GJUHA E HALILIT

Martesa e Halilit është ndër këngët më të bukura të Ciklit shqip të Kreshnikëve; dhe ndoshta një nga më të rëndësishmet, nga pikëpamja e elementeve arkaike që përmban.

Me 674 vargje, ajo rrëfen historinë rokamboleske të Halilit, që deshi të martohej me Tanushën, të bijën e Krajlit të Kotorrit.

Veç hyrjes lapidare “Fort po shndritë njaj diell e pak po xe’!”, këngës i ka dhënë veçanërisht famë pasazhi ku Halili ua përshkruan Tanushën agallarëve të Jutbinës, të cilët janë mbledhur që t’ia mbushin mendjen të marrë për grua një vashë vendëse:

Kah kam vlla e kah kam motër,
deksha para, n’u martosha!
Se gjithë grat e Krahinës, ku janë,
se gjithë vashat e Jutbinës, ku janë,
bash si motra qi po m’duken.
Dheu m’ka mlue e fat s’i qita vedit,
po s’e mora Tanushën e krajlit.
E un Tanushën vetë e ko’ pa,
kur kem’ pasë besë me Krajli.
Gja ma t’mirë s’shef njerí nën ket diell!
Vetulla e saj ndrejt si fiskaja,
shteku i ballit si shteku i malit,
kur merr hana me ranue,
syni i saj si kokrra e qershisë,
e ka qerpikun si krahi dallndyshës,
ftyra e saj si kuqet molla n’degë,
hunda ndrejt si kalemi i Tushës,
goja e vogël si lula qi shpërthen,
dhamët e bardhë si gurzit e lumit,
fill mbas shiut kur po shndritë dielli,
qafa e saj si qafa e pllumit,
shtati i saj si ‘i shtat çetinet,
misht e dorës porsi rremi i shemshirit.

Studiuesit e kanë vënë në dukje teknikën pothuajse kinematografike të këtij përshkrimi, me kameran që ulet dalëngadalë, nga balli te vetulla te syri pastaj te fytyra e te hunda e te goja e vashës, për të vazhduar më tej me dhëmbët, qafën dhe shtatin, e deri te mishi i dorës.

Me Çabejn, do të vërejmë sa fisnikëri që ka në këtë përshkrim, e cila ka të bëjë edhe me mungesën e plotë të vulgaritetit; në kuptimin që libidoja e një kreshniku të pafre, si Halili, është e tëra e sublimuar në estetikën e bukurisë femërore.

Halili niset për të shkuar dhe për ta marrë Tanushën, futet fshehurazi në çadrën e saj në brigjet e Danubit, dashurohet me të, por përfundon i kapur rob prej krajlit dhe, më në fund, duhet të ndërhyjë Muji me të vetët, për ta shpëtuar nga ekzekutimi që e pret.

Gjithsesi, kënga përmban një pasuri mbresëlënëse elementesh arkaike dhe, gjithsesi, të çuditshme për mendësinë e mjediseve ku e kanë kënduar dhe përcjellë tradicionalisht.

Pasi i futet Tanushës në çadër dhe i kërkon besën, të cilën ajo ia jep, Halili detyrohet të vishet si grua duke përdorur rrobe nga paja e Tanushës, për të mos u njohur nga “çikat” që shoqërojnë të bijën e krajlit buzë Danubit. Kjo tejveshje (travesti) me rroba grarishte e një heroi macho si Halili të kujton disi Akilin e veshur si vajzë tek Iliada e Homerit.

Vjen mëngjesi dhe vashat që shoqërojnë Tanushën dalin në breg të Danubit, për të larë lesh; del edhe Tanusha, me Halilin e veshur grarishte, për të ndenjur me to. Vashat habiten me mysafiren e panjohur të së bijës së krajlit.

Kanë qitë çikat e kanë pvetë:
Amanet, mori e bukra e dheut,
po kjo vashë n’dorë qysh t’ka ra,
qi ne pahin krejt na paska marrë?!
Syni i saj si syni i zanës,
balli i saj si balli i hanës,
shtati i saj porsi hala n’bjeshkë,
kurrkund shoqen nën ket diell s’e paska!

Përshkrimi i bukurisë së Halilit ndjek të njëjtën teknikë me atë të Tanushës më sipër – nga lart poshtë; por është më i shkurtër, gati-gati sikur kallëzimtari druhet që ta teprojë me lektisjen pas hireve fizike të një heroi tashmë androgjin.

Nëse kjo metamofrozë e Halilit shënjon pastaj edhe kastrimin e një kreshniku që ndahet prej shokësh dhe jepet më shumë se ç’duhet pas hireve femërore, ky si interpretim varet nga predisponimi seksologjik i publikut.

Gjithsesi, për përshkrimin e Halilit rekrutohen tani elemente të reja: zana, hana dhe bjeshka; dhe jo rastësisht.

Në fakt, pak më përpara në këngë, rrugës për te Tanusha, që duhet kuptuar edhe si një rrugë iniciatike, Halili kalon mespërmes një peizazhi të ngjyrosur me elemente mitike pagane:

[Halili hipur në gjogun e vet]

Kalojnë male e kalojnë lugje
kalojnë breshtë e kalojnë ashtë,
kalojnë dit e kalojnë net,
n’rob t’zotit kurrkund s’hasin.
Po thot dielli: “Â ndorja e eme!”
Ka thanë hana: “Â ndorja e eme!”
Kanë thanë orët: “Â ndorja e jonë!”
Zot, a flet dhija në mal?
Paska folë dhija në mal!
Ça ka qitun e ka thanë?
Sa t’bajë dritë ka ndoren dielli,
t’errmen natë, ka ndoren hana,
armët e brezit ja ruen zana!
Fort Halili m’asht frigue.
Ç’asht ky za, zot, nëpër çeta?
P’a thue flasin dhitë e malit?
Mos gabo, se s’jem’ dhi malit,
se na jem’ tri dhi prej shkamit,
qi rrijmë bashkë me zana.
Sa mirë djali u ka përgjegjë:
Mirë p’e di se â logu i zanave
e fjalës suej un nuk i luej!
Syni i jem me ndore t’diellit,
kamba e eme ndorja e hanës,
erzi i armve ndorja e zanës,
deka e eme me orë çue!

Janë dielli, hëna dhe zanat, së bashku me orët dhe dhitë (si kafsha totemike që përçon zanat), të cilat më pas do të pasqyrohen edhe në fytyrën e Halilit androgjin.

Tanusha e merr Halilin të maskuar si vashë dhe e çon në një kullë buzë detit.

E ka zgjedhë Tanusha ‘i kullë ma t’mirën
n’breg të detit, përmbi ‘i shkam,
dymdhetë ketesh kulla e naltë,
kërkund shoqen nuk e kishte.
Treqind hapash kulla e gjanë,
t’tana ballet guri s’lmue,
anash krejt guri s’latue,
latue shkami prej mermerit.
Aty gurrat me u flladitë,
aty kopshti me u mahnitë,
aty velat me velzue,
me velzue për shpinë të detit.
Kur po hin njeri n’at kullë,
me kujtue se ka ndrrue jetë.

Kjo arkitekturë i përket një bote kështjellash mesjetare të përtejme për trojet e sotme të shqiptarëve; një univers social dhe kulturor në kontakt me kulturën, luksin dhe paranë që vinte prej Perëndimit. Tanusha dhe Halili bëjnë plan për të shpëtuar nëpërmjet detit:

Na po himë m’nji barkë me rrema,
na po himë m’nji barkë me vela;
ti vozit, un drejto velat!
Na çon zoti ‘i freski t’hollë,
na i shtyn velat për Krahinë.

Një Halil që vozit një barkë me vela, për të kapërcyer detin, është tepër larg Halilit kreshnik të bjeshkës, vëllait dhe bashkëluftëtarit të Mujit; pa folur për Tanushën, që krejt papritur vjen e merr atributet e një fisnikeje aventuriere që shëtit botën me jahtin e vet princëror.

Të dashurit mbyllen në atë kështjellë-pallat, për të shijuar njëri-tjetrin; edhe një herë, vargu i poemës e përshkruan çfarë ndodh brenda mureve me delikatesë të madhe:

paskan ndenjë tri ditë e net,
as kanë hangër, as kanë pi.

Kjo ëndërr nuk zgjat shumë as mund të zgjatë; Halilin e pikasin dhe ai nuk i bën asnjë farë qëndrese Krajlit, i cili e kap rob dhe ndryn në burgje të thella, teksa Tanushën e dëbojnë nga shtëpia dhe e lëshojnë rrugëve, sepse, siç i thotë e jëma, “kto janë rrugat, qi ke dashtë me marrë.”

Vjen edhe dita e ekzekutimit, që paskësh qëlluar e diel; krejt Kotorri mblidhet te Kisha, për të parë Halilin, që e sjellin aty të lidhur me hekura, për ta ngulur në hu. “A po e shef Halil dekën me sy,” i thotë Krajle Kapidani.

Përgjigjja e Halilit është një replikë gati shekspiriane, ku gjen të përmbledhur kodin etik të jetës së kreshnikëve:

Pa nigjo more Krajle Kapedane!
S’â ngusht njeri deri n’ditë të dekës,
Deka vjen mbas mikut t’pre,
deka vjen mbas besës s’thyeme,
a i kue buk t’mos kesh për mik.

Pastaj Halili i lyp Krajlit pesë dekika liri, të cilat ky ia jep bujarisht, që Halili të këndojë për herë të fundit me lahutë.

Sa burrnisht krajli e ka çue!
Gjithë sa t’duesh, Halil, me kndue!
Edhe duert mirë ja shpengojnë,
ja kanë dhanë lahutën n’dorë,
Kurkush djalin vesht s’und e ka marrë,
krejt p’e kndon kangën n’gjuhë të parve.

Pasazhi ka rëndësi kritike, për disa arsye. Halili shpreh dëshirën të këndojë me lahutë, çka është edhe një rimarrje, brenda këngës, e vetë veprimtarisë rrëfimtare që e përfton këngën, ose një dyzim i çfarë bën rapsodi; dhe Halili e këndon këtë këngë “n’gjuhë të parve”, që nuk ia merr kurkush vesh. Se çfarë do të ketë qenë kjo gjuhë e t’parve, për këtë vetëm mund të spekulojmë – por hipoteza më e besueshme është që të ketë qenë shqipja; meqë sllavishtja përjashtohet vetvetiu, si gjuhë që do të ishte marrë vesh sakaq nga të pranishmit. Duke qenë kjo gjuhë e panjohur element narrativ i këngës (meqë ka rëndësi që fjalët e Halilit të mos i marrin vesh të tjerët), atëherë mund të deduktohet, pa frikë, se të paktën Halili personazh i kësaj kënge nuk mund të ketë qenë ndonjëherë boshnjak.

Dhe ja çfarë këndon pikërisht Halili:

E kshtu drita e mbrame m’paska ardhun-o!
Dielli xanë e majet xanë!
Ku e latë ndoren, more diell?
Ku e ke ndoren, mori zanë?
P’a kjo â besa, qi m’patët dhanë?
A po m’gjegjesh, more diell?
Pash njat dritë, qi t’flakron n’ballë,
amanet ta paça lanë,
amanet për t’mramen herë!

Në momentin e vdekjes, Halili u kthehet zanave, orëve, diellit dhe hënës, duke u kërkuar të mbajnë fjalën e dhënë. Asnjë element religjioni nuk gjen në këtë thirrmë, as mysliman as të krishterë, por vetëm e vetëm një raport thellësisht pagan me peizazhin gjeografik dhe shpirtrat që e banojnë. Kulturës së pallateve, të mermerit, të anijeve me vela që çajnë detin dhe të luksit llamburitës, Halili i kundërvë natyrën, nëpërmjet një sermoni në gjuhën e të parëve.

Për mua, kjo është prova më bindëse, në krejt Ciklin e Kreshnikëve, për primatin arbër të së paku disa prej këngëve kryesore dhe më të rëndësishme, të cilat lidhen drejtpërdrejt edhe me shtresën më arkaike të korpusit; sikurse edhe për natyrën arbre të Halilit vetë, përtej mbishtresave osmane-islamike.

E tërë skena nuk di pse më kujton edhe mbylljen e tregimit Teologët, të Borges-it, ku rrëfehet si Gjoni nga Panonia, një teolog i dënuar me djegie në turrë të druve si heretik, teksa po e përpinin flakët u fal në greqishte, dhe pastaj në një gjuhë të panjohur.

Përndryshe, dénouement-i i Martesës së Halilit është katartik, por jo në lartësinë e rrëfimit që i paraprin; i lajmëruar prej Tanushës, Muji ia beh me trimat e vet për të shpëtuar të vëllanë nga vdekja, dhe së bashku me Mujin zbret edhe mali në fushë, në të gjitha kuptimet e kësaj shprehjeje:

me dhambë trimat duen shoshojnë me shkye,
me dhambë gjogat duen shoshojnë me marrë.
Notojnë kurmat fellë në det,
notojnë trupat nëpër gjak.
[…] Sa fort Muji m’asht tërbue,
Aspak dhimbë trimi s’po ka,
as për kulla qi rrenohen,
as për t’dekun qi shkrumbohen,
as për fmijë mbrendë kah po digjen.

Vetë Halili, tashmë i zgjuar prej transit androgjinik, e ekzekuton Krajle Kapidanin duke e ngulur në hu; si përfundim, heroi bashkohet me Tanushën, por kallëzimtari nuk tingëllon shumë entuziast, as shpenzon më shumë se një varg për të celebruar martesën e tyre:

Muer Halili ‘i vashë mbetë shkret!

P.S. Ende nuk e kam parë studimin monografik të Shaban Sinanit, për Mitologjinë në Ciklin e Kreshnikëve. Po lejohem të supozoj se atij nuk do t’i kenë shpëtuar disa nga elementet që vë në dukje unë më sipër; me ç’rast ky shkrim duhet përditësuar, për t’ia njohur atij kolegu primatin. U nxitova ta nxjerr materialin më lart në blog, sepse më duket se e plotëson deri-diku shkrimin e mëparshëm, për gjuhën e Mujit.

Nuk ka komente

  1. Për disa momente, teksa lexova shkrimin, mu duk vetja sikur po i shëtisja edhe unë ato vende, të stërlashta…
    Shkrimet e tua lexohen me shumë andje, XhaXha. Falemnderit, për kënaqësinë që na dhuron..!!

  2. Po serbisht a ka ekuivalent kjo kenge? Nese ka, a kendon edhe aty Halili ne gjuhen e te pareve?

    1. Me aq sa pata mundësi të kërkoj, as Lambertz-i dhe sidomos as Skendi nuk përmendin ndonjë motërzim sllav të kësaj kënge. Lambertz-i e analizon gjerë e gjatë, sidomos ngaqë e gjen shumë të çuditshme gjeografinë e këngës (ecejaket nga Danubi në Kotorr, dhe sidomos idenë se Halili me Tanushën mund të arratiseshin nga Kotorri në Krajinë – ku i priste gjogu – me rrugë detare); por askund nuk flet për ndonjë motërzim sllav.

  3. The focus of Albanian epos is the war hero, whereas the peace hero, “second hero” — Halil — is more inclined to the cult of beauty. In Hellenic epos, Odysseus had to subdue temptations of adventure and escape, far away from his country as he was; as such he had to resolve situations with wisdom; whereas in Albanian epos, Halil is living in his native country and has to win the hearts of “chicks” of human grace.

    Prof.Dr. SHABAN SINANI_ Epos of Albanians

    Nuk e di nese ky paragraf eshte nga studimi qe permend Xhaxhai apo nga ndonje permbledhje e shkurter , eshte vetem 4 faqe.

    Gjithsesi do ta prisja me shume kersheri nje interpretim nga Xhaxhai per : “Halil is living in his native country ..”

    1. Do të pres deri sa ta marr në dorë librin e Sinanit në shqipe (është studim i plotë monografik). Kam frikë se pasazhi më sipër do të ketë humbur diçka në përkthim, meqë ” Halil is living in his native country and has to win the hearts of “chicks” of human grace” më tingëllon pa kuptim.

  4. Edhe Skendi në një përpunim të mëvonshëm të kapitullit të VII të librit mbi poezinë epike të shqiptarëve dhe të sllavëve të jugut të botuar në Studime Kulturore Balkanike shprehet se “Martesa e Halilit” dhe “Omeri i Ri”, janë dy këngë që i përkasin krejt kulturës shqiptare, të shkëputura nga motivet boshnjake. E bazon këtë në gjuhën e këngëve që është më e pastra, me përdorim të pakët të fjalëve serbe e turke, në shpirtin origjinal të malësorëve shqiptarë të veriut që përmajnë këngët si dhe në përdorimin e Kanunit. Autori shton se sa më larg nga Bosnja këndohen poemat gojore, aq më tepër sundon në to modeli kulturor shqiptar i malësive të veriut duke arritur kulmin me dy këngët e mësipërme që këndohen përkatësisht në Curraj dhe Mërtur, afër krahinës së Dukagjinit.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin