MONOLOGËT E VIRXHINIAS

nga Lira Merxhani

1. Unë 60

Linda një natë të ftohtë në zemër të dimrit tiranas, në gjysmën e parë të viteve ‘60. Jo “u linda”, por “linda”. Kam nevojë për formën veprore. Linda. Pastaj nisi jeta mbi tokë. Lindën drithërat dhe frutat. Lindi dielli. Lindën luginat, shkretëtirat, dhe oqeanet. Së fundi, lindën edhe prindët e mi. I bekova. Ishin dy njerëz të rinj e të bukur. Por vetëm për tim atë është thënë se qe një burrë i bukur. Ime më ishte thjesht ajo që mori një burrë të gjatë e të bukur. Nuk di si e ka marrë ajo këtë mëkatim shoqëror. Me siguri e ka ndierë, edhe pa e stërholluar ndër vete.  Kërkova në kalendar të shihja ditën që i takonte datës së lindjes sime. Kisha lindur të dielën e fundit të vitit. Si qenë maternitet ahernaj? Kur lindi vajza ime e madhe, materniteti i Tiranës m’u duk një stallë gjigante me rreshta grash në vuajtje që trajtoheshin si qenie pjellëse. Mamaja ime, me siguri, vuante atë dimër. Jo vetëm në maternitet. Se ish ftohtë në dhomën e gjumit pa ngrohje, me mure tulle njëshe e pa suvatim të jashtëm të shtëpisë. Dhe ishte aq e re. Qaja shumë. Thonë. Thonë se pushoja vetëm nëse ime më ngrihej nga shtrati të më përkundte. Nëse ajo e zgjaste dorën prej nën-jorganit të tundte shtratin e vogël, nuk qetësohesha. Thonë. Duhet të ngrihej prej shtrati. Unë nuk ndieja ftohtë a dhimbje. Dua të them, nuk regjistroja. Me siguri, nuk ndieja. Çfarë nuk kujtohet, nuk dhemb – as sot, as kur dhimbte.

Ti ndoshta mendon se kjo historia e të përkundurit me dorën jashtë më bënte të ndihesha keq kur u rrita, e se më krijonte ndjesi faji se isha (kisha?) lindur me djallin në bark. Aspak! Mendoja se, që pa kuptuar ende, e dija çfarë doja. Ndoshta e dija atëherë më mirë se sa kur kuptoja. Prindët e mi i doja aty, dhe totalisht të pranishëm. Isha e tyre dhe ishin të mitë. Edhe sot, po të jem nën të njëjtin kulm me ta, fle më qetë. Në një pikë në vegjëlinë e hershme, më jepnin të pija qumësht lope të paskremuar. Thonë. Besoj se aty rri (i pastrukur aq sa i paskremuar) sekreti i gjëmës së pagjumit tim. Por, në qytetin tim, njerëzit u jepnin qarjeve apo sjelljeve instinktive të fëmijëve, interpretime mistike. Ose shpjegime ku moralisti rri në krye të vendit me një pozë princi gjykues. Pa lidhje. Dhoma e çiftit dhe e foshnjës ishin të ftohta. Jam e sigurtë që të gjithë vuanin nën jorgan. Të rriturit nuk qanin. Por të ftohtët ishte arsyeja më e paktë për të qarë. Imagjino të të ulërasë në krevatin ngjitur një e sapolindur, për gjithë natën. Unë në avion çohem dhe iki, kur qëllon një foshnjë pranë që qan e qan nga dhimbjet jotokësore që i shkakton lartësia. Më dhemb e më vret ajo qarje. Pas pak truri nuk e mban dot.

I bie të jem 60 vjeç. Një moshë pragun e së cilës nuk e besoja që do e kaloja kurrë. Jo se mendoja se do vdisja para saj. Por sepse ka tingëlluar gjithnjë si një moshë e largët, si fundi i botës që dihet se do vijë, por mbetet in perpetuum aq larg, sa s’përbën problem. Por pastaj 60-a erdhi. Isha tek ajo. Ditë kaluan sikur asgjë të mos kish ndodhur. As ky s’paskësh qenë fundi i botës. Drejt dhjetëshash të tjerë shkoj. Me kureshtje. Me bukuri e hije. Jam mike me 60-ën.

2. Bukuria

Bukuria dhe seksualiteti, çfarëdo qoftë semantika subjektive – rrjedhëse dhe pa kontur – e dy termave, mbeten qendrorë edhe në këtë moshë. Mënyra si e them, tregon se diku e dikur kam menduar se nuk duhej të ishte kështu. Në mënyrën time, unë jam e bukur. Nuk kam pikë dyshimi. Ia lejoj vetes sime të mendoj për mënyrën si dukem. Por, me sytë e kujt e shoh veten time? Sa janë të mitë ata sy? Sa kanë qenë të mitë përgjatë viteve kur ata sy kanë parë dukje të ndryshme brenda meje, kur kanë qenë sy të trembur e të pasigurt, apo edhe sy krenarë? Cilët kanë qenë ndikuesit më të mëdhenj? Cilëve ua kam huajtur më shumë sytë që të sodis veten? Nuk jam ndier gjithnjë kështu. Në një farë mënyre, maturimi im seksual më bindi që isha edhe e bukur. Ndaj edhe e përmenda më lart seksualitetin, sepse bukuria ëshë tipar mendor e jo fizik. Dhe bukuria e seksualiteti ndër njerëz perceptohen korkolepsshëm e pandashëm. A është i bukur një njeri që e pëlqejnë apo një njeri me sy, hundë, buzë e forma që përkojnë me kanone të caktuara estetike? Synimi im nuk është të sjell dilemat e vjetëruara që i krijohen shoqërisë prej siranove të vet. Por, që të dalloj e çmoj, nga mosha 60-vjeçare, fiksimin tonë diskursiv kombëtar me bukurinë fizike. Kam frikë se është një fiksim banal për një kolektiv që bëhet gati të hyjë në Europën e shekullit XXI. Ka së paku 40 vjet që peshoj e përsiat idenë se asgjë prej saj apo kategorive të afërta, ka ndonjë rëndësi. Por më rreh ballas era e mbarsur me idenë se, në fakt, bota jonë është ndërtuar që ato të kenë rëndësi dhe të të gozhdojnë kur harron t’u bësh temenatë e nevojshme. Dhe mjerë kush kujton se është më i bukur se është! Dhe lum kush kujton se është më i bukur se është. Sekreti i pasojave që besojmë se vijnë prej këtyre bindjeve, qartësisht lidhet me të tjerë parametra karakterialë ose rrethanorë, por qartësisht jo thjesht me atë që mendon njeriu për bukurinë e vet. Rrethinat sociale janë përcaktuese.

Unë u rrita e u kulturova, në një vend ku bukuria është baza e botës: njerëzit ndahen që kur lindin në të bukur e të shëmtuar, dhe ky “sy” i rreptë shoqëror që e mat njeriun mbi fiziken, e ndjek robin deri në fund. E përvetësojnë dhe i binden burra e gra njëlloj, në çdo moshë e grup. Madje edhe “goja” e rreptë shoqërore ua përmend secilit, direkt (si edhe në ajsbergun thashethemor), se në cilën pikë tamam të metrit të bukurisë bien si njerëz, matur kjo pikë me një shkallë milimetrike patriarkalo-tradicionale. Këmbë të trasha; faqe si petull; shtremse; këmbëgjatë; sikur e kanë pikturuar; shëmtaraqe; sylle; gjithë lesh; gjithë sy e vet’lla; hun’-derre; nuk shihet me sy; është perri; hyri në zyrë një grua e shëmtuar; e merr ana nga pesha e bythëve; miss bote; është e shëmtuar e shkreta, por vishet mirë[i]. Nuk është problem se çfarë thuhet, por domosdoshmëria e komentit të kësaj natyre, dhe vendi i nderit që ai zë mes komenteve të natyrave të ndryshme. Të gjithë komentojnë për bukurinë e tjetrit, në çfarëdo kahu. Dhe jo vetëm si reagim në çastin e parë kur sheh dikë, por si një tipar që të ndjek kurdoherë. Flitet për bukurinë sikur të flitej për një shkollë të kryer, për një sëmundje kronike, për një vepër arti të sapo ekspozuar. Por në ndryshim prej tyre, biseda për bukurinë (ose jo) është krejt e panevojshme, jo relevante, boshe, aq sa edhe e natyrshme.

“-Filanka nisi punë.
-Nisi? Është aq e bukur!”
“-Shiko pak sa e shëmtuar qënka ajo djathtas.
-Gjynah, e shkreta!”

Bukuria, aq e papërcaktuar dhe e deformuar si kategori e përbotshme, përdoret si masë me precizion lazeri në kulturën popullore të qytetit tim, kryesisht ndaj gruas, dhe që sapo ajo lind. Ky përdorim i “bukurisë” kundër gruas (sepse është kundër saj edhe kur ajo mbicilësohet si e bukur), ekziston në të gjithë botën. Në botën ku linda unë, ai ka edhe zë të lartë burrëror dhe shpues. Nganjëherë i zgjaten edhe duar. Burri zakonisht nuk përflitet për pa-bukurinë e vet, edhe kur martohet me një grua që mbahet si yll. Kjo nuk i bezdis fort njerëzit. Por sakën që ajo, ‘e shëmtuar’, të guxojë të marrë një burrë ‘të bukur’. Ky konceptim i bukurisë në formë arme, është violencë. Nuk jemi vetëm: ka edhe plot botë të tjera si e imja.

E formuar si brumë i butë, ishin këto ideologji, uji që ngjizi miellin në masë solide e të formësuar. I kam brenda vetes sot e gjithë ditën, sado që brumi ka zënë kore maturie dhe është aftësuar të vetëanalizohet. Por është po aq ekspozimi ndaj tyre ai që më lejoi t’i shoh më mirë e t’i dalloj. Të mos i pranoj. Ta shoh me bindje bukurinë time. Të mos e ndaj bukurinë brenda dhe jashtë. Por mund të kish ndodhur edhe e kundërta, dhe, e di fort mirë, se s’ka qenë gjithnjë kështu edhe për mua. Psikologu im i quan lehtësisht të gjitha dukuritë që prishin ekuilibrin e jetesës së patrazuar, trauma. Një rrahje vendçe që të çon në vdekje dhe një fjalë e paqëllimshme që të prek, janë po ashtu trauma. Ai nuk e di që populli im është rëndë i traumatizuar, cep më cep, deri në thellësitë e honit të vet pandërgjegjësor.

Jam e bukur. Por nuk e dija dikur. Thoshin, ajo e mençura për mua. Ajo e shkëlqyeshmja, e dërci e vërci, që, të mira po, por jo të bukura tingëllonin. Nuk tha kush se isha e shëmtuar. Por as, sa e bukur që është. Por shprehjen e dëgjoja për dikë tjetër, i ndieja komentet që bëheshin për dikë që specifikohej si e bukur, me idenë e virtytit, të vlerës sipërore. Të gjitha i dëgjonim. Vajzat, për mirë a keq, rreshtoheshin në atë shkallën e ngurtë të bukurisë së cilës s’i shpëtoje dot. Krahasoheshin motra, kushërira, shoqe klase e komshije, pa më të voglën gajle. Sikur ato goca të vogla apo të mëdha do thyheshin e bëheshin thërrime kristali, nëse nuk do mateshin sipas bukurisë që kishin! Atëherë nuk mund të isha kundër diskursit vetë, krahasimeve direkte fizike që u bëheshin personave. Por mbaj mend mirë që isha pjesë e tij, edhe pse më bënte përshtypje, dhe nuk e pëlqeja. Ndoshta ngaqë unë nuk quhesha e bukur me zë të lartë. Ndoshta se do doja që bukuria ime të dallohej e përflitej më agresivisht. Sepse vetëm ashtu mund të ishe njeri i adhurueshëm.

Them më lart se maturimi im seksual më bindi që isha edhe e bukur; një maturim i vonuar, i penguar, i vetëpenguar, i ngatërruar. Por shpërblyes. Edhe shëlbyes. Ua njoh me dashuri burrave që më kanë dashur dhe i kam dashur, këtë siguri që fitova pas marrëdhënieve me ta. Nuk jam ndonjë panterë shqyese në seks, as bletë punëtore. Jam e ngrohtë, por dembele. Prandaj edhe më bëhet qejfi që në të gjitha lidhjet kam rezultuar e bukur dhe shumë e bukur, me të thënë e me të ndjerë. Jam mirënjohëse për këtë dhuratë sociale, jo vetëm se sollën në binar një ndjesi timen që po galoponte drejt kompleksimit, por edhe sepse çlirimi u shndërrua në forcë kritike njohjeje dhe vetëemancipimi. Sytë m’u hapën dhe pashë qartë ç’ndodhte përreth, si gjykohej fizikja dhe abuzohej ndjenja estetike, si shenjoheshin vajzat dhe gratë, si u vinin mbi shpinë pesha “bukurie”, që do ndrydhnin e bënin gungaçe edhe të bukurën e dheut.

Ishin burra zemërbukur të gjithë, por me vetëm pak prej tyre pata fëmijë. Kjo nuk është ideale. Kur dua një burrë, dua të krijoj një fëmijë me të. Dua me gjithë trurin dhe trupin tim. Tani unë nuk mundem më të lind (ambiguitet fatlum: kur i jap jetë fëmijës, rilind edhe unë), dhe disa prej atyre që më zbuluan sa e bukur jam, kanë ikur kësaj bote. Por, veç tyre, ka një grua të jashtëzakonshme që më dha force dhe bukuri, nona ime e mrekullueshme që ish pa shkollë, dhe dinte gjithçka. Një tufë me shoqe të miat, të gjitha goca të bukura, erdhën një ditë në shtëpinë time. Ishim 19-20 vjeçe të gjitha. Drita dhe dëshirat na endeshin të dehura nëpër fytyra. Shoqet e mia jo veç që i kish bërë zoti të bukura (e di mirë, se kjo flitej e përflitej ashiqare, si dhe pas krahëve), por kishin edhe sy të lyer po aq bukur me funde lapsesh e pluhura marinë, që tek-tuk edhe i gjeje në ato vite varfërie komuniste. Kur ato dolën për të ikur, nona ime la dhomën e vet, e erdhi me mua t’i përcillte me “mirarçi”. E pashë që ua peshoi me kënaqësi dukun. I thashë: none, a e pe sa të bukura janë të gjitha? “T’bukrat e dheut ishin” – m’u përgjigj nona. “Po ta dish, zemra nonës, ato kon bukurin e dillit; shkëlqe fort, e noj her ene t’i vret syt. T’i ke bukurin e honës, osht bukuri e but, e bardh, ene e omël; e shef gjatë, e ta mush shpirtin.” Kështu foli nona, dhe bota m’u bë hënë prej argjendi.

Vijon…

[i] Nuk përmend këtu shprehjet folklorike më të përdorshme ose ato që janë neutralizuar nga frekuenca e lartë e përdorimit dhe nuk nxisin një reagim aktiv ndaj fizikes, si shtatselvi, buzëqershi, vetull-jatagan, etj.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin