E DREJTA PËR LUMTURI

nga Artur Spanjolli

Dy figura femrash lartësohen në panoramën e letërsisë botërore të një shekulli e gjysmë më parë. Madame Bovari dhe Ana Karenina. Nëse e para na jep krizën e vlerave të borgjezisë së vogël provinciale franceze, e dyta na jep krizën e borgjezisë së lartë ruse gjatë viteve 1875-77. Që të dyja figurat femërore janë heroinat e letërsisë paramoderrne, të cilat u paraprijnë shkrimtareve dhe poeteshave, si Ahmatova, Woolf, Deledda. Ato veç kërkojnë të drejtën që të jenë të lumtura. E para, e martuar ende adoleshente me një mjek provincial, kokëtrashë dhe fare i pandjeshëm, fshehurazi kërkon dhe zbulon dashurinë. E zbulon, e shijon atë, por viktimë e po asaj drite ilegale vritet po prej saj. E dyta, gjithashtu, ndien të drejtën intime ta kërkojë, ta shijojë dashurinë dhe ta mbrojë dhe deklarojë atë. Edhe kjo e dyta kërkon veç të jetë e lumtur. Por ja që edhe lumturia paska cenet e saj, tekat e saj. Paska rregullat e saj mbi këtë botë, ndaj edhe kjo, lumturia e heroinës ruse, – klandestine në fillim, pastaj e deklaruar me britmë -, e mbyt, e vret personazhin e saj. Të dy burrat që bashkëpunojnë në lumturitë klandestine kanë fizionominë e meshkujve joshës dhe plot karizëm. Burra që pëlqehen. Sciupa-femine, do të thoshin italianët. Kazanova me nepsin e epshit ndër sy. I pari, ai i Emës, zhduket në momentin më kritik. I dyti integral si njeri, ushtarak fisnik, personazh i borgjezisë ruse, ndihet keq dhe tenton të vrasë veten.

Tek romani francez e kam ndier më shumë dramën intime, vrasjet e ndërgjegjes, shqetësimin dhe turbullimin e shpirtit, tragjizmin akut të gjesteve kundër rregullave të shoqërisë. Gjithashtu edhe fajin për mosrespektimin e kontratës bashkëshortore. Dhunimin, pra, të krevatit martesor. Gjithashtu ndihet edhe shtypja e personazhit nga turpi prej opinionit publik. Bovaria tradhton më me frikë. Asaj i rreh zemra fort kur takon Rudolfin o Leon-in. Ajo e ndien peshën e mëkatit, simbas ligjeve të krishtera. Ajo kalon, gjithashtu, edhe një krizë të fortë nervash. Jo nga faji. Nga zhgënjimi që i bën Rudolfi. Por ajo shtiret, e vuan pozitën e saj prej dashnoreje të fshehtë. Ndërsa tek Ana Karenina nuk ndihet vrasja e ndërgjegjes, as drama intime, as problemet me vetveten. Mos vallë gratë ruse nuk e çajnë fare kokën? Më ka habitur fakti se si brenda familjes ruse gjithçka jetohet me një lloj ftohtësie dhe pjekurie krejt të veçantë. Personazhet nuk rrëmbehen në arsyetime, ato nuk degjenerojnë në shamata vulgare si nëpër shtëpitë a rrugët e Mesdheut. Ata nuk janë si grekët që mbledhin një mijë anije dhe luftojnë 10 vjet për të rimarrë gruan e grabitur. As nuk ëndërrojnë gra që nuk ekzistojnë, siç bëjnë poetët fiorentinë, për t’i ritakuar ato pastaj nëpër parajsa imagjinare. Ato as nuk martohen fshehurazi, por gjithashtu nuk vrasin mbretër me helm në vesh dhe vejushat nuk martohen pastaj me dashnorët e tyre. Ato janë më koherente dhe kanë kurajën t’ia thonë në sy bashkëshortit që nuk e duan më dhe bartin në mitër vetë frytin e dashurisë klandestine. Ana, në këtë kuptim, është vërtet një grua me kurajo burri.

Kompleksiteti i Anës arrin më vonë. Ndërgjegjja e saj ndërlikohet kur raporti i saj me Vronskijn tendoset dhe egërsohet. Kjo ndodh nga fundi i historisë. Lumturinë e saj e trondit veç një gjë. Fati i djalit të saj, të cilin ajo nuk ka më mundësi që ta ketë nën kontroll.

Të dy heroinat vrasin veten, njëra helmohet me cianur, tjetra hidhet poshtë trenit.

Ana Karenina është një ngrehinë gjigante në letërsinë botërore. Roman me grupime dhe me shumë linja, nga të cilat dallohen tri nyje kryesore: Alekseji, Ana dhe biri/ Levini, Kostantini, Kity dhe babai Princi/ Stefan Arkadiçi, Dolly/ Konti Vronskij etj.

Dy tradhtitë bashkëshortore që ndodhin në roman, kryhen nga dy pjesëtarë të të njëjtit trung familjar: Ana + Stefan, (motër e vëlla), sikur tundimi i tradhtisë të kishte të bënte edhe me ADN-në familjare dhe jo vetëm me ekzigjencat e brendshme të një shpirti të palumtur apo të trazuar.

Tolstoj 49 vjeç na vjen me një kryevepër. Një kryevepër për nga hulumtimi i thellë që i bën jo vetëm borgjezisë ruse nën sundimin e Carit të madh, por edhe vetë shpirtit rus, duke e hulumtuar atë në shumë aspekte, si sociale, ashtu edhe private, si familjare, ashtu edhe ekonomike. Por edhe filozofike, shoqërore, rurale, politike, kulturore, popullore etj. Duke e hulumtuar atë si nga brenda me monologët, ashtu edhe nga jashtë me dialogët. Duke qenë një njohës i mirë i formimit rus, i filozofive në modë në Evropën e asaj kohe, duke njohur rrymat e mendimit të kohës së tij, të rejat dhe tendencat e epokës së tij, politikat, cenet dhe virtytet ruse, autori na jep një kronikë të gjallë të botës së tij. Vetëm Tolstoj, pra, ka aftësinë e veçantë ta zbërthejë atë me të gjithë lavdinë dhe turpin e saj. Me tërë bukurinë dhe shëmtinë që ajo paraqet. Ndoshta i tërë kompleksiteti i një njeriu, – vetvetja pra -, këtu vjen i ndarë në pjesë, bërë copa-copa dhe i shpërndarë pak a shumë në mënyrë të njëtrajtshme, homogjene, mes personazheve të tij.

Jemi ndoshta një-, njëmijë-, njëqindmijëpjesësh? Jemi ndoshta ndërgjegje kolektive, siç pohon Jung. Apo gjithçka pilotohet nga pulsionet seksuale, siç pohon Frojd-i.

Një Tolstoj i shumanshëm, shumëformësh, ndoshta, i shumëgjindshëm dhe i shumëmendueshëm, sikur të ishte vetë ndërgjegjja e Zotit që fliste. Një aftësi vëzhguese e veçantë, shpërndarë nëpër qenie, fate të vockla njerëzore, të cilat relacionohen mes tyre, këtu, në shoqërinë fisnike ruse. Jemi në ajkën e saj.

Është një roman ky ku më bën përshtypje jo vetëm mënyra se si shoqëria ruse i krijonte raportet shoqërore 140 vjet më parë, por, mbi të gjitha, na paraqet formën se si shpreheshin, mendonin, ç’formim kishin dhe si reagonin në raportet mes tyre. Këtu na del vetë shpirti rus. Personazhi kryesor nuk është as Ana, as bashkëshorti, as i dashuri Vronskij, as Arkadiçi dhe as Kity. Personazhi kryesor mbetet Levini, ku me siguri autori ka skicuar autoportretin e tij, duke i bërë analizë vetvetes.

Figura e pasanikut me origjinë fermeri na vjen e gjallë, e vërtetë. Punëtor dhe me një formim të mirë, ndryshe nga i vëllai dembel dhe i mërzitshëm, Levini mishëron pjesën pozitive të shpirtit të vërtetë rus. Nëse në borgjezinë ruse Vronskij është ushtaraku donzhuan, nëse Kity është princesha e pasigurt, e bukur, e edukuar, e re, por gjithashtu edhe e llastuar e borgjezisë moskovite, nëse Dolly është bashkëshortja e tradhtuar, e cila për të ruajtur dekorin, dukjen, por gjithashtu për të mbrojtur fëmijët, familjen nga një skandal borgjez, e fal tradhtinë e bashkëshortit, bashkëshort i cili e ka tradhtuar me kujdestaren e fëmijëve të tyre, Levini lartësohet si shpresa dhe shpëtimi i shpirtit rus.

Në historitë e mëdha, para dramës së madhe, ka gjithmonë një dramë të vogël që e paraprin, prelud i asaj që do të ndodhë më pas. Kështu romani hapet me një tradhti: ajo e Arkadiçit kundrejt gruas së tij Dolly. Më pas do të dalë në skenë tragjedia tjetër. Ajo e Anës me kontin Vronskij.

Ndërsa Princi, babai i Kity-t, përfaqëson ajkën, majën më të lartë dhe elegante të sjelljes dhe të virtytit të fisnikërisë ruse. Burri i tradhtuar, Aleksei Aleksandroviç, na pikturohet si burri, bashkëshorti i ftohtë, zyrtari i pandjeshëm, leshko në sytë e Anës, i paaftë të kuptojë palumturinë e së shoqes. Ana, heroina e romanit, ngrihet lart, na paraqitet si femra largpamëse, e cila kërkon me ngulm veç lumturinë e saj. Një lumturi e mohuar nga një martesë e kombinuar mes familjesh fisnike.

Pyetja del qartë: A duhet të vazhdojmë të jetojmë një jetë bashkëshortore gri, pa emocione, pa lumturi, për hir të etiketës, turpit nga shoqëria që na gjykon, faqes së bardhë dhe moralit të cenuar në shoqëri? Apo duhet të kemi kurajën dhe të rebelohemi, të ngremë krye, duke shpërfillur detyrimet morale të shoqërisë, ato të kishës apo kushtëzimet, kufijtë që vënë detyrimet bashkëshortore? Kjo është edhe pyetja e Anës. Një dilemë për të cilën ajo jo vetëm nuk ka pyetur askënd, por gjen edhe kurajën t’ia thotë bashkëshortit në sy të vërtetën. Kjo është e vërteta e saj. Por ajo synon më tepër. Ajo nuk sheh alternativë tjetër, veç asaj që të jetojë me djalin e saj. Në shtëpi, mungesa e dashurisë e ka shndërruar jetën e saj në një ferr.

Sa e ndryshme është bota! Në botën ballkanase një sjellje e tillë e gruas do të provokonte dramën dhe hakmarrjen e menjëhershme nga ana e burrit të fyer. Përzënien e saj me shkelma, për të mos thënë vrasjen e saj. Dhjetë vjet luftuan grekët për të rimarrë gruan e grabitur. Në gadishullin e bukur të Rilindjes, ku çdo bukuri e ka një shëmbëlltyrë, do ta zgjidhte ligji, por gjithashtu kurorëshkelësja do të gjuhej me gurë nga shoqëria. Në Rusi nuk ndodhin gjëra të tilla. Burri rus, sado të duket i egër dhe pa shpirt, është i përmbajtur, i gjykueshëm dhe analitik. Ai nuk merr vrull, nuk ndizet, por i frymëzuar nga ndjenjat e krishtera kërkon të kuptojë. Culpa mea. Aleksej refuzon edhe të duelojë me rivalin, shkaktari i vërtetë i nderit të humbur. Nuk e fton në duel dhunuesin e vatrës së tij familjare. Përkundrazi. Ai turpëruesin, vjedhësin e nderit familjar, ushtarakun Vronskij e gjen edhe në shtëpi, ku ende Ana vazhdon të jetojë me siklet.

Të forta këto gratë ruse. Sa shumë guxojnë!

Jo. I poshtëruari, Menelau i borgjezisë ruse sillet krejt ndryshe, me elegancën e sërës së tij. Për të zgjidhur problemin, për të shpëtuar fytyrën, për komoditetin e tij borgjez, burri i tradhtuar, fshehurazi, dhe jo shumë i bindur, i drejtohet avokatit. Dhe jo se është frikacak. Ai mendon veç të shpëtojë nderin e tij prej zyrtari të lartë qeveritar përpara opinionit publik rus.

Një linjë tjetër e bukur është edhe profili i Kity-t. Princesha, e cila e tërhequr fillimisht nga donzhuani Vronskij, dhunuesi i sofrave familjare, e refuzon pa hezitim Levinin, të jetë vallë joshja e mashtruesit, sharmi karizmatik i ushtarakut kazanova zholi fitues? Është hezitimi tipik i vajzave të bukura, të llastuara, të borgjezisë së lartë. Të kërkosh të pamundurën në dashuri, është një dobësi e shpirtit ku njeriu mashtron veç vetveten. Një ëndërr e tillë e pamundur polli Komedinë Hyjnore. Ajo e dinte që dëshironte Levinin, megjithatë, e shtyrë nga pasiguria, frika dhe joshja e tjetrit (Vronskij) i thotë jo pretendentit të parë, kontit Levin.

Më ka habitur gjithashtu në këtë roman edhe fakti se, edhe pse personazhet shpesh përshkohen nga ndjenja të krishtera, as Vronskij edhe as Ana nuk ndjehen në faj se janë bashkëpunëtorë në shkatërrimin e një vatre familjare. Asaj të Anës. Ana është fare krenare dhe e lumtur që më në fund ka gjetur dashurinë. Dashurinë e vërtetë. Tani shpirti i saj ka shpërthyer si një ylber. Gjithashtu, ajo, çuditërisht, nuk është aspak e tronditur që ka në bark një foshnjë. Frytin e dashurisë jashtë martesore. Pra, aq e fortë ndihet kjo grua, që s’do t’ia dijë fare? Për askënd? Aq e pasur, me aq miq? Aq të fortë ta ketë kjo grua pozicionin e saj në shoqëri, sa të mos e çajë fare kokën?

I vetmi shqetësim i saj nuk është vrasja e ndërgjegjes, as turpi i botës për tradhtinë bashkëshortore, jo. Shqetësimi i saj është a do të mundet apo jo t’ia marrë djalin burrit të lënë.

Lumturi në kurriz të të tjerëve nuk ka. Ky është ligji universit. Ndaj ajo po e kërkon atë: lumturinë, pa e vrarë fare mendjen mbi kurrizin e kujt po e kërkon. Disa koka do të bien patjetër. Këtu kemi të bëjmë me një thyerje të kodit shoqëror. Janë cenuar rregullat e bashkëjetesës.

Mbi kë, pra, do të peshojë kjo lumturi? Ajo ka veç një frikë! Ndoshta krijesa që do ta vuajë më shumë gjithë këtë strumbullar të çmendurish do të jetë djali i saj, Sereza.

Tek Ana nuk gjejmë veç kurajën që ajo ka për të kërkuar lumturinë. Romani është një akuzë ndaj falsitetit, ndaj zakoneve të borgjezisë ruse të viteve 1870-80. Tolstoj paraprin Niçen, Frojdin dhe konceptin e ndërgjegjes kolektive të Jungut. Shpirti nuk mund të jetojë ende i lumtur në kafazin e rregullave shoqërore. Ai don të shpërthejë. Një shpërthim i cili u verifikua shekullin e kaluar me revolucionin rus, luftërat falë ideologjive, revolucionet për çlirimin nga skllavëria fetare dhe shoqërore, revolucionin seksual dhe emancipimin e pandërprerë të femrës bashkëkohore, pra erdhi liria e individit, çlirimi nga ndrydhjet e shoqërisë, liberalizimi dhe emancipimi i shpirtit njerëzor.

Shthurje apo emancipim? Nuk na takon ne ta gjykojmë. Duket sikur karta fituese e çlirimit nga prangat 2000-vjeçare ka prodhuar një emancipim më të shpejtë të racës njerëzore.

Tematikat dihen. Ky roman shumëplanësh, tmerrësisht i thellë, zhytet kryekëput tek shpirti rus. Një shpirt delikat dhe plot me ndjenja të bukura dhe fisnike, pse jo edhe të krishtera. Si ato të dhembshurisë që përshkojnë herë mbas here mendimet e burrit të fyer, Menelaut rus, Aleksej Kareninit. Po ashtu edhe ndjenjat e Levinit, i cili pak nga pak bën një rrugëtim drejt besimit të krishterë dhe kishës ortodokse ruse.

Çfarë i mbetet njeriut të sotëm, “korruptuar” nga celulari, skllav i informacionit të shpejtë, pre e fragmentarizmit pa analizë, konsumizmit pa logjikë, brejtur ndoshta nga vesi dhe nga shthurja pa teklif? Por ky, njeriu i sotëm, është gjithashtu edhe i humburi, i treturi në xhunglën e panjohur kafkiane, ku individi bëhet insekt dhe pëson fajin e errët nga hiçi. Ky është ndoshta harxhi për t’u paguar i industrializimit, i konsumit, i mirëqenies, i vetmisë njerëzore në xhunglën e metropoleve, ku gjithçka ndodh dhe askush nuk mban përgjegjësi nga ana morale. Askush nuk gjykon më dhe gjithkush bën si t’ia dojë qejfi.

Ç’i mbetet në mend, pra, njeriut të 2023-shit mbas leximit të këtij romani voluminoz, të kësaj tulle të rëndë për të cilën nevojiten mbi 30 orë lexim? Ç’i mbetet në kokë mbasi mbyll edhe faqen e fundit të kësaj kryevepre të letërsisë ruse?

Vlerat, simbas meje, janë kryekëput spirituale. Estetika që përftojmë nga ndjenjat e ndërlikuara të personazheve na pasurojnë, shpesh gjejmë edhe vetveten, por ajo që na mbetet si një mesazh është shtysa e njeriut. Shtysa e tij e brendshme, e pandërgjegjshme për të kërkuar lumturinë. Atë lumturi, kërkuar keq nga Ana (e vetëvrarë) por e kërkuar mirë nga Levini. Shtegtimi i këtij të fundit është më i pjekur. “Ji vetvetja, njih vetveten. Mos i bëj padrejtësi tjetrit.” Levini e kërkon lumturinë me mjete të ndershme, të sinqerta. Nuk e kërkon tinëzisht, me dashuriçka klandestine. Nuk përqafon shëmtinë, falsitetin. Nuk fshihet mbas vellove shpesh hipokrite të shoqërisë feudale ruse.

Levini, pra, strumbullari i romanit na jep një mësim. Një mësim të thellë që e predikonte edhe Sokrati i madh. Tek e vërteta, tek e ndershmja, tek e bukura, tek e virtytshmja, tek e sinqerta dhe tek njerëzorja ndërtohet mirë dhe me kujdes. “Mos i bëj tjetrit atë që tjetri nuk do që të ta bëjë ty!” Levini nuk është i krishterë. Ai sillet me ndershmëri, me njerëzillëk, sepse ashtu i duket e arsyeshme, ashtu ia dikton ndërgjegjja, ndjesia humane. Sepse ashtu i duket e drejtë. Jo sepse ashtu ia dikton Jezu Krishti apo kisha ortodokse ruse.

Ky roman, xhevahir i letërsisë ruse dhe botërore, na tregon qartë se sa e rëndësishme është ndonjëherë (detyrë e letërsisë) t’i bëhet autopsia shpirtit të një populli. Ashtu si mjeku ekzaminues gjatë orës së mjekësisë në universitet ndan pjesë-pjesë trupin e njeriut në muskuj, deje, kocka, organe, sistemet e aparatit të dëgjimit, gjuhës apo shikimit, po ashtu edhe shkrimtari, duke hulumtuar jetën, duke na e dhënë atë të gjallë, nga jashtë dhe nga brenda, në formë romani, ai pra, shkrimtari zbërthen, zhbën, shpirtin e një populli dhe e fut atë pjesë-pjesë në roman. E hap me kujdes në paragrafë, faqe, skena, dialogë, monologë, përshkrime, kapituj, në mënyrë që njerëzit të shohin më qartë veten e tyre. Të zbërthesh një trup njerëzor, don të thotë ta njohësh atë dhe kjo është e barasvlershme për çdo lloj trupi njerëzor, sepse njeriu është i njëllojtë.

Po ashtu edhe shpirti. Të gjithë ne kemi të njëjtat ekzigjenca, të njëjtat pasione, stimuj lirie, të njëjtat vese dhe impulse si në çdo anë të globit. Kjo është një vlerë e madhe morale, një mësim i madh jete, që plaku rus, i cili vdiq pa e marrë Nobelin, na e jep nëpërmjet fakteve, ngjarjeve të këtij romani gjigant. Ta kërkojmë lumturinë nëpër shtigje të moralshme, ndoshta? Ç’po kërkon vallë të na thotë autori?! Apo të kemi kujdes sepse ka dy lloj lumturish? Njëra e fluturt, e ylbertë dhe plot dritë, e cila ka nevojë pashmangshmërisht për lehtësinë e qenies, siç na mëson Kundera. Por ka edhe një lumturi tjetër, iluzore dhe mashtruese. Si e dhuruar nga djalli. Një lumturi e ndaluar si ajo e Emës apo e Anës, e cila na shpie në greminë.

(c) 2023 Artur Spanjolli. Të gjitha të drejtat janë të autorit.