MARGARITA KRISTIDHI, IKONË E PIANIZMIT SHQIPTAR

nga Metila Dervishi

Jeta

Margarita Kristidhi (që nga të gjithë njihet me emrin “Bebi”) është e para pianiste e kompletuar e jetës koncertale shqiptare. Ka realizuar një sërë koncertesh solo, si edhe ka ekzekutuar koncerte me ansamble të ndryshme, duke u bërë kështu një figurë mjaft e njohur e interpretimit pianistik në Shqipëri, në periudhën socrealiste, por një model i paarritshëm që vazhdon jehonën edhe sot, pedagoge me një personalitet shumëdimensional.

Pianistja Kristidhi kishte një formim të gjithanshëm muzikor dhe rrezatonte (sikundër rrezaton edhe sot) sharmin modern të kulturës shqiptare. Ky rrezatim burimin e parë të energjisë e ka thithur në vatrën e njërës prej familjeve më të shquara qytetare të asaj kohe.

I ati, Kristo Kristidhi, i lindur në Manastir (Maqedoni e Veriut), pasi mbaroi studimet për mjekësi në Grac (Austri), erdhi krejt rastësisht në Korçë, u magjeps prej saj dhe më pas mori vendimin përfundimtar: do të jetonte dhe punonte në Tiranë, duke u bërë njëkohësisht dhe okulisti i parë i kryeqytetit shqiptar. Në këtë periudhë dr. Kristidhi u martua me njërën nga vajzat më të kulturuara të asaj kohe, dashurinë e tij të parë, që e kishte njohur që në bankat e shkollës, znj. Maria, edhe ajo nga Manastiri.

E ëma e Margaritës ishte një grua me personalitet shumë të fortë dhe me një dituri të gjerë. Ajo njihte mjaft mirë italishten, frëngjishten, greqishten, maqedonishten dhe anglishten. Kështu, duke i shtuar dhe gjermanishten, që ishte gjuha e studimeve të të atit, Margarita Kristidhi u rrit në një mjedis gjuhësor shtatëgjuhësh, gjë që do të ndikonte jo pak në formimin e personalitetit të saj.

Pianistja e madhe, me një buzagaz të lehtë, të thotë që numri “shtatë” është numri i saj i fatit: ajo ka lindur më 7 shtator të vitit 1937 në kryeqytetin e mbretërisë shqiptare.

Talenti i saj në piano, siç ndodh rëndom, u zbulua krejt rastësisht: në familjen Kristidhi do të sillnin një piano dhe, motra e saj më e madhe, Aneta, nisi ta studionte këtë instrument me një mësues italian. Gjatë mësimeve që merrte Aneta, Margarita, gjithë kureshtje, rrinte pranë saj, duke ndjekur me vëmendje larminë e tingujve muzikorë. Ishte kjo kureshtje fëminore që do të përcaktonte fatin e saj. Aneta, duke e vërejtur interesin e veçantë të së motrës për muzikën, do të ndikonte faktikisht në mënyrë përcaktuese për vendimin e familjes, që Margarita të ulej për herë të parë në stolin e një pianisteje në moshën 5-vjeçare. Ky do të ishte dhe momenti që si prindërit e saj, ashtu edhe mësuesi italian, të kuptonin që, mbase, kishin të bënin me një talent që priste të zbulohej.

Kështu, pra, në këto rrethana, ajo do të niste mësimet e para për piano, nga e cila s’do të ndahej më.

Me çlirimin e vendit, kur mësuesi i saj i parë u largua nga Shqipëria, 7-vjeçarja u detyrua t’i ndërpriste studimet për pak kohë. Tashmë në jetën e saj do të futeshin dy personalitete të tjerë të njohur: profesor T. Guraziu dhe profesoreshë P. Nakoja.

Me hapjen e shkollës së parë artistike në vend, liceut artistik “Jordan Misja” në Tiranë, Margarita, e cila e kishte marrë përgatitjen fillestare profesionale, u regjistrua në shkollën e re si kursante, ku për tri vite radhazi mësoi piano dhe solfezh. Gjithnjë nën drejtimin e profesor Guraziut, ajo përfundoi studimet e mesme në vitin 1954.

Gjatë periudhës së liceut Margarita konkurroi dy herë në konkurset e zhvilluara në atë kohë për të drejtë studimi jashtë shtetit (Moskë). Megjithëse në të dyja rastet doli fituese, kjo e drejtë iu mohua. Kjo nuk do ta dëshpëronte pianisten e re: atë vit që përfundoi Liceun, ajo u emërua pianiste shoqëruese në Teatrin e Operës dhe Baletit.

Ngjarja e parë e rëndësishme e karrierës së saj muzikore i përket vitit 1955. Së bashku me disa artistë të Teatrit të Operës dhe Baletit, mori pjesë në një turne disamujor në vendet e ish-demokracive popullore të Lindjes. Fillimisht artistët shqiptarë interpretuan në skenën e Festivalit të Varshavës, kryeqyteti polak. Më vonë, me një grup tjetër më të vogël, ku bënte pjesë dhe Marie Kraja e Hysen Pelinku, ajo do të vazhdonte turneun në Berlin, Pragë, Bukuresht, Sofje etj.

Koncertet e mbajtura në disa nga qytetet kryesore të Europës Lindore dhe Qendrore do t’i hapnin asaj siparin e skenave të tjera: më 1960 TOB realizoi një tjetër turne në Sofje dhe qytete të tjera të Bullgarisë, ku Margarita, ashtu si edhe në turneun e vitit 1955, interpretoi jo vetëm si koncertmaestër, por edhe si soliste.

Ndërkohë, fati e solli që ajo t’u rikthehej studimeve më të thelluara: në vitet 1962-1966, me hapjen e Konservatorit Shtetëror të Tiranës, Margarita kryen studimet e larta për piano me pedagogun kinez Cen Ping Gang dhe diplomohet për piano. Me vendim të Drejtorisë së Institutit të Lartë të Arteve, gjatë dy viteve të fundit të studimeve të larta, ajo kreu dhe detyrën e asistent profesores, për t’u përgatitur si kuadër i ardhshëm. Me përfundimin e ciklit të plotë studimor, më 1966, u emërua pedagoge e pianos në ILA. Që nga ajo kohë e largët, Margarita Kristidhi u nda prej studentëve të saj vetëm në vitin 1994.

Ndërkohë, mjaft gjëra të tjera kishin ndodhur: në vitin 1968 ajo do të martohej me regjisorin e mirënjohur Pirro Milkani. Nga ajo martesë lindën dy fëmijë, por asnjeri nuk e ndoqi rrugën e së ëmës. Ndoshta, duke parë nënën e tyre tek “zhytej” me orë të tëra në një “bisedë” që i takonte vetëm asaj dhe pianos, ata parapëlqyen të zgjidhnin rrugën e të atit, gjithsesi edhe kjo një rrugë jo kaq e thjeshtë…

Margarita, megjithatë, nuk do ta ndërpriste veprimtarinë studimore: nga shkurti deri në korrik të vitit 1973, ajo kryen një kurs specializimi në klasën e prof. W. Perlemytier, me pedagogen Suzana Roche pranë Konservatorit Superior të Parisit. Të dy e vlerësuan mjaft lojën e Margaritës në piano dhe vendosën që në shtator ajo të merrte pjesë në një konkurs ndërkombëtar. Por, në rrethanat politike të atij viti, pianistja shqiptare ishte e detyruar që me përfundimin e studimeve pasuniversitare të kthehej menjëherë në Shqipëri. Pjesëmarrja në një konkurs të tillë aq prestigjioz kishte qenë parathënia e një ëndrre të ndërprerë jo vetëm për të, por për krejt kulturën shqiptare: përmes Plenumit IV të KQPPSH shteti komunist i asaj kohe shpalli luftë kundër liberalizmit dhe revizionizmit në art.

Më 1974 ajo filloi përgatitjet për një koncert me Orkestrën e Akademisë së Arteve: do të interpretohej Koncerti Nr. 2 për Piano e Orkestër i Feim Ibrahimit, nga i cili kishte luajtur disa vite më parë, me shumë sukses, Koncertin e Parë. Por Margaritës do t’i vdiste ëma dhe koncerti do të anulohej. Kjo ndarje e fundit me nënën dhe mikeshën e saj më të dashur, njeriun që, përveç të tjerash, i kishte rrënjosur edukatën dhe kulturën, ishte mjaft e hidhur. Gjithsesi, koncerti i planifikuar nuk do të harrohej. Margarita Kristidhi e interpretoi Koncertin Nr. 2 për Piano e Orkestër të F.Ibrahimit një vit më pas, në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit, duke shënuar një ndër majat më të larta të karrierës së saj solistike.

Aktiviteti pianistik

Me energjinë, temperamentin, muzikalitetin, teknikën e saj të admirueshme dhe formimin e spikatur kulturor, Margarita Kristidhi hyri në skenën shqiptare si e para instrumentiste e llojit, që dëshmoi aftësi reale në drejtim të aktivitetit solistik.

Karakteristikat e saj si pianiste do të përmblidhen më së miri ashtu si përcaktohen nga Jaksa Zaltar në librin e tij “Hyrje në interpretimin pianistik” (përkthyer në shqip nga prof .dr. Zana Shuteriqi): “Një artist i skenës mendohet të ketë: muzikalitet dhe teknikë loje, njohuri dhe inteligjencë, imagjinatë krijuese dhe intuitë artistike…”

Për herë të parë Margarita Kristidhi u shfaq në publikun shqiptar rreth moshës 9-vjeçare, ku ekzekutoi një Vals (Walzer) të Shtrausit (Straus), e shoqëruar nga aktori Naim Frashëri.

Më pas në vitin 1948 e ftojnë në një mbledhje gazetarësh, ku interpretoi “Romancë pa fjalë” nga Mendelson (Mendelssohn) dhe një sonatë nga Moxart (Mozart).

Gjatë periudhës së Liceut, përveçse luante në saxhot e detyrueshme, ishte gjithnjë e pranishme në programet e koncerteve që organizonte shkolla. Në këto koncerte vinin përherë artistë të huaj, të cilët, të tërhequr nga loja e Margaritës në piano, kërkonin gjithnjë që ajo të vazhdonte studimet jashtë shtetit.

Karrierën pianistike M. Kristidhi e nisi në vitin 1954 në Teatrin e Operës dhe Baletit, ku u emërua fillimisht si pianiste shoqëruese, më vonë si koncertmaestër, për të vazhduar edhe si pianiste soliste. Kjo periudhë 7-vjeçare në Teatrin e Operës dhe Baletit vërtet që do të ishte për të një përvojë shumë e madhe, gjatë së cilës jo vetëm që u familjarizua me skenën, por edhe krijoi një repertor të gjerë operistik.

Të gjitha këto pianistja e re do t’i përballonte me sukses, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit (Poloni, Gjermani, Bullgari etj.).

Ndër operat kryesore që ajo shoqëroi si koncertmaestër bëjnë pjesë: Traviata, Berberi i Seviljes, Rusalka, Eugjen Onjegin, Madam Batërflai, Kavaleria Rustikana, Mrika, Lulja e Kujtimit, Bohema etj. Po kështu mund të renditen pjesë dhe fragmente të veçanta nga: Peshkatarët e Perlave, Karmen, Dasma e Figaros, Ivan Suzanin, Otello, Toska etj. Një ndihmesë të madhe për realizimin e këtij repertori krejtësisht të ri për të, por edhe për muzikantët e tjerë shqiptarë të kohës, ishte bashkëpunimi me regjisorët rusë, me të cilët ajo punoi në kohë. Mjaft e vlefshme ka qenë edhe puna me këngëtarë të tillë si: Marie Kraja, Lukë Kaçaj, Jorgjie Truja, Mihal Ciko, Ramiz Kovaçi, Avni Mula, Ibrahim Tukiqi, Mentor Xhemali etj., si edhe shoqërimet me këngëtarët e huaj nga Hungaria, Rumania, Bullgaria etj. Në këtë kontekst mund të përmenden, gjithashtu, edhe bashkëpunimet me kërcimtarët klasikë Zoica Haxho, Agron Aliaj, Ganimet Simixhi, Xhemil Simixhi. Siç shprehet prof. Hamide Stringa: “Margarita Kristidhi shquhej për aftësi të veçanta komunikuese me artistët.”

Në fillimet e karrierës profesionale të M.Kristidhit, një vend gjithnjë e më të rëndësishëm do të zinte edhe muzika e dhomës. Recitalet e para të llojit ajo i realizoi me violonçelistin Ymer Skënderi, që sapo ishte diplomuar në Konservatorin e Pragës. Me kalimin e kohës bashkëpunimet e saj me instrumentistët shqiptarë do të pasuroheshin me emra të tjerë, si: Pjetër Gaci, Robert Papavrami, Zhani Ciko, Ibrahim Madhi, Vangjush Papadhimitri, Raimonda Koço etj. Por edhe me artistë të huaj, si tenorin Tito Scipa apo violinistin turk Dalaysek.

Në vitin 1962 M. Kristidhi nisi studimet e larta për piano, duke u renditur njëkohësisht midis studentëve të parë (dhe shumë të pakët) pianistë të Konservatorit Shtetëror të Tiranës. Pikërisht në vitin e parë të studimeve, ajo realizoi me Orkestrën Simfonike të Konservatorit, të drejtuar nga Mustafa Krantja, një ndër veprat e kompozitorit të saj të preferuar, Bethoven (Beethoven): ekzekutoi për të parën herë në Shqipëri “Fantazinë për piano, kor dhe orkestër” të klasikut të madh. Më vonë, po me orkestrën e Konservatorit luajti “Fantazi për piano e orkestër”, si edhe “Koncertin nr. 1 për piano dhe orkestër” nga Franc List (Liszt).

Gjatë kësaj periudhe, një rol të madh për formimin e mëtejshëm të Margaritës si pianiste e luajti profesori i saj, Cen Ping Gang, nga i cili mësoi shumë sekrete të lojës në instrument, që do t’i shërbenin për gjithë jetën, si në karrierën pianistike, ashtu dhe në atë pedagogjike. Më 1966 mbaroi me sukses Konservatorin, duke qenë kështu një ndër prodhimet më të mira të shkollës muzikore shqiptare.

Margarita Kristidhi është pianistja e parë soliste shqiptare, që, siç shprehet, Nora Çashku: “Me personalitetin, individualitetin e saj artistik, ka lënë një sërë gjurmësh të rëndësishme në shkollën e pianos. Duke qenë një pianiste me temperament të spikatur, loja e saj është dalluar nga një dinamizëm i gërshetuar me kontraste. Kur ka luajtur Koncertin nr. 1 për Piano të Liszt në diplomën e Ermir Krantes, ka spikatur me lojën virtuoze, pasi zotëronte një teknikë të admirueshme dhe raportet që krijonte me publikun ishin gjithnjë evidente.”

Me formimin e përgjithshëm muzikor dhe me forcën e talentit të saj, pianistja shqiptare do të dallohej edhe jashtë shtetit, çka u duk sidomos në Paris, ku qëndroi për gjashtë muaj. Mbas audicionit me prof. W.Perlemytier, që kishte qenë nxënës i Ravelit, të cilin e tërhoqi mjaft loja e saj, do të kërkonte që ajo të qëndronte në Paris deri në muajin shtator për të marrë pjesë në konkursin ndërkombëtar “Nadia Bulanzher”. Madje, së bashku ata hartuan dhe programin që ajo duhej të paraqiste në konkurs: Etyde nga Shopeni, Apasionatën e Bethovenit, pjesë nga Listit, Koncertin Nr. 1 për Piano të Ravelit dhe disa pjesë të tjera. Këmbëngulja e vazhdueshme dhe siguria e shprehur aq haptazi nga prof. Perlemytier, se ajo mund të ishte pretendente e çmimit të parë, do ta çudiste dhe vetë Margaritën. Gjithsesi, kjo profeci nuk u përmbush. Fatkeqësisht, për rrethanat politike që po kalonte Shqipëria, Margarita u kthye nga Parisi dhe nuk u lejua të paraqitej në këtë konkurs. Po të kujtojmë dhe konkurset në Lice apo kërkesat që bënin për të artistët e huaj, mund të thuhet që disfatat po ndiqnin njëra-tjetrën.

Periudha e kthimit të saj në Shqipëri përkoi me momentin kur nga skenat dhe shkollat shqiptare të muzikës u reduktuan së tepërmi veprat e autorëve të huaj. Gjatë një bisedë me kompozitorin Tonin Harapi, Margarita, e cila ishte në kulmin e energjive të saj, i kërkoi të kompozonte ndonjë pjesë për të. Kështu ndodhi që T. Harapi kompozoi një Rapsodi enkas për Margaritën. Në fillim ajo e luajti pjesën me dy piano, së bashku me Anita Tartarin, me rastin e përvjetorit të Marie Krajes, ndërsa më vonë e interpretoi si soliste me Orkestrën e Institutit të Arteve. Kështu si në rastin e T. Harapit, gjatë asaj periudhe shumë kompozitorë zgjodhën M. Kristidhin si instrumentisten e duhur për të luajtur për herë të parë krijimet e tyre. Ndër interpretimet e saj premierë bëjnë pjesë: Sonata Nr. 1 dhe disa miniatura nga Kozma Lara, Skerco, Humoreska dhe Kënga e Lashtë nga Albert Paparisto, Vals dhe Romancë nga Tonin Harapi etj. Për sa u takon veprave të mëdha koncertale të autorëve shqiptarë, në listën e tyre përfshihen: Koncert Nr. 1 dhe Nr. 2 nga F. Ibrahimi, Koncert Nr. 1 nga Tish Daija, Koncert Nr. 1 nga Nestor Kraja, Rapsodi Nr. 1 dhe Romancë nga T. Harapi etj.

Nga tërë ky repertor i autorëve tanë ka qenë sidomos mbresëlënës realizimi i dy koncerteve për piano e orkestër i F. Ibrahimit, përmes të cilëve ajo përçoi tek publiku shqiptar një interpretim bashkëkohor, që ndonëse u ndëshkua, për pianistët e rinj të kohës u kthye në model të lojës bashkëkohore në piano. Koncerti Nr. 1 u shfaq në publik për herë të parë në vitin 1971. Në librin kushtuar bashkëshortit të saj F.Ibrahimit, Vera Ibrahimi shprehet: Ishte një koncert që bëri aq shumë zhurmë dhe që u shfrytëzua me tepri nga “teoricienët” e muzikës për ta varrosur, për ta varrosur veprën dhe Feimin, sepse ai ishte liberal, sepse ai po largohej nga metoda e realizmit socialist…

 Ndërsa për Koncertin Nr. 2, i cili u shfaq në publik në vitin 1975, V. Ibrahimi shkruan: Ajo natë, kur pianistja e mirënjohur M.Kristidhi interpretoi Koncertin, me orkestrën e Institutit të Lartë të Arteve, drejtuar nga R.Teqja, nuk mund të harrohet. Një qetësi absolute. Një tulatje mendjesh. Një goditje e befasishme. Duartrokitje të papërmbajtura… Megjithëse në koncert u vlerësua me Çmimin e madh të Koncerteve të Majit, u ndalua të transmetohet.

Nëse Koncerti Nr. 2 mori çmim të parë, interpretueses së tij, Margarita Kristidhit, nuk iu dha asnjë çmim, me pretekstin se ajo kishte bërë një lojë mistike. Megjithatë, pavarësisht nga mohimi i një vlerësimi të merituar, pavarësisht nga censurimi i koncertit dhe komentet negative, pasojë e situatës politike në vend, vepra korri një sukses të paparë, duke sjellë kështu një fryme të re për kohën. Është afër mendjes që për realizimin optimal të një vepre muzikore kërkohet bashkëpunimi i ngushtë i të dyja palëve, i kompozitorit dhe interpretuesit. Pikërisht kjo gjë ndodhi me këtë vepër të F. Ibrahimit: u gjet pianistja e duhur, e cila ishte pikërisht Margarita Kristidhi. Kush më mirë se ajo mund të arrinte ta zbërthente atë muzikë?! Me dorën e madhe, me energjinë që transmetonte, me statujën e një solisteje të vërtetë, me bagazhin që e karakterizonte, ajo arriti t’i përcillte publikut dinamizmin dhe virtuozizmin karakteristik të veprës. Interpretimi i Koncertit të F.Ibrahimit nga M.Kristidhi ka mbetur i pakapërcyeshëm edhe sot e kësaj dite. Prandaj dhe një pjesë e konsiderueshme e suksesit i takon interpretueses së saj. Lidhur me Koncertin Nr. 2, M.Kristidhi thotë: “Ishte një koncert i vështirë në përgjithësi, sidomos koha e parë, sepse ka një temë dhe një formë të vështirë për t’u organizuar teknikisht.”

Si pasojë e kritikave të rrepta për interpretimin e këtij koncerti, Margaritën nuk e lejuan të jepte më koncerte jashtë shtetit dhe në çdo mbledhje të mundshme ia kujtonin dhe e qortonin për këtë. Megjithatë ajo e vazhdoi më tej aktivitetin solistik. Përveç pjesëve të autorëve shqiptarë, Kristidhi ka realizuar një repertor me vepra ndër më të njohurat e literaturës pianistike të huaj. Le të përmendim midis të tjerash: Tokata dhe Fuga në Re Minor, Tokata dhe Fuga në Do Maxhor nga Bah (Bach), Sonata Nr.7, Sonata e Lamtumirës, Apasionata nga Bethoven, Fantazi, Balada, Improvizo nga Shopen etj., si edhe koncerte për piano e orkestër nga Bah, Bethoven dhe List.

Përveçse shoqëruese, koncertmaestër dhe soliste, veprimtaria e saj pianistike u shtri edhe në muzikën e dhomës. Margarita Kristidhi u përfshi shumë shpejt në trion e parë instrumentale profesioniste të krijuar në Shqipëri, ku, krahas saj, bënin pjesë violinisti Pjetër Gaci dhe violonçelisti Ymer Skënderi. Ata kanë luajtur së bashku Trio për Violinë, Violonçel dhe Piano nga Dvorzhak (Dvořak) dhe Trio nga Bethoven.

Më vonë, me violinistin Ibrahim Madhi dhe me çelistin Gëzim Laro luajti Trio nga Çajkovski (Tschaikovsky), po ashtu edhe trio instrumentale shqiptare me muzikantë të tjerë.

Më 1985 Margarita Kristidhi kishte planifikuar të jepte një tjetër koncert me orkestër, që në të vërtetë do të ishte dhe koncerti i saj i fundit solistik. Do të luante Koncertin Branderburgez Nr. 5, për piano, violinë e flaut, të J. S. Bach. Por koncerti nuk u realizua, pasi ditën e shfaqjes vdiq Enver Hoxha.

Në vitin 1992, me ardhjen e demokracisë në vend, ajo mundi të dilte përsëri jashtë shtetit. Kështu mori pjesë në një aktivitet që u zhvillua në Algjeri, ku përfshiheshin pedagogë dhe studentë nga të gjitha konservatoret e vendeve që lagen nga Mesdheu. Ky aktivitet shënon edhe mbylljen e karrierës pianistike të Kristidhit, të një karriere e cila përfshin një repertor mjaft të gjerë e të larmishëm, të një karriere e cila shënon disa nga arritjet më të shquara të traditës sonë të interpretimit, sidomos të asaj periudhe kur hidheshin hapat më të rëndësishëm të profesionalizmit muzikor shqiptar.

Kur brezat e rinj të muzikantëve do të mund të dëgjojnë në kaseta, por edhe në CD, interpretimet e Margarita Kristidhit, atëherë do të kuptojnë që Shqipëria e viteve 1950-80 ka pasur vërtet një pianiste për t’u admiruar, pse jo edhe një pianiste që mbetet shembull për muzikantët e rinj.

Veprimtaria Pedagogjike

Siç u përmend më lart, Margarita Kristidhi e filloi veprimtarinë pedagogjike ende si studente e vitit të tretë të Konservatorit Shtetëror të Tiranës, duke kryer detyrën e asistentes për profesorin e saj dhe duke drejtuar njëkohësisht edhe studentë në mënyrë të pavarur. Përvoja e fituar gjatë viteve të studimeve me profesorin kinez do të merrte një vlerë jashtëzakonisht të çmuar për punën e saj pedagogjike. Për prof. Cen Ping Gang, me të cilin krijoi marrëdhënie mjaft të mira, Margarita shprehet: “Ishte një njeri me kulturë të gjerë, nga i cili mora shumë si pedagog. Megjithëse ende i ri, ai i vuri themele të forta Konservatorit në Shqipëri.

Me mbarimin e studimeve më 1966 (atë vit konservatori u bashkua me shkollat e tjera të larta artistike, atë të dramës dhe të arteve figurative, duke formuar kështu Institutin e Lartë të Arteve), u emërua pedagoge e pianos në ILA. Intensivisht punën si pedagoge e nisi në vitin 1973 dhe e përfundoi në vitin 1994, duke udhëhequr kështu rreth 60 diploma dhe disa kurse pasuniversitare. Në vitin 1993 M.Kristidhi zhvilloi një master-class me dy studentë të huaj, me kërkesë të tyre dhe me miratimin e drejtorisë së Konservatorit të Marsejës. Roli i saj si pedagoge ka qenë mjaft i rëndësishëm, si për shkollën e lartë të muzikës në Shqipëri, ashtu edhe për studentët që drejtoi. Studentja e saj e parë, njëkohësisht dhe shoqja e saj, ka qenë Agi Koreco, e cila më pas u bë mësuese. Nga klasa e Kristidhit kanë dalë mjaft emra të njohur të skenës muzikore shqiptare, si: Anita Tartari, Johan Botka, Aleksandër Gashi, Vojsava Mane, Merita Rexha etj., si edhe ka udhëhequr diplomën e Nora Çashkut.

Margarita Kristidhi kishte një formim muzikor profesional shumë të saktë, i cili nuk kufizohej thjesht në drejtim të instruksionit, por edhe në pikëpamje të analizimit të repertorit. Gjuhët e huaja që zotëronte – frëngjisht, italisht, greqisht, anglisht dhe rusisht – i krijuan mundësi jo vetëm për të pasuruar dhe thelluar njohuritë muzikore, por edhe për afrimin me letërsinë e madhe artistike. Lidhur me këtë, Margarita shprehet kështu: “Librat të zhvillojnë fantazinë, si mund të formohet një artist pa lexuar libra?!”

Ajo ishte njohëse shumë e mirë e stileve të kompozitorëve të epokave të ndryshme, gjë të cilën e kërkonte me rigorozitet në punën e vet me studentët. Ajo u shpjegonte studentëve në mënyrë mjaft të detajuar repertorin që luanin dhe kjo sepse i njihte mirë karakteristikat dhe stilet e autorëve. Metoda që përdorte natyrisht që ishte edhe mjaft e efektshme për studentët. Gjithashtu, në mësimdhënie ajo preferonte që studentëve t’u shpjegonte përmes krahasimeve të ndryshme, duke i ilustruar edhe vetë në piano. Pasi realizonte analizat për vepra të caktuara, ajo do të mund të dallonte edhe dhuntitë dhe individualitetin e çdo studenti në piano.

Repertori që prof. Margarita Kristidhi zgjidhte për studentët e saj ishte hera-herës mjaft i veçantë. Ajo synonte t’u jepte atyre vepra nga kompozitorë të epokave të ndryshme, madje edhe të tilla që nuk ishin ekzekutuar më parë. Prof.Zana Shuteriqi, sot lektore e Historisë së Muzikës në Akademinë e Arteve, njëkohësisht dhe ish-nxënësja e saj tregon: “Kur do të përgatisja diplomën e pianos në vitin e fundit të Liceut Artistik të Tiranës, zysh Bebi mendoi të më jepte Koncertin e Shumanit (Schumann) në La minor, një vepër që jo vetëm nuk ishte ekzekutuar më parë, por, përveç partiturës, nuk ekzistonte as në regjistrime (në atë kohë kishte vetëm disqe). Gjatë periudhës që bëja mësime në piano, bëra përpjekje për ta gjetur veprën e regjistruar dhe fatmirësisht e gjeta. Kur e dëgjova Koncertin, të cilin Zysh Bebi nuk e kishte dëgjuar ende, kuptova që çdo udhëzim, çdo fjalë që më kishte thënë mësuesja ishte mjaft korrekte. Ishte afër mendjes që kjo ndodhi, pasi Zysh Bebi e njihte shumë mirë Shumanin, ashtu si edhe çdo kompozitor tjetër.”

Në punë ishte mjaft serioze, po aq dhe e përkushtuar me studentët. Ndërsa mënyra se si komunikonte me të rinjtë në jetën e përditshme ishte për t’u pasur zili, ndaj dhe mbahet mend nga të gjithë bashkëkohësit e saj. Përpiqej me çdo mënyrë t’i ndihmonte dhe t’i kuptonte ata si në profesion, ashtu edhe në jetën private. Festat e përvitshme që organizonte në shtëpinë e saj me studentët ishin realisht mjedise tërë ngrohtësi e fantazi, që vazhdojnë e kujtohen me nostalgji nga të gjithë ish-studentët e saj. Por, këto marrëdhënie kaq të afërta e njerëzore me studentët i shkaktuan jo pak telashe. Më se njëherë është cilësuar si pedagoge liberale nëpër mbledhjet e Bashkimeve Profesionale apo nëpër raportet vjetore.

Merita Rexha, studentja e saj e fundit, e cila tashmë është pedagoge pranë Akademisë së Arteve, (sot 2022, profesor i asociuar, e njëkohësisht zëvendësdekane) shprehet kështu për Margarita Kristidhin, për të cilën flet me shumë adhurim: “Që në momentin kur hynte në klasë, ajo rrezatonte kulturë. Kur jepte mësim, e vërtetoje akoma më shumë informacionin e gjerë që ajo kishte. Mënyra se si shpjegonte, mënyra e komunikimit, serioziteti me të cilin punonte ishte për t’u vlerësuar. Ishte mjaft e kuptueshme me studentët. Mundohej që studentëve t’u jepte pjesë të paekzekutuara më parë. Për diplomë më dha sonatën e Alban Bergut, dhe të jepje një autor të tillë në vitin 1994 do të thoshte të kishe një guxim të madh, sepse s’ishte ekzekutuar nga studentë më parë dhe në Shqipëri njihej shumë pak.

Fatkeqësisht, karriera pedagogjike e Margarita Kristidhit u mbyll në vitin 1994. Themi, fatkeqësisht, pasi ajo mund të vazhdonte të jepte kontributin e saj në shkollën shqiptare të pianos dhe për shumë vite të tëra. Me daljen e saj në pension, Akademia e Arteve (Sot Universiteti i Arteve) humbi një ndër pedagoget që vunë themelet e shkollës sonë të lartë muzikore.

Krahas veprimtarisë artistike dhe pedagogjike, Margarita Kristidhi është autore e dy librave: “Për ju pianistë, i cili është një fjalor terminologjik i veprave pianistike dhe udhëzimeve pedagogjike e artistike për interpretimin e disa veprave madhore shqiptare dhe të formave më të vogla. Libri tjetër titullohet “Metodika pianistike, ku përfshihen disa leksione origjinale dhe disa të përkthyera dhe të përshtatura. Ka shkruar një numër artikujsh në gazetën “Drita”, ka mbajtur kumtesa për interpretimin e veprave të autorëve tanë, duke dëshmuar gjithnjë aftësitë e saj teorie në fushën e interpretimit instrumental.

© 2022 Metila Dervishi. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


 

Shënim: Për realizimin e këtij shkrimi u intervistuan:

Prof. Margarita Kristidhi

Prof. Hamide Stringa

Prof. Nora Çashku

Prof. dr. Zana Shuteriqi

Prof. as.dr. Merita Rexha

About the Author

Metila Dervishi është specializuar në muzikologji sistematike dhe etnomuzikologji, dhe ka veprimtari të gjerë studimore dhe botime akademike dhe popullarizuese.

Author Archive Page