Më 3 nëntor të vitit 1969, Byroja Politike e KQ të PPSh shqyrtoi relacionin “Mbi disa probleme të zhvillimit të mëtejshëm të shkencave albanologjike në vendin tonë,” përgatitur nga Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë (atëbotë Akademia e Shkencave ende nuk ishte krijuar). Me atë rast, e mori fjalën edhe Enver Hoxha, i cili në thelb përcaktoi orientimin që do të ndiqte albanologjia në Shqipëri, për vitet në mos dhjetëvjeçarët e ardhshëm (“Studimet historike t’i shërbejnë sqarimit të problemeve të gjenezës së popullit tonë”, diskutim në mbledhjen e Byrosë Politike të KQ të PPSH, Vepra 42, f. 73 dhe vazhdim).
Duke theksuar premisën që studimet albanologjike “duhet të bazohen në shkencë, në radhë të parë në shkencën marksiste-leniniste”, dhe të mos kenë “gjurmë shovinizmi,” Hoxha sqaron edhe se “në studimet tona duhet t’u përgjigjemi në mënyrë shkencore dhe të bazuar atyre që kanë pretendime tokësore ndaj Shqipërisë.”
Përveçse shkencore, “studimet tona në këtë fushë” duhet të jenë edhe “kurdoherë superiore ndaj atyre që kryhen jashtë Shqipërisë,” në mënyrë që “t’u imponohemi atyre studiuesve të huaj që kanë pikëpamje antishkencore.”
Kornizimi që i bën Hoxha statusit të studimeve “tona” albanologjike i vendos këto – me të drejtë – në kontekstin global dhe kjo, siç do të shohim më pas, nuk është pa rëndësi; tek e fundit, albanologji nuk bëjmë vetëm ne, por edhe të tjerët, dhe fakti që ne si shoqëri dhe kulturë mund të jemi, njëkohësisht, subjekt dhe objekt i këtyre studimeve, nuk na jep vetvetiu ndonjë përparësi, as ndonjë epërsi. Përparësinë dhe epërsinë duhet ta sigurojmë vetë, sugjeron Hoxha, nëpërmjet ballafaqimit.
Në mënyrë tipike, përparësinë albanologjisë në Shqipëri do t’ia japë “shkenca marksiste-leniniste.”
Në gojën e Hoxhës dhe veçanërisht në lidhje me albanologjinë, kjo premisë nuk ka asnjë kuptim – meqë as ai, as ndonjë “fillozof” i kohës, nuk e kanë shpjeguar dot si mund të konceptohet dhe aq më pak të ndërtohet një albanologji “marksiste-leniniste.”
Megjithatë, lideri totalitar i Shqipërisë sjell një bon sens aq të domosdoshëm dhe objektivisht të mirëpritur, në këtë debat për drejtimin që duhet të marrë albanologjia në Shqipëri. “Ne nuk kemi bërë e nuk bëjmë përvetësime, duke paraqitur shqiptare ato që s’janë të tilla,” thotë ai; dhe më tej, duke përmendur etruskët, vëren se, sa kohë që hipoteza që këta “janë paraardhësit e shqiptarëve” mbetet supozim, nuk mund të na udhëheqë në studimet tona.
E njëjta qasje edhe ndaj pikëpamjes së “origjinës pellazgjike të shqiptarëve,” së cilës i mungojnë provat; sikurse mungojnë provat për të vërtetuar se kultura greke është themeluar mbi atë pellazge.
Më tej, Hoxha u kthehet disa përpjekjeve, të “njerëz[ve] tanë që merren me shkencë” për të paraqitur “si të kulturës ilire monumentet e kulturës greke, romake ose greko-romake të zbuluara te ne, gjë që nuk është aspak e drejtë, përkundrazi një punë e tillë është antimarksiste,” thotë ai. “Dihet që kultura e Apolonisë, sikurse edhe ajo e Durrësit është një kulturë e përzier greko-romake.”
Edhe sa i përket kulturës bizantine, qasja nuk ndryshon. “Arkitekti shqiptar që ka bërë kishën e Labovës së Kryqit është artist i madh, megjithatë stili i kësaj kishe është i frymëzuar nga ai bizantin, mbasi siç dihet kisha të tilla janë ndërtuar me shumicë në të gjitha vendet e Mesdheut Lindor.”
Pasi u ka treguar vendin ngashënjimeve “përvetësuese” të disa albanologëve në Shqipëri, Hoxha sugjeron që “punonjësit tanë të shkencave albanologjike […] ta vënë theksin më shumë tek ilirët, për arsye se faktet, dokumentet dhe të gjitha të dhënat arkeologjike, historike etj., janë më të plota për të vërtetuar prejardhjen e shqiptarëve prej tyre.”
Me fjalë të tjera, u thotë ai studiuesve, nëse doni të bëni etnocentrizëm, bëjeni atë me këmbë në tokë, ose pa i dhënë flatra fantazisë: studiojini ilirët jo aq në vetvete, sa për të vërtetuar etnogjenezën e shqiptarëve, sepse ashtu do të jeni edhe më të besueshëm për botën.
Kjo këshillë ka reperkusione edhe në arkeologji. Vazhdoni të gërmoni në rrënojat që kanë lënë grekët dhe romakët në trojet shqiptare, u thotë Hoxha arkeologëve, por mos harroni se “punimet tona arkeologjike duhet të përqendrohen më shumë në zbulimin e monumenteve ilire dhe të të gjitha fiseve dhe popujve me të cilët vërtetohen prejardhja dhe kultura e popullit shqiptar.” Mos e bëni, pra, si ai i dehuri që i kërkonte çelësat e humbur poshtë llambës neon: fakti që metodat dhe teknikat arkeologjike janë zhvilluar në mjedisin e studimeve klasike greko-romake, nuk duhet t’i shtyjë arkeologët shqiptarë të gërmojnë veç rrënojat e këtyre qytetërimeve.
Kjo nuk përjashton, vëren Hoxha, që arkeologët të punojnë me monumente të kulturës botërore – si amfiteatri i Durrësit; pa çka se “zbulimi i monumenteve të tilla nuk ka shumë rëndësi për ne.” Edhe studimet dhe gërmimet që kanë bërë në të kaluarën në Shqipëri arkeologët dhe historianët e huaj, si Rei, Ugolini etj., u kanë shërbyer “interesa[ve] të tyre.”
[Vallë ta konsideronte lideri totalitar shqiptar këtë varësi hipotetike të dijes nga interesat politike si korolar të konceptit marksist-leninist për kërkimin shkencor? Në kuptimin që dija e çinteresuar i shërben gjithnjë atij që ka aktualisht pushtetin?]Prandaj, porosit Hoxha, “të mos i hedhim të gjitha forcat që disponojmë për të zbuluar mozaikët e Pojanit”; dhe as “të mburremi […] me faktin historik që Belizari ka qëndruar tre muaj në Durrës për të pritur kavalerinë e Justinianit e me trupat ilire që dërgoi ai në Ravenë, kur dimë që ato janë marrë si mercenare.” Po ashtu, “nga historia dihet mirë se Mark Antoni dhe Cezari kanë ardhur në Shqipëri. Po ç’na duhet neve të nisemi të gërmojmë për të gjetur të dhëna materiale për këtë?”
Vërtet, ç’na duhet? Ka logjikë dhe koherencë, në këto këshilla e porosi të Hoxhës për albanologjinë shqiptare, e cila – në thelb – u dashka t’i shërbejë ideologjisë kombëtare dhe të përqendrohet në çështje të etnogjenezës, por gjithnjë në dialog dhe brenda kontekstit të studimeve albanologjike dhe historike-gjuhësore që bëhen gjetiu.
Pa çka se, vetëm nëntë vjet më parë, Hrushovin e çuan të vizitonte Butrintin, jo kalanë e Shurdhahut.
Ky qëndrim duhet t’u rrijë larg, gjithnjë sipas Hoxhës, të dy skajeve drejt të cilave priret lavjerrësi i studimeve albanologjike në Shqipëri: teorive pellazge, etruske dhe fantazmagorive të tjera për primatin e shqiptarëve ndaj kulturave si ajo greke dhe romake që i kanë dhënë tonin antikitetit në Europë nga njëra anë; lektisjen e rehatshme pas studimeve klasike, ose obsesionit me arkeologjinë greke dhe romake në Shqipëri dhe qëmtimin ballor të huazimeve në shqipen e lashtë, nga ana tjetër.
Ironikisht, këto këshilla dhe porosi e ruajnë një vlerë edhe sot.
Ka arsye të supozohet se, në përgatitjen e këtij diskutimi, Hoxha është këshilluar ai vetë ose aparati i tij, me ndonjë specialist të kohës – Buda, Çabej dhe Kostallari janë emra që të vijnë në mendje (pa lënë jashtë të tjerë); sepse orientimet që shtjellon Hoxha duken të mbështetura mirë në dije (dhe jo në broçkulla kombëtariste), aq sa të kenë shërbyer si platformë edhe për studimet në vitet 1970, përfshi edhe Kuvendin I të Studimeve Ilire, që u mbajt në Tiranë në vitin 1972.
Orientimi për t’u përqendruar fort te lidhjet iliro-shqiptare, si në gjuhësi ashtu edhe në arkeologji njëfarësoj e ruajti albanologjinë tonë nga rravgime dhe marrëzi të tilla si ato që ndodhën, bie fjala, në Rumani (protokronizmi) dhe më pas në Maqedoninë e Veriut, të frymëzuara nga kombëtarizmi irracional. Edhe këshillat për t’i lënë mënjanë fantazitë pellazge dhe etruske nga njëra anë, dhe për t’u përqendruar në arkeologjinë ilire nga ana tjetër, janë të tilla që çdo albanolog profesionist do t’i kishte nënshkruar.
Aq sa këtë ndërhyrje të Hoxhës në orientimin e studimeve albanologjike në Shqipëri unë do ta krahasoja, duke ruajtur përpjesëtimet e duhura, me ndërhyrjen e Stalinit njëzet vjet më parë, në orientimin e studimeve gjuhësore dhe socio-gjuhësore në Bashkimin Sovjetik, për t’i shkëputur këto nga fantazitë e Nicholas Marr-it dhe pasuesve të tij.
Në të dy rastet, shohim një udhëheqës politik që merr përsipër të përcaktojë kriteret teorike, sipas të cilave duhet të zhvillohet dija e specializuar – gjuhësia teorike në rastin sovjetik; gjuhësia historike, arkeologjia dhe historia e etnogjenezës në rastin shqiptar.
Arsyet pse ka ndodhur kështu, si për Stalinin ashtu edhe për Hoxhën, nuk mund t’i faturohen thjesht megalomanisë, ose bindjes se udhëheqësi suprem është edhe filozof dhe metodologjist i gjithëditur.
Duhet të marrim parasysh, përkundrazi, se, në kontekstin e sistemit totalitar, orientime të një frymëmarrjeje të tillë për çështje “të nxehta” dhe përçarëse të elitave, mund të formulohen dhe të imponohen vetëm nga një lider që qëndron ai vetë jashtë sistemit.
Mund të përfytyrojmë si, brenda qarqeve të studiuesve albanologë në Shqipëri, pakkush do të ngrihej dhe të parashtronte ato pak teza elementare, që ka shkoqitur Hoxha në fjalimin e vet. Cili vallë do të guxonte të thoshte se qytetet antike të Durrësit, Apollonisë dhe Butrintit nuk duhet të kishin përparësi në studimet tona? Se hipotezat e lidhjeve të lashta të stërgjyshërve të shqiptarëve me pellazgët dhe etruskët ishin të pambështetura shkencërisht? Se arkeologët shqiptarë, për shkak të burimeve njerëzore dhe financiare të kufizuara, duhej të përqendroheshin në gërmime dhe zbulime të vendbanimeve ilire në brendësi të vendit?
Askush nuk do të guxonte të shprehej kështu, pa u akuzuar sakaq si “anti-shqiptar” ose “i shitur”.
Nga ana tjetër, le të mbajmë parasysh se studimet albanologjike në Shqipërinë e atyre viteve, si çdo ndërmarrje tjetër diturore, ishin të financuara nga shteti; çka do të thotë se vendimet në lidhje me përparësitë kishin gjithnjë edhe natyrë politike. Nëse ti ke mundësi të financosh – bie fjala – vetëm një ekspeditë arkeologjike këtë verë, atëherë duhet të vendosësh nëse do ta dërgosh këtë të lëmojë kapitelet në Apolloni, apo të marrë vesh se të kujt pikërisht janë varret enigmatike në Koman?
Hoxha merret edhe me qëllimin e këtyre studimeve: gjithë duke u kujdesur të ruajë qasjen “marksiste-leniniste”, ai e bën të qartë se albanologjia shqiptare duhet t’u shërbejë interesave të kombit, duke filluar që nga çështje të tilla relativisht banale për dijen, si ajo e pretendimeve territoriale.
Po çfarë ka pikërisht marksiste-leniniste, te kjo bindje se rivendikime të tilla mund të mbështeten dhe të përligjen me argumente të natyrës historike dhe gjuhësore? Me aq sa kuptoj unë, asgjë. Argumenti i Hoxhës është thjesht pragmatik: sa kohë që albanologjinë e financon shteti (populli, etj.), thotë ai, ajo duhet të orientohet ashtu siç e duam ne që të orientohet, dhe pikërisht drejt objektivave me natyrë etnocentrike dhe kombëtariste.
Më me interes, në këtë kontekst, është fakti që – pavarësisht nga denatyrimi që ia bën etnocentrizmi dijes – albanologjia në Shqipërinë totalitare mbeti në thelb e integruar në dijen historike dhe gjuhësore kontinentale; arritje jo e vogël në vetvete, dhe para së gjithash për meritë të atyre dijetarëve që do ta kenë këshilluar Hoxhën.
Në fakt, duke lexuar tani atë fjalim të vitit 1969, të krijohet përshtypja se rruga që morën studimet albanologjike në Shqipëri në vitet 1970 nuk ka qenë e vetmja e mundshme dhe as ajo me më shumë gjasa për t’u realizuar; dhe se rreziku që diskursi i etnogjenezës dhe i prejardhjes shqiptare të kapej nga demagogët, mistifikatorët dhe sharlatanët ka qenë në ato vite më i madh se ç’mund të kujtohet sot.
Dhe ky rrezik nuk mund të kundërshtohej që nga brenda sistemit; aq më tepër në rrethanat historike të izolimit politik të Shqipërisë në vitet 1960, të cilat mund të ushqenin dhe me siguri ushqyen tundime “ekscepsionaliste” mes historianëve dhe gjuhëtarëve të kohës (irrational drift); ose të tilla që t’i nxirrnin shqiptarët si popull unik në Europë dhe në botë jo vetëm në aktualitet (“vendi i vetëm socialist…”) por edhe në lashtësi (“populli më i lashtë…” “gjuha më e vjetër…”). Njëlloj, ose për arsye politike praktike, mund të viheshin në pikëpyetje edhe studimet ilire në Shqipëri, sa kohë që qendra e iliristikës, në ato vite, ishte zhvendosur në Jugosllavinë e Titos.
Në kontekste totalitare, debatet dhe kundërvëniet gjithnjë fitohen nga pala që ia lejon vetes t’i shtyjë pikëpamjet e veta deri në ekstrem – ngaqë është e paturpshme, cinike ose makiaveliste ose ngaqë thjesht e ka humbur arsyen; prandaj edhe ndërhyrjet e liderit, që nga jashtë sistemit, do të duken gjithnjë si një kthim në normalitet, ose thirrje për racionalitet dhe sens të masës.
Që kjo do t’ia masazhojë pastaj egon edhe liderit vetë, është çështje tjetër.
© 2015-2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Kopertina: pamje nga parku arkeologjik i Antigonesë.
Hoxha kërkon që faktet shkencore të interpretohen sipas marksizmit historik, pra evolucioni i shoqërive nuk është dhuratë e atyre që janë lart, por e kontradiktave të brendshme të çdo shoqërie, pra të “luftës së klasave” si lokomotiva etj etj.
Se si e kupton këtë, ai e shpjegon duke bërë një interpretim të tijin diku për Haxhi Qamilin, duke e përqasur me Pugaçovin e të dy duke i parë si shprehje të luftës së klasave. Pra, gjithandej ne shkencat historike e arkeologjike, duhet gjetur e zbuluar “roli i popullit”.
Më tej mendimi i Hoxhës për albanologjinë ka evoluar në kohë. Jam dakord qe ketu do të kenë rol shkencëtarët e mësipërm, Buda, Cabej por edhe të tjerë.
Një vit më parë këtij fjalimi, me rastin e inaugurimit të një ekspozite etnografike, ai fluturon me presh me pasionin që tregon për pellazgët, duke cituar “tezat” e Spiro Kondës. Ka një regjistrim radiofonik të pazbardhur kurrë për këtë ngjarje dhe kujtoj pasionin dhe guximin me të cilin e kundërshtuan disa nga krerët e shkencës së kohës. Hoxha u tërhoq. Jo, po qe desha të them, ia bëri diku, kur i folën për absurditetin foshnjor dhe natyren antishkencore të asaj teorie dhe të atij libri diletantësh (qe ate çast me siguri ata nuk e dinin se e kishte rekomanduar ai per botim).
Pastaj nëse librat e Z. Majanit u botuan me tirazhe të rëndësishme nga shtypshkronjat ushtarake, kjo nuk ishte gjë e rastit dhe as me urdhër te Sulejmen Matos. Hoxha, pas entuziazmit të pafat per tezen pellazgjike u përflak emocionalisht edhe nga teoria etruske.
Në mos gaboj, u nisën menjëherë studiues (Mancaku dhe një tjetër me duket) për ta parë nga afër punën në Francë.
Me përjashtim të kohës së monarkisë, kurrë nuk kishte ndodhur të dërgonin dikë jashtë, në ndonjë qendër albanologjike, që të përforconte formacionin për prejardhjen ilire.
Dhe dërguan për shpjegimet e marra të gjuhes etruske me shqipen!!!
Pas kësaj është e vështirë të shohësh dikë tjetër veç Hoxhës. Asnje kontradite ne forme me marrezine e madheshtise se tij si udheheqes i proletariatit ne bote dhe gjuhes shqipe si çeles i enigmave te kesaj bote.
Pastaj detyrimisht, ai u be pak me racional. Se ne te vertete, ne kete fushe nuk ka racional dhe jo racional. Ka racional dhe qesharak.
Ai ishte mjaft i zgjuar per ta kuptuar kete.
Me sa di unë, Hoxha kish respekt të veçantë për Spiro Kondën dhe e ndihmoi që ta botonte librin për pellazgët, edhe pse në Institutin e Historisë kishin rezerva të mëdha, kryesisht ndaj metodologjisë së tij jo rigoroze, ose qasjes kryesisht filologjike ndaj një problemi që indo-europianistika e shihte tani ndryshe.
Edhe më pas ai ka treguar interes të madh për pellazgët, madje i ka kërkuar Moikom Zeqos, në një bisedë mjaft të publicizuar, që kushtonte pak vëmendje kësaj pune. Por kjo ka ndodhur natyrisht pas vitit 1969 – besoj dikur në 1971 ose në 1972.
Hoxha kish shprehur dëshirën që të dërgohej një specialist, nga Instituti i Gjuhësisë, edhe në Itali, për të studiuar nga afër mbishkrimet etruske. Kjo kërkesë u zvarrit, hyri në gjithfarë kanalesh burokratike, Hoxha ndërkohë vdiq, dhe më në fund qeveria italiane e dha një bursë në vitin 1987. Për arsye të çuditshme, këtë bursë ma ofruan mua!
Më thirri Androkli Kostallari në zyrë dhe ma dha lajmin – unë natyrisht do të kisha shkuar të studioja në Itali edhe për astrologji sikur të ma ofronin, jo më për etruskologji. Kostallari më tha se ishte shumë skeptik ndaj gjithë kësaj pune dhe më porositi që ta shfrytëzoja qëndrimin në Romë për të studiuar gjëra me bukë…
Në fakt, kur shkova në La Sapienza qeshë i detyruar të ndjek leksione edhe në etruskologji, edhe në epigrafi italike, përveçse në epigrafi latine; por sa për sy e faqe. Nuk e kisha përgatitjen e nevojshme për t’u marrë me këto gjëra; isha i bindur se tezat e Mayani-t ishin pa bazë; dhe mendoja se librat e tij gjithsesi duheshin konsideruar si kontribute për studimin e etruskishtes, jo të shqipes. E vetmja gjë që mësova atje, në lidhje me etruskishten, ishte se edhe studiues si Vladimir Georgiev-i, që e kishin “zbërthyer” etruskishten si indo-europiane, nuk është se ishin treguar më rigorozë se egjiptologu hebreo-frëng…
Dhe ndoqa, natyrisht, këshillën e Kostallarit.
Por siç e thua ti, Mayani nuk do të përkthehej dot pa kërkesën e drejtpërdrejtë të Hoxhës. Libri i tij në shqip kishte kaq i vështirë nga ana tipografike – për shkak të shenjave të shumta jostandard – saqë u shtyp në Rumani, njëlloj si “Meshari” i Buzukut i përgatitur nga Çabej. Kjo valutë mund të dilte nga sëndyqet e shtetit vetëm me urdhër nga lart fare.
Kam përshtypjen se fjala e Enver Hoxhës që analizoj më lart ishte një episod mes shumëve; dhe se atje ai ishte konsultuar rëndshëm me specialistët. Më pas, kur efekti i specialistëve është dobësuar, u është kthyer lektisjeve të veta për pellazgët dhe etruskët; meqë ndërkohë do të jetë takuar edhe me Mayani-n vetë.
Ironikisht, kur Mayani erdhi në Shqipëri, pak a shumë në kohën kur iu botua libri (1972?) atë e shoqëroi Androkli Kostallari: nuk do të ketë pasur çift më të çuditshëm në këtë cep të Ilirisë së Poshtme. Kushedi për çfarë do të kenë biseduar. Mayani ndoshta do të jetë përpjekur ta rekrutojë edhe Kostallarin në shkollën e vet të mendimit magjik; por Kostallari nga ai vesh nuk dëgjonte – ishte tepër esëll. Madje, nga sa kam kuptuar në bisedat që kisha me të, nuk kish ndonjë konsideratë të madhe as për dijen etimologjike dhe shkollën historike-krahasuese.
kini parasysh qe Hoxha ndertoi Institucione Shkencore dhe per gjuhen. Gjuhetaret jane gjalle akoma dhe nqs do ishte keshtu sic thoni ju do i kishin ndryshuar ato qe jane gabim. Pur kane dalur ca Sharlatane qe me kulture fondamentaliste fetare duan ti heqin vlera gjuhes shqipe ne emer te italianizmit qe kane ne gjak. Sikur 20 % te behet sot sa eshte bere ne komunizem per gjuhen jeni te nderuar.
Mediat shqiptare po transformohen gjithnjë e më tepër në mjete propagande apo reklamimi; reklamim të drejpërdrejtë e të fshehur bashkë Peizazhe.com është nga të paktat që lexoj me kënaqësi dhe veçanêrisht shkrimet e komentet me karakter albanologjik. Mos e dëmtoni këtë vend me sulme politike.
I/E dashur LD: të lutem, jo më ad hominem në komentet dhe aq më pak kur ti vetë përdor pseudonim. Nuk e bëjmë këtë gjë këtu, sepse nuk është e hijshme, as e ndershme. Më beso, nuk më pëlqen fare ta luaj këtë rol, por si administrator i faqes kam një farë përgjegjësie për çfarë shkruhet.
xhaxha, kam pershtypjen se “vala” etruske ka mbrritur ne Shqiperi para viteve ’70, pra diçka para preniumit ne fjale qe ananlizon. Ka mundesi me 1968. Mbaj mend te kem qene shtruar ne spital dhe meqe gjendja gjykohej e rende, im ate qe nuk shihte dot me sy liber tjeter perveç atyre me llogaritje matematike e konstruksionesh te natyres termodinamike, beri sakrilegjin e madh dhe me solli ne spital vellimin e pare te Majanit, qe sapo kishte dale: Etrusket filluan te flasin, qe ne lexim te pare me entuziazmoi, edhe pse nga pala e ketejme i referohej kryesisht Shuteriqit.
Keshtu, per pleniumin ne fjale, roli i personave qe citon, duhet te jete i dores se pare (listes tende do t’i shtoja edhe emrin e prof. Xhuvanit, qe gezonte autoritet te padiskutueshem edhe ndaj vete Hoxhes). Per te tjerat pastaj “pergezimi” yne per te mbetet si heroizmi i Stanisllav Petrovit, qe nuk leshoi bomben atomike dhe nuk beri te mundur luften e trete boterore, jo duke gjetur ndonje alternative ndaj luftes, por vetem se e binden te dyshoje ne rezultatin e komjuterave (me emrin code: Majani, Konda etj) , qe jepnin sinjale fallco per pese raketa te nisura drejt Rusise.
Por paranoja e Hoxhes nuk do te vonoje te kthehet nga fundi i jetes se tij, kur shprehu pakenaqesine per termin “albanologji”, foli per nevojen e nje reformimi marksist te saj, per ta arritur kulmin me sugjerimin e librit te Barletit (pra me forcat dhe burimet tona) per ndriçimin e problemeve te medha te Historise se Shqiperise. Te atij Barleti, pra, qe nuk iu dridhte penda te shkruaje se: nga tanet u vrane nja shtate a tete dhe nga armiku nja njezet mije!!!
Lyss, libri i Mayani-t, “La Fin du mystère étrusque” më rezulton të jetë botuar në frëngjisht në vitin 1970. Ky është edhe libri që u përkthye në shqipe. Megjithatë, mbaj mend që një vizitor në shtëpinë e Hoxhës të ketë shkruar dhe më pas, në kujtimet e veta, se diktatori kishte në bibliotekë një libër të Mayani-t – por ky do të ketë qenë libri i tij tjetër, i mëparshëm: “Les etrusques commencent à parler” (1961), i cili u botua në shqip shumë më vonë, me përkthim të Skënder Shkupit.
P.S. Sipas Google Books, “Fundi i misterit etrusk” është botuar në shqip në vitin 1973, nga “Shtëpia botuese e librit politik” (!).
“Prandaj, porosit Hoxha, “të mos i hedhim të gjitha forcat që disponojhmë për të zbuluar mozaikët e Pojanit”; dhe as “të mburremi […] me faktin historik që Belizari ka qëndruar tre muaj në Durrës për të pritur kavalerinë e Justinianit e me trupat ilire që dërgoi ai në Ravenë, kur dimë që ato janë marrë si mercenare.””
Këta luftëtarë të Belizarit janë të njëjtët ilirë që një ditë të caktuar – ndërsa luftimet në Itali vijonin ende – vendosën të dezertonin së bashku dhe të ktheheshin në vendin e tyre, pa pyetur askënd dhe pa u shqetësuar më pas prej askujt. Kjo mund të ndodhte vetëm nëse i përkisnin një entiteti politik të veçantë të konsoliduar në territoret dardane, shpjegon Noel Malcolm në librin “Kosovo a short history”. Arsyetim mëse llogjik pasi vertetë vepronin si të ishin pjestarë të një popullsie gjysmë të pavarur nga Bizanti, dhe jo si nënshtetas të integruar të perandorisë.
Është vërtetë e çuditshme sesi një episod që konsiderohet me përbuzje nga “udhëheqësi” dhe albanologët shqiptarë të cilët e këshillonin, mund të dallohet si mjaft i rëndësishëm për të kuptuar historinë tonë, prej mprehtësisë së një studiuesi të huaj të mëvonshëm.
Çudi si këto trupa dardane, me siguri heroike, të besës dhe krenare që ishin dardane (me nder teje), nuk kërkuan strehim politik në Itali. Nuk e kishin mësuar akoma marifetin, me sa duket.
Atëkohë Italia dhe gjysma e botes iu perkisnin dardanëve, nuk kishin nevojë për strehim politik 😀 Duhej trimëri, aftësi organizative, besë etj për të organizuar dezertimin e disa mijëra vetëve, prej Italisë së Veriut në Dardani. Dhe për këtë duhet të ishin krenarë. … Jo, seriozisht: dezertuan së bashku për shkak se vendi i tyre po sulmohej nga trupa hunësh, ose pse nuk ishin paguar prej kohësh, – arsyeja nuk dihet mirë, E kuptoj që po ekstrapolon për të ironizuar situatën ku fatkeqësisht ndodhemi sot, dhe në fund të fundit është një ndjenjë pa lidhje, por janë disa periudha, siç epoka e Skënderbeut, apo kjo kohë e shekullit VI, ku besoj të vjetrit duhet të kenë qenë krenarë për përkatësinë e tyre.
Që të mos i iki temës -, ky është shembull i mirë sesa rezultativ është dikush siç Malcolm që fokusohet vetëm tek studimi dhe kuptimi i historisë, në krahasim me dikë më tepër moralist dhe me një farë ndjenje superioriteti ndaj kulturave të tjera.
Ke të drejtë, o Gjergj – nuk i rezistova dot shakasë, por edhe m’u duk me vend. Unë shoh një lidhje midis krenarisë për ngjarje me të cilat nuk na bashkon asgjë veç gjeografisë, dhe katastrofës së sotme – ku njerëzit ikin nga dheu i tyre për një fjalë goje, por të therin me thikë po t’u thuash një fjalë për flamurin. Kjo nuk është më histori, por mistifikim fetar – dhe ndryshe nga fetë tradicionale, vjen në trajta krejtësisht amorale. Të jesh shqiptar, sipas kësaj doktrine, do të thotë t’i kesh mbijetuar vdekjes së Zotit.
Po, dhe për të mos folur për ata të tjerët, burokratë, zyrtarë, juristë etj, që iu bëjnë jetën ferr të parëve dhe i detyrojnë të ikin. Këta janë më patriotët dhe më krenarët e krenarëve.