ZËRA TË ÇTRUPËZUAR

Komenti i Trekëndëshit, në temën e mëparshme – të shkrimtarit që lexon me zë veprën e vet në prozë, para një publiku – më bëri të mendoj se, në fakt, nuk ka ndonjë lidhje as të menjëhershme as të ndërmjetësuar, midis zërit të shkrimtarit si qenie fizike, dhe “zërit” që rrëfen, në mendjen e lexuesit, prozën përkatëse gjatë leximit normal.

Këtë të dytin e kanë quajtur edhe kallëzimtar, për ta dalluar nga rrëfimtari; për shembull, te Emri i trëndafilit, i Eco-s, rrëfimtari është murgu Adso nga Melku, ndërsa kallëzimtari është – nëse mund ta quaj kështu – zëri që rrëfen murgun Adso dhe gjithçka tjetër dhe që, megjithatë, nuk duhet ngatërruar me zërin e Eco-s person fizik; i cili mund edhe të qëllojë të lexojë ndonjëherë pjesë nga romani para një publiku që e kupton, por mund edhe të mos e kuptojë italishten.

Leximi me zë i veprës sate është një performancë, që mund të kënaqë disa kuriozitete jashtëletrare të lexuesit; por shkrimtari mund të mos jetë as interpretuesi më i mirë i veprës sate; njëlloj sikurse një kompozitor mund të mos jetë në gjendje ta interpretojë veprën e vet në publik – siç ka ndodhur me Joaquín Rodrigo-n, autorin e të famshmit Concierto de Aranjuez për kitarë dhe orkestër, i cili nuk dinte t’i binte mirë kitarës.

Pastaj, për lexues që e njohin tashmë një vepër dhe e kanë “dëgjuar” në mënyrën e tyre zërin e heshtur të kallëzimtarit, autori me praninë e tij fizike mund të interferojë me përvojën e të lexuarit dhe të përftojë përçudnime.

Në këtë pikë, çdo lexues ka huqet dhe idiosinkrazitë e tij; kështu, për të sjellë një shembull të kohëve të fundit, kur po lexoja një roman të Kingsley Amis muajin që shkoi, e kapa veten duke e përfytyruar autorin sikur të kishte fytyrën dhe zërin e aktorit Ben Kingsley, për shkak të një përkimi antroponimik të rastit. Dhe aq thellë kish shkuar ky identifikim, sa ende nuk e kam hequr dot qafe, edhe pasi e zbulova; aq sa tani jam i detyruar të kënaqem me kompromisin se këta të dy, Kingsley Amis dhe Ben Kingsley janë i njëjti person.

Dukuria ka paralelet e veta edhe në kinema – dhe pikërisht në ato rrethana kur aktorëve mund t’u ndërrohet zëri, zakonisht për arsye të dublimit. Kush është rritur me televizionin italian, do t’i kujtojë dublimet aq të stilizuara të filmave komikë të Stan Laurel & Oliver Hardy, të njohur në Shqipëri si “I holli me të trashin”, ku italishtja vinte e “anglicizuar”, ose me gjithfarë shtrembërimesh të zanoreve dhe sidomos të theksave të fjalëve. Ky efekt që nuk ekzistonte në origjinal, kontribuoi mjaft në suksesin e çiftit të komikëve përballë publikut italian; aq sa të ma ketë bërë mua tani praktikisht të pamundur, që të ndjek një film të këtyre të dyve në anglisht.

Irina Nistor si dubluese, në filmin e Calugareanu-t

Dublimi zanor ka edhe versionin e vet “cheap” – siç ka ndodhur me tregun e zi të videokasetave me filma amerikanë në Rumani, gjatë viteve 1980; dhe ku mbi 3000 filma i shkuan publikut të dubluara nga një person i vetëm – një Irina Nistor – e cila i përsëriste të gjitha dialogjet në rumanishte. Historinë e kësaj aventure të piraterisë filmike dhe të subversionit ideologjik e ka rrëfyer tani së fundi filmi rumun “Chuck Norris kundër komunizmit” (regjisor Ilinca Calugareanu), që u shfaq edhe në Sundance Film Festival në fillim të vitit 2015.

Irina Nistor i përkthente dhe i përcillte dialogjet në filma me një zë krejt monoton, madje pa e vrarë shumë mendjen as për efektet dramatike ose të intonacionit; mjaftonte që publiku të krijonte një ide, sado sipërfaqësore, për çfarë po thuhej nga personazhet në ekran.[1] E megjithatë, shumë rumunë sot e kësaj dite tregojnë se ishin lektisur pas këtij zëri të ftohtë dhe të mërzitshëm, aq sa ta konsideronin si “zërin” me të cilin u fliste Perëndimi – pa çka se ky ishte zë i “shkallës zero”, për ta thënë me Roland Barthes-in, dhe kushedi më i përshtatshmi për të marrë nuancat që ia dëshironte dëgjuesi.[2]


[1] Veçantia e këtij lloj dublimi “artizanal” është se, ndryshe nga dublimi i plotë dhe profesional që ia bëjnë filmit të huaj në Itali, këtu kolona zanore origjinale, përfshi edhe dialogjet mes aktorëve, mbetet e paprekur; dhe zëri i dubluesit vetëm sa i mbivendoset, duke luajtur një rol të ngjashëm me atë të një personi që ua përkthen filmin miqve të vet. Kështu, dubluesi nuk është i detyruar të përsëritë as të imitojë modulimet e zërit, intonacionin dhe manierizmat vokale të aktorëve (personazheve), meqë këto njëfarësoj i përcillen publikut drejtpërdrejt.

[2] Ky efekt po më duket i kundërt me atë që përshkruan Arbër Zaimi në esenë e tij Dubluesi polak (2012); dhe ku përmend eksperiencën unheimlich të publikut shqiptar, përballë një zëri që dublonte, në polonisht, filmat e piratuar nga stacionet televizive polake. Ky efekt zombifikimi, që Zaimi e quan “tonalitet zero”, ka të bëjë, besoj unë, sa me faktin që pas viteve 1990 efekti politikisht subversiv i filmave komercialë perëndimorë po reduktohej edhe ai në zero, aq edhe me faktin tjetër që ky zë i “çtrupëzuar” në polonishte, ky të folur i de-çiftëzuar nga kuptimi, kjo rrymë shënjuesish pa të shënjuar, por megjithatë e barsur me konotacione gjithfarësh, e shoqëronte filmin si të ishte kolonë zanore ose zhurmë, sa kohë që shqiptarët nuk do të kuptonin se ç’thoshte; duke u shndërruar, do të shtoja unë, në një shenjë përcaktuese të “jetërsisë” së atyre filmave.

3 Komente

  1. E njejta gje edhe ne Ceki, te pakten para 10’vitesh. Ne Ceki dubluesi ishte gjithmone mashkull, te pakten ne ato qe ndoqa une gjate nje jave. Ishte shume gallate, une u “josha” ka shume, sa e imitoja menyren e tij vend e pa vend. Me e forta ishte ku ziheshin e kacafyteshin ne film dhe ai me zerin e akullt, si nje gestapo i vertete qe se tradhton as zeri, as qerpiku, komentonte per “budallenjte” dhe “budallackat” qe prishnin gjakun kot me kot. Thua te kete te beje me ndonje mentalitet te trasheguar nga ideologjia komuniste ky lloj uniformiteti ne keto vende?

    1. E njejta gje dhe ne Rusi. Ndoshta e gjithe lindja e ka marre nga modeli rus. Me shume se nje dublim a perkthim ne kete rast duket te jete nje mbivendosje. Nen prizmin e artikullit te Zaimit, kjo ishte nje mbivendosje qe i interesonte sistemit sepse keshtu mbijetonte njengjyresia perkunder spektrit te gjere te zerit te aktoreve dhe filmit ne pergjithesi. Por jepet edhe ideja se filmi kalohej ne filtra, jo vetem ne ato vizuale. Interesant eshte fakti se si Shqiperia,vendi me i rrepte ne kete drejtim nuk e kopjoi kete praktike por vazhdonte me perkthim te titruar.

      1. Në këto vende të Lindjes europiane kish pasur një farë përhapjeje teknologjia e videokasetave – me përjashtim të Shqipërisë. Përkthimi me mbivendosje do të ketë qenë një zgjidhje low-cost për tregun e zi, në një kohë që tek ne kjo teknologji deri vonë në vitet 1980 as që ekzistonte, me ndonjë përjashtim fare të rrallë. Përndryshe, filmat me përkthim të mbivendosur, që transmetonin stacionet televizive polake në fillim të vitit 1990, do të kenë qenë produkte të piratuara dhe të përgatitura për tregun e zi.

        Nga filmi rumun që pashë, m’u krijua përshtypja se segmente të caktuara të securitatea-s rumune e kontrollonin tregun e filmave të piratuar dhe, pas gjase, edhe atë të video-riprodhuesve; ashtu do të kenë siguruar të ardhura shtesë për nevojat e Armës. Ashtu sikurse thuhet se ka vepruar, bie fjala, CIA me tregtinë e paligjshme të armëve dhe të drogës.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin