AJO KËRMË FENOMENALE

Kur vdiq regjimi i vjetër, u mblodhëm të gjithë për ta kundruar, të shtrirë siç ishte në mes të bulevardit, ende të ngrohtë, por tashmë duke u ftohur. Njëri prej nesh bëri t’i kacavirrej sipër dhe të valëviste atje një si flamur të improvizuar, por me gjysmë zemre, duke pritur që të tjerët t’i thoshin zbrit, nuk ia vlen, mos e trazo më tutje. Heshtja e përgjithshme i shkurajoi gjestet plateale të mëtejshme.

Po tani? – pyetën shumë nga ne. Ç’të bëjmë me të tani, veçse ta fotografojmë për librat e historisë?

Duhet varrosur, tha një i urtë. Duhet djegur, tha një i urtë tjetër. Ta copëtojmë dhe le të marrë gjithsekush një souvenir me vete në shtëpi, tha një i urtë i tretë. Ta hamë, tha një i uritur. Ta pjekim dhe ta hamë, mu këtu ku është. Atë që mbetet ta bëjmë pastërma: dimri po afrohet.

U ulën inxhinierët dhe llogaritën. Nuk e futim dot në dhé, thanë, sepse nuk i kemi mjetet as mundësitë për të hapur gropën që do ta nxërë. As nuk e shkrumbojmë dot, sepse ashtu do të na flakëritet gjithë qyteti dhe do të përfundojmë të përzhitur të gjithë në hell. As e shpiem dot gjetiu, sepse nuk i kemi kapacitetet financiare që ta tërheqim. Dhe as që ta shtyjmë. Madje nuk e rrëzojmë dot as përdhé, sepse i rrëzuar është.

Le t’ia japim Amerikës që ta neutralizojë, tha një i djathtë. Amerika e merr dhe e degdis pa një pa dy andej nga Paqësori, ose e gremis në kraterin e ndonjë vullkani aktiv në Alaskë. Amerika e di se ç’bën.

Nuk e marr, tha Amerika. Kam të tjera halle.

Atëherë u menduam dhe e ujdisëm që ta linim regjimin e vjetër, edhe pse të vdekur, aty ku ishte, derisa të vinte koha e zgjedhjeve të ardhshme.

Si çdo gjë e vdekur dhe e pakallur, edhe regjimi i vjetër filloi të qelbej – por tejet gradualisht. Ne që i kalonim përbri çdo ditë, sikur u mësuam me kutërbimin e tij; aq më tepër që na ndihmonte për të maskuar kutërbime të reja, më të rrezikshme.

Po dëmton turizmin, thanë disa të zellshëm.

Mirëpo e kundërta ndodhte: turistët shtoheshin trumba-trumba, për të marrë për herë të fundit kontakt me këtë kashalot politik, që kish vrarë veten në plazhin tonë urban. Mbulonin hundët me shami dhe aviteshin, madje nxirrnin edhe selfie-t e rastit, të zhytur gjer në kaviljet në këllirën e ngjitshme që rridhte nga të gjitha anët kufoma, a thua se ishte fjala për acqua alta të lagunës, në Piazza San Marco, në Venezia. Kishte pastaj edhe nga ata të bekuar që, kur i pyesje nëse i bezdiste shumë era, të thoshin: era? Cila erë, more? Ne veç ndiejmë një aromë të lehtë mimozash!

Përbri regjimit të vjetër, pasditeve të zhegut të gushtit, nën hijen e kokallave si të Salvador Dali-së, qytetarët mblidheshin të ngeshëm rreth muzikantëve rigorozisht të verbër, piktorëve që ia bënin njëri-tjetrit portretet, poetëve të ngjirur nga recitimi slam; teksa baret nga ana tjetër e bulevardit sajonin me të shpejtë ndonjë tavolinë tek-tuk, për të shërbyer dhallë, ujë të ftohtë pa gaz dhe kafe macchiato; madje u gjet diku edhe një artist i madh, që zbriti si arkangjel nga reja dhe instaloi aty diçka, një farë insekti të zdërhallur, me abdomen të hajthëm e të shqepur në segmente, që sakaq u shkri me atmosferën e përgjithshme të kalbëzimit dhe të entropisë; dhe kur e pyetën autorin pastaj ku e kish veprën, tha: ja, nuk e shikoni?

Një ditë prej ditësh u shfaq para nesh regjimi i ri, si gjithnjë i sfilitur nga punët e shumta, dhe na pyeti: ç’të bëjmë me këtë gjë që po na ia zë frymën qytetit?

Dhe meqë të urtët dhe inxhinierët e pranishëm nuk kishin ndonjë sugjerim të ri për të shtuar, u ngritën me zell arkitektët dhe thanë: le ta rehabilitojmë. Jo regjimin e vjetër, por karkasën e tij. Le ta kthejmë në muze të regjimit të vjetër. Madje, madje, le të sendërgjojmë një Disney World të së djeshmes, gjithë haré dhe kompromise sentimentale. Ku vizitorët e panumërt të futen me teleferik në zgafellën e kubesë së barkut dikur, dhe një ciceron t’u shpjegojë: ja, këtu ka pasë kaluar zorra e trashë, dhe këtu e holla. Katedralja e ngushtë e epigastrit. Mushkëria e zezë dhe e bardha. Horizonti i lakuar i brinjëve. Vendi ku gjëllinte flora bakteriale, në pellgaçe avulluese ende sulfurike. Ja edhe zorra qorre. I kemi ruajtur të gjitha, janë tuajat për t’i admiruar.

Por nuk do ta luajmë nga vendi, shtuan arkitektët. Qyteti ynë është mësuar tashmë me të, e ka bërë të vetin, e ka adoptuar, e ka inkorporuar si qelibari vemjen jurasike.

Siç u mor vesh më pas, specialistët ndërkombëtarë që punuan natë e ditë për restaurimin e kërmës ranë dakord se shumëçka prej saj mund të shpëtohej: luspat, thonjtë, qimet me gjithë folikulat ende plot lëng, sklera e syve, dylli i veshëve, acidet e lukthit e të nën-lukthit, leshi pub(l)ik… Edhe armaturën e skeletit veç e hijeshuan me pllaka mermeri, graniti dhe alabastri; dhe e stolisën me ndriçim dekorativ të butë, sjellë posaçërisht nga Vendet e Ulëta. Energjia e nevojshme do të sigurohej e tëra nga panelet fotovoltaike, falë ndihmës bujare edhe të UNESCO-s, që ndërkohë e kish marrë gërdallën e regjimit të vjetër nën sqetull. Në çdo rast, gjurma e karbonit e kësaj mega-ngrehine do të ishte zero e garantuar.

Të huajt nuk po u besonin më syve. Ejani të shihni, shpallnin në gazetat e tyre poliglote, se çfarë transformimi i është bërë regjimit të vjetër këtu! Gati-gati, nuk e dallon dot nga një regjim i ri…

Tashmë brenda karkasës së ish-Behemothit llamburitnin shfaqjet prej yjeve stroboskopike të skenës dhe të prapaskenës, teksa në skutat më të errëta të baqthit prushonin e gumëzhinin kazinot gjer ndaj të gëdhirë. Arteriet, venat dhe nervat që ia përshkonin dikur kurmin përbindëshit u përshtatën me të shpejtë me nevojat e strukturës së re, duke funksionuar tani si kanalizime ujërash të bardha dhe të zeza, rrjete të rrymës elektrike, telefonisë celulare dhe Wi-Fi. Një belvedere e selitur mu në kafkën gjithë gunga frenologjike të krijesës, atje ku nofulla e poshtme i afrohej së sipërmes por pa u mbyllur dot mirë për shkak të stërdhëmbëshave, i tërhiqte vizitorët si shesh vrojtimi, nga ku mund të soditej aglomerati urban i lulëzuar përreth.

Sepse në fakt qyteti ynë u harlis rishtas, madje u ri-organizua përreth skeletit të bishës antedeluviane, që dalëngadalë erdh e mishëroi simbolin e gjithçkaje të re dhe progresive që po bëhej tek ne; gjithçkaje që na e kishin zili dhe na e imitonin dhe nuk na e kopjonin dot.

Ia behu ashtu edhe dita – siç po e prisnim – kur regjimi i ri, gjithnjë i lodhur madje i kapitur në mos i rras-kapitur nga punët e shumta që nuk i mbaronin kurrë, e mori më sy të zhvendosej në brendësi të së vjetrit, në zyra të posaçme, të dizajnuara nga starkitektë me nam e famë ndërgalaktike. Kjo lëvizje e detyruar, tha regjimi i ri, nën sytë miratues të lukunisë karakteristike, të mbledhur për ta kremtuar momentin, kjo lëvizje e detyruar që po ndërmarrim është edhe mënyra më logjike për t’u ndarë njerëzisht me të vjetrën.

Sot jeta në qytet është normalizuar; madje thonë se llokma të majme të ish-regjimit të vjetër, si trungun e bishtit dhe katet e sipërme të kofshës së djathtë, po ia japin me qira privatit; teksa në kavitetet e gjera të rrënojës janë sistemuar me nge fondacione, OJQ të shumë-respektuara, butika bio, federata sportesh minore por prestigjioze, praktika kultesh okulte, qëndistari flamujsh kombëtarë, zyra avokatore të Mafias, kabina multi-konfesionale, konsullata principatash të vogla të Orientit, sallone masazhi erotik për elitat, galeri arti konceptual, deri edhe restorante të specializuara në biftek alla tartara.

Pëshpëritet madje se disa nga organet e regjimit të vjetër nuk i kanë hequr aspak, por veç i kanë balsamosur; dhe se natën vonë, kur ne të tjerët biem për gjumë, vizitorë V.I.P.-a shoqërohen fshehurazi, përkundrejt pagesash marramendëse, nëpër labirintet e kanalizimeve, drejt kuriozitesh të tilla si zgavra me mindere sfungjeri e fshikëzës së urinës, tashmë e ripërshtatur si sauna 18+; mbetjet e rreckosura të pleurës që i trazojnë herë pas here gromësirat kolektive të turmave; peizazhi gati hënor i kloakës së orificit anal.

Atyre pak të panënshtruarve, mes nesh, që ende ngulin këmbë se qendra e qytetit nuk është çliruar hiç nga kutërbimi epik prej kërme, u ka mbërritur tashmë zyrtarisht ftesa që ta vënë sa më shpejt nën kontroll këtë psikozë negativiteti; dhe t’i bashkohen shumicës, në festimin e përditshëm të një triumfi rehabilitues që i jep shpresë botës mbarë. Tek e fundit, dhe siç ua ka shpjeguar më se një herë edhe regjimi i ri atyre që kanë veshë të dëgjojnë, çfarë është jeta vetë, në mos një orvatje plot mirëbesim për të harruar se nga vijmë e se ku shkojmë?

© 2018, autori.

5 Komente

  1. Me kujtoi nje kategori disidentesh ate bote, qe ne dopion e dyte, thonin: “çfar mer jau, ne nuk jemi çliruar akoma, i ke te gjithe zogistet dhe ballistet akoma ne komande, nuk i leshojne fuksionet e dikurshme”.

    Kjo do te thote qe shtyre mbrapsht ne histori: çfar mer jau ke akoma ne komande majmunin primordial.

  2. Talent i shperdoruar per orgazem necrofilesh.
    Por, shume real, ne fakt.
    Sepse kufomat e regjimeve te vjetra jane te pranishme ne shoqerite pasardhese, shume me teper se sa hijet dhe kujtimi i kufomave te te vdekurve ne banesat e familjareve te tyre.
    Dhe ky skenar, gjthesesi, eshte i vertete per cdo lloj regjimi te vjeter.
    Ka ngjare keshtu tejpertej historise njerezore me “regjime”, te cdo kohe, qe bien e vdesin/ngordhin, dhe kalben dhe harrohen nga brezat qe vijne, breza qe jane shume te zene me kufomat e reja neper kembet e tyre, kufomat e reja qe u ngjajne aq shume atyre te meparshmeve, sa nuk ja vlen t’i seleksionosh se kush jane te vjetrat dhe kush jane te rejat.
    Dhe keshtu, edhe ka per te qene, sa kohe qe, shoqerite njerezore te jene te organizuar ne sisteme, me regjime.
    Nuk besoj se kjo spirale e pameshireshme e egzistences, i ngazellen te djathtet, sepse ata jane vete pjese e lojes, po aq sa edhe te majtet.

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: