KOMUNISTËT TANË DHE TË TJERËT

Kur flitet për regjimet komuniste që uzurpuan Evropën Lindore dhe veçanërisht kur lihet të kuptohet se Shqipëria ishte një vend komunist si gjithë të tjerët, rregullisht më vjen ndërmend libri Horizontet e kuq i gjeneral Ion M. Pacepa-s, këshilltar i presidentit Çaushesku, funksionar i lartë i Ministrisë së Brendshme, shef i Shërbimeve të spiunazhit të Rumanisë etj., i cili u arratis në Perëndim vite para se të binte Muri i Berlinit. Më ndërmendet ai dhe jo ndonjë tjetër, se kush më shumë se ai ishte i interesuar të nxirrte në dritën më të keqe regjimin komunist të Çausheskut ? Kjo është arsyeja që duke përfituar nga pushimet e fundit, e rilexova edhe një herë këtë libër, pas më shumë se njëzet vjetësh dhe u ula t’i bëj një paraqitje, me shpresën se nuk do të vazhdojë më trafikun e tij të bezdisshëm në kujtesën time. Një akt i lehtë autoekzorcizmi, pra.

Gjeneral Pacepa e fillon librin me një telefonatë nga shefi i tij, presidenti i Rumanisë Nicolae Çaushesku, i cili e urdhëron të paraqitej urgjentisht në rezidencën “Neptun”, diku në bregun e Detit të Zi.

Përpiqem të bëj disa llogaritje dhe me një farë diference në kohë del që takimi i diktatorit rumun ka të ngjashme takimin e diktatorit shqiptar E. Hoxha me ministrin e tij të brendshëm, të cilin e ka thirrur në rezidencën e tij verore në Pogradec, për të marrë të rejat e fundit rreth pohimeve të një grupi të arrestuarish, ministra e lart, që atë verë nuk po jetojnë ditët më të lumtura të jetës së tyre.

Në saje të kujtimeve të gjen. Pacepa-s (për amatorët e historisë “së vogël” shtoj se ai thotë diku se nuni i tij ishte Nikolae Jorga, një personazh i vyer për historinë e Shqipërisë, të cilit A. Zogu i kishte shprehur gatishmërinë t’i  ndërtonte në Sarandë një institut studimesh që ta drejtonte ai vetë), ne mund të mësojmë me saktësi se çfarë është biseduar atë ditë në bregun e Detit të Zi, për ta krahasuar pastaj me bisedën e atyre “tanëve” në Pogradec.

Pacepa, me inatin që ka, e përshkruan shefin e tij që së largu tek ka marrë një “pozë napoleoniane”, me dorën mbi stomak dhe gjëja e parë që ai i thotë (duke iu marrë goja, siç i ndodhte kur ishte i inatosur) është:

– Edhe për sa kohë do të zvarrisni punët për të realizuar bashkëpunimin tonë me Fokker-in?

Gjenerali shpjegon se qëllimi për të bashkëpunuar me Fokker-in (një shoqëri aeronautike franko-gjermano-holandeze), ishte prodhimi në Rumani i avionit të famshëm. Por Fokker-i nga ana tij e zvarriste punën sepse dyshonte se Bukureshti synonte që nëpërmjet këtij bashkëpunimi të kishte mundësi të njihej me teknologjinë e aeronautikës ushtarake të Francës dhe Gjermanisë perëndimore. Dhe për të shpejtuar punët (këtu del edhe qëllimi i kësaj thirrje urgjente) Çaushesku e urdhëron këshilltarin e tij të niset urgjent e të takojë kancelarin H. Schmidt, të cilit duhet t’i japë një mesazh personal (si zakonisht gojor, se Çaushesku e ka bezdi të ulet e të shkruajë), pastaj të shkojë e të takojë edhe princin Bernhard të Hollandës, me qëllim që këta dy burra ta ndihmojnë të arrihet ky bashkëpunim, duke i dhënë sigurinë absolute që asgjë nga teknologjia e perëndimit nuk do të bjerë në duart e Moskës…

Ndërkohë aty vjen edhe zonja Çaushesku e cila me këtë rast i thotë gjeneralit që kur të kalonte nga Parisi të blinte për të ca sende luksi që do t’i vishte në ditën e festës kombëtare të Rumanisë. (Këtu ne e dimë se zonjat e nomenklaturës shqiptare, të tilla shërbime ia besonin  personave me grada mjaft më modeste).

Ka shumë arsye përse ky libër, që pati pasoja eksplozive në kohën e botimit, nuk mund të përdoret si lëndë krahasimi midis regjimit që sundoi në Shqipëri dhe atij rumun. Mbi të gjitha sepse as që mund të mendohet ndonjë shef shqiptar shërbimesh sekrete (kryesisht fshatarë të ashpër të cilëve nuk u kërkohej veçse besnikëri qeni ndaj shefit) që do të kishte një shkallë të tillë atdhedashurie, kuraje dhe emancipimi sa të ulej e të tregonte të vërtetën për armën më të ashpër e më të ndyrë të regjimit, atë që bëri që shumë vetë të ikin të lemerisur e te ndjejnë veç neveri për vendin e tyre. Ndaj, në mungesë (duke lënë mënjanë ditarin e E. Hoxhës ku del se tamam në atë kohë, me gjithë kundërshtimin e kinezëve se nuk kanë garanci teknike, urdhëron të sjellin ca avionë që përfundimisht u morën jetën aq pilotëve shqiptarë, midis të cilëve dikujt që e kam njihur mirë!) i referohemi takimit të diktatorit shqiptar me ministrin e tij të Brendshëm, që sipas Kujtimeve të bashkëshortes së E. Hoxhës është realizuar pasi ky i fundit ka paraqitur Tablonë sinoptike (një litani prej fallxhoreje paranojake në të cilën ai rrekej të jepte shpjegimin total për origjinën dhe qëllimet e veprimtarisë armiqësore të personave të arrestuar) dhe pret pohimet e nxjerra nën torturë të viktimave të tij vip. Dhe ministri i Brendshëm, një personash qendror i barceletave të kohës, vjen t’i thotë se gjithçka rezulton të jetë ashtu siç kishte hamendësuar ai në Tablonë e tij. Të arrestuarit kanë pranuar vetë se kanë qenë armiq.

Kjo sa për të kuptuar diçka nga planningu i përditshmërisë së dy diktatorëve, çfarë i zbavit më shumë ndërkohë që janë me pushime, njëri buzë Detit të zi dhe tjetri buzë liqenit të Pogradecit.

Tani unë nuk mund të spekuloj e të them se kur e përcolli te dera, Hoxha i dha ministrit të tij të brendshëm ndonjë nga ato porositë e tij të zakonshme « filani të torturohet para se të pushkatohet » edhe pse del që shpesh të arrestuarit e niveleve të tilla rrihen me dru deri në vdekje nga shefa të Sigurimit (ekzekutohen me rrahje) por, pasion të veçantë për të rrahur ata që nuk e duan ka edhe Çaushesku, siç do ta shohim më pas.

Komunizmi të budallalleps

Hoxha nuk lejonte mëdyshje. Nëpërmjet Zërit të Popullit dhe monologëve të tij funebër nëpër Kongrese, ai nuk na linte fare të dyshonim se ne kishim fatin të jetonim në një vend të begatë, të sigurt e të lumtur (duke shtuar rregullisht se e ardhmja do të jetë akoma më e lumtur), dhe jashtë kufijve të tij sundonte shfrytëzimi i “njeriut nga njeriu”. Çaushesku nuk paraqitet shumë i vendosur. Ai nuk e vë në dyshim se vendi i tij noton në lumturi dhe mirëqenie, por dyshon se mbase ka edhe ndonjë vend tjetër që mund t’i afrohet. Amerika, p.sh..

Me sa del në libër, Çaushesku e ka vizituar atë të paktën pesë herë (e përfytyroni qoftë edhe për një sekondë një vizitë të Hoxhës në Amerikë?Dhe nuk po flas për takimet e tij me Papën dhe mbretëreshën e Anglisë) dhe e ka bindur t’i japin statusin e vendit të privilegjuar në marrëdhëniet tregtare duke përfituar kështu teknologji moderne dhe devizë të fortë.

Diku në vizitën e tij të tretë a të katërt, i shtyrë nga e shoqja Elena, ai viziton në Nju Jork një qendër të madhe tregtare, Macy’s (nuk e di në ekziston më), ku u shoqërua nga drejtori i saj. Pacepa thotë se në fund të vizitës Çaushesku kishte mbetur pa mend.

– Si mundën t’i sjellin kaq shpejt gjithë këto mallra? –  pyet ai ambasadorin e tij.

Ky, duke e kuptuar se udhëheqësi i vendit të tij mendonte se qendra tregtare ishte furnizuar shpejt e shpejt me rastin e vizitës së tij, përpiqet t’i shpjegojë të vërtetën, por ndërkohë ndërhyn Elena që e këshillon të shoqin të mos i dëgjojë pallavrat e ambasadorit. Ky, thotë ajo meriton të kthehet në Bukuresht për një kurs edukimi politik dhe të lexojë Scinteia-n (simotrën rumune të Zërit të Popullit). Çaushesku nuk është i sigurt për këtë, por të nesërmen, gjithnjë dyshues për të vërtetën e Macy’s ai porosit Pacepa-n të shkojë fshehurazi te qendra komerciale dhe t’i tregojë të vërtetën nëse janë zbrazur raftet e saj të mallrave.

Viktimë e propagandës së vet, ai kurrë nuk besonte se një vend jo komunist mund të plotësonte nevojat ushqimorë të popullsisë së tij.

Vetëm një ideologji si komunizmi dhe fanatizmi fetar mund t’u errësojë arsyen njerëzve në këtë farë derexheje. Me këtë rast më kujtohet të kem lexuar diku se kur ambasadorit turk në Londër i folën për ligjet e mekanikës qiellore që sapo ishin formuluar nga Njutoni, ai menjëherë tha: Është e pamundur që një gjë kaq të madhe Allahu t’ia ketë zbuluar një të pafeu!

Por për mua, nuk është kjo mendjembyllje me origjinë ideologjike më e rëndësishmja e kësaj historie. I etur që çdo gjë të mrekullueshme që shihte nëpër botë ta kishte edhe në vendin e tij, Çaushesku me t’u kthyer në Bukuresht dha urdhër të ndërtohet një qendër e madhe tregtare, si ajo që kishte parë në Amerikë, gjë qe edhe u realizua. Magazina në fjalë, u mbush ditën e parë të përurimit e u zbraz brenda një kohe të shkurtër. Me tej, raftet e saj furnizoheshin vetëm kur vizitohej nga delegacione të ndryshme të huaja apo nga vetë Çaushesku.

Gjatë një vizite tjetër amerikane atë e pritën në NASA, dhe ndërsa po shoqërohej në mjediset e saj nga astronomi J. Young, ky i fundit i shpjegon se në Qendrën Hapësinore punonin 3 600 inxhinierë, matematikanë, pilotë, astronomë etj., Çaushesku kthehet nga Pacepa dhe i thotë.

– Ne kemi më shumë se kaq në uzinën tonë të këpucëve.

Druri si arsenal i privilegjuar i komunizmit

Vjedhja e teknologjisë perëndimore së bashku me rekrutimin e agjentëve në vendet e tjera për të lobuar e punuar në favor të Rumanisë është një nga obsesionet e tij më të mëdha. Por, si komunist që ishte Çaushesku nuk mund t’i kalonte anash edhe kënaqësisë për të rrahur ata që kritikonin kultin e tij.

Pacepa, sjell disa fakte që lexuesi shqiptar i kohës do ta kishte vështirë t’i interpretonte.

Një porosi e tillë u dha për shkrimtarin Paul Goma, një disident rumun i papërkulur që ishte bërë shkas i zemëratave të pakontrolluara të Çausheskut, se jo vetëm denonconte kultin e tij të individit, por organizonte edhe grupime të tëra shkrimtarësh për të denoncuar pranë Komitetit të Helsinkit mosrespektimin e të të Drejtave të Njeriut.

Kur një gjë e tillë ndodhi ndërkohë që ai përgatitej për udhëtimin e radhës në Amerikë, Çaushesku në tërbim e sipër dha urdhër t’i jepej një dajak i mirë Paul Goma-s dhe të mbahej ca kohë i arrestuar. Kishte tmerr t’i bënin pyetje për problemet që ngrinte Goma gjatë vizitave jashtë vendit. Me ta nxjerrë Goma-n nga burgu, ai nisi një njeriun e tij pranë presidentit Karter, për ta bindur se ai vetë si President ishte fort i shqetësuar për respektimin e të Drejtave të Njeriut në Rumani dhe bënte çmos që të ruheshin të gjitha standardet.

Kur nga Uashingtoni erdhi një telegram që njoftonte se Karteri i kishte pranuar shpjegimet e dhëna, ai, me inatin e tij prej fshatari, porositi t’i jepet edhe një dru tjetër Gomës “që ta mbajë mend gjithë jetën”. Më tutje, meqë Goma nuk vinte mend, ai do ta urdhërojë ta përzënë në Francë (ku ai vazhdoi të kritikonte Çausheskun me të njëjtin pasion).

Dua të besoj se poeti H. Nela nuk do refuzonte një ndëshkim të tillë përballë alternativës tjetër, varjes në litar në mes të qytetit. Flas për të dhe jo për të tjerët, sepse diku në një vjershë të tij ai është i vetmi që permend Kartën e Helsinkit, por pa bërë asnjë aluzion tjetër. Por kaq mjaftonte për të merituar varjen.

Një rast tjetër, që Çaushesku ka dhënë urdhër të rrihet, por duke nënvizuar që të mos vritet, është ai i disidentes rumune Monika Lovinesku, që jetonte në Paris dhe shprehte opinionet e saj në Radio Free Europe. Për një gjë të tillë, u ngarkuan agjentë të shërbimeve palestineze që J. Arafati i vinte në shërbim të agjenturave rumune, me qëllim që të mos binte në sy se cili ishte komanduesi i vërtetë i këtyre akteve të ulëta. (Përfundimisht, meqë ajo ulëriti qentë e Arafatit, ia mbathën nga frika e fqinjëve, pa i thyer “nofullën¨ dhe “gishtat”, siç ishte porosia.

Disidentëve që ishin jashtë Rumanisë ai u bënte presion të mbyllnin gojën edhe duke i kërcënuar se nuk do t’u jepte viza daljeje familjarëve të tyre të bashkoheshin me ta. Por kur një inxhinier dhe agjent i shërbimeve të tij sekrete (Costantin Rauta), dezertoi në Amerikë (ku ishte me detyrë) dhe prej aty denoncoi kultin e tij të individit, Çaushesku mbeti keq para presionit të Qeverisë amerikane, për të lejuar gruan e tij të shkonte edhe ajo në Amerikë. Atëherë, ai dha urdhër të “m’i gjeni një mashkull të mirë asaj gruaje, që vetëm me forcën e k… ta bindë të qëndrojë këtu e të mos shkojë te i shoqi!” Nuk e di nëse mashkulli që i gjetën kishte aftësi të tilla aq bindëse, por di që urdhri i mësipërm u dha shprehimisht nga presidenti rumun.

Duke kërkuar të mësoj arsyen e këmbënguljes së tij për të rrahur, por për të mos vrarë, gjeta një shpjegim të Pacepa-s në faqen 125 të librit në fjalë. Sipas tij, pak kohë pasi Çaushesku erdhi në pushtet (1965), kryeministri i asaj kohe Ion G. Maurer, specialist i njohur i të Drejtës Ndërkombëtare, kërkoi një takim me të dhe i tha:

-Nik, si udhëheqës suprem i Rumanisë, ju mund të bëni çfarë të doni, për të mirë a për të keq. Me përjashtim të një gjëje: mos jep urdhër për të vrarë. Quhet krim, pavarësisht se nga cili është urdhëruar nga një mbret apo lypës.

Kontrolli i makinave të shkrimit

Kur letrat anonime me sharje ndaj regjimit nisën të vërshonin gjithandej jashtë vendit (se për ata që shanin brenda nuk merakosej shumë), ai dha urdhër t’u kërkohej të gjithëve të dorëzonin nga një mostër me shkrimin e makinave të përdorimit personal, për ta identifikuar kollaj “armikun”. Por me këtë rast, këshilltarët e tij do ta kundërshtonin duke i thënë se këtë mund ta bënin për makinat shtetërore të shkrimit, por jo për ato private.

-Pse, ia bën i habitur Çaushesku.

– Sepse nuk na lejon Kushtetuta.

– Kushtetuta na ka bërë ne apo ne Kushtetutën, pyet ai i pakënaqur.

Një pyetje e tillë Pacepa-s i kujton një episod me N. Khrushovin. Kur ky dha urdhër që trafikantët e tregut të zi të dënoheshin deri me pushkatim, prokurori i Përgjithshëm i thotë se këtë nuk e lejon ligji. Dhe me këtë rast Khrushovi bën pyetjen e tij të famshme:

– Kush komandon këtu, ne apo ligji?

Anketimi i përhershëm i opinionit publik

Duke e përligjur në mënyrën e tij, Çaushesku kërkon përgjimin telefonik të të gjithë popullsisë. Për këtë ai urdhëron ndërrimin e të gjithë telefonave të vjetër me një model të ri të prodhuar nga shërbimet sekrete. Dhe me atë rast, ditën e përurimit të qendrës së re të përgjimit (versioni rumun i Shtëpisë së gjetheve) mban një fjalim të shkurtër, ku thotë se nëse imperializmi amerikan është jo popullor në vendin e tij, kjo ndodh sepse udhëheqësit e vendit nuk e dinë se çfarë mendon e kërkon populli amerikan. Tani, ne me këtë teknologjinë tonë te re, do të kemi sondazhe të menjëhershme të opinioneve dhe dëshirave të popullsisë. Ja pra, vazhdon ai, si arrin komunizmi të vërë shkencën në shërbim të njerëzimit.

Më këtë rast, për të provuar si funksionin rrjeti i ri i përgjimit, ai urdhëron të bëhet një provë. Një gjeneral i ngarkuar me këtë punë zgjedh rastësisht një numër telefoni dhe i bie.

– Teatri kombëtar?- pyet me kast gjenerali i shërbimit

– Jo gabim, përgjigjet qytetari.

Të dy ulin telefonin por sistemi është programuar që të vazhdojë regjistrimin. Një çast më pas dëgjohet gruaja e qytetarit që pyet se cili ishte në telefon?

Qytetari: – Një trap që kishte ngatërruar numrin. Tani më lërë rehat të dëgjoj Radio Free Europe (stacion radiofonik amerikan, që me shumë vështirësi dëgjohej edhe në Tiranë). Po flet për udhëtimin në Amerikë të diktatorit tonë dhe të asaj rrospies së tij…

Tamam atë çast gjenerali ndërpret regjistrimin, por përderisa e ka dëgjuar Pacepa, që e riprodhon, pa dyshim që e kanë dëgjuar edhe të gjithë ata që ishin të pranishëm aty. Por me sa duket bëjnë sikur nuk e dëgjuan dhe shefi merr urdhër të shtype një buton tjetër, për të përgjuar edhe një tjetër telefon të zgjedhur po aq rastësisht. Këtë herë dëgjohen ofshamat e britmat e një çifti që po bënte dashuri.

– Këta të m’i arrestoni, thotë këtë herë Elena Çaushesku, në ora njëmbëdhjetë, njerëzit duhet të jenë duke punuar dhe jo duke bërë dashuri…

Nganjëherë mikrofonat e vendosur në dhomat e ndryshme të hoteleve kapin gjëra të çuditshme. Në një rast të tillë, gjatë një vizite të Jaser Arafatit në Bukuresht, një koleg i shërbimeve paralele, i jep Pacepas një kufje të ta vërë në veshë. Ai dëgjon ca britma që pothuaj “ i çanë timpanin”, Fedayni (pseudonimi i Yaser Arafatit) ulërinte si tigër dhe “i dashuri i tij, (një pjesëtar i truprojës) klithte si hienë”

Projekti Horizont

Një nga detyrat që Caushesku u kishte vënë shërbimeve të tij të diplomatikë dhe të spiunazhit ishte realizimi i një platforme të me emrin e koduar Horizont, që kishte për qëllimi t’i shpjegonte botës ndryshimin midis Rumanisë dhe vendeve të tjera të Bllokut të Lindjes, se ajo është e distancuar edhe nga vetë Moska, se është një ishull latin në zemër të vendeve sllave. E vërteta është se ai ka një urrejtje të madhe për udhëheqjen sovjetike e veçanërisht për L. Brezhnjevin, i cili kur ishte Sekretar politik në Moldavi, kishte internuar me miliona qytetarë rumunë në Siberi dhe kishte sjellë aty qytetarë sllavë të pjesëve të tjera të perandorisë ruse.

Me spiunët e tij Çaushesku u është afruar edhe rretheve  më të afërt të udhëheqësve evropianë dhe punon të bëjë një gjë të tillë edhe në Shtëpinë e bardhe. Pasi ka marrë informacion se Presidenti Karter konsultohet dhe dëgjon shumë pastorin e tij, Çaushesku jep porosi që njerëzit të rekrutojnë dhe bindin priftin në fjalë t’i flasë mirë presidentit amerikan për Rumaninë. Më tej ai do të urdhërojë njerëzit e tij të afrohen dhe rekrutojnë edhe vetë Bill Karterin, vëllanë e presidentit.

Me mijëra e mijëra agjentë sekretë lobojnë në çdo cep të globit për t’i hapur fushë veprimi marrëdhënieve me Rumaninë në të gjitha nivelet. Selitë diplomatike presin e përcjellin përfaqësuesit e kompanive më të famshme të botës, agjentët e tij jenë të pranishëm në qendrat më të ndjeshme të teknologjisë botërore.

Një kohë të gjatë ai ka pretendime të fitojë edhe çmimin Nobel për Paqe, për punën vërtet kolosale që ka bërë për të ulur në një tavolinë të përbashkët Arafatin e OÇP-së (organizata për çlirimin e Palestinës) dhe M. Beginin (kryeministrin e Izraelit), me të cilët ai kishte marrëdhënie të mira miqësore dhe bashkëpunimi dhe i takonte shpesh. Fatkeqësia e tij ishte se ndërkohë në këtë proces ndërhyri edhe H. Kisingeri, te i cili shkoi edhe çmimi në fjalë.

E drejta për spiunazh industrial

Pjesa më e madhe e këtij libri i kushtohet veprimtarisë krejt të pabesueshme, por mjaft të suksesshme të vjedhjes së teknologjisë perëndimore dhe vënies së saj në shërbim të ushtrisë apo industrisë së Rumanisë.  Një veprimtari e tillë shkon që nga rrëmbimi i tankeve të sofistikuar izraelitë (me ndihmën e njerëzve të Arafatit, në shtabin e të cilit ai kishte edhe spiunët e tij), të cilët i transportonte nëpërmjet kamionëve të shoqërisë TIR, shoferët rumunë të të cilës ishin të gjithë oficerë të DIE-s, shërbimit të tij sekret, e deri te infiltrimi dhe rekrutimi i personelit teknik në uzinat e armatimit në vendet perëndimore.

Larg interesit nuk mbetej asgjë nga sekretet e prodhimit të djathit dhe parfumeve franceze e deri te reaktorët e centraleve bërthamore.

Ai nuk kishte asnjë paragjykim dhe shpesh thoshte se shpikjet shkencore janë krijim i shkencës dhe  intelektualëve (jo i kapitalistëve, pra) dhe si të tilla i përkasin dhe duhet të përmirësojnë jetën e proletariatit botëror. Vjedhja ishte jo vetëm e drejtë por edhe detyrë.

Këtë sektor të spiunazhit industrial ai e drejtonte vetë dhe shihet qartë se aspiratat e tij teknologjike nuk mbeteshin në nivele të natyrës “patatja është edhe bukë edhe gjellë”.

Teknologjia mediko-farmaceutike, me të cilën merrej kryesisht e shoqja u ngrit dhe modernizua nga e para në saje të teknologjisë së vjedhur në Amerikë, Gjermani, Francë dhe Itali. Zhvillime impresionuese pati edhe industria metalurgjike, prodhimi i çeliqeve speciale, aliazheve etj.. Kur u ftua në Angli, ai kërkoi të vizitojë uzinat e Rolls-Royce-it dhe në pamundësi për të vjedhur teknologjinë e prodhimit të motorëve të famshëm, kërkon të blejë patentën e tyre, me qëllim që pastaj t’i përdorë edhe për motorët e tij të avionëve ushtarakë.

Një operacion tjetër sekret ishte ai kur agjencia e tij e zbulimit mësoi se Kanadaja po prodhonte një reaktor atomik që funksiononte me uranium natyror (dhe jo të pasuruar, që e kishin vetëm Amerika, Rusia, Franca dhe  Anglia), i cili gjendej me shumicë në Rumani. Për këtë u rekrutuan një brez i ri inxhinierësh rumunë të specialitetit bërthamor, që u nisën me identitete të rreme në Perëndim. Në pak kohë ata infiltruan gjithë ç’kishte më të mirë dhe më sekrete industria e Kanadasë, ajo e Amerikës (General Electric of Canada, Combustion Engineering of Ottawa, General Electric dhe Combustion Engineering në USA, Siemens dhe AEG, ITT dhe Kraftwerke në Gjermaninë Perëndimore, Ansaldo Nucleari Impianti në Itali etj..) dhe nisën drejt Rumanisë të dhëna të çmuara.

Mikroelektronika dhe informatika ishte një nga fushat më të parapëlqyera të Çausheskut. Fatkeqësisht nuk dimë se çfarë interesi kishte E. Hoxha për të. Gjithsesi, nga një “burim i brendshëm” këtu e 40 vjet më parë kam dëgjuar se një herë kur (për çudi)  L. Çuko i thotë Hoxhës  se kompjuterët mund të ndihmonin shumë në punën e institucioneve tona, ai e pa me ironi dhe i tha: atyre mut t’u japësh ato mut nxjerrin.

Në thelb nuk e ka keq, ky është parimi bazë, por ai mut që del, është tashmë i i paketuar, etiketuar, seleksionuar, etj.. Dhe kjo bën diferencën dhe kursen kohë dhe energji. Por në këto fusha, Shqipëria më pas do të kënaqej më ndonjë grup pajisjesh arkeologjike të dhuruara ndonjë institucion ndërkombëtar.

Ndërkohë, tamam ndërkohë, Çaushesku ishte i pari udhëheqës komunist, që këmbënguli dhe arriti të vizitojë uzinën Texas Instruments në Dallas, ku në fjalimin e rastit siguroi autoritetet se Rumania është kundër luftës dhe se është e interesuar vetëm për paqe. Dhe pastaj u kujdes të pyesë Pacepa-n nëse pala amerikanë u bind për fjalët e tij. Kishte arsye për një gjë të tillë sepse agjentët e tij më të mirë punonin për të vjedhur sekret e teknologjisë ushtarake në Texas Instruments.

Dhe në pak kohë, qarqet e integruara për të cilat ajo korporatë kishte investuar aq shumë, nisën të prodhohen në sasi industriale nga uzinat rumune …

Përfundim

Të zgjedhësh midis këtyre dy diktatorëve është si të zgjedhësh midis kolerës e të vdesësh nga shpërthimi i diarresë dhe i të vjellave dhe murtajës, nëse për ndonjë arsye personale parapëlqen të vdesësh nga ethet bubonike dhe lungat e ganglioneve limfatike që mbushen me ujë e qelb.

Në rastin e Rumanisë (edhe pse Çaushesku liroi menjëherë të burgosurit politikë sapo mori pushtetin nga G. G. Dej), ndjen sëkëlldi të jesh nënshtetas i një vendi, presidentit të të cilit i ngjit dora në çdo gjë që prek, vjedh fare pa iu skuqur surrati, madje është krenar për atë që bën, por duke njohur në një farë mase edhe vendin ku linda, duke parë se si ajatollau E.Hoxha tërbohej dhe nxirrte fatwa e llavë nga goja për një nuancë të së kuqes në tablonë e një piktori dhe e përplaste atë në burg, varte poetët dhe dënonte artistët për tekstin e një kënge që fliste për erën e limonit, ndërkohë që në radiot e huaja ne dëgjonim koncertin që Beatles jepnin në Bukuresht ( jam i sigurt që Çaushesku i ka ftuar jo se e kuptonte muzikën e tyre por sepse deshte për Rumaninë çdo gjë që bënte emër në botë, si puna e teknologjive moderne), kam arsye të dyshoj shumë se Shqipëria ka qenë një vend komunist si gjithë të tjerët..

 

13 Komente

  1. Me duket se eshte bere nje studim doktorate per historikun e informatikes ne Shqiperi. Nuk e mbaj mend kush. Por nga kujtesa me duket se ne 1960 UT ka bere kerkese kinezve per nje qender kompjuterike. Qeveria e mirepriti por mungonin specialistet qe kinezet nuk kishin shume vullnet ti trajnonin. Nuk e di nese sovjetiket ishin te gatshem te ndanin info pasi atehere teknologjia ishte kryesisht sekrete. Me pas inxhinieret e pare jane trajnuar pikerisht ne Rumani ne vitet 70 nepermjet nje programi te unesco, ne 80 ne France e Itali. Nder te paret ka qene nje Alfred apo Fred, qe ngriti edhe Maturen shteterore ne 2009. Ne Rumani programet e para te studimit ishin ne vitet 50, kryesisht ne sektorin e planifikimit e mori zhvillim ne vitet 60. Edhe ne Shqiperi kompjuterat e pare besoj se jane perdorur ne Komisionin e Planit te Shtetit, me pas INIMA (sit Instat), ndersa ne universitet programet jane hapur ne vitet 80.

    1. Diku nga fundi 1992-it m’u desh te pres ne Ministrine e Kultures nje delegacion anglez. Ne perfundim te bisedes shoqeruesi nuk pushonte se falenderuari. Nuk po e kuptoja. Ta bente kete per nivelin e anglishtes sime do te habitesha shume. Kur e pyeta me tha se te falenderoj sepse kemi bere takime ne te gjitha nivelet e qeverise dhe vetem ne zyren tende gjetem nje kompjuter. Ne te vertete, meqe shkrimin tim e kuptoj vetem une, me kishte ardhur ne maje te hundes duke i diktuar shkresa sekretares, atehere kerkova dhe ne bodrumin e ministrise gjeta nje kompjuter te vjeter. Ishte nje Bull mikral i falur kushedi se nga kush dhe qe prej vitesh nuk perdorej me. M’u desh ca pune per ta bere te funksionoje. Per fat kishte edhe nje soft perpunimi teksti, mikropage, nje stergjysh i word-it si edhe nje printer, qe degjohej deri poshte ne rruge kur punonte. Me shpetoi! Di qe ne ate kohe te INIMA dhe ai instituti i informatikes pas kryeministrise (dhurate e nuk e di kujt) sapo kishin cmontuar ato makinat qe zinin salla te tjera dhe qe punonin me shirit magnetik me vrima, ekrani nuk ekzistonte ende (ne Shqiperi). Me pas u krijuan ato dy firmat e njohura, mikrosoft dhe ajo tjetra qe punonte me HP dhe ne pak muaj Shqiperia la pas paleolitin informatik… Per kohen qe Caushesku prodhonte chipet e tij, te njohurit e mi pedagoge ankoheshin sepse ishin te detyruar te shpjegonin elektroniken dhe benin praktike me llampat e radiove, nderkohe qe ato ishin zhdukur kudo ne bote nga perhapja e gjere e tranzistorve dhe qarqeve te integruara…

      1. Dikur nga gjysma e dytë e viteve 1980 (s’e them dot me saktësi se kur, por do të ketë qenë pas vitit 1988), Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë i dhanë një kompjuter. E mori në zyrë drejtori, i ndjeri Jorgo Bulo, por nuk e përdorte. Me sa mbaj mend unë, një shoku ynë që kish studiuar në Francë, ishte i vetmi që e vinte atë kompjuter në punë në orët e vdekura – me lejen e drejtorit – për të parë horoskopin me një program të posaçëm. Aso kohe bëheshin disa përpjekje relativisht të avancuara edhe për gjuhësi të kompjuterizuar, nëse nuk gaboj nga Sandër Murzaku, me bekimin institucional të Remzi Pernaskës; por jo në Institut. Pat ardhur edhe një Johan Vandevalle, nga Belgjika, një poliglot fenomenal, që kish zhvilluar një program që lakonte emrat e shqipes; nga frika se mos ia kopjonin, ky e ekzekutoi programin te një kompjuter i rastit – nëse mos gabohem tek Akademia – nëpërmjet një dongli.

  2. Rasti rumun eshte shume emblematik per te kuptuar se edhe kur e vidhnin teknologjine (pra perfitonin nga shpenzimet kolosale te vendeve te tjera) regjimet komuniste mbeten te pagratshem. Rasti i suksesit kinez, nuk mund te mbuloje faktin se ne origjine eshte fjala per nje vice caché te marksizmit, sepse Rumania, ndryshe nga Kina e kishte suprimuar pronen private, ku ajo cilesohej edhe si turp. Gjithsesi, kurre nuk kam gjetur ndonje shpjegim te kenaqshem perse ne shume vende te tjera, praktikisht ne me shume se gjysmen e botes (perfshi edhe Shqiperine e sotme), kur prona private nuk eshte vene ne diskutim, niveli i jeteses mbetet i pakenaqshem.

    1. Sepse prona private eshte vetem kondite e nevojshme, po jo e mjaftueshme per prosperitet. Besoj se nuk ka nevoje te shpiegoj ketu ç’është kondita e nevojshme dhe ç’është kondita e mjaftueshme.

      Sa per historikun e informatikes ne Shqiperi, mikrokompjuteri i pare (sot i thone desk computer) ose sic cilesohet ketu me monitor), ka erdhur ne Institutin e Fizikes Berthamore ne vitin 1980. Ishte nje Commodore PET me monitor te incorporuar, me pas u mor nje Apple Computer (ose sic i thone sot Macintosh, Mac) me monitor ne forme kubi veç nga trupi i kompjuterit. E me vone edhe 3 – 4 te tjere qe erdhen ne kuadrin e projekteve me IAEA. Njerez nga Qendra e Matematikes Llogaritese (me vone INIMA) dhe fakulteti ekonomik (nje pedagog me emrin Petraq studiuar ne France) vinin e provonin programe te tyre ne keta desk computers. Nga Komisioni i Planit vinte nje vlonjat me emrin Astrit, qe ç’eshte e verteta megjithese nuk merrte vesh gje nga kompjuteratt, i bindi drejtuesit e Komisionit te Planit dhe ata porositen e blene nje Commodore PET dhe pretenduan te perpunonin te dhenat e nje censusi te popullates qe u zhvillua ne ato vite. Sigurisht nuk paten asnje sukses per mungese te memories komputerike.

      Pretendimin qe desk computer i pare ne Shqiperi eshte ai qe ka hyre ne Insitutin e Fizikes Berthamore e kam me rezerven qe une nuk di te kete hyre ndonje me pare. Sigurisht e terheq sapo dikush tjeter te jete ne dijeni te ndonje kompjuteri (me monitor) qe ka hyre ne Shqiperi para viti 1980.

      PS. Per hir te saktesise, nuk ka “shirit magnetik me vrima”. Mainframe-t e para (kompjuterat e pare, qe zinin dhoma te tera) punonin me shirita (letre) me vrima, si ato te teletajpeve, me vone shiriti me vrima u zevendsua, me karta ose skeda me vrima, e me pas me shirit magnetik qe ishte shume me “reliable”. Edhe desk computers e pare kane perdorur shirita magnetike ne kaseta magnetofoni te zakonshem, derisa edhe keto u zevendsuan me floppy disks e me vone me thumb drivers, cards etj. etj.

      1. E drejte per “shirit magnetik me vrima”. Isha i ndergjegjshem qe po bashkoja dy suporte te ndryshme. Te sallat e INIMA-s shihja shirita te ngjashem me ato te magnetofoneve, ngjyre kafe, por me gjeresi aty te 12-15 mm., nderkohe qe skedat me vrima si ato te organove mekanike perdoreshin ne makina te tjera. Per keto te fundit gjithnje kisha menduar se ishin shpikje e Ch. Babbage dhe e nxeneses se tij Ada Lovelace (vajza e lord Bayron-it) qe cilesohet edhe si programistja e pare (diku nga 1840) dhe qe kontriboi edhe ne pergatitjen e atyre kartave me vrima qe e futen ne eren moderne industrine angleze te tekstilit.
        Por… (dhe kete e kam mesuar vone ) shiritat me vrima (ruban perforé) u shpiken ne France dhe me to u programua endja gjysme automatike me … 1725.
        Nga nje fshtar qe punonte ne shtepi, pra!

      2. Nje mainframe kinez ka qene deri vone, nga 1994 e kam pare, diku te rr. Don Bosko, ka qene ne nje qender metereologjike ne mos gaboj. Kishte nje RAM sa nje tre lavatrice.

        Ne 67 Kinezet i dhurojne nje qender llogaritese Uni te Tiranes. Ndoshta ka qene ai qe kam pare une.

        Tani po rremoja dhe pash se Maksim Marjani dhe Gjergj Gjura paska qene nder te paret qe jane derguar ne France ne 1973 nga Unesco. Ceshte bere me keta? Se bashku me Frederik Premtin ne Rumani, duhet te jene nder pionieret e pare. Petraq Papajorgji mos ka qene ai pedagogu? Ky u kthye e nuk e perfundoi shkollen atje, por studioi dhe jetoi me pas ne SHBA, tani ne Shqiperi.

        Peizazhet eshte nje vend i mire per te bere nje studim te elitave.

  3. Ah, më 1994 ka ndryshuar gjithçka! Unë vetë, personalisht unë, në atë kohë kam në shtëpi një ordinator portabel dhe nje desk top, mbase nga më të mirët në botë për atë kohë. Kam edhe internetin (pa imazh), duke qenë mbase i pari në ato anë.
    Po shpjegohem sa më shkurt. Kur punoja si përkthyes dhe shoqërues “privat” (kisha dhene dorëheqjen nga Radioja dhe isha i papune) për gazetarët e huaj që nisën të vijnë me shumicë pas vizitës se Kuelarit, mahnitesha kur i shihja disa prej tyre (jo të gjithë) tek shkruanin korrespondencën ne ordinator dhe pastaj fusnin një fish telefoni anash dhe për pak sekonda artikulli ishte faqosur matanë detit. Te tjere parapëlqenin ta diktonin me zë ne kabinen telefonike te Dajtit apo Internacionalit, gje qe u pëlqente shume agjenteve te sigurimit qe silleshin te hutuar rrotull kabinave (kapinin ndonje fjale e mbanin shenim dhe vinin e na pyesnin nese çfare donte te thoshte. Me pas, ndonjëri prej tyre me tha se qëllimi ishte të lajmëronin “udhëheqjen” që nje dite përpara për artikujt qe do te dilnin te nesërmen neper bote. Jo keq si ide, çeshte e vërteta!)
    Më pas kur interesi po binte, aty te mesi i 92-shit gazetaret nuk vinin me dhe nisën të na ngarkojnë disa prej nesh, te shkruanim korrespondenca, artikuj, reportazhe per nje numer jo të vogël gazetash, duke filluar me Gazzetta del mezzogiorno ‘që më linte faqe të tëra për reportazhet e mi, por edhe mjaft gazeta e revista, të djathta e të majta.
    Duke mos njohur mizerablitetin moral te shtypit italian, pa u menduar gjate (por duke mbledhur fakte te pakundërshtueshme) denoncova depërtimin e mafias në Shqipëri ( ne fakt e botova te Il Manifesto) blerjen e tokave ne Myzeqe (qe e shëtita me pellembe dhe takova fshataret qe kishin mbetur me gisht ne goje, por ku edhe rrezikova shume nga sbirret) për një copë bukë nga nje kryemafioz qe ishte ne proces ne Itali per vrasjen e nje gazetari (artikulli pjesërisht u ribotua edhe ne Corriere… dhe nje numer i madh gazetash dhe … Indro Montanelli, qe me dergoi edhe librat e tij që i ruaj edhe sot)). Dy ditë më pas në Shqipëri vjen urgjent i dërguari i Mezzogiorno-s C. Bolino (që mbulonte Shqipërinë, se Gazeta shqiptare nuk ekzistonte ende, edhe pse ishte ne plan dhe shpesh ne shtëpinë time diskutonin per kete projekt) që më komunikon se pronari më kishte pushuar nga puna per ato akuzat nga asaj familjes mafioze të njohur. Ajo që nuk e dija unë (dhe kete e mesova nga Carlo) ishte se familja Ninivaggi ishte sponsori kryesor i Gazzetta del mezzogiorno…

    Midis të tjerash duke marrë të dhëna edhe nga miq gazetarë në Itali, i kisha denoncuar se në bashkëpunim me figura te dyshimta shqiptare në Shqipëri (Koço Kokëdhima, por edhe familjare te demokratëve te mëdhenj te kohes etj) kishin shitur makarona dhe nje lloj pureje qe mbyti tregun shqiptar te kohes, te prodhuar me miellin e kontaminuar nga Çernobili, që e kishin blerë në Poloni etj, etj (arka te tera i kishin derguar falas edhe ne shtepine e ministarve e kryeministrit) Kalova kohe te veshtira. Dhe per sigurine e familjes (vete gjithnjë habitesha qe isha ende gjalle) m’u desh te bej edhe ndonje korrigjim (ne versionin shqiptar te artikujve dhe jo ate italian) dhe mendova se duhej të heshtja një kohë deri sa të kuptoja më mirë vektorët e xhungles së shtypit italian.
    Keshtu lashë çdo bashkëpunim. Kur nuk e prisja mora një telefon nga Europa ritrovata, nje reviste e sapo dale që analizonte gjendjen në ish Lindjen komuniste, te cilet ishin shqetësuar përse nuk shkruaja më. U shpjegova atyre situatën dhe ata më thanë të shkruaja si të doja e sa te doja për këto probleme në revistën e tyre. Dhe me këtë rast me derguan një portabel, diku nga mesi 1992 me te cilen realizova ëndrrën time: fusja fishën e telefonit ne ane te kompjuterit dhe artikulli ne çeshtje fragmenti sekondash dilte ne anen tjeter te detit, edhe pse ishte vetem 8 bits. Si softe teksti ishte wordstar dhe wordperfect, nw mos gaboj. Dhe gjithçka nw Ms-DOs, Windows nuk njihej te ne dhe kam përshtypjen se ordinatoret nuk kishin kapacitete per ta mbajtur..
    Natyrisht, ne ato qe shkruaja, isha mjaft me i matur…
    Tani e shoh se u zgjata shume, brenda dhe jashte temes (me sa duket me moshe kemi qejf te tregojme edhe historira:-)). Dhe duke mos ditur interesin e te tjerëve, por e le me kaq…

  4. Aty afer rr. Don Bosko ka qene ndertesa e Qendres se Matematikes Llogaritese , qe me pas u be INIMA ne ndertesen e re pas kryeministrise. Atje ka pasur dy kompjutera, njeri model i vjeter analog qe operohej manualisht me fisha. tjetri X2 , ishte i mire per kohen , te dy dhene nga kinezet. X2 ishte mainframe dhe kishte gjuhe programimi Algol-in. Drejtori i Qendres ka qene K.Bukuroshi, profesori matematikes tek Shkencat, me zevendesa Y.Vejsiu dhe V.Zejno. Specialista ishin nje grusht djemsh te mire e te afte; pervec Marjanit,qe ishte hardwareman, Premtit, Gjures ishin edhe Gudari, me pas Kryetar i Akademise,N.Priftaj, F.Nano,M.Konomi, P.Varfi,Frasheri,etj.qe e kam veshtire t’ju kujtoj sakte emrin ose mbiemrin, dhe nen nje drejtim mjaft efikas kane bere pune fort te mira. Pothuaj te gjithe jane kualifikuar kohe pas kohe kryesisht ne France, pervecse fillimisht ne Kine. Kur shkuan tek Inima moren nje kompjuter te ri te fuqishem. Vareshin nga Akademia dhe i kane sherbyer ekonomise ne shume fusha.

    Por ka pasur edhe nje kompjuter,mainframe, tjeter instaluar ne Fier , qe i sherbente sektorit te naftes. Ishte instaluar ne vitin 1972 , prodhim amerikan i vitit 1965-66 i tipit Raytheon704. Kishte kushtuar rreth 2 milione dollare dhe kishte kapacitet te larte perpunimi meqenese ishte i projektuar per perpunimin e te dhenave sizmike , qe kane volum jashtezakonisht te madh. Kishte gjithe aksesoret e nevojshem per leximin dhe perpunimin e te dhenave sizmike te cdo teknike e kohe. Fillimisht kompjuteri ishte i tipit Real Time ,kishte ATP,qe lejonte perpunimin me matrica ,gje qe e rriste shpejtesine me dhjetra here. Plus qe programet e shfrytezimit ishin absolute, dmth qe ngarkoheshin direkt nga harddisku ne memorjen operative te gatshem per pune pa qene nevoja te kompiloheshin, etj. Me pas , pas disa vitesh u harxhuan edhe nja gjys milioni tjeter per t’u fuqizuar si kapacitet hardware e software dhe u shndrrua ne Time sharing.Te dhenat sizmike primare qe perftoheshin ne terren me stacione manjetike analoge e me pas ekskluzivisht digitale ruheshin, lexoheshin e shkruheshin ne shirita manjetike,magnetic tape, me kapacitete te stermedha. Per informacionin shtese te nevojshem perdoreshin kartat e perforuara Hollerith, punched card, ne nje paisje te IBM.Per daljet, shkrimin, per kontroll perdorej teletajp qe shkruante me linja kurse per diagnostikat e sistemit perdorej punched paper tape. Si gjuhe programimi kishte SYM II, gjuhe me mikrokomanda qe sherbente per te bere koregjime ne programe kur lindte nevoja dhe FORTRAN IV per hartim programesh te reja.
    Ne fakt, me kohe u hartuan shume programe per permiresimin e nivelit te perpunimit,perditesimin e tyre sipas zhvillimeve bashkekohore. Ishin programe shume te veshtire, si psh dekonvolucioni i sinjalit sizmik,qe kush ka disa njohuri matematike e kupton cdo te thote te ndertosh e programosh nje algoritem ku serite Furie jane elementi me i zakonshem.
    Impakti ne kerkimin e vb te naftes ishte i jashtezakonshem. Te gjitha vb e zbuluara pas v.1973 nuk do te ishin bere te mundura pa perpunimin e te dhenave ne kete kompjuter. Sigurisht kompjuteri i sherbente gjithe sektorit te Naftes por pjesen e luanit e zinte perpunimi i te dhenave sizmike.
    Nuk eshte permendur ne shtyp vecse fare rralle ,ndryshe nga Inima qe ishte shume prezente e i behej reklame. Prandaj dhe ndoshta nuk e keni degjuar kurre.
    Thashe te sjell pak informacion meqe m’u duket fort te interesuar.
    Sa per PC,apo sic i quani desk computer me monitor, ne sektorin e Naftes jane shfaqur pas mesit te viteve ’80, te tipit Apple Mcintosh, te cilet kishin dale ne treg ne fillim te v.1984

  5. Bashkë me përgëzimet për autorin për trajtimin e bukur, po marr guximin të dal paksa nga tema, dhe të përqendrohem tek ky digresion në kllapa:

    Shkruan autori: “…(për amatorët e historisë “së vogël” shtoj se ai thotë diku se nuni i tij ishte Nikolae Jorga, një personazh i vyer për historinë e Shqipërisë, të cilit A. Zogu i kishte shprehur gatishmërinë t’i ndërtonte në Sarandë një institut studimesh që ta drejtonte ai vetë).”

    Rreth viteve 1990, tek punoja në Ministrinë e Drejtësisë, mësova rastësisht për demarshe serioze të Ambasadës së Republikës Rumune në Tiranë lidhur me Institutin e studimeve rumune në Sarandë.

    Me pak fjalë ngjarja, në mos gabohem, ishte kështu:

    Mbreti Zog vërtet kishte dekretuar dhënien në pronësi të një trualli dhe ndërtese për Institutin e lartpërmendur në Sarandë.

    Mirëpo gjatë periudhës së totalitarizmit në Shqipëri ndërtesa ishte shtetëzuar, si gjithshka tjetër.

    Pas viteve 1990 shteti rumun kërkoi menjëherë ringritjen e Institutit. Mirëpo, sikurse në rastin e Arës e Mëllenjave tek Breznitë e Hankonatëve, edhe për Institutin Jorga në Sarandë “ia behu pronari”.

    Në mos gabohem, çështja kaloi në gjykatë, dhe…

    …ende sot nuk më rezulton se Instituti i Studimeve Rumune në Sarandë të ekzistojë, sikurse pat blatuar Mbreti Zog.

    Për këtë temë të hidhur ka hulumtuar shterueshëm studiuesi Kopi Kyçyku, “Nicolae Iorga și popoarele ‘născute într-o zodie fără noroc’ “, in Akademos, Nr. 4/2008, pp. 90–91, si dhe Tănase Bujduveanu, “Institutul român din Albania”, in Magazin Istoric, March 2011, pp. 28–32.

    1. Faleminderit z. Alibali. Nuk e dija fare se kjo histori paska patur nje vazhdim. Nje fakt si ky me kishte mbetur ne mendje nga lexime te viteve ’80. Ndonese ndajme te njejtin gadishull, potencialin e jashtezakonshem filozofik, letrar e shkencor te Rumanise e njohim shume pak. Nga ato vite kujtoj se nga me te lexuarat ne institutet tona, (gjuhesi-historise, folklorit, Akademise…) ishte nje reviste disa gjuheshe rumune studimesh te Europes juglindore (qe m’u desh ta shfletoj here pas here dhe rasti i fundit me kujtohet ishte per te kuptuar versionin rumun te varrosjes se nje njeriu ne themelet e kalave dhe aplikimin e teorise se grafeve ne kapjen e nenshtresave te versioneve me te vjeter ballkanike te miteve etj.). Ishte nder te botoje ne te per cilindo (dhe here pas here shfaqeshin edhe shkencetare te njohur shqiptare), por po ne institutet shqiptare te asaj kohe degjoja te thuhej: Ja, pra, dy gjera nuk priteshin pas L2B, qe Izraeli te behej fuqi pushtuese dhe që Rumania te nxirrte shkencetare< . E pra, po shtoj edhe une timen (me 40 vjet vonese), Nikolae Jorga (pa folur per M. Eliade dhe dhjetra studiues te tjere te nivelit evropian) ishte aty per te na treguar se Rumania nuk e filloi shkencen pas L2B…

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin