SHOLLYWOOD

nga P. Stafa

Hollywood-in e dinë të gjithë se çfarë e ku është, Bollywood-in gjith’ e më shumë (për shqipparësit e moshave të thyera: „Vagabondi“: Raxhi dhe Rita…), Nollywood-in më pak, ndërsa për Shollywood-in nuk ka dëgjuar askush, pasi këtë emër po ia vemë ne tani të parët. Për këtë të fundit, ose më mirë veçse për një film me metrazh të shkurtër të tij të ditëve të fundit, do të shkruajmë ca rreshta.

Në Shollywood ngjarjet nuk kanë skenarist e as regjisor: mungesa e këtij të fundit ndihet dhimbshëm në formë, ndërsa e të parit në përmbajtje. Si shikues, ti nuk di ç’të bësh me përjetimin tënd që luhatet ndërmjet buzëqeshjes së hidhur – pasi ngjarjet janë më së shumti zbavitëse, për sa kohë nuk të duhet të jesh vetë i pështjellë në to; zbavitëse në kuptimin cinik të kësaj fjale – dhe revoltës qytetare, shoqëruar kjo me pafuqinë e spektatorit, i cili nuk mund të hyjë dot në ekran  e të ndryshojë rrjedhën e tyre. Si spektator ti ke vetëm mundësinë e të dalit nga salla, nëse flitet për kinemanë, apo të zap-ësh në një kanal tjetër, në je para televizorit. Nëse arrin të bësh zap veten, më e këshillueshme do të qe ta fikje fare. Ose të ulesh e të shkruash ca rreshta, si punë vetëterapie e tua hedhësh edhe të tjerëve topin – gurin, për të dalë tek Sizifi. Pasi filmimi, që na shkakton këto simptoma, ka vërtet diç’ sky-shëm absurde.

Bëhet fjalë për këtë trailer-in këtu:

http://www.abcnews.al/lajme/kulture/4/37066

Absurd është këtu shkaku përse janë mbledhur ata pak njerëz në atë sallë të ftohtë, absurde është fjala e ministres, e cila bën si me përdhunë diç’ që duket qartë se nuk e beson, absurdë janë edhe aktorët që marrin e japin çmimet (paratë), absurd është vendimi për të ndryshuar numrin e tyre në t’ardhmen. Por nuk ka se si që kultura e një vendi të jetë absurde, ndaj dhe hidhësia e buzëqeshjes më sipër dhe pafuqia e revoltës para ekranit.

Pasi , duam s’duam ne, „…ndryshimi që kërkojmë të shohim në botë jemi vetë ne“ (Gandhi), e problemet e sistemit, ndonëse R. pohon të kundërtën, janë më së pari probleme të ndërgjegjes, për pasojë, probleme të kulturës.

Është simptomatik ky filmth i shkurtër, shfaqur disi fshehtë në cep të kronikave të përditshme politike a të zeza, pasi na tregon qartë se elitat kulturore të këtij vendi nuk janë në gjendje të organizojnë siç duhet një konkurs të thjeshtë e të pafajshëm me një juri të pakontestueshme dot, duke qenë se janë ata vetë të parët që dyshojnë në këtë; ç’mund të presësh për gjëra më madhore pastaj, siç është, ta zemë, përpunimi i së kaluarës, hija e gjatë dhe e pakrasitur e së cilës vazhdon të na pllakosë ende shpirtrat?

Shqiptarëve të moshave mbi 40 u kujtohet ende fare mirë se si bëheshin këto punë asokohe: nuk ngjan të ketë ndryshuar shumë gjendja. Natyrisht që kronos-i bën të vetën, por edhe jeta është gjithashtu e shkurtër, për të lexuar edhe në pleqëri, pasi të kanë dhunuar në fëmijëri me „Nënë-n Shqipëri“ se si ish-kryetari i Lidhjes famëkeqe të Shkrimtarëve u jep leksione demokracie kryetarëve të shtetit, ndonëse e pohon vetë i pari se ka mbetur komunist në shpirt. Pothuajse është harruar, apo nuk përmendet qëllimisht, se K. përveç „Pallatit të ëndrrave“ ka shkruar edhe të tjera gjëra, pa përdhunë, që të kuptohemi, a të keqkuptohemi, se zërat që citojnë shqiponjat që fluturokan lart dhe komisarët, harrojnë po aq qëllimisht pjesën tjetër të ajsbergut. Është tejet e trishtueshme të shohësh se si përfliten „legjendat“ e ekranit shqiptar, „këngët e shekullit“, bacët, gjigandët, yjet, „të mëdhenjtë“ – patetika e rënduar të bën të të vijë për të qeshur edhe në xhenaze: jo se të ndjerët nuk e meritojnë nderimin, por ky nderim që u bëhet është më së shumti „homazh“ që ka shumë të përbashkëta me atë të gjatin e të lodhshmin njëjavor të 11 Prillit. Simptoma provincializmi, humbëtire, pa dyshim…

Me sa duket, ata që i japin e i marrin çmimet kombëtare janë edhe ta me një këmbë në varr, qoftë në të shkuarën si grackë, ku mund të tundin veç këmbën e lirë në këtë vallzim grotesk shqipesh, qoftë në të ardhmen si kujtesë, pasi absurdi ka vetinë e të mos lënit gjurmë: brezat që vijnë nuk e kuptojnë dot.

Që ata të mund të na kuptonin, ne e kohët, në të cilat na u desh apo deshëm të jetonim – në njëfarë mënyre ne jemi edhe koha në të cilën jetojmë – do të duhej nga ana jonë, që ne vetë të mundnim të mbyllnim kapitullin e të shkuarës, për të qenë të lirë për atë që vjen. Këtë nuk po jemi ende në gjendje ta bëjmë së pari në ndërgjegje, ndërsa realiteti i jashtëm është veç gjurma e kësaj përleshjeje me veten, këtij makthi drejt një rregulli, qetësie e pjekurie të supozuar.

Ministrja shpalli se vitin tjetër do të ketë vetëm një çmim: por ky nuk qe problemi. Nuk qe problemi as në ata që morën çmim ishin të denjë për të; ndoshta e meritonin, ndoshta jo – për të vënë në dyshim këtë duhen lexuar rreth 1500 libra e duhej folur për ata që do e kishin merituar e nuk e morën, por as kjo nuk i intereson kujt dhe nuk është çështja për të cilën po flitet.

Pasi dyshohet konstrukti, dyshohet, a priori ndoshta, edhe juria e ky është problemi i vërtetë. Me sa duket, në të gjithë hapësirën shqipfolëse, nuk mund të gjenden jurorë, integriteti i të cilëve, me apo pa të drejtë, të ish i pakontestueshëm.

E kjo nuk ka gjasa të ndryshojë as vitin tjetër, as vitet në vazhdim. Ndaj, ndokujt (çmimi do të ketë vlerë simbolike, aty tek 10 Euro, nënkuptoi Kumbaro, duke marrë si shembull Goncourt-in) që do „e godasin“ me çmim vitin që vjen, i këshillojmë, duke qenë se nuk humbet sidoqoftë asgjë, veç ta refuzojë atë. Nganjëherë zgjidhjet mundet të jenë edhe mohuese…

Nuk ka komente

  1. “Me sa duket, në të gjithë hapësirën shqipfolëse, nuk mund të gjenden jurorë, integriteti i të cilëve, me apo pa të drejtë, të ish i pakontestueshëm.”

    Gjithe ky shkrim per te thene se problemi kete vit paska qene kryetari i jurise Visar Zhiti, qe paskesh qelluar pa integritet.

    Nese e kam kuptuar une gabim, atehere ku eshte problemi?

  2. Gjithe ky shkrim per te thene se problemi kete vit paska qene kryetari i jurise Visar Zhiti, qe paskesh qelluar pa integritet.
    Nese e kam kuptuar une gabim, atehere ku eshte problemi? – shkruan.

    E ke kuptuar gabim.
    Problemi është: të gjithë shoqërinë shqiptare e ka prekur korrupsioni, e këtij të fundit nuk i kanë shpëtuar as letrat.
    Në letra korrupsioni shfaqet në format absurde dhe pak fitimprurëse të klaneve, grupeve, njohjeve, tarafllëkut dhe mosnjohjes dot së problemit, siç bën edhe ti më sipër.
    Jo vetëm që ka problem, por ky është i sojit madhor, duke qenë se po flasim për identitetin shpirtëror të kombit.
    Ndërsa z. Zhiti nuk hynte këtu asgjëkundi.

    1. Autori thote:

      “Ministrja shpalli se vitin tjetër do të ketë vetëm një çmim: por ky nuk qe problemi. Nuk qe problemi as në ata që morën çmim ishin të denjë për të; ndoshta e meritonin, ndoshta jo…

      “… edhe juria e ky është problemi i vërtetë.”

      Pra problemi i vertete nuk qenka te veprat qe u vleresuan me çmim, por te juria, e cila kryesohej nga Visar Zhiti. Me shqip se kaq nuk ka ku te shkoje.

      Tani une jam dakord qe shoqeria shqiptare eshte e gjitha e korruptuar dhe per pasoje nuk do te habitesha fare sikur edhe nje juri çmimesh te korruptohej.
      Vetem se kjo duhet argumentuar rast per rast. Nuk mjafton te bertasim ne tym kunder korrupsionit. Ku ishte problemi me kete juri konkrete? Kujt ia hengri hakun? Cilet autore dhe vepra vleresoi pa te drejte? Ne ç’menyre dhe ne ç’mase u korruptua ajo?

      Si shume lexues te tjere te blogut, une jetoj jashte Shqiperise dhe nuk i njoh nga afer gjerat. Per kete arsye e them vete me goje hapur se une ne kete rast mund te mos e njoh problemin. Synimi i shkrimit duhej te ishte pikerisht sqarimi dhe shtjellimi i problemit per ata si puna ime qe nuk e njohin ate.

      Pra komenti im ishte nje ftese per te qene me te qarte, me te hapur e me te drejtperdrejte.

  3. Prapë më ke keqkuptuar.

    Çështja e çmimeve është një temë e vjetër që përflitet pothuajse çdo vit në shtyp; edhe në këtë blog është shkruar shpesh për këtë, këtu p.sh.:

    http://xhaxhai.wordpress.com/2011/02/06/gjithe-pushtetin-miqve/

    Kjo dije nënkuptohet në shkrim dhe merret si e dhënë që lexuesi e ka të qartë kontekstin dhe e di se çfarë ka ndodhur më parë.

    Përndryshe bie në pozitën e atij që futet dhjetë minutat e fundit në kinema e nuk arrin të kuptojë se pse i miri vret të ligun, ose e kundërta.

    Edhe ti mund të ishe informuar shumë thjesht, para se të komentoje, me padurim do të thoja, duke guglluar më së pari me”çmimet kombëtare të letërsisë” e do të ishe njohur kështu me problematikën që shtron ky shkrim.

    Sidoqoftë, më poshtë ke disa linke (nga dhjetëra të mundshme), ku mund të gjesh përgjigje për pyetjet që shtron:

    http://www.revistaklan.com/index.php?id=4142&mod=2

    http://www.standard.al/epilogu-i-cmimeve-kombetare-dhe-pastrimi-i-haurit-te-avgjise-letrare/

    1. Faleminderit per linket, te cilat pasi i lexova, nuk bene gje tjeter veçse me konfirmuan ate çka thashe me siper. Thashetheme dhe ankesa pa fund qe vijne kryesisht nga autore dhe perkthyes hatermbetur ngaqe nuk moren çmime. Per çudi te gjithe nuk harrojne te theksojne, sikurse ben edhe ti, se nuk vene ne dyshim vleren e veprave te vleresuara me çmime, por… e ketu fillon cirku anadollak e ankesave marramendese pa fund e krye.

      Çmimet per nga vete natyra e tyre e kane brenda subjektivitetin sepse edhe anetaret e jurive jane subjekte. Por une deri me sot nuk kam lexuar asnje kritike ku autori te argumentoje bindshem permes nje analize rigoroze se nje veper e caktuar nuk e meritonte çmimin apo se nje kryeveper e padiskutueshme mbeti pa vleresuar. Te tjerat jane llogje Kavaje!

      1. Ka një kriter që e hedh poshtë këtë që shkruan:

        asnjë nga veprat e asnjë autor që ka marrë çmim këto 15 vitet e fundit nuk i ka rezistuar kohës.

        Po të nisemi automatikisht se do të ketë patur vlera (nëse nuk do të kishte, nuk kish edhe pse të ndaheshin çmime), atëherë, me një llogari të thjeshtë i bie që nuk është vlerësuar mirë.

        Ndoshta të ndihmon për të kuptuar problemin fakti që çmimet shoqërohen me para: çmimi “i madh” ka marrë aty tek 10 milionë lekë, ndërsa të tjerët rreth dy-tre mijë euro. Edhe jurorët paguhen aty tek një mijë euro për punën e tyre.

        Personalisht, nëse të intereson kjo, nuk hyj as tek aspirantët, as tek pretenduesit e as tek të pakënaqurit, por thjesht tek dashamirësit e kulturës, në këtë rast të letërsisë; zakon i vjetër, që është ndoshta i dëmshëm si duhani.

        Siç po shkruaja më sipër, nuk bëhet fjalë se kush i ndau, apo i mori çmimet; bëhet fjalë për një situatë simptomatike që zgjat prej vitesh të kudogjendur në Shqipëri, për një miniaturë letrare të tenderave që jepen andej -këtej, apo të shërbimit shëndetësor, ta zemë, ku duhet të njohësh dikë, pa të të bëjnë një gjilpërë e kështu me radhë.

        Ashtu siç dyshohet integriteti i politikanëve, të cilët edhe kur filmohen duke vjedhur vazhdojnë të marrin ndoshta edhe më shumë vota se më parë, po kështu ndodh edhe në rastin në dukje të pafajshëm që po marrim në shqyrtim e që nuk është më sporadik. Problemi është se dyshohet deri edhe integriteti i atyre që duhej të qenë ndërgjegja e kombit dhe, për më keq, nuk po dihet në ekziston më kjo racë e rrezikuar nga zhdukja. Në do të ish vërtet kështu, do të ishte thjesht humbje kohe të flisnim për kulturë e, ndoshta, edhe për të qenit ende shqiptarë.

        1. Per mendimin tim ministrja ka te drejte. Nuk duhen dhene kaq shume çmime, por sidomos qeveria nuk duhet te marre persiper vleresimin e krijimtarise letrare me juri te emeruara nga lart.

          Sa per ate qe thua mbi mungesen e vlerave, Shqiperia kjo eshte, mos prit te botohen çdo vit kryevepra qe t’i rezistojne kohes.

          Ajo çka nuk me pelqen mua eshte menyra meskine me te cilen shqiptaret e trajtojne kete çeshjte. Ne vend te diskutojne per veprat, merren me thashetheme e me pergojime emrash te perveçem, me biografira, me akuza per korrupsion, me pandehma pazaresh te nenrrogozshme etj.

          Po t’u hedhesh nje sy çmimeve te dhena gjate ketyre dhjete viteve te fundit, do te vesh re se jane aty te gjithe autoret qe dominojne skenen e sotme letrare. Ata jane, nuk kemi te tjere. Ndoshta une e ti, po te ishim ne juri, do te kishim bere zgjedhje te tjera, po aq te diskutueshme.

          E pastaj çmimet e jurive nuk jane gjithçka. Pervoja e vendeve te tjera ka treguar se shpesh veprat e vleresuara me çmime nuk jane ato qe vertet mbeten. Mjafton te shohesh subjektivitetin me te cilin jepet çmimi Nobel per letersine dhe diskutimet e ashpra qe pasojne çdo vit ato vendime.

          Çmimet e jurive duhen marre per aq sa vlejne, sepse Juria me e mire eshte Koha!

  4. PS: “…asnjë nga veprat e asnjë autor që ka marrë çmim këto 15 vitet e fundit nuk i ka rezistuar kohës.”

    Mendoj se eshte shume shpejt te arrihet ne konkluzionin e mesiperm. Nese do te perdorim te njejtin hark kohor:Cila nga veprat qe nuk ka marre cmim i ka rezistuar kohes? Si mund ta masim kete sukses te nje vepre tjeter ne keto 15 vjet?

    Ne lidhje me temen vete Visar Zhiti(d.v.), qe nuk e njoh dhe nuk i kam lexuar asgje, shkruan si me poshte:

    “Jorge Luis Borges famën e shkrimtarit e krahasonte me pushtetin. Çmimet, ja, që japin famë. Atij nuk iu dha çmimi “Nobel”, gjë që konsiderohet si një gabim i pandreqshëm. U bë zakon të mos ma japin, buzëqeshte ai. Pa çmimin “Nobel” janë dhe Franc Kafka, Dostojevskij, Tolstoi, ndër më të mëdhenjtë e njerëzimit, kur shumë e shumë nobelistë janë harruar. Zhan Pol Sartri e refuzoi…

    Me poshte Zhiti shkruan:

    “Sipas njërit nga gazetarët më popullorë të shekullit XX, Enzo Biagi, shkrimtar ndërkohë, kryetar në shumë e shumë juri, mund të shtojmë se çmimet kanë këtë të përbashkët, kur i merr janë të mirë e të drejtë, kur nuk i merr janë të padrejtë e jo ndonjë gjë.”

    Dhe ne fund, gje qe e mendojme te gjithe besoj, Zhiti e mbyll:

    “Çmimi i vërtetë i një vepre është leximi i saj i vazhdueshëm.”

    Jam kurioz te di prej njerezve te azhornuar me letersine shqipe post-komuniste, gje qe mund te jete edhe rekomandim per ne te tjeret:

    Cilet shkrimtare qe nuk i eshte dhene ndonje cmim akoma) publiku duhet te njohe, kur vepra e tyre ka dhene shenja se do t’i rrezistoje kohes?

    Perseri, nese rekomandohet dicka e tille: Cila eshte menyra e matjes te probabilitetit se vepra e shkrimtarit eshte drejtuar kah, apo eshte duke hyre( me nje kembe brenda), apo ka hyre ne panteonin letrar shqiptar te jetegjatesise?

    1. Read Me, ben nje pyetje teper te veshire, se ciles çdokush mund t’i pergjigjet ne menyre subjektive. Nuk jam i sigurt, por mendoj se nje autor qe nuk eshte vleresuar ndonjehere me çmime eshte prozatori brilant Virion Graçi. Ndersa me vjen ne mendje tani edhe nje vellim me poezi i Ahmatoves, perkthyer mjeshterisht nga Aurel Plasari. Po te isha une ne juri ate vit qe u botua, do t’i kisha dhene çmimin per perkthimin me te mire.

  5. Ndodh gjithnjë i njëjti gabim, të cilin e bën edhe Zhiti, kur flitet për këtë temë: tjetërgjë është kritika letrare dhe vlerat që gjykohen e një gjë tjetër mekanizmi i vlerësimit të tyre, në këtë rast çmimet në fjalë.

    Këto të fundit janë të diskutueshme, për nga vetë rregullorja e tyre, për nga mënyra se si kanë funksionuar, për nga partishmëritë politike a klanore e probleme të tjera, që mund të lexohen në dhjetëra e dhjetëra shkrime kritike gjatë këtyre viteve. Jo më kot vetë ministrja e Kulturës, që e njeh më së miri këtë qerthull nga brenda, distancohet në atë formë në fjalën e saj.

    Duke qenë se problematika e çmimeve trashëgohet (trashëgohej, më saktë, pasi ato nuk do të ndahen më siç deri më tani), meqënëse fituesit e një viti janë jurorët e vitit tjetër, është pothuajse e pamundur të ftillohet se kur nisi të merrte ferra uratën, pasi për ta bërë këtë duhen lexuar rreth 10000 tituj, në mos më shumë, pensum ky i papërballueshëm nga një lexues normal, aq më tepër nga një shkrues a komentues i thjeshtë i këtij blogu, sikurse kërkohet më sipër.

    Por duhet të ketë diçka ose shumëçka të dyshimtë në këtë proçes, nisur nga moria e vërejtjeve e kritikave, të cilat nuk mund të shpjegohen vetëm me dashakeqësinë e atyre që i shprehin. Gjithashtu, vetë vlera morale e këtyre vlerësimeve ka ardhur duke u zbehur përvit gjith’ e më shumë, pa arritur të kristalizohen si piketa orientimi të cilësisë së prurjeve të letërsisë shqiptare pasdiktatoriale.

    Shkruhet më sipër se fundja janë nderuar ata emra që përfaqësojnë letërsinë shqipe sot: dyshoj se nuk është ashtu, pasi askush nuk është në gjendje sot të bëjë prerjen e artë të saj. Shkaqet e përmendjes mediatike sot në Shqipëri janë po aq të dyshimta, sa edhe çmimet vetë.

    Ndërsa (për Read Me) mund të përmendja p.sh. Rreshpjen, Belliun, apo Hatibin (veç këta të dy më vijnë ndërmend për momentin), të cilëve fare mirë mund t’u ishte dhënë ndonjë çmim, gjë që nuk ka ngjarë. Në rastin e Belliut dhe Rreshpjes çmimi do të kishte qenë ekzistencial e ndoshta do ta kishin lënë këtë botë disi më ndryshe.

    1. “Gabimi” i vertete i i Zhitit, i imi dhe i te tjereve si puna jone eshte se ne mendojme se “çmimet nuk jane letersia”. Ne te vertete ato nuk kane kurrfare rendesie per ata qe e duan letersine. Une kur lexoj, nuk nisem nga çmimet. Bej perzgjedhjen time ne baze te formimit, shijeve dhe kritereve te mia estetike. Nuk me intereson shume se kush e mori çmimin kete apo ate vit. Kjo mund t’u interesoje vetem atyre qe ushqejne shpresen te marrin ndonje çmim bashke me shperblimin perkates, dhe kur nuk e marrin ate, fillojne e ankohen. Nese ndonje lexues i konsideron çmimet si orientim per çka duhet te lexoje, atehere me mire te mos lexoje fare, se nuk eshte per ate pune.

      Petro Marko, sa qe gjalle, nuk mori ndonje çmim, ndersa Fatmit Gjata u dend me çmime. Por kjo nuk beri qe vepra e Gjates te lexohet me shume se e Petro Markos.

      S’ka kuptim te vazhdosh te thuash se nuk kritikon vendimet e jurive, se ato paskan qene te drejta, sepse veprat e vleresuara e paskan merituar çmimin, por kritikon “mekanizmin e vleresimit” te tyre. Nese mekanizmi paska funksionuar, sepse nuk ka vleresuar vepra mediokre, ç’rendesi ka per ty rregullorja? Edhe une, po te kisha qene ne juri, ndoshta do te kisha votuar per te tjera vepra. Por ja qe mua nuk me pyeti kush, e une nuk merzitem fare per kete. As ty nuk te kerkoi kush mendim.

      Sa per ate tjetren qe thua se duhen lexuar 10000 libra per te bere vleresime, e ke krejt gabim, sepse letersia eshte si puna e veres. Nuk ke nevoje te pish gjithe fuçine per te thene nese vera eshte e mire. Edhe me librat keshtu eshte. Sidomos kur behet fjale per autore te rinj e te panjohur, mjaftojne 5 minuta me nje liber ne dore per te kuptuar nese ia vlen ta lexosh apo jo.

      Rreshpja para se te vdiste, i mori nja dy çmime. Ne vitin 2004 u shpall poeti i vitit. E prapseprape keto vleresime as i shtuan as i hoqen gje vepres se tij.
      Belliu nuk pati kohe te merrte çmime, sepse vdiq shpejt, ne vitin 2001. Po te ishte gjalle, jam i sigurt qe do te kishte marre çmime. E megjithate ai sot vleresohet nga ata qe e njohin poezine si nje poet i jashtezakonshem. Hatibi ka gati dhjete vjet qe nuk boton gje. Ndoshta po te kishte botuar, edhe ai mund ta kishte marre ndonje çmim. Gjithsesi, duke e njohur, te siguroj une se nuk do t’ia dije per çmime.

      1. Ke të drejtë në çdo gjë që shkruan, por kam përshtypjen se po flitet kithët.

        Tema është dhe ishte ndarja e përvitshme e çmimeve dhe zbehja e tyre në vite, arsyet e mosfunksionimit të këtij mekanizmi e kështu me radhë.

        Ndërsa ti po kërkon medoemos të flasësh për letërsinë e mirë dhe a duan, apo nuk duan t’ia dinë njerëzia dhe letërsia e mirë për çmime; këtë gabim bën edhe Zhiti në argumentat e tij disi butake.

        Unë nuk shkrova asgjëkundi se u vlerësuan veprat më të mira, as se nuk qenkëshin vlerësuar të tilla: nuk jam në gjendje ta vlerësoj këtë për arsyet që parashtrova më sipër dhe as nuk po dua të bie në atë rrafsh.

        Në shkrimin tim u mora veç me pafuqinë dhe absurditetin e këtyre ministrive / jurorëve / çmimmarrësve e çmimdhënësve për të krijuar një institucion të besueshëm e hijerëndë.

        Zhiti, në artikullin e tij, merret me çmimet Nobel e harron se po flitet për realitete krejtësisht të ndryshme: Nobelit nuk i diskutohet kurrë integriteti, por më së shumti subjektiviteti. Në shkrimin tim po bëja të kundërtën: po shqyrtoja se pse në Shqipëri diskutohet më së shumti ky i pari dhe arsyet janë mëse të prekshme: në një vend ku korrupsioni, tarafllëku, mospërgjegjësia, nepotizmi etj. janë në rend të ditës, atëherë pse duhet të bënin letrat përjashtim?

        Nëse kërkon në rrjet, apo ke ndjekur diskursin e përvitshëm të 15-20 viteve të fundit për këtë çështje, atëherë do të vesh re se jo vetëm nuk ka ndryshuar asgjë për mirë, por, për më tepër, e gjithë kjo çoi në rrënimin dhe humbjen edhe të asaj pak sqime që këto çmime kanë patur fillimisht.

        Por nëse kërkon, m’anën tjetër, të më tërheqësh në një debat kritiko-letrar, siç bën më sipër, më duhet të tërhiqem, pasi, siç shkrova, do i binim njëri gozhdës e tjetri patkoit.

  6. Pavarsisht subjektivitetit qe eshte pjese e gjykimit tone per artin qe kalojme ne duar, pyetja qe bera deshmon se sa pak krijimtari letrare ka gjasa t’i rezistoje kohes. Periudha 15-20 vjecare eshte minimaliste per te gjykuar si cmimet ashtu edhe autoret. Koha eshte seleksionuesi me i mire i te dyjave. Sot per sot jetojme ne nje lloj Babilonije.

    Ekzekutivi, pjese e te cilit eshte edhe ministria, nuk jane institucione dhe autoritete letrare. Nje cmim institucionalizohet jo nga aparatcike te perkoheshem politike, qe shkojne e vine, ne varesi te drejtimit te ererave politike.

    Pyetja qe bera eshte e veshtire, sepse kerkon pergjigje qe nuk mund te jepen menjehere. Akoma nuk kemi nje profil te vertete vlerash si ne krijimtari letrare ashtu edhe ne kritike letrare. Etalonet e vertete vine nga jashte, nuk mund t’i arrijme e t’i kenaqim kerkesat dhe standardet e tyre. Por nuk na nxiton asgje.

    Gjendemi akoma si ne nje situate pas nje termeti, por termeti nuk ishte shtate ballesh. Ishte i kontrolluar, i vete-induktuar. Asnje ndertese nuk eshte rrezuar, qendrojne ne kembe edhe karakatinat, shemtirat me tulla silikate socialiste, disa te suvatuara, te trukuara me nje makiazh bajat te dale boje dhe ndertesat e vjetra shume pak te meremetuara, monumente arkitekture, por me qemeret e rene. Shihet tek-tuk ndonje strukture e re, moderne, imitacion me xham dhe metal.

    Verdikti nuk eshte dhene akoma. Merr kohe, aq me teper qe koha ne nje vend si Shqiperia ka nje ritem, pulsim tjeter.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: