Numërimi i votave ende nuk ka përfunduar zyrtarisht, megjithatë zgjedhjet shqiptare të qershorit duket se e kanë fituesin dhe humbësin. Në shtyp, media elektronike, internet, parti e kafene kanë filluar me të drejtë analizat dhe interpretimet e votës, që nisen nga e dhëna kryesore që u bie të gjithëve në sy: koalicioni i majtë ka fituar, ndërsa i djathti ka humbur. Pohimi duket pothuajse matematikor, sepse numri i anëtarëve të Parlamentit është i palëvizshëm, e përderisa shumica e deputetëve të zgjedhur janë të majtë, pakica detyrimisht rezulton e djathtë.
Deri tani po flitet për fitoren e thellë të njërës palë, ose humbjen e thellë të palës tjetër. Po sikur ta përmbysnim pamjen e rezultateve, pjesërisht edhe logjikën, duke i shndërruar pohimet “Koalicioni i majtë fitoi, koalicioni i djathtë humbi”, ose më të personalizuar “Berisha humbi, Rama fitoi” në pjesë kundërshtore? Do të ishte mënyra më e mirë, anipse provokuese, për të zbërthyer rezultatet e zgjedhjeve, një lloj bombe për të shpërthyer pjesët përbërëse të vendimit që dhanë zgjedhësit.
Pohimet me logjikë të përmbysur, që gjithsesi duhen analizuar, do të ishin këto: “Humbi Berisha, nuk fitoi Rama”, ose “Fitoi Rama, nuk humbi Berisha”, çka në sipërfaqe duken si të pakuptimta, për sa kohë në politikë zakonisht festohet të paktën një fitore e qahet të paktën një humbje. Megjithatë, ka raste ku të gjithë dalin humbës, ose të gjithë fitues, varet nga këndvështrimi.
Fjalinë e mësipërme mund ta shtrojmë edhe si pyetje: “Humbi Berisha, apo fitoi Rama?”, ose “Fitoi Rama, apo humbi Berisha?” Përgjigjja do të na ndihmonte t’i lexonim më mirë rezultatet e zgjedhjeve, sepse pyetja duket paradoksale, por është po ajo që gjarpëron nëpër tryezat e bareve dhe forumet e internetit, shpeshherë e formuluar në mënyra nga më të ndryshmet.
Në qoftë se dikush mendon se elektorati shprehu mllefin e vet ndaj një politike të gabuar, atëherë mund të flasim për humbjen e koalicionit të djathtë dhe jo fitoren e së majtës, meqë u votua kundër jo pro. Në qoftë se dikush tjetër mendon se propozimet e koalicionit të majtë, pra programi politik i tij, ishte aq interesant saqë i bëri për vete qytetarët, atëherë kemi të bëjmë me fitoren e koalicionit të majtë.
Në vazhdën e pyetjeve të mësipërme, duke e respektuar modelin përmbysor e duke parë që në disa qarqe rezultatet negative u faturohen politikanëve të veçantë me emër të përveçëm, mund të shtrohej pyetja: “Humbi Koalicioni i djathtë, apo Partia Demokratike?”. Kjo do të na ndihmonte të hulumtonim përgjegjësitë e humbjes, alkiminë e koalicioneve të ndërtuara, meqenëse ka nga ata që mendojnë se koalicioni me PR, për shembull, nuk është se i ka sjellë shumë vota koalicionit të djathtë; ndërkohë që votat që iu dhanë FRD-së mbeten politikisht gjithnjë të këtij krahu, pavarësisht se u paraqitën ndarazi. Në anën tjetër të spektrit mund të themi: “Fitoi koalicioni majtë, apo Partia Socialiste?”, çka mund të përkthehet në shumë gjuhë e gjithnjë me kuptime të ndryshme, për arsye se martesa në kampin rozë (me LSI së pari) nuk duket i shtyrë thjesht nga dashuria, sa për ta thënë me një eufemizëm.
Nëse do t’i vinim përballë njëri tjetrit, Partitë dhe liderët përkatës, mund të thoshim: “Humbi Berisha, apo Partia Demokratike?”, ose “Fitoi Rama, apo Partia Socialiste?”. Kjo do të na çonte drejt tek analiza e raportit lider/Parti brenda dy partive kryesore shqiptare, çka nuk do të thotë se përgjigjja “Humbën të dy”, ose “Fituan të dy”, duhet të jetë automatikisht rrjedhore. Nga ana tjetër reflektimet për fajet kolektive e/o të personalizuara janë gjithnjë të mirëpritura në Shqipëri, për sa kohë është gjithnjë çlirues projeksioni jashtë vetes i përgjegjësisë, ose akuza ndaj një personi të vetëm. Në planin tjetër, edhe himnizimet ndaj një personi të vetëm për fitoren e arritur nuk janë më pak problematike.
Gjithsesi, ajo që u intereson të gjithë qytetarëve, përtej analizave politologjike, është nëse në zgjedhjet e fundit Shqipëria humbi apo fitoi. Por është ende shpejt për ta thënë. Loja sapo ka filluar.
Natyrisht që Shqipëria ka fituar me këto zgjedhje. Sido që ta shohësh, me ikjen e Berishës merr fund periudha e qeverisjes së vendit nga një dorë e fortë sipas një modeli të vjetër; të para 1990.
Thënë në mënyrë diçka patetike: sot ka marrë fund e djeshmja.
Natyrisht që koalicioni i majtë do të kalojë shumë sfida, ku edhe do të dështojë, madje edhe në mënyrë spektakolare, por ai koalicion nuk është i rrezikuar të rigjenerojë atë dhunë fizike, psikike e verbale si Berisha dhe shpura e tij, pasi këta ishin të fundit e sistemit të djeshëm. E kam fjalën, që Edi Rama nuk do të dërgojë maskarenj për t’ju thyer kafkat kundërshtarëve të tij politikë, ndërkohë që Ilir Meta, edhe sikur të dojë, nuk ka fuqi ta bëjë këtë.
Me fitoren e Edi Ramës ka fituar shoqëria civile. Edhe pse përsëri korrupsioni do të jetë një plagë e hapur, përsëri i dituri do të ketë shanse të vlerësohet më shumë se partizani partiak.
Dhe kjo nuk është pak.
Madje është diçka, e cila duhet mbajtur parasysh në çdo moment, kur shtrohet pyetja e substancës së fitores.
Pastaj, e parë diçka më thjeshtë, Rama kur e pati shansin të lëvizte diçka, lëvizi “bajagi”. Tani që po i jepet një shans i dytë, pse nuk duhet parë me më optimizëm e besim.
“Thënë në mënyrë diçka patetike: sot ka marrë fund e djeshmja.”
Po, vërtet patetike.
“por ai koalicion nuk është i rrezikuar të rigjenerojë atë dhunë fizike, psikike e verbale si Berisha dhe shpura e tij, pasi këta ishin të fundit e sistemit të djeshëm.”
Një besim qorr, i pabazë.
Gjithsesi, përtej mendimit tim, a mund të ju pyes, se mbi cilat kritere objektive, përjashtuar atë klanor, të gjithëditur, i bëni këto parashikime?
“Me fitoren e Edi Ramës ka fituar shoqëria civile.”
Edi Rama nuk ka fituar, ose ka fituar pjesërisht në cilësinë e kryetarit simbolik, – meqë simbolet nuk paskan vlera sot – të koalicionit opozitar.
Fituesi, objektiv, i këtyre zgjedhjeve është njëfarë Like…
“Edhe pse përsëri korrupsioni do të jetë një plagë e hapur, përsëri i dituri do të ketë shanse të vlerësohet më shumë se partizani partiak”
Përsëri, (me lejen e xhaxhait natyrisht), a keni mirësinë të më shpjegoni se çfarë ka ndryshuar, apo çfarë do të ndryshojë, pos pseudo”kulturës” apo klaneve?
Sepse një mikut tim, i kishin thënë një diçka të tillë këto ditë:”me mir ajde voto Edi Ramen se do ngelesh kamarier rrugeve.”
Por kjo mund të dojë edhe të thotë se Edi Rama me 65-66 gurët e “tij” do të jetë i aftë t’i imponohet shpk-së me pothuaj 20 deputetë…
Shpresa vdes e fundit!
p.s: xhaxhai, vini re se pyetjen për iluminim e kam shoqëruar me lutje. 🙂
Dëgjo, se u bë hera e dytë që po më sillesh rrotull e po kërkon muhabet, “pa lidhje”, thonë kosovarët. Që të mos harxhosh edhe ti frymën kot. Nuk jam i bindur, se ne kemi për t’i thënë dot diçka njëri – tjetrit. Shiko punën tënde dhe mbylle derën kur të dalësh se na qelbi era e peshkut.
Puna ime, në këtë kontekst, është të qartësoja disa pika, për vete e mbase për të tjerë, të cilat ti i ke ngritur lartë e mbase edhe i ndjek si udhëzimet hyjnore.
Shpresa vdes e fundit, ishte ironike pifto, ironike.
“Edi Rama nuk ka fituar, ose ka fituar pjesërisht në cilësinë e kryetarit simbolik, – meqë simbolet nuk paskan vlera sot – të koalicionit opozitar.
Fituesi, objektiv, i këtyre zgjedhjeve është njëfarë Like…”
Kjo pasqyron cfare ka ndodhur me zgjedhjet. Nuk ka fituar PS, ka fituar koalicioni me “qelbesirat” sic do te shprehej Muc Nano.
Me zgjedhjet e 23 Qershorit ka humbur PD-ja dhe qe do te thote Sali Berisha. Dhe kjo ne kendveshtrimin historik duhet te klasifikohet si fundi i nje epoke (1944-2013) 69 vjecare.
Persa i takon PS-se dhe vete kreut te saj Edi Rama, besoj se testi per ta do te behet mbas 4 viteve ne zgjedhjet e 2017-tes. Uroj me shpirt, qe testin e radhes ta fitojne me merite.
Ana,
Te thuash “Dhe kjo ne kendveshtrimin historik duhet te klasifikohet si fundi i nje epoke (1944-2013) 69 vjecare.” eshte jo vetem miopike, por eshte ne thelb e poshter dhe e papergjegjshme. Te vesh shenjen e barazimit midis Hoxhes dhe Berishes eshte te peshtysh ne fytyre gjithe ata qe kane vuajtur nen komunizem.
Jazek. Kjo eshte me keq se te flesh me mullixhiun (nese ka me keq)
Kastriot Islami eshte deputet i PD-se.
LG thua: “Te vesh shenjen e barazimit midis Hoxhes dhe Berishes eshte te peshtysh ne fytyre gjithe ata qe kane vuajtur nen komunizem”. Ku e pe ti shenjen e barazise midis tyre? Ne periudhen post Enveriste nuk ka sunduar vetem Berisha, por edhe Alia dhe Nano me zaret e tij. Keshtu qe nuk ke pse te personalizosh vetem Berishen. Perkundrazi ai ishte Enveri me i keq i kesaj epoke. Megjithate une edhe me lart e thashe se kjo duhet ti lihet historise, pra historianeve ne vitet qe do te vijne dhe qe sigurisht nuk do te kene ndjesite apo ndjeshmerite e njerezve qe kane lindur dhe jetuar ne kete epoke qe filloi me Enveri-n dhe mbaroi me Sali-un .
Parë thellesine e rezultatit, ne fakt ndodhi më e thjeshta e hipotezave : fitoi Rama (Ps-ja, Koalicioni i majte…), humbi Berisha (Pd-ja, Koalicioni i djathte…).
Eshte I VETMI lexim qe mund ti behet nje rezultati kaq kategorik.
Thellësia e rezultatit nuk do të thotë asgjë për temën në diskutim. Fitorja mund të jetë thjesht rrjedhojë e HUMBJES, ose e kundërta. Pavarësisht nga karakteri “kategorik” i rezultatit. Hulumtimi i raportit mes tyre, fitores dhe humbjes pra, do të na ndihmonte ta kuptonim më mirë politikën shqiptare; çka do të thotë se edhe vetë politika duhet t’ia bëjë ca pyetje vetes. Seriozisht.
Ne fillim, edhe une e kam menduar keshtu si ty, por me duket mua (nga eksperiencat qe kam konstatuar ketu ku jetoj) se, fitoret e thella nuk mund te jene thjesht ‘rrjedhoja te humbjes’. Fitoret e cekta po (Berisha ne 2005-n), por jo ato te thellat (demokratet ne ’92, e majta ne 2013).
Nëse është kështu, atëherë duhen analizuar shkaqet e fitores, që mund të gjenden p.sh. tek programi politik i fitimtarëve. Megjithatë, meqë na e kujtove, pyetja per humbjen apo fitoren mund të bëhej edhe në atë kohë, pra në vitin 1991-1992. Fitoi Berisha, apo humbi regjimi totalitar? Pyetje të tilla na ndihmojmë mos ta shohim politikën si një ring boksi, ku në fund të ndeshjes i ngrihet dora dikujt, mes brohoritjesh ngazëllimi ose lotësh trishtimi. Siç e dimë të gjithë, politika është shumë më komplekse se një ndeshje sporti.