, e kontrollit totalitar të mediave.

Nga ana tjetër, dëmi nuk mund të fshihet dot; sa kohë që kemi të përftuar një publik që, në mënyrë të pavetëdijshme, është trajnuar dhe kushtëzuar prej mediave që të presë dhe të konsumojë një lloj të caktuar lajmi: kronikën e përditshme të veprimtarive politike rutinë, ose të çfarë bën qeveria kur nuk ndodh asgjë.

Natyrisht, kamera e falsifikon çdo situatë; duke ia hequr politikanit të drejtën jo më për privatësi, por edhe për atë gjysmë-privatësi që të jep komunikimi me një publik real, që gjendet para teje dhe mund të reagojë ndaj atyre çfarë thua.

Nëse është kështu, atëherë mediatizimi i veprimtarisë politike rutinë, i çuar në ekstrem nga Berisha, e ka vrarë në thelb politikën, duke e shndërruar në teatër; ose, më mirë akoma, në soap opera.

Dhe, në fakt, një nga arsyet e débâcle-it të tanishëm të PD-së dhe të Berishës vetë, ishte se – për faj të mediave dhe të grykësisë mediatike të kryeministrit – burri i shtetit erdhi duke u shndërruar, gradualisht në personazh.

Si burrë shteti, Berisha ka pasur momentet e veta shkrepëtitëse; por si personazh ai u folklorizua me të shpejtë, madje u karikaturizua: toni i tij në fjalimet, hiperbolat dhe superlativat, rrenat e njëpasnjëshme, gjestet groteske prej njeriu që e kish humbur lidhjen me realitetin (si notimi në Jon), të gjitha këto e larguan Berishën nga politika, për ta futur në anekdotë.

Edhe pse ka njerëz që e krahasojnë Berishën me Hoxhën, mua më duket se vend për këtë krahasim nuk ka; përveçse për të vënë në dukje raportet e tyre absolutisht të kundërta me mediat.

Hoxha ishte aktor i mirë dhe e sundonte publikun duke dalë shumë rrallë në ekran; dhe duke lënë të tjerët të flisnin për të, t’ia ngrinin lart portretin, t’i këndonin këngë, t’i ngrinin statuja dhe t’ia lexonin veprën.

Berisha, nga ana e vet, u tregua aktor i keq dhe nuk shpëtoi dot karikaturizimit.

Tani, publiku mund të zbavitet pak me karikaturat që ia servir ekrani; por në fund të fundit prej politikanëve kërkon që të bëjnë politikë, jo të dalin në televizion.

Fundi Berishës mediatik i erdhi pikërisht në momentin kur kundërfigura e tij televizive e eklipsoi politikanin dhe burrin e shtetit; dhe kur publiku filloi të shohë se kësaj kundërfigure i mungonte përmasa e tretë.

Ky erdhi edhe si efekt i vonuar, por i mirëpritur, i mbidozës së imazhit.

Ç’raport duhet të vendosë media me protagonistët e politikës? Pa hyrë në hollësi, po mjaftohemi të themi se rol vendimtar, në përcaktimin e këtij raporti, luan ritmi.

Rama dhe të vetët janë në gjendje të shohin se tepria Berishë në mediat u tregua kundërprodhuese; për arsyet e mësipërme, por edhe ngaqë askush, madje as edhe një dinamit-ngrënës si Berisha, nuk është në gjendje të ruajë integritetin e vet si njeri dhe si politikan, kur ndiqet hap pas hapi prej kamerave.

Rama dhe të vetët janë në gjendje të shohin se qeverisja, për të qenë e shëndetshme, kërkon transparencë, por kërkon edhe diskrecion.

Është pikërisht ritmi me të cilën alternohen transparenca dhe diskrecioni, në veprimtarinë e shtetit dhe të administratës, që do të përcaktojë suksesin e imazhit.

Por kjo nuk realizohet dot pa bashkëpunimin e mediave; të cilave herë pas here u duhet kujtuar se mund të bëjnë shumëçka më tepër, se të funksionojnë si zyra informacioni të institucioneve shtetërore dhe administrative.

Nuk ka komente

  1. Media jone eshte ”kur therret qameti”. Sot 3-4 stacione televizive transmetuan drejtpersedrejti dhe te plote pritjen-koktej te largimit te Shefit te OSBE-se ne Shqiperi Eugen Wollfarth. Jo vetem fjalimet, por te gjithe ceremonine.

  2. Aktrimi (ose edhe me sakte ‘performance act’) eshte e vetmja menyre per personat timidë (Berisha eshte nje i tille par excellence!) qe u mundeson atyre depertimin dhe pranimin nga dhe tek pubiku. Berisha e thosh shpesh dhe vete: me duhet te tejkaloj vetveten.
    Ose thene ndryshe (ne nje menyre disi fataliste) : ishte e shkruar per te qe te ndodhte keshtu. Nje timid i madh ne nje vend exubérant par excellence, nuk kish si te mos prodhonte veçse nje katastrofe te tille: i perkthyer ne imazh, Berisha eshte irregardable (unwatchable, i ‘pashikueshem’…).

    1. nuk e ke takuar personalisht me siguri.. ne takim Berisha te imponon respekt se eshte i drejtperdrejte e pasqyron nje energji te papare … une jam shume skeptik ndaj autoritetit por Berisha me ka lene pershtypje te mire… e prish kur mban fjalime se nuk ndiqet ashtu tek i nderpret fjalite …

      por dje ne Top Kanal ishte nje interviste (3h?) e Rames me nja tre-kater gazetare, qe i krihnin e qullosnin bishtin me zellin e berberit. Mos harrojme se lojen e keqperdorimit te medias e ka filluar Rama dhe une uroj qe kjo loje te mos vazhdoje me. Por dje mu prene shpresat, edhe pse duhet thene se pergjigjet e Rames ishin shume me larte nivelit te pyetjeve jo gjithmone inteligjente te gazetareve.

      1. Nuk ja mohoi njeri drejtperdrejshmerine ne takime personale. Po flisja per performancen e tij publike, zyrtare. Per ate dhe po flasim. Pardje i hodha nje sy spektaklit te tij tek Cani… . Me vinte zor per te (e me siguri, atij i ka ardhur zor edhe nga vetja xhanem… ).
        Rama ka filluar lojen e keqperdorimit te medias? Po ky shefi yt, pse ja kopjoi lojen?? (sikurse dhe plot te tjera xhanem, e mbi te gjitha ne fushaten e 2005-s). Apo per te ‘tejkaluar vetveten’ ? 😉

  3. Pёrveçse brendisё sё mesazhit tё politikanёve, qё ёshtё nё interesin tonё si qytetarё qё tё anojё kah e vёrteta, ka tё bёjё dhe stili me tё cilin ata e pёrcjellin kёtё mesazh. Forma zbulon ose, sipas rastit, mbulon pёrmbajtjen nё kёtё mes. Nano pёr shembull vuante nga abstragimi i tepёrt nё tё folurёn e tij publike para mediave, abstragim ky qё hera-herёs shkonte deri nё kufijtё e absurdit. Berisha nga ana e tij ka stil ekspresivist pasi nё dinamizmin e tij karizmatik ndoshta ndjehej se duhej tё shprehte gjithmonё mё shumё, dhe mё forcёrisht, atё qё duhej tё thoshte.
    Meta flet me serenitet, madje edhe nё rastet kur “temperatura” e njerёzve ёshtё e lartё, qoftё edhe sikur kjo “temperaturё” t’u jetё ngritur atyre mu pёr shkak tё tij. Nё serenitet e sipёr ai mund tё jetё edhe i prerё e herё-herё eliptik, gjё e cila ёshtё njё mёnyrё pёr tё mos thёnё aq sa duhet e qё ndonёse e kundёrt me ekspresivitetin, ku gjёrat thuhen mё me tepri apo mё me shumё forcё nga ç’duhet, mund tё shpjerё po aq nё fshehjen/pёrçudnimin e realitetit sa edhe fjalёt e tepёrta.
    Rama ka demonstruar shpeshherё njё lloj absolutizmi nё komunikimin e tij me gazetarёt, duke u shfaqur herё kokёfortё e herё shpёrfillёs. Kjo ndodhte sidomos me ata qё Rama i perceptonte si opozitarё tё opozitёs sё tij, gjё e cila mund tё jetё deri diku e kuptueshme nё vetvete, pasi ky stil ushtrohej nё dinamikat e luftёs politike prej pozitave tё tё qenit nё opozitё. Gjithsesi nuk kanё qenё shenja tё mira, nё sensin shpresёdhёnёse, pёrsa i pёrket komunikimit me publikun qё e ndjek nga media. Kёtё javёn e fundit Rama ka treguar njё stil tё ri komunikimi i cili ruan diçka nga absolutizmi i tij karakteristik, por qё pёrmban mё shumё qartёsi, si dhe nje largim sado tё lehtё prej monologjizmit. Tё shpresojmё qё kjo prirje do tё zgjasё.

  4. Në nivelin e ligjërimit publik duke filluar nga Enveri e me rradhe deri tek Sala dhe Rama, udheheqësit shqiptarë nuk janë ngritur mbi nivelet e mediokritetit.

    Duke mos i marrë ne konsideratë fjalimet e përgatitura dhe sot ndoshta me telepromter, duke pasur parasysh rastet e bisedave të lira apo intervistave, zbulohet një botë tepër e mangët dhe e varfer, për të përcjelle një qartësi të menduari, fjali të kompletuara që të mund të qëndrojnë ne këmbë e të përcjellin ide të qarta.

    Ligjërata e tyre është më shume konfuze, fjali që lihen në gjysmë të rrugës, me kapërcime pindarike temash e subjektesh, të trazuara emocionalisht, ku lehtësisht dalin në sipërfaqe simpatitë dhe armiqësitë personale.

    Pavarësisht se shpesh thuhet se dinë disa gjuhë apo janë të lexuar, nëpërmjet diskursit të tyre dallon se pak gjë është kultivuar brenda tyre.

    1. Ndaj të njëjtin mendim.

      Sikur të kishte patur konkurrencë brendapartiake të vërtetë, këta zotërinjtë nuk do ishin aty ku janë, ku ishin.
      Është e frikshme se si njerëzit, edhe sot, mbështesin “liderin”, qoftë Berisha, Nano apo Rama. Shkojnë deri një një farë adhurimi, dehje, me imazhin që këta duan të tejçojnë për vetveten.
      Dikush si i lexuar, tjetri serioz, tjetri ekscentrik me byzylyk plastike etj etj.

      Duket, se ne si shoqëri, nuk kemi ende një klasë opinionishtësh vërtetë të pavarur që t’i tregojnë masës se, këta janë veçse fenomene, moda e momentit, burimi i trushplarjes, dhe se ata (pra njerëzit) duhet të fokusohen tek thelpi, apo gjëja solide, që qëndron pas kollares, të kuqe, blu apo mavi – nëse ka diçka solide, natyrisht.

  5. rinstinkt: …. “Duket, se ne si shoqëri, nuk kemi ende një klasë opinionishtësh vërtetë të pavarur që t’i tregojnë masës se…”

    Nuk duhet te shkojmë shumë larg për të parë nivelin e atyre që luajnë rolin e krijuesve të opinioneve në Shqipëri. Një deklaratë e njërit prej tyre është pasqyrë e qartë e racës së “opinionistëve” shqiptarë.

    “Përsa më takon mua, unë e ndjej se kjo ngjarje më ka ndryshuar. Menjëherë. Në një farë kuptimi, jam gati të ndërroj profesion: Do filloj të bëj gazetarin….”, ka thënë Nano për të përditshmen “Dita”.

    Pra deri dje profesioni i tij ishte të ndante inatin e tij, obsesionin e tij antiberishë, nje lloj litanie monstruoze sharjesh, interpretimesh, shpirtngushtesije prej maloku jugor ndaj nje tjetri prej veriu.

    Kurse sot kerkon t’i kthehet gazetarit, gjë që se ka bërë e nuk mund ta bëjë dot.

    1. Vulen ja ve hartimi i Berishes, ne pergjigjen ndaj adhurimit te djaloshit…. Turp per ne…e kemi patur dhe 13 vjet ne krye! E bukura eshte, qe nga deshira (dhe ndjenja te tjera) politike, shoh qe shpesh e njehsojne me shume figura te tjera politike, dhe kjo djallezi eshte e turpshme, por edhe infantile. Ai personazh eshte me i paqyteteruari, me i paafti per te komunikuar normalisht, shkeles ligjesh si asnje politikan ( VRASES, PERSERITES NE VRASJE), dhe, normalisht, shkeles i cdo rregulli qe i prish sadopak pune. Relativizimi i ketij personi ka krijuar tension dhe renie morali ne shoqeri. Ne vend qe te shfaqej empati, dhe solidaritet per zullumet e Berishes, shihen shume skutha te kultivuar qe ne kete rast bejne te kunderten, duke bjerrur cdo shprese per qytetari. Shfaqja mediatike e kujtdo tjeter nuk do prishte kaq pune, megjithate standarti duhet vene.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin