NOBEL PËR SALMANIN?

Para pak ditësh, gazetari dhe publicisti amerikan David Remnick sugjeroi, nga faqet e revistës The New Yorker, që këtë vit Nobeli letrar t’i jepej Salman Rushdie-ut, duke sqaruar në nëntitull: “Arritjet e tij letrare e meritojnë plotësisht njohjen nga Akademia Suedeze – dhe çmimi do të ishte një qortim (rebuke) simbolik ndaj armiqve të fjalës së lirë.”

Në klimën politike që ka kapluar sot kulturën amerikane, nuk është për t’u habitur që propozimi u prit me duartrokitje, veçanërisht nga ca aktivistë që kujtohen të flasin për letërsinë kur duan të shprehen për impaktin e kësaj apo asaj vepre, në axhendat e tyre politike dhe që i gjykojnë autorët për nga angazhimi i tyre në betejat politike të ditës, kur nuk i gjykojnë për nga korrektesa e tyre politike.

Ruzhdie-un e sulmuan – për ta vrarë – para pak javësh, gjatë një eventi letrar krejt paqësor; ai që e sulmoi, iu përgjigj në thelb thirrjes formale, ose fatwasë, të lëshuar nga lideri suprem i Iranit Ruhollah Khomeini, për eliminimin e tij me çdo kusht, si autor i një libri “blasfem kundër Islamit.”

Qartazi, sugjerimi i tanishëm për t’i dhënë atij Nobelin letrar këtë vit frymëzohet jo aq nga cilësia letrare e mirëfilltë e prozës së tij, sa nga indinjata për atentatin. Është më e lehtë të mobilizosh opinionin në reagim të ngjarjeve të rënda si ajo në Chautauqua, se në mbështetje të një vepre letrare të komplikuar, si ajo e Rushdie-ut.

Por kjo do të thotë edhe që ta ftosh Akademinë Suedeze të nderojë me Nobelin letrar viktimën e një krimi politik.

Jetojmë në kohë kur evidentimin dhe nderimin e viktimave të dhunës shtetërore, por edhe të terrorizmit dhe të luftës, nuk e ndan dot nga pozimi i elitave intelektuale, a nga çfarë e kanë quajtur virtue signaling, sinjalizim të virtytit. Paçka se virtyti, në këtë rast, është i atyre që kërkojnë të nderohet Rushdie-u i plagosur me thikë, jo i viktimës.

Akademia Suedeze e ka konsideruar edhe herë të tjera autorin e “Vargjeve Satanike” si kandidat për Nobelin letrar; madje ka komentatorë që thonë se Salmani është lënë mënjanë ngaqë juritë e çmimit, vit pas viti, kanë dashur të shmangin “zemërimin” e myslimanëve anembanë botës, të cilët do ta shihnin atë Nobel si shpërblim ndaj një autori “anti-Islam”.

Të tjerë mendojnë se Rushdie-u shkrimtar nuk e meriton Nobelin, për arsye mirëfilli letrare. Por as ky nuk është argument, sidomos në kontekstin e atyre emrave që e kanë marrë këtë çmim në rrjedhë të viteve. Ka mes tyre autorë krejtësisht mediokër, të cilët tashmë janë harruar krejt ose janë duke u harruar.

Nga ana tjetër, nuk do të ishte hera e parë që Nobeli do t’i jepej dikujt për arsye më shumë politike se letrare; ose në mbështetje të një vizioni të caktuar të letërsisë, si degë e glorifikuar e publicistikës. Kujtoj çmimin që iu dha dikur, gjatë viteve të Luftës së Ftohtë, rusit Boris Pasternak, pas botimit të romanit të tij Doktor Zhivago në Perëndim, një vepër që – sërish nga pikëpamja mirëfilli letrare – nuk i përmbush kriteret e Nobelit.

Pangea, një revistë italiane online që i prezantohet lexuesit si “revistë aventuriere e kulturës dhe ideve”, reagoi ashpër ndaj propozimit të Remnick-ut, me një editorial të titulluar “Una fatwa contro il genio. I radical chic vogliono dare il Nobel a Salman Rushdie”, duke shpjeguar se argumentet e sjella nga The New Yorker nuk kanë fare të bëjnë me letërsinë, dhe se, sipas “ayatollah-ëve të New York-ut” Nobeli letrar është çështje politike, ndërsa për artin nuk i plas kujt.

Por Nobeli nuk fitohet për merita morale, thuhet në editorial, por për madhështi estetike; dhe në letërsi “çfarë shkruhet është dytësore, në raport me si shkruhet.” Prandaj edhe Remnick-u, “e turbullon letërsinë me helmin moralist” dhe sipas logjikës së tij, le t’ia japim Nobelin edhe… Roberto Saviano-s, që gjithnjë ka ditur të rreshtohet në anën e duhur. The New Yorker, përfundon editoriali i Pangea-s, ka lëshuar një fatwa kundër gjenialitetit (letrar).

Pangea provokon, sepse provokimi është në natyrën e misionit të saj kulturor; por angazhimi i saj editorial në mbështetje të letërsisë jashtë dhe përtej përdorimeve të saj politike meriton vëmendje. Tek e fundit, edhe tërbimi satanik me të cilin u përndoqën vit pas viti Rushdie-u dhe botuesit e përkthyesit e tij, anembanë botës, nga zelltarët e fatwa-së së ajatollahëve, nuk kish të bënte me meritat letrare të romanit Vargjet Satanike, por me efektet e tij të supozuara anti-Islam. Edhe vetë ajatollahët e përdorën dënimin e Rushdie-ut për synime politike.

Për mua, kjo kontroversi e re rreth Nobelit veç provon se çmimi letrar, në një kontekst perëndimor të asfiksuar nga politikishtja korrekte, multikulturalizmi, woke-izmi dhe sinjalizimi i virtytit, ose do të privilegjojë haptazi meritën artistike, duke injoruar efektet politike të veprave, ose duhet të pushojë së vepruari. Nga Stockholm-i pritet të vijë një mesazh i fortë dhe jo-ekuivok, në kundërvënie me banalitetin dhe tundimin për ta përdorur letërsinë, si armë në beteja politike dhe sociale të momentit. Salman Rushdie-ut le t’i jepet Nobeli, nëse vepra e tij gjykohet e denjë me argumente mirëfilli letrare; përndryshe, një çmim që nderon viktimën e një represioni politik, sado barbar të jetë ky dhe sado në kundërvënie me vlerat e qytetërimit të Nobelit, mund dhe duhet të jepet nga një instancë tjetër, më e përshtatshme.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptë riprodhimi pa leje. Shkelësit do të përndiqen sipas ligjit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin