FILLIMET E NACIONALIZMIT LINGUISTIK

Kur e pyetën një herë Nastradinin se ku ishte qendra e botës, ai trokiti tokën me bastun dhe tha: “këtu është.” Përtej filozofisë, ky qëndrim shpjegon – më mirë se një traktat i tërë – pse kulturat anembanë i gjejnë origjinat brenda hapësirës që i përmban. Që shumë pseudologë në hapësirën shqiptare sot e nxjerrin shqipen si rrënjë të gjuhëve të botës, kjo dukuri – ose patologji e mendimit – vetëm sa dëshmon që ne, si kulturë, jemi të vonuar në këtë cirk të ideologjive.

Këtë duket se e mbështet edhe obsesioni i shumë filologëve dhe filozofëve dhe teologëve të Europës mesjetare me hebraishten – sa kohë që të gjithë këta e identifikonin veten si të krishterë dhe e shihnin Biblën si burim dhe pasqyrë të urtësisë hyjnore.

Te The Search for the Perfect Language (Blackwell Publishers 1995), Umberto Eco-ja vëren se etërit e Kishës, nga Origjeni te Augustini, supozonin se – para pështjellimit në Babel – gjuha primordiale e njerëzimit kish qenë hebraishtja; opinion që mbijetoi deri vonë në Mesjetë dhe, pasi kish absorbuar traumën e Reformës, edhe në kohët e reja.[1]

Për pasojë, dijetarët e shihnin zakonisht me vend që të provonin, kur ishte rasti, se prej hebraishtes rridhnin të gjitha gjuhët e tjera. Sipas Eco-s, premisa u bë shkas për atë që ai e quan furore etimologico, me autorë që përqafuan traditën kabalistike të manipulimit të “rrënjëve”, për të provuar prejardhjen hebraike të çdo fjale që u dilte përpara. Madje një Mercurius Van Helmont argumentoi deri edhe se shkronjat e alfabetit hebraik riprodhonin – me analogji – formën që merrte goja dhe organet e tjera të së folurit, për t’i shqiptuar[2].

Megjithatë, në Mesjetë nuk munguan alternativat, ndaj hipotezës hebraike – Eco-ja përmend një Giovanni Nanni, i cili identifikoi një lidhje mes dialektit toskan të kohës së tij (1498) dhe aramaikishtes, nëpërmjet etruskishtes – meqë, me gjasë, Noeja dhe pasardhësit e tij ishin vendosur në Etruri, pas përmbytjes. Të njëjtën hipotezë – që nisej nga toskanishtja bashkëkohore dhe, nëpërmjet etruskishtes, arrinte tek aramaikishtja e Noes, e çojnë përpara edhe dijetarë të tjerë në Firenze-n e shekullit XVI.

Guillaume Postel-i, dijetar i shquar i kohës, pat argumentuar edhe ai se keltishtja rridhte prej gjuhës së Noes (te De Etruria regionis, 1511), por pa pasur kjo ndonjë ndikim në pastërtinë burimore të hebraishtes.

Çfarë Eco-ja e quan “nacionalizmi linguistik”[3] filloi t’i çelte sythet dikur nga shekulli XVII, me përfaqësuesin e vet më të shquar një Goropius Becanus (Jan van Gorp), i cili argumentoi se, nga gjithë gjuhët e botës, vetëm njëra e kish ruajtur marrëdhënien jo-arbitrare mes fjalëve dhe sendeve: dhe pikërisht, dialekti holandez i Antwerp-it (nahijes së tij); duke rrjedhur banorët e kësaj zone drejtpërdrejt nga të bijtë e Gjepetit. Fati i këtyre, që nuk kishin qenë të pranishëm kur ndodhi gjëma në Babel dhe ashtu i kishin shpëtuar confusio linguarum.

Mes argumenteve etimologjike që solli Goropius-i, ishte edhe ky që do të shfaqet gjithnjë në pseudologji, deri në ditët tona: mes gjuhëve të njohura, holandishtja paskësh numrin më të madh të fjalëve njërrokëshe!

Teza e Becanus-it, e njohur edhe si “teza flamande”, mbijetoi deri në shekullin XIX, kur baroni De Ryckholt shpalli se “Flamandishtja është e vetmja gjuhë që flitej në djepin e njerëzimit… dhe “ajo e vetme është gjuhë, ndërsa të gjitha të tjerat, të vdekura e të gjalla, nuk janë veçse thjesht dialekte të saj ose forma të rrëgjuara, pak a shpesh të maskuara.”

Autorëve të hipotezës për “shqipen gjuhë kozmike” u duhet ta marrin parasysh edhe këtë tezë, tashmë përndryshe të arkivuar.

Pretendimit flamand, shton Eco-ja, i shoqërohet sakaq një kundër-pretendim suedez: sipas një Andreas Kempe (Die Sprachen des Paradises, 1688) përshkruan një skenë ku Zoti dhe Adami flasin mes tyre: Zoti në suedisht, me Adamin që i përgjigjej në danisht, dhe teksa këta bisedonin, Evës po ia merrte mendtë një gjarpër që i fliste frëngjisht. Vështirë të mos i marrësh këto për parodi, vëren Eco-ja.

Shkruan Eco-ja:

Këto hipoteza nacionaliste duan kuptuar në kontekstin e shekujve XVII dhe XVIII, kur shtetet më të mëdha në Europë filluan të marrin formë dhe të shtrojnë problemin se cili prej tyre do të ishte suprem në kontinent. Gjatë kësaj periudhe, pretendimet entuziaste për origjinalitet dhe epërsi nuk vijnë nga ndonjë kërkesë vizionare për paqe universale por – pavarësisht nga sa ishin për këtë të vetëdijshëm autorët e tyre – nga arsye politike konkrete.

Në çdo rast, dhe pavarësisht nga motivimet nacionaliste, si rezultat i asaj çka Hegeli e quan dinakëria e arsyes, kërkimi i vrullshëm për etimologjitë, që pritej të provonte prejardhjen e përbashkët të çdo gjuhe të gjallë, në analizë të fundit krijoi kushtet kur puna serioze në gjuhësinë krahasuese mund të sillte më shumë përfitime.

Tendencën e fiseve a të popujve për t’u ndier krenarë për origjinat e tyre, historiani Léon Poliakov e quan “gati universale”, por për rastet kur kjo ndodh në kultura të lëvruara ai përdor termin megalomani linguistike, shembuj të së cilës i gjen edhe te fillimet e gjuhësisë historike-krahasuese, kur gjuhët indo-europiane u quajtën “indo-gjermanike”. Për këtë studiues, glorifikimi i dialekteve gjermanike kish nisur herët, siç e provon një thënie enigmatike që i atribuohet shenjtores Hildegard von Bingen (shek. XII), dhe pikërisht se : “Adam et eva teutonica lingua loquebantur, que in diversa non dividitur ut romana”, ku jo vetëm Adami dhe Eva përshkruhen si në bisedë mes tyre në “lingua teutonica”, por edhe shtohet, si afterthought, argumenti se kjo gjuhë “nuk është e ndarë në gjuhë të ndryshme, si ajo romane.”[4] Edhe Luther-i i jepte gjermanishtes statusin e një gjuhe të katërt të shenjtë, baras me hebraishten, dhe para greqishtes dhe latinishtes.

Sipas Poliakovit, në origjinë të kësaj megalomanie – si të çdo megalomanie, qoftë ajo individuale apo kolektive – është dëshira për një zgjerim (ekspansion), një “zmadhim”, siç e dinin tashmë etërit e Talmudit… Edhe Kaini thuhet se e vrau Abelin që mos detyrohej ta ndante me të Dheun; në mos e vrau për të mbajtur për vete Lilith-in.

Nga ana tjetër, që prej shekullit XIV, mendjet e ndritura të kohës, të paktën në Europë, i kish turbulluar ideja se gjuha më e afërt me zotin mund të kish qenë, në analizë të fundit, gjermanishtja. Konrad Pelicanus, në 1533, identifikoi disa përkime të forta mes gjermanishtes dhe hebraishtes, por nuk arriti të vendosë cila prej tyre ishte vërtet Die Ursprache. Të tjerë shkuan më tutje dhe argumentuan se, në fakt, ishte hebraishtja që rridhte prej gjermanishtes dhe se kjo e fundit ishte gjuha e Gjepetit, i cili pas përmbytjes ishte vendosur në Gjermani (nipi i tij, Ascenas, u tha se kish jetuar në principatën e Anhalt-it, që para prishjes së Babelit).

Eco-ja shton edhe se tezën për primatin historik të gjermanishtes nuk e ndan dot nga përpjekjet e protestantëve, në Gjermani, në mbrojtje të gjuhës së Biblës së Luterit; duke qenë gjermanishtja një nga forcat kryesore në gjendje të bashkonte kombin. E megjithatë, Leibniz-i tallej me këto aventura spekulative, duke përmendur edhe një farë Ostroski që e konsideronte hungarishten si “gjuhën mëmë”, një abat François që parapëlqente bretonishten, dhe një Pretorius, që kish zgjedhur polonishten. “Sikur një ditë turqit dhe tartarët të bëheshin po aq të mësuar sa europianët,” shkruante Leibniz-i, “edhe ata pa një pa dy do të kishin gjetur mënyra si t’i promovonin gjuhët e tyre në rangun e gjuhës nënë të njerëzimit.” Sikur…[5]

Por filozofi gjerman e shihte megjithatë të mundshme që një gjuhë të ish më primitive se të tjerat dhe të kish shërbyer si origjina e përbashkët e këtyre; madje nuk e përjashtonte që kjo të ish pikërisht gjermanishtja.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Sipas Léon Poliakovit (Rêves d’origine et folie des grandeurs, botuar në “Le Genre Humain”, no. 21, f. 9-23), hebrenjtë e antikitetit kishin filluar që herët ta braktisnin hebraishten për të përqafuar aramaikishten, këtë lingua franca të Lindjes së Afërme të kohës; dhe pas shpërndarjes së tyre (dispersion) nga Titus-i dhe Vespasian-i, hebraishtja u rezervua vetëm për kultin sinagogal. Asgjëkundi, në burimet, nuk e sheh të glorifikuar në mënyrë të veçantë dhe, nëse ajo e fitoi statusin e një “gjuhe zanafillore”, për këtë u detyrohet sidomos teologëve të krishterë.

[2] Në kuptimin që forma e shkronjës O rimerr formën që marrin buzët kur shqiptohet zanorja përkatëse.

[3] Këtu Eco-ja është mbështetur edhe te eseja e lart-cituar e Poliakovit, të cilën edhe unë e kam konsultuar drejtpërdrejt për shkrimin këtu.

[4] Të vërehet një traditë e filologjisë gjermanike për t’i konsideruar gjuhë si latinishtja, gjuhët romane dhe anglishtja si “të papastra”, pse të hapura ndaj huazimit dhe që, në shekullin XIX, do të manifestohej në trajtën e purizmit. Të vërehet edhe që distanca mes adhurimit të pastërtisë së gjuhës dhe adhurimit të pastërtisë së racës nuk është kurrë aq e madhe sa ç’u duket puristëve.

[5] Kjo në fakt ndodhi me teorinë e gjuhës diell Güneş Dil Teorisi, të zhvilluar në Turqinë e viteve 1930, e cila i shërbeu drejtpërdrejt ultranacionalizmit turk; dhe të ashtuquajturin protokronizëm në Rumani. Drejt këtyre ujërave po lundron edhe anija me vela e hipotezës për “shqipen gjuhë kozmike” të Petro Zhejit, të cilën po e pilotojnë sot gjithfarë turbologësh, me pretendime “mistike”.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin