QIEJT E ETIMOLOGJIVE (II)

Ka një takëm folk-etimologësh, pa folur për vullnetarët, që nuk bëjnë dot dallim mes etimologjisë së një fjale dhe motivimit të saj. Motivimi – ose marrëdhënia relativisht e qartë e një fjale me një fjalë tjetër, e tillë që të kalojë nëpërmjet një kuptimi të përbashkët – është pjesë e mënyrës si funksionon gjuha në sinkroni (në bashkëkohësi); nuk duhet të jesh historian i gjuhës, që ta dish se emrat lexim dhe lexues, ose mbiemrat i lexueshëm dhe i palexueshëm, lidhen kuptimisht me foljen lexoj dhe “motivohen” prej saj. Është thënë prej kohësh, se motivimi e dobëson arbitraritetin e shenjës gjuhësore – duke vendosur lidhje horizontale mes fjalëve.

Por etimologjia fillon atje ku motivimi nuk mundet më; madje edhe në ato raste kur dikur mundej – dhe këtu vjen në vështrim përmasa diakronike (historike) e gjuhës. Për shembull, ideja se fjala pikë mund të jetë një emër i rrjedhur nga folja pjek i përket etimologjisë, jo motivimit; sepse për folësin e sotëm të shqipes pikë nuk është fjalë e motivueshme. Ky hulumtim i fjalëve të motivueshme, në rrjedhë të shekujve, i lejon etimologut të rindërtojë gjendje gjuhësore të hershme, veçanërisht për raste si shqipja, që janë dokumentuar me shkrim vonë.

Gabimi – do të thoja elementar – i turbo-albanologëve dhe i folk-etimologëve është se kërkojnë ta zëvendësojnë etimologjinë me motivimin, në përpjekje edhe për të qetësuar ankthin metafizik, që u shkakton arbitrariteti i shenjës (u duket e vogël distanca mes shenjës arbitrare dhe fjalës “së huaj”). Në lëmin e toponimisë, motivimi i emrave të huaj shërben edhe si akt pronësie – që ua heq ato vende të huajve (“sllavëve”) dhe ua kthen pronarëve të ligjshëm.

Motivimi morfo-semantik i një fjale – se ky lloj më intereson – është një lidhje e fjalës me fjalë të tjera, e tillë që të ndihmojë për ta kuptuar fjalën edhe kur folësi nuk e ka ndeshur më parë. Ashtu, kompozita zemërmirë motivohet nga dy pjesët e saj përbërëse, zemër dhe mirë, të cilat u përgjigjen fjalëve që folësi pritet t’i njohë; por edhe nga struktura e ngjashme me atë të fjalëve të tilla si zemërgjerë, zemërbardhë, zemërlig, të cilat motivohen njëlloj; dhe më tej, e kompozitave të tilla si faqebardhë, mendjemadh, këmbëshpejtë të cilat kanë të njëjtën strukturë kuptimore (në leksikologji, këto njihen si kompozita “pronësore”). Motivimi e dobëson arbitraritetin e shenjës, sepse nëse fjala zemër është arbitrare dhe nuk ka ndonjë lidhje logjike ose analogjike me kuptimin e saj, fjala zemërmirë është vetëm relativisht arbitrare, sepse përndryshe u referohet dy pjesëve të veta (zemër dhe mirë).

Motivimi tregon ekzistencën e një lidhjeje kuptimore pak a shumë të rregullt, por nuk e specifikon atë në hollësi. Ashtu, një fjalë si valltar mund të shënjojë vërtet dikë që hedh valle, por valltar është edhe ai që është ngritur të kërcejë në një dasmë, edhe ai që e ushtron këtë aktivitet si profesion. Te valltar, morfema -tar është një prapashtesë fjalëformuese e cila shënjon një emër vepruesi, dhe që mund të zbërthehet në “ai që”; por nuk ka ndonjë lidhje midis -tar dhe emrit të vepruesit në leksik, siç ka midis fjalëve valltar dhe valle; dhe në këtë vështrim, prapashtesa -tar sillet ngjashëm me një prapashtesë gramatikore, p.sh. -ja te shumësi gurë, ose edhe një mbaresë: te një folje si lexoj, mbaresa -j shpreh vetën e parë njëjës të së tashmes, në mënyrë poaq arbitrare. Motivimi – të paktën motivimi morfosemantik – është hapësira ku leksiku takohet me morfologjinë, duke marrë pjesë edhe ai në shprehjen e kategorive logjiko-semantike (p.sh. emrat e veprimit, emrat e vepruesit, kompozitat pronësore, mbiemrat e tipit i papunë, mbiemrat e tipit i durueshëm, ndajfoljet e tipit vazhdimisht, etj.) Si rregull, kur folësi ndeshet me kësisoj fjalë të motivuara, procedon me “rregull treshi”: njëlloj si kërkim vjen nga kërkoj, ashtu edhe gjakim do të vijë nga gjakoj. Por të thuash se “kërkim vjen nga kërkoj” je thjesht duke treguar motivimin e fjalës, jo duke e etimologjizuar. Nga pikëpamja etimologjike, kërkim dhe kërkoj janë në thelb e njëjta fjalë. Të vërehet edhe koha e tashme e foljes “vjen nga” – në shpjegimin përkatës; e cila kohë tregon se motivimi është një faktor që vepron në sinkroni, ndryshe nga etimologjia që i përket diakronisë dhe që do të përdorte shprehjen “ka ardhur nga”, duke e paraqitur raportin morfoleksikor si të artikuluar në kohë. Ashtu, njësitë leksikore të motivuara, p.sh. zemërmirë “që e ka zemrën të mirë”, sillen si të ishin fjali të kondensuara, në bazë rregullash formale dhe të thjeshta.

Për t’u vënë re këtu se folk-etimologët i vështrojnë kështu shumë nga fjalët që “etimologjizojnë”, duke ndjekur modelin shpjegimor të tipit vjen nga, dhe duke e projektuar diakroninë në sinkroni; çfarë do të thotë edhe se nuk duan të marrin parasysh që etimologjia hulumton atë përmasë të gjuhës ku artikulohet ndryshimi (fonetik, kuptimor). I tillë është folk-etimologjizimi i emrit Marsejë nga një shqipe “marr e sjell”, i cili jo vetëm paraqitet si absurd nga pikëpamja historike, por edhe i pamundshëm për arsye të fonetikës historike – nuk ka shans që folja e sotme sjell e shqipes të ketë pasur këtë formë, kur qyteti u themelua rreth 600 vjet p.e.s., dhe u njoh me emrin Massalia. Ngjashëm, edhe emri i Skandinavisë nuk ka gjasa të vijë nga një “nuk kanë ditë nga vinë”, siç e kanë sugjeruar folk-etimologët; lidhjet me emrin latin Scandia nuk ka arsye të vihen në diskutim. Që një interpretim i një fjale me rrokje është “i mundshëm” edhe nëpërmjet shqipes, kjo nuk përbën kurrfarë argumenti në favor të etimologjizimit shqip; si përftesë, i përket më shumë skenës së estradës.

Kështu siç po praktikohet nga grigja e amatorëve, përfshi këtu edhe barinjtë e tyre turbo-albanologë, etimologjizimi i fjalëve – ose identifikimi i prejardhjes së tyre – e sheh etimologjinë jo si të dhënë historike që kërkon të udhërrëfejë drejt së vërtetës së origjinës së fjalës, por si emerging property, karakteristikë që fjala e merr duke hyrë në lidhje me fjalë të tjera dhe duke realizuar ashtu potencialin e saj mistik (“shqipja kozmike”); ashtu edhe etimologjizimi i fjalëve në gjuhë të tjera do të shërbente për t’i hapur një vend shqipes dhe shqiptarëve, në tryezat e prestigjit dhe të qytetërimit.

Kësaj kategorie të zellshmish i përkasin edhe të gjithë ata që, pa formimin e duhur profesional dhe pa i zotëruar rregullat dhe teknikat e angazhimit në debate, ndërhyjnë në gjithfarë diskutimesh online, me temë gjuhën, parahistorinë, historinë dhe gjenetikën e popullatave të Ballkanit, të cilat bëhen anglisht dhe ku ndonjëherë marrin pjesë edhe profesorë universitetesh nga vende Perëndimore. Më vjen rëndë, sa herë që shoh, në këto raste, shqiptarin e radhës që ndërhyn dhe, me një anglishte zakonisht të çalë, fillon të shpjegojë disa pak gjepura që ka qëmtuar online, për pellazgët, etruskët, shqipen gjuhë “nga më të vjetrat” të Europës dhe deshifrimin e poemave homerike nëpërmjet gegnishtes. Shqiptarëve në debate të tilla u bashkohen kacafytazi gjithfarë serbësh dhe grekësh – aq sa i duket njeriut se këta farë militantësh nuk bëjnë dot më pa njëri-tjetrin.

Në Shqipëri dhe në Kosovë, masa e gjuhëtarëve vullnetarë – që mund të jenë produkt i zellit të turbo-albanologëve, por që nuk duhen ngatërruar me këta të fundit – tani po fiton një vetëdije kolektive si armatë e shpirtit kombëtar; dhe kjo i ndihmon të bëhen më të ashpër, vende-vende më arrogantë, me ata që nuk u pëlqejnë. Duke filluar nga elitat, të cilat janë vënë tashmë në shënjestër të inkuizicionit. Kurrë nuk ka ndodhur që Akademia e Shkencave të jetë vënë nën këtë vetting a breshëri akuzash për tradhti dhe shitje ndaj sllavëve, si sot; dhe jo për çfarë po bën, por për çfarë nuk po bën, dhe që do të ishte sanksionimi i turbo-albanologëve si palë e diskursit albanologjik dhe i kundër-publikut të dijes, si faktor në përpunimin e këtij diskursi. Thelbi i kësaj lëvizjeje është shpronësimi simbolik i dijes.

Gjuhëtarët vullnetarë nuk merren vetëm me paretimologji – në rrafshin sinkronik, të njëjtët i gjen duke qortuar poshtë e lart, gjithfarë autorësh, për përdorimin e “fjalëve të huaja”; dje më kapi syri, kalimthi, një koment ku artikullshkruesit i kritikohej deri edhe përdorimi i fjalës së huaj “akademi”. E njëjta mendësi puriste, që e bën një turbo-albanolog të kërkojë me të madhe, në publik, heqjen nga qarkullimi të Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe, pse ka shumë “fjalë të huaja”; dhe një turbo-albanolog tjetër të shpallë, sërish në publik, Çabejn si të shitur te sllavët; e njëjta mendësi, pra, ushqen ndërhyrjet vend e pa vend, më shumë pa vend se me vend, për korrigjime fjalësh; të cilat janë, zakonisht, fjalë që ndërhyrësi thjesht nuk i njeh. Duke pasur parasysh varfërimin mendor të brezave të rinj, për shkak të dobësimit të arsimit publik dhe të epidemisë së ekranit celular, nuk do të habitemi që, brenda pak vjetëve, këtyre zelltarëve të gjitha fjalët librore të shqipes së shkruar do t’u duken “të huaja”.

Ky do të ishte edhe një efekt tjetër, sado anësor, i promovimit mediatik të turbo-albanologëve: përhapja e bindjes, te një masë e madhe njerëzish, se shqipja është e rrezikuar nga e huaja – si në etimologji, ku specialistë të shitur ia përçudnojnë historinë, duke i nxjerrë si “huazime” fjalët vendëse, ashtu edhe në përditshmëri, ku fjalët e huaja të futura prej snobëve dhe, sërish, të shiturve, nxjerrin jashtë përdorimi fjalët e bukura shqipe. Në bangon e të akuzuarve, veç akademikëve gjithfarësh, gjen edhe dy Fjalorët e mëdhenj të shqipes: Etimologjikun e Topallit, të cilit i është bërë një analizë absurde me përqindje fjalësh vendëse e të huaja; dhe Fjalorin e 1980-ës (bazë e të gjithë fjalorëve pasues), i cili “ka lënë jashtë fjalë të bukura të gegnishtes”, dhe ka lejuar ndotjen fatale me fjalë të huaja “të panevojshme”. Të dyja këto janë anë të një monedhe, PURIZMIT, dhe synojnë të arrijnë, njëherazi, rrëzimin (nëpërmjet purifikimit) të elitave intelektuale dhe të institucioneve albanologjike, në emër të një populizmi me nota fashiste, ksenofobike dhe folklorike.

E kotë të vërej se premisat e kësaj lëvizjeje kaq kaotike, por të paepur, janë të rrënjosura në përrallë.

(fund)

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është krijuar me AI.

15 Komente

  1. Ajo që quhet gjuhësi diakronike e sinkronike merret me studimin e fjalëve se si kanë ndryshuar ato në kohë, porse nuk merret me thelbin e fjalës. Kështu gjuha emërton funksionin dhe te fjala TRU do mjaftonte një apostrof që të kuptohet se funksioni i trurit është Të RUajë informacionet dhe:
    Të RU => T’RU > TRU. Ku hyn këtu sinkronia e diakronia?!
    Po kështu te emërtimi KAMBA (këmba) gjuha ka emërtuar funksionin mbajtës KA-MBA(n) dhe e gjejmë dhe në italisht GA-MBA. Rastësi? Aspak. Thjesht është një rregull që ende nuk pranohet se vepron në emërtimin e realieve.
    Nëse marrim foljen LEXO, do të mjaftonte metafonientizmi i dhemboreve x:z (si te: “tokë e xanun” për “tokë e zanun”) dhe kemi:
    LEXO =
    LEZO =
    LE’ZO = LE ZË = prodhon (lind) zë(rin).
    Njësoj shqipja ka emërtuar me fjalën ZILE çdo mjet që prodhon një zë për të lajmëruar dikë a disa për diçka. Ndaj kemi:
    ZILE < ZË LE = LË ZË apo lind zërin. Në shqip themi "ku ke [le]?" për "ku ke lind?". Fjalën zile etimologjia krahasuese e Çabejit e pranon të prejardhur në shqip prej turqishtes e me burim nga persishtja, por nuk jep një etimologji përkatëse se si është krijuar fjala në persisht. Ndaj për logjikë fjala i takon gjuhës në të cilën ajo kthehet gjatë zbërthimit në një fjali që ruan të njëjtin kuptim me konceptin para se të zbërthehej.
    Gjuhësia konvencionale e pranon mënyrën e formimit të kompozitave si "zemërmirë" nga [zemër] + [mirë], por nuk pranon të njëjtën mënyrë kur kjo ndodh me embriomorfet e shqipes: LE + ZO që jep LE'XO dhe ZË + LE që jep ZËLE e ZILE.
    Pranimi prej gjuhësisë konvencionale se morfemat janë kompozita të embriomorfemave, shpie sigurisht në përmbysjen e asaj që sot njihet si morfologji e gjuhëve dhe e kthen atë në konceptologji dhe kështu do përmbysej edhe gjithë ajo "shkencë" e etimologjisë krahasuese si e pavlerë përgjithësisht në gjetjen e origjinës së fjalës.
    Kërkimi i origjinës së fjalës sipas ETIMOLOGJISË së RE të EMBRIOMORFEMAVE shpie te e vërteta e madhe se gjuhët e së njëjtës familje gjuhësore e fjalët e tyre ngjajnë me njëra tjetrën, sepse përdorin të njëjtat embriomorfema për të ndërtuar konceptet që kanë në përdorim si leksik të tyre, porse prania në gjendje të lirë e të plotë e embriomorfeve gjendet vetëm në gjuhën shqipe dhe kjo e bën këtë të fundit të duket si gjuha më arkaike në familjen e saj dhe me të gjitha gjasat dhe qendra gjuhësore e familjes i.e. të gjuhëve.
    Do doja shumë që në këtë forum të diskutonim për këtë dukuri gjuhësore të ekzistencës së embriomorfeve dhe rolit të tyre në ngjizjen e fjalës dhe të lihen mënjanë ofendimet, të cilat vetëm të mira nuk sjellin.
    Më duhet të falenderoj dhe një herë z. Vehbiu për mundësinë që më jep për të dhënë idetë e mia në blogun e tij.

    1. Zoti Dalipaj, ju thoni:

      “Kështu gjuha emërton funksionin dhe te fjala TRU do mjaftonte një apostrof që të kuptohet se funksioni i trurit është Të RUajë informacionet..”

      Me falni, po mua si profan qe jam me lindin disa pyetje qe besoj ju do te kini miresine t’u ktheni pergjigje:

      1. Eshte e vertete qe nje nga funksionet e trurit njerezor eshte te ruaje informacion, por kjo nuk ndodh me trute e gomarit, lopes, lepurit, pa le pastaj te peshkut, te pules e keshtu me rradhe. Truri i nje qenieje te gjalle (flas per ato qenie qe kane tru, sigurisht) ne pergjithesi ka funksione paresore shume me jetike se ruajtja e informacionit. Dhe ketu nuk po shtoj qe fjalen informacion e keni futur ju per konvenience sepse tek fjala TRU nuk ka gjurme te saj.

      2. A mundet te shpiegoni per ç’arsye “RUAJTJA” si proces duhet minimizuar vetem me ruajtjen e informacionit dhe te shfaqet per kete pune vetem tek “TRU”. I bie qe te gjitha vendet ku ruhet diçka ose jane te destinuara per te ruajtur diçka te quheshin TRU. Keshtu do te kishim qe Sirtari = TRU, Magazina = TRU, Depo = TRU, REzervuari i Ujit = TRU, Kasaforta = TRU, Senduku = TRU etj. etj. Besoj se e kapni idene e te rujtmes.

      Falemnderit paraprakisht nqs do te denjoni t’i pergjigjeni nje profani anonim pa asnje lloj peshe ne etimologji si shkence.

      1. Ju e dini se te kompjuteri ajo paisja që ruan informacionet quhet T’RU dhe në greqisht trurit i thonë NU, por me metafonientizmin e palataleve n:r kemi: NU = RU. Ç’të të them tjetër ?!

        1. Zoteri, me falni ku e keni gjetur kete qe:
          “te kompjuteri ajo paisja që ruan informacionet quhet T’RU”?

          Une punoj me kompjutera per dite, jo punoj ne kompjuter, por punoj me kompjutera, dhe eshte hera e pare qe degjoj nje gje te tille. Megjithate edhe sikur te jete keshtu, sikur po flisnim per trurin njerezor dhe jo qe per cdo gje ne bote e ne cdo gjuhe qe qenka TRU, apo T’RU qe pastaj e ktheka R ->N e pastaj behet pishman dhe e kthen perseri N->R e ku di une ç’tjeter. Une prisja pergjigje serioze prej jush. Kjo me teper me tingellon sikur ju po talleni me paditurine time.

    2. Agron, shkruan:

      Fjalën zile etimologjia krahasuese e Çabejit e pranon të prejardhur në shqip prej turqishtes e me burim nga persishtja, por nuk jep një etimologji përkatëse se si është krijuar fjala në persisht. Ndaj për logjikë fjala i takon gjuhës në të cilën ajo kthehet gjatë zbërthimit në një fjali që ruan të njëjtin kuptim me konceptin para se të zbërthehej.

      Po pse duhet të merret Çabej me etimologjinë e fjalës në persisht? Ai mjafton që ta konstatojë se fjala në shqipe ka hyrë nga turqishtja, e cila e ka marrë nga persishtja. Etimologu që e gjen një fjalë si huazim – siç rasti për ZILE – nuk ka nevojë të shkojë dhe të zbulojë prejardhjen e fjalës në gjuhën burimore. Dua të them: një dijetar, e di se ku të ndalet.

      Gjuhësia konvencionale, që merret me kompozitat pronësore të tipit “zemërmirë”, i sheh ato – ndër të tjera – si instanca të një rregulle fjalëformuese. Problemi me “etimologjitë” e tua është se ato nuk ndjekin ndonjë rregull. LE+ZO dhe ZË+LE nuk kanë të njëjtën strukturë. Duhet të kishe sjellë shembuj të tjerë me (1) foljen ZË të shndërruar në ZO dhe (2) foljen LE si gjymtyrë e parë e kompozitës, që shpjegimi yt të merrej parasysh.

      Për folja LEXO ti thua:

      Nëse marrim foljen LEXO, do të mjaftonte metafonientizmi i dhemboreve x:z (si te: “tokë e xanun” për “tokë e zanun”)

      Termi yt “metafonientizimi” nuk ka asnjë kuptim. Janë shkarje të tilla, që tregojnë se të mungon përgatitja bazë qoftë edhe vetëm për t’u marrë me analiza morfo-fonetike (le pastaj etimologjitë). Po të kërkosh pak në ndonjë fjalor, do të shohësh se metafonia është diçka tjetër.

      Shkruan:

      prania në gjendje të lirë e të plotë e embriomorfeve gjendet vetëm në gjuhën shqipe

      Edhe sikur ta pranonim këtë punën e embriomorfeve, si e arrite përfundimin që këto “gjenden vetëm në gjuhën shqipe”? I ke studiuar ti të gjitha gjuhët e tjera, dhe nuk i ke ndeshur atje embriomorfet në gjendje të lirë? Po sikur të dalë një italian nesër dhe të sjellë edhe ai ca embriomorfe që ka gjetur në italishte dhe të thotë se këto nuk i ka në gjendje të lirë asnjë gjuhë tjetër?

      Një hipotezë, që të merret seriozisht, duhet të ketë cak – e jotja nuk ka. Shpjegon gjithçka. Ti nuk ke lënë fjalë që të ka dalë përpara, pa e shpjeguar me rrokje të shqipes. Fjalë shqipe dhe të gjuhëve të tjera. Meqë rastësisht të ka qëlluar të mësosh italishten dhe greqishten, je marrë me “etimologjizime” fjalësh të këtyre gjuhëve. Po të kishe qenë emigrant në Turqi, me siguri do t’i ishe përveshur turqishtes. Kolegu yt, Butrinti, që ka studiuar në Gjermani, shpjegon tani gjermanishten me anë të shqipes. Po të kish studiuar në Vietnam, këtë fat do ta kish pasur vietnamishtja.

      Dua të them: hipoteza jote është tepër e fuqishme, prandaj nuk ka vlerë shkencore. Nga ana epistemologjike, nuk e arrin as nivelin e astrologjisë. Këqyrja e filxhanit të kafesë do të ofrohej më mirë për krahasim.

      1. Ju doni medoemos të rehabilitoni Çabejin dhe nuk e keni problem të kaloni në absurd.

        Kur shkruani për origjinën e fjalës zile, se “një dijetar di se ku të ndalet”, është njësoj si të na justifikoni se origjina e një makine “mercedez”, që ka hyrë në Shqipëri nga Turqia, është me origjinë nga Irani sepse aty don të ndalet doganieri në kërkimin e origjinës së mallit.

        Sa për praninë e embriomorfemave në gjuhët e tjera mund t’ju them se italishtja e sotme posedon 55 embriomorfema të lira dhe greqishtja vetëm 11 të tilla përkundër shqipes që ka 377. Italishtes i mungojnë 322 morfema të lira që të jetë në gjendje të krijojë kompozita embriomorfesh (morfema klasike), ndaj gjuhë si latinishtja, greqishtja etj., e kanë të pamundur të bëjnë etimologji duke zbërthyer fjalët që kanë në përdorim.

        Fjala PAUZA (pauzë) e latinishtes kur zbërthehet në embriomorfe kthehet në fjali shqipe PA U ZA(n) me diçka = jam i pa zënë = jam i lirë. Porse për një italian nuk kanë asnjë kuptim embriomorfemat PA + U + ZA, sepse ato kanë kuptim veç në shqip. Kështu fjala UNAZA tregon se njeriu që e mban në gisht është i zënë (i fejuar a i martuar) dhe kjo fjalë vjen nga fjalia e embriomorfeve: UN A ZA, ku më ndryshe kemi UNë Asht ZAnë = unë jam i zan.

        Pamë më lart se fjala e latinishtes kur zbërthehet referon te shqipja, sepse koncepti PAUZA është krijuar nga 3 prej 377 embriomorfet e lira të shqipes. Nëse ju do të mundoheshit që fjalët e shqipes t’i etimologonit prej italishtes, greqishtes a ndonjë gjuhe tjetër, ky do ishte mision i pamundur, sepse këtyre gjuhëve u mungojnë ebriomorfet në gjendje të lirë e me kuptim të mëvetësishëm. Ndaj metoda etimologjike me embriomorfema ka mundësi përdorimi e kuptim vetëm në shqip. Nëse për një italian fjala PAUZA është morfema e pandashme, për një shqiptar është një koncept i ndashëm në kuptime edhe më minimale që unë i quaj embriomorfema (dhe jo rrokje siç ju doni të quhen).

        Etimologjia është ekskluzivitet vetëm i gjuhës shqipe, sepse vetëm ajo ruan tabelën e plotë të kuptimeve minimale (tabela e embriomorfemave) dhe të gjitha fjalët e gjuhëve i.e. kur zbërthehen etimologjikisht referojnë te tabela unike e embriomorfeve të shqipes dhe këtu shqipja shfaqet si qendra e gjuhëve i.e.

        Embriomorfet ekzistojnë realisht, kushdo që u mohon atyre rolin absolut në krijimin e koncepteve gjuhësore, ose nuk kupton si funksionon gjuha kur emërton, ose i bëhet mirë të mos i pranojë. E megjithatë, ato ekzistojnë dhe koha do dëshmojë se janë të vetmet përgjegjëse në krijimin e fjalës.

        1. Ashte ekskluzivitet vetun i shqypes, se ti vetem ate gjuhe flet, pa e njoftun hic. Deri sodit njifen aty te 7300 giuhe te ndryshme e ato te families indoevropiane jen vecese nji grime e ksaj sasie. Ku i ke lane trute, qi shkruen kshtu marrinash…

    3. Tru. From Proto-Albanian *taruna, from Proto-Indo-European *teruno (“tender, soft”).
      Akademia duhet te ngreje nje sektor anti amator dhe per cdo botim turbo albanologjik te shoqerohet me nje disclaimer se perfundimet folklorike te autorit jane te pergenjeshtruara nga shkenca serioze ashtu si ben FDA psh per ata qe pretendojne se mund te parandalojne kancerin me ane te vitaminave .

      1. Akademia e paska ngritur një sektor antiamerikan dhe kjo u duk kur përgënjeshtroi artikullin e revistës “science”, duke deklaruar se shqipja është gjuhë 1500 vjeçe e jo gjuhë 6000 vjet e folur pandërprerje, siç thosh ai artikulli.
        Akademisë do i duhet të krijojë edhe një sekgor kundër gjithë popullit shqiptar që nuk e beson më ASh-në.

    4. Nëse TRU ka qenë e njëjta fjalë edhe në egërsisht (në periudhën antike kur truri u quajt tru), si e kanë ditur gjërat e egra atëherë që materiali brenda në kafkë, që ekspozohej kur koka e ndonjërit prej tyre dëmtohej, kishte për funksion kryesor ruajtjen? Aq më tepër të informacionit, që në atë kohë duhet të ketë qenë vetëm britma embriomorfematike?

      Më kollaj do deduktonin që ruajtja ishte funksioni i kafkës meqë është e fortë, në krahasim me trurin e butë dhe kafka do quhej tru. Dhe truri vetë, i ruajtur. Ndoshta i TRURUR/ i TRUNUN? TRUENUN? RUNUNi? Kronologjikisht do duhej që truri të quhej tru kur shkenca zbuloi që truri ruante informacion. Po ky zbulim nuk ka ndodhur nga ndonjë shkencëtar gjë e egër, që për rrjedhojë t’i vendoste dhe emrin. Sipas tezës suaj ky zbulim në fakt paska ndodhur në parahistori. Por si?

  2. Duket si paradoksale (puristet le te na falin perdorimin e ketij diversantit) po turbo-albanologet me gjithe turmat entuziaste te puristeve mund t’i shkaktojne shqipes demet qe pretendojne se ja kane shkaktuar te tjeret.

    1. Ky më poshtë është komenti që lashë dje në Facebook, pasi i mbylla komentet tek tema përkatëse:

      Pse i mbylla komentet? Sepse vura re se, çdo ditë e më tepër, po shtoheshin “kritikat” dhe balta kundër Çabejt, nga njerëz jo të fushës.

      Jo për ndonjë qëndrim politik ose publik të atij studiuesi, por për çështje të holla etimologjike, ku ai ka qenë më i zoti dhe më i përgatituri mes studiuesve në kohën e vet.

      Madje ka nga ju që vijnë ta godasin Çabejn si “tradhtar”, “të shitur”, “sllavofil”, “grekofil”, “antishqiptar”.

      Tani, nga mënyra si paraqiteni, unë e kam të qartë se ju nuk keni këllqe që të gjykoni Çabejn gjuhëtar dhe etimolog. E shumta që mund të bëni, është të përpiqeni të kuptoni ndonjë gjë nga ato që ai shkruan.

      E shumta.

      Nëse vini dhe villni kundër tij, e bëni sepse këto kritika i keni lexuar poshtë e lart, në nevojtoret e rrjetit.

      Unë nuk jam nga ata që krekosem për çështje të kombit e të flamurit, por njëherazi jam edhe një njeri që ia ka kushtuar jetën kulturës dhe gjuhës shqipe. Prandaj do t’ju them se NUK KA GJË MË ARMIQËSORE, kundër çështjes kombëtare dhe vetëdijes kombëtare, se të sulmosh kështu ata pak studiues dhe intelektualë, që kemi mundur të nxjerrim, si komb, gjatë shekullit të fundit.

      Jeni ngritur të rrëzoni atë ideal kolektiv, të cilit përndryshe kujtoni se po i shërbeni.

      Nëse bëheni merak për ata që punojnë “për serbin dhe grekun”, po ju them se dëmin më të madh e ndoshta të pariparueshëm, kulturës sonë kombëtare sot, po ia bëni ju, dhe përrallat që vazhdoni t’i tregoni vetes dhe me egërsinë që tregoni ndaj atyre që duan t’ju sqarojnë e t’ju qetësojnë.

      Nesër, të njëjtët njerëz që sot ju manipulojnë me gjepura pellazgjike, do t’ju përdorin si mish për top, për kauza të mbrapshta.
      Kush do t’ju dalë në mbrojtje atëherë? Leka i Madh?

    2. Nji grue e lodhun, ka pas pas shkruejt dikur ne temen e saj te doktorantures per etrusket, te sillet i keqyrte si “nierz me tru” e vendin e tynet, Etruria si “vendi i robvet me tru”. Nje pra ende lidhja me Dalipajt tash si “robt qi ruejne trunin”. Ajo qi s’kuptonte ajo zoje me emen doktorit ne Talje ashte se e bante lidhjen me varianten toske “truri” prej ku E-TRURI-A. Ja qe varianta gege “truni” i bjen me kiene ma e vjeter se ajo toske, mbasi e ka ruejt, pra nuk e ka “metafonientizue” (sa bukur e ka gjiete ky rob i prapet!) zantoren hundore “-n-” ne “-r-. Apo jen kane dobare Toske e Gege ne mijevjecarin e dyte e te pare para Krishtit dy popuj ndryshem?

      1. Aty paska gabuar ajo, sepse tashmë është vërtetuar që etruskët kanë origjinë ruse (nga “Eti russki”).

        (rujna zot ment’ e kresë).

      2. Ajo skuptonte edhe nje dicka tjeter. Ne Antikitet greket dhe latinet mendonin se qendra e inteligjences ishte zemra, jo truri. Atekohe fraza “njeri me tru” nuk kishte asnje kuptim ose kishte po aq kuptim sa edhe p.,sh., “njeri me veshke.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin