ZOGJ QË BIEN PËRDHE

Gjithnjë më ka lënë mbresë një përrallëz a historizë mjaft e njohur, nga Xhelaledin Rumiu, të cilën po e sjell më poshtë në përkthimin tim, siç e kam gjetur të rrëfyer nga Idries Shah (Tales of the Dervishes):

Zogu nga India

Një tregtar mbante një zog në kafaz. Një herë, kur po nisej për në Indi, vendi nga i kishin sjellë zogun, e pyeti këtë nëse kish ndonjë peng a porosi. Zogu i kërkoi lirinë, por i zoti nuk pranoi. Atëherë i kërkoi tregtarit që të vizitonte një xhungël në Indi dhe t’u rrëfente për robërinë e tij zogjve që do të gjente atje.

Tregtari ashtu bëri. Por sapo mbaroi së foluri me zogjtë në xhungël, njëri prej tyre, që i ngjante shumë zogut të tij, u këput dhe ra nga pema lart përdhe, pa frymë.

Tregtari mendoi se ky do të kish qenë ndonjë i afërm i zogut të vet, dhe i erdhi keq që me rrëfimin e tij i kish shkaktuar vdekjen.

Kur u kthye në shtëpi, zogu e pyeti, që nga kafazi, nëse i kish sjellë ndonjë lajm të mirë nga India.

“Jo,” i tha tregtari. “Kam frikë se lajmi është i keq. Një nga të afërmit e tu u këput dhe ra nga dega i vdekur në këmbët e mia, kur i përmenda që ti jetoje në robëri.”

Sa i dëgjoi këto fjalë, zogu i tregtarit u këput dhe ra në dyshemenë e kafazit, pa frymë.

“Lajmi për vdekjen e të afërmit e vrau edhe atë,” mendoi tregtari. Me keqardhje, e mori zogun në dorë dhe e vendosi te parvazi i dritares. Por zogu sakaq u gjallërua dhe fluturoi te një pemë aty afër.

“Tani e more vesh,” i tha zogu, “se çfarë ti e kujtove për lajm të keq, ishte në fakt lajm i mirë për mua. Dhe si mesazhi, sugjerimi se çfarë të bëja, për të fituar lirinë, m’u përcoll përmes teje, robëruesit tim.” Dhe fluturoi tutje, më në fund i lirë.

Këtë përrallëz e gjen të treguar në versione të ndryshme; më duket se e kanë vjershëruar edhe në shqip. Në ndonjë version, Rumiu përfshihet drejtpërdrejt në ngjarje. Megjithatë, pa asnjë pretendim filologjik, unë do të përdor versionin e Idries Shahut.

Për të komentuar disa gjëra që më duken të jashtëzakonshme, në strukturën narrative.

Duke filluar nga rrëfimet brenda rrëfimit.

I pari mes këtyre është rrëfimi i tregtarit drejtuar zogjve të xhunglës në Indi dhe që mund ta përfytyrojmë kështu: unë kam në shtëpi një zog, që e mbaj në kafaz, dhe që më ka kërkuar këtë dhe atë.

Pas këtij rrëfimi, njëri prej zogjve që e dëgjojmë këputet nga dega dhe bie përdhe, “i vdekur.”

Këto dy ngjarje të njëpasnjëshme – rrëfimi për zogun në kafaz dhe zogu në xhungël që bie nga dega – i shërbejnë tregtarit për të ndërtuar një narrativë, duke i lidhur mes tyre me parimin e kauzalitetit (post hoc ego propter hoc): zogu ra i vdekur përdhe nga dhimbja për vëllanë e vet në robëri.

Rrëfimi i dytë brenda rrëfimit, është ai i tregtarit, që i tregon zogut të vet se çfarë ndodhi në xhungël, në Indi, kur ky po u rrëfente zogjve për robërinë e të vetit.

Pas këtij rrëfimi, edhe zogu i tregtarit këputet dhe bie në fund të kafazit, edhe ai “i vdekur.”

Sërish tregtari e narrativizon këtë që ndodhi, sipas të njëjtit parim të kauzalitetit (post hoc ego propter hoc): zogu i vet në kafaz ra i vdekur përdhe nga dhimbja për vëllanë e vet në xhungël.

Me sa duket, zogjtë e paskan këtë huq fatal, që u plas zemra kur dëgjojnë për vuajtjet e njëri-tjetrit, do të ketë menduar tregtari.

Në të vërtetë, çfarë tregtari e pat interpretuar si kauzalitet, paskësh qenë intencionalitet – ose një mënyrë dinake për të transmetuar, nëpërmjet një lajmëtari që nuk kupton, zgjidhjen e problemit për zogun në kafaz.

Me rrëfimin e parë, tregtari parashtroi problemin; me rrëfimin e dytë parashtroi zgjidhjen. Të dyja herët pa qenë i vetëdijshëm për efektin.

Dhe që të ndodhte kjo, duhej krijuar narrativa.

Përrallëza e Rumiut tërheq vëmendjen për këtë: që zgjidhja mund t’i vinte zogut në kafaz vetëm në trajtë të zhdrejtë, ose si rrëfim. Nëse zogjtë në xhungël do t’i kishin thënë tregtarit “thuaji zogut tënd që të bëjë sikur ka vdekur”, kjo nuk do të kish funksionuar.

Duhej pra që zgjidhja të përcillej nëpërmjet lajmit, por pa e ditur këtë lajmëtari.

Kësisoj, narrativa e dytë, ajo që i rrëfen tregtari zogut të vet në kafaz, ka dy kuptime – një kuptim për tregtarin (sentimental, dhimbja e zogut për vëllanë) dhe një kuptim tjetër për zogun që e dëgjon (udhëzues përdorimi).

Nga pikëpamja pragmatike, dy rrëfimet brenda rrëfimit nuk janë tërësisht paralele. I pari vjen “i porositur” nga zogu në kafaz; i dyti ofrohet nga tregtari vullnetarisht. Zogu në xhungël, që luajti skenën e “vdekjes”, veç mund të shpresonte se tregtarit kjo do t’i dukej aq dramatike, sa të meritonte të rrëfehej.

Por në të dy herët luan rol dhembshuria: herën e parë, sepse të zotit doemos i vjen keq, për zogun e vet në kafaz, pa çka se jo aq sa ta lëshojë të lirë; sikurse i vjen keq për zogun tjetër, në xhungël, që vdes i dëshpëruar për vëllanë e vet.

Dhembshuria, që ishte motori i rrëfimit për tregtarin, ishte edhe investimi i vetëm që mund të bënin zogjtë, për të arritur synimin.

Prandaj edhe, në sytë e tregtarit, dhembshuria e çuar në ekstrem i shkakton vdekjen edhe zogut në xhungël.

Kurthi funksionon jo vetëm sepse rrëfimi i tregtarit i tregon zogut në kafaz zgjidhjen si të shpëtojë nga robëria; por edhe sepse vdekja e zogut në pyll e ka përgatitur njëfarësoj tregtarin me idenë se këta lloj zogjsh mund edhe të vdesin, po t’i trishtosh shumë.

Sërish, i njëjti shembull – i zogut që bie “i vdekur” në pyll, u shërben dy synimeve të ndryshme.

Një përftesë narrative të ngjashme kam gjetur te tregimi i Borges-it “Kopshti i shtigjeve degëzuese” (El jardín de senderos que se bifurcan), i shkruar në vitin 1941.

Ky tregim njihet kryesisht për konceptin e “shtigjeve degëzuese” që për disa paralajmëron disa modele të mekanikës kuantike.

Por afërsia me rrëfenjën e Rumiut qëndron gjetiu. Në tregim, një dr. Tsun, agjent sekret i gjermanëve që jeton në Britaninë e Madhe gjatë Luftës I Botërore, sapo ka zbuluar vendndodhjen e saktë të një kampi të artilerisë britanike. I ndjekur këmba këmbës nga një agjent kundërshtar, ai shpreson të arrijë t’ua përcjellë informacionin gjermanëve para se të arrestohet.

Sipas planit, ai shkon të vizitojë një dr. Stephen Albert, sinologjist i shquar. Në momentin kur ndjekësi i tij, kapiteni i shërbimeve britanike të kundërzbulimit, shfaqet te porta për ta arrestuar, Dr. Tsun nxjerr koburen dhe e vret mikpritësin e vet, dr. Albertin.

I arrestuar, dr. Tsun pret që ta dënojnë me vdekje; por tashmë i kënaqur se arriti t’ua komunikojë shefave të vet vendndodhjen e artilerisë britanike: në qytetin Albert. Ai e kish të qartë, shpjegon Borges-i, se e vetmja mënyrë për t’ua përcjellë emrin e atij vendi gjermanëve ishte që të vriste dikë me po atë emër – në mënyrë që lajmi i botuar në gazetat britanike të interpretohej pastaj saktë, prej shërbimit të gjerman të inteligjencës.

Edhe këtu, është një narrativë – ajo e vrasjes së një profesori universitar nga një koleg – që shërben për ta përcjellë lajmin tërthorazi; pa e kuptuar këtë lajmëtari, ose shtypi britanik. Atje ku lajmi rrëfente se një dr. Tsun vrau një dr. Albert pa shkak, shërbimi gjerman i inteligjencës mësoi që artileria angleze ishte dislokuar në qytetin Albert.

Borges-i ndihej mirë me traditën mistike të sufive; dhe nuk është çudi që ta ketë parë atje këtë përdorim të tërthortë të narrativës. Por le të mos harrojmë edhe që, për filozofinë e Borges-it, të dy zogjtë – ai në kafaz dhe ai tjetri në xhungël – do të kishin qenë, në fakt, dy instanca të së njëjtit zog.

© 2019, Peizazhe të fjalës. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

1 Koment

  1. Zoti Shyti sot duket me shume se zakonisht I komplikuar dhe rafinuar intelektualisht. Por kafen e ka gjithnje perpara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin